6.1 C
Pristina
Tuesday, May 11, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Rrugicat historike të Durrësit fshehin thesare arkeologjike të pazbuluara

Rrugicat historike të Durrësit fshehin thesare arkeologjike të pazbuluara

Lagja historike e qytetit bregdetar përmban një trashëgimi të pasur arkitektonike dhe thesare arkeologjike të pazbuluara nën themelet e saj

Zef Tedeschini është një nga banorët e hershëm të lagjes pas bashkisë së Durrësit. Në rrugicat ku ai ecën çdo ditë, në fundin e viteve 1950 filluan të xhiroheshin mjaft episode nga filmat e parë artistikë në vendin tonë, nga “Furtuna” deri te “Rrugicat që kërkonin diell”.

Por kjo lagje pranë qendrës, më shumë njihet për banesat e ndërtuara në 200 vitet e fundit, ndërsa pasuria arkeologjike nën to thuajse nuk njihet fare.

“Këtu ndodhen disa nga godinat historike të shekujve 19-20-të. Përveç rëndësisë që kanë për qytetin, ato përbëjnë një pjesë të historisë sonë kombëtare,” tregon Zefi, shtëpia e të parëve të të cilit është ndërtuar në vitin 1843.

Pinjolli i Tedeschinëve, dikur konsuj të Austrisë në Durrës, para disa vitesh e restauroi  shtëpinë e tij, duke ruajtur sa më shumë pamjen e hershme. Por kujdesi i shtetit për konservimin e lagjes historike të Durrësit le për të dëshiruar.

Rrugët e shtruara me kalldrëm dekorativ prej çimentoje, bashkohen me pjesë prej asfalti, që në mjaft vende ia lenë vendin pellgjeve të ujit e të baltës.

Në drejtkëndëshin nga Bashkia deri në godinën e Bankës, që daton në fundin e  viteve 1920, kushdo që viziton këtë lagje gjen Kishën Katolike “Shën Luçia”, ndërtuar në vitin 1868, e cila nën kujdesin e Kishës katolike u restaurua kohët e fundit, së bashku me godinën e dikurshme të Arqipeshkvnisë.

Arkitekti Indrit Hamiti, i cili përgatiti projektin e rikonstruksionit, tha për BIRN, se kohët e fundit, ka nisur edhe restaurimi i godinës ku ndodhej Mitropolia, një pjesë e së cilës në vitin 1925 u shfrytëzua si selia e parë e Bankës Kombëtare Shqiptare.

Banesa është ndërtuar më vonë se sa Mitropolia që ndodhej pranë kishës së Shën Spiridhonit, institucioni fetar që u shkatërrua përfundimisht në mesin e viteve 1960.

Arkitekti durrsak ka grumbulluar dokumentat dhe planimetritë e objekteve me vlerë historike për Durrësin, veçanërisht në vitet e shpalljes së Pavarsisë.

“Në mitropolinë e vjetër orthodokse ka banuar disa kohë Imzot Fan Noli, dhe megjithëse është shpallur monument kulture 30 vjet më parë, banesa është mjaft e degraduar,” shprehet Indrit Hamiti.

Një tjetër godinë prej shumë vitesh në rindërtim, i përket vitit 1884 dhe ka shërbyer si konsullata austro-hungareze, pikërisht kur perandoria osmane po humbiste peshën e saj në qytetin – port.

Pranë rrugicave që gjarpërojnë, shihen 3-4  pallate të viteve 1980 të ndërtuar pa asnjë kriter urbanistik.

Shumë pranë disa banesave të vjetra, që bartin dukshëm shenjat e dëmtimit nga tërmeti, një burrë na thotë se presin të marrin një leje ndërtimi për një banesë disakatëshe.

Ruajtja e identitetit shekullor të lagjes në qendër të Durrësit duhet të përballet me potencialin e lartë arkeologjik që ka zona.

“Megjithëse nuk janë kryer gërmime të mirëfillta, tashmë ka mjaft të dhëna për praninë e monumenteve të pazbuluar në të gjithë territorin që ndodhet mes bulevardit ‘Epidamn’ dhe rrugës ‘Egnatia’,” tha për BIRN arkeologu Eduard Shehi.

“Që nga shek. 11-të, aty ku më vonë u ndërtua kisha orthodokse e Shën Spiridhonit, ndodhej Kisha katolike e Amalfitanëve,” sqaron prof. asc. Shehi, duke shtuar se ndërtimi mbi të i një godine në vitet 1980 e bën thuajse të pamundur zbulimin e saj.

Elementet e një kishe tjetër, provohen edhe nga dokumentet arkivore në të njejtin territor.

“Bashkë me dy kishat e shekullit të kaluar, në zonë ndodhej edhe xhamia e Kaja Hanëmit,” vijon arkeologu, duke kujtuar se ajo u rrafshua pas tërmetit të 26 dhjetorit 1926, për ti hapur rrugë ndërtimit të bulevardit që shkon nga hyrja e portit drejt Bashkisë së qytetit.

Objekte arkeologjike të një rëndësie të veçantë janë vërejtur edhe gjatë ndërtimit të një pallati pranë murit fortifikues të periudhës osmane.

Institucionet që i përkasin fillimshekullit të kaluar na kthejnë në historinë e figurave të shquara që i drejtuan ato.

Dy rrugicat që kryqëzohen shumë pranë kishës “Shën Luçia” mbajnë emrat e Pal Engjëllit e Nikoll Kaçorrit. Kjo është e vetmja vemendje që ka marrë nga bashkia e Durrësit kleriku arbër i familjes së Ëngjëllorëve, i cili më 1462 shkroi Formulën e Pagëzimit e njëkohësisht ishte një nga diplomatët e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Ndërkaq tabela “Don Nikoll Kaçorri” si fillesa e rrugicës tjetër të kujton largimin pa adresë nga lulishtja që i la vendin projektit “Veliera” të bustit prej bronxi të klerikut patriot – zëvëndës/kryeministër dhe ministër i Jashtëm në Qeverinë e dalë nga Shpallja e Pavarësisë.

Arkitekti Indrit Hamiti ka besim se ndërhyrja e Fondacionit shqiptaro-amerikan për ruajtjen e trashëgimisë së zonës historike të qytetit të Durrësit do ti shërbejë rikthimit të traditës arkitekturore në këtë hapësirë.

“Bashkërendimi i punës së grupeve të specialistëve vendas dhë të huaj për hartimin dhe zbatimin e një plani për menaxhimin e integruar të pjesës historike të qytetit mund të rikthejë edhe vemendjen e vizitorëve të interesuar për  Durrësin,” përfundoi Hamiti.

Reporter.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Anija kozmike 14 miliardë milje larg Tokës ka mbledhur tinguj misteriozë nga një galaktikë tjetër

Voyager 1, anija kozmike më e largët nga Toka, e cila aktualisht është 14 miliard milje larg, ka zbuluar tingullin e universit.

Si ndikoi pandemia që numri i rinocerontëve të rritet në nivele rekord?

Numri i rinocerontëve me brirë në Nepal ka arritur nivelin më të lartë prej më shumë se 20 vjetësh, pjesërisht për shkak...

A e dini arsyen pse piratët mbulonin njërin sy?

Fakti që pothuajse të gjithë piratët mbuluan njërin sy me një kapak të zi sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me një...

Në Tokë kanë jetuar 2.6 miliardë specie të llojit T-Rex

Studiuesit kanë bërë një përllogaritje të popullatës së Tiranosaurve Rex, species me madhësi sa një autobus, që ka jetuar 2.4 milionë vjet...

Recent Comments