Italianët, gjermanët dhe aleatët e tyre bullgarë nuk e bënë dot Kosovën një terren të tyren. Shifrat e atyre mijëra kosovarëve që u bashkuan me lëvizjen antifashiste dhe pohimet e historiografisë serbe për ta si bashkëpunëtorë të pushtuesve

Është folur e shkruar shumë, nga studiues seriozë, por edhe nga amatorë, madje edhe nga spekulatorë, shqiptarë ose të huaj, rreth pozicionit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Posaçërisht, është debatuar rreth qëndrimit të shqiptarëve të Kosovës, çka lidhet me situatën specifike të krijuar në këtë krahinë dhe në vise të tjera shqiptare, të cilat, padrejtësisht, thjesht për shkak të kombinacioneve politike ndërkombëtare, u sakrifikuan dhe mbeten jashtë kufijve të Shtetit Shqiptar në vitin 1913. Është pohuar se shqiptarët e viseve të sipërpërmendura e mirëpritën shpërbërjen e Mbretërisë Jugosllave në prillin e vitit 1941 dhe, për një varg arsyesh të njohura, hezituan të përfshihen pa rezerva në lëvizjen botërore antifashiste. Gjithsesi pranohet se në vitin 1944 ata kishin rreshtuar përkrah aleatëve antifashistë rreth disa mijëra luftëtarë dhe në fund të luftës, duke përfshirë edhe të rekrutuarit, 53 mijë luftëtarë. Pohime të tjera, të skajit të kundërt, që ndeshen veçanërisht në historiografinë serbe e jugosllave, me argumente dukshëm tendenciozë, i kanë konsideruar shqiptarët e Kosovës dhe të një rajoni më të gjerë, bashkëpunëtorë të fashizmit dhe kundërshtarë të Koalicionit Antifashist. Midis këtyre qëndrimeve, variojnë edhe qëndrime të tjera, që janë më pranë qëndrimit të parë ose të dytë, por në këtë shkrim nuk do të ndalemi as te evidentimi dhe as tek analiza e tyre.

Synimi është të operojmë me një fakt të njohur dhe të pranuar nga të gjithë. Pa dyshim, as italianët dhe as gjermanët, as aleatët e tyre, bullgarët, as në fillim dhe as në fund të prezencës së tyre në Kosovë, me gjithë dëshirën dhe përpjekjet e mëdha, nuk e bënë dot Kosovën një terren të tyren ose, nuk e dominuan në ato dimensione që do të kishin dashur dhe do t’u lejonin rekrutimin masiv të potencialit njerëzor vendas, të aftë për luftë, për ta përdorur sipas interesave të tyre, veçanërisht në frontet e betejave të mëdha, sikurse ia arritën në vise të tjera të Evropës. Për të qenë konkret do të përmendim se në zonën italiane të pushtimit, jo vetëm në Kosovë, por dhe në trevat shqiptare lindore, në vitet 1941-1943, në asnjë nga strukturat e forcave të armatosura në shërbim të regjimit (si milicia, xhandarmëria, ushtria, policia, forcat e financës, rojet e burgjeve etj.), për shkak të mungesës së theksuar të gatishmërisë së popullsisë, nuk u arrit, as për së afërmi, jo vetëm numri i parashikuar i rekrutimit, por as efikasiteti i këtyre forcave dhe as bindja e të futurve nën armë për t’i shërbyer regjimit fashist. Forca elite, si ato të këmishëzinjve (1942), formuan vetëm një batalion në vend të disave që ishin planifikuar, kurse repartet vullnetare, numerikisht më të shumta, të përbëra prej disa mijëra vetësh, ishin jashtë kontrollit të autoriteteve, mblidheshin jo rregullisht dhe u treguan rezultative vetëm në rastet kur vepruan përballë forcave çetnike në mbrojtje të viseve shqiptare. Mbështetur në të dhëna të ndryshme të kohës, besohet se në zonën italiane të pushtimit, në momentet kur Italia kapitulloi, kishte rreth 5 mijë vendas të armatosur, në strukturat e përhershme, të ngritura nga pushtuesit, me të cilat autoritetet gjermane formuan 5 batalione, çka është shifër e pakonsiderueshme, nëse llogaritet se në zonën italiane të pushtimit jetonin mbi 600 000 shqiptarë.

Në periudhën 1941-1943 edhe në zonën gjermane të pushtimit situata nuk ishte ndryshe. Sipas dokumentacionit, xhandarmëria shqiptare e formuar që në prill të vitit 1941 deri në mesin e vitit 1942, kur u shkri në Rojen Shtetërore Serbe, të porsaformuar nga qeveria e Nediçit me miratimin e gjermanëve, kishte një efektiv prej vetëm 796 vetash (17 oficerë, 141 nënoficerë dhe 638 xhandarë të shpërndarë në 36 stacione), kurse në fshatra figuronin rreth 1 000 forca vullnetare (sipas ndonjë të dhëne tjetër 2 500), pra gjithsej rreth 1 800 deri në 3 200 veta maksimumi, në një popullsi prej mbi 100 000 banorësh shqiptarë, ndërkohë që çetnikët sllavë të Mashan Gjuroviçit, të Kostë Peçancit, si dhe trupat e qeverisë së Nediçit, ishin 4-6 herë më të mëdha. Është për t’u theksuar se në Rojën Shtetërore Serbe, të kontrolluar e në shërbim të gjermanëve, deri në mesin e vitit 1942 u arrit të rekrutohen vetëm rreth 250 shqiptarë, ose disa herë më pak nga sa shpresohej dhe 10 herë më pak nga sa autoritetet gjermane e konsideronin të nevojshme për sigurimin e rendit në atë rajon. Madje, vlen të përmendet se në 20 stacionet e sigurimit të industrisë së Trepçës shërbenin asokohe 243 serbë dhe vetëm 93 shqiptarë. Në gjysmën e dytë të vitit 1943, pas shtrirjes edhe në zonën italiane të pushtimit, gjermanët bënë përpjekje për të intensifikuar rekrutimin e shqiptarëve në strukturat e ndryshme të armatosura si në Kosovë, ashtu dhe në trevat shqiptare lindore.

Në nëntor të vitit 1943, në këto vise, rreth 700 mijë shqiptarë, me angazhimin e veçantë të Xhaferr Devës, në territorin e Kosovës me ish-forcat e xhandarmërisë, Gestapos, ABVER-it etj., u formua regjimenti i Kosovës prej 1 500 vetash, i llogaritur si trupë ndëshkimore që do të përdorej në Kosovë e në Shqipëri. Por formimi i këtij regjimenti nuk mundi të kompensonte nismat e tjera të dështuara. Milicia Vullnetare Myslimane, e parashikuar të kishte 4 000 burra nën armë dhe Policia Ndihmëse, për të cilat ishin bërë përpjekje qysh në gjysmën e parë të vitit 1943, dolën projekte shterpë. Po kështu, pothuaj dështuan dhe përpjekjet për formimin e forcave të armatosura vendase me gjithë ndihmën që u dha gjermanëve në këtë drejtim Ali bej Draga. Trupat shqiptare që u arrit të rekrutohet, për t’i penguar që të shpërndaheshin apo të dezertonin, gjermanët u detyruan t’i inkuadronin në 2 njësi (çeta 6 dhe çeta 9) të Divizionit “Brandenburg”. Edhe në Rrafshin e Dukagjinit rekrutimi nuk doli më i suksesshëm. Nga mesi i dhjetorit të vitit 1943 gjermanët kishin arritur të mobilizonin afërsisht 13 000 shqiptarë, ç’ka, mesa duket, ishte dhe shifra më e lartë që u arrit ndonjëherë. Por në maj të vitit 1944 në njësitet shqiptare në Kosovë numëroheshin jo më shumë se 10 650 forca të armatosura dhe veprimtaria e tyre konsiderohej e pasuksesshme.

Shtatori, sipas një raporti të datës 10 të Seksionit Informativ dhe Kundër informativ të Komandës së Armatës II Gjermane, do ta gjente numrin të reduktuar në vetëm rreth 4 600 veta. Me dy fjalë do të shtonim se, veçanërisht, në territorin e kontrolluar nga Bullgaria, numri i shqiptarëve të organizuar në formacionet e armatosura në shërbim të autoriteteve të pushtimit, ishte fare i papërfillshëm dhe kjo, mesa duket, në radhë të parë për shkak të mungesës të thellë të besimit reciprok. Nga rreth 200 000 shqiptarë që jetonin në trevat nën okupacionin bullgar u aktivizuan gjithsej vetëm disa qindra vetë, një pjesë e të cilëve, në fakt operonin kryesisht kundër aktivitetit çetnik në zonat e Kaçanikut dhe Vitisë. Pse pra ndodhi që shqiptarët e çliruar nga zgjedha e rëndë dhe gjenocidi serb nuk u rekrutuan masivisht në strukturat e forcave të armatosura në shërbim të pushtuesve nazifashistë? Madje, pse efikasiteti luftarak i këtyre trupave ishte përgjithësisht i dobët dhe morali i ulët dhe fare i paqëndrueshëm? Shkurt, mund të themi se, ndërsa fashistët italianë qysh në fillim nuk gëzuan asnjë respekt e prestigj, madje u diskredituan rëndë me ngjarjet e përgjakshme të Bihorit, raprezaljet në Pejë e Gjakovë etj., për ç’ka edhe morën goditje në verën e vitit 1943 jo vetëm nga formacionet e Lëvizjes NÇL, por dhe nga forcat popullore të vullnetarëve nacionalistë, në rastin e gjermanëve, veçanërisht në periudhën 1943-1944, ndikonin faktorë të tjerë. Për shqiptarët, strategjia e Rajhut për të përdorur burimet njerëzore të popujve të tjerë në frontet e luftës, ishte e papranueshme, aq më tepër në situatën që ekzistonte në frontet e luftimeve në këtë fazë të Luftës II Botërore.

Duke llogaritur edhe faktin se shqiptarët nuk donin pushtet të imponuar, dhe diktati i gjermanëve ishte i padiskutueshëm, qëndrimi i prerë antifashist i një pjese të popullsisë, sukseset e forcave të armatosura të LNÇ-së dhe të forcave të tjera patriotike shqiptare properëndimore, si ato të Gani Kryeziut, ishin padyshim arsyet kryesore. Në Kosovë duhet pohuar se nuk i pëlqenin komunistët, por mbështetja e gjermanëve sillte në perspektivë rrezikun nga forcat serbe të ridimensionuar. Nuk mund të anashkalohet edhe fakti se në vitin 1944 gjermanët nuk kishin në dispozicion mjete të mjaftueshme financiare, armatime dhe personel të kualifikuar ushtarak në Kosovë. Por le t’i shohim arsyet kryesore në mënyrë më të detajuar përmes dokumentacionit të kohës. Përgjigjen më të mirë do ta ofronin vetë dokumentet e autoriteteve ushtarake gjermane në Kosovë, natyrisht duke i analizuar me kujdes, për të nxjerrë thelbin më esencial të tyre. *Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore “Shqiptarët në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore”, organizuar nga Instituti i Historisë (Qendra e Studimeve Albanologjike), Tiranë, më 20 nëntor 101

Komandanti gjerman Schmidthuber trgon për rekrutimin e shqiptarëve të Kosovës 

Ndër to, një dokument mjaft përfaqësues është raporti autentik, tepër sekret, që komandanti SS i Divizionit 21 Malor “Skënderbeg” (të rekrutuar në Kosovë në gjysmën e parë të vitit 1944) SS Brigadfurer (gjenerali) August Schmidthuber, i dërgonte eprorëve të tij, përfaqësues të qarqeve më të larta drejtuese të Rajhut të Tretë, më 2 tetor të vitit 1944. Qysh në fillim, vlen të nënvizohet se raporti është shkruar në kohën kur divizioni SS “Skënderbeg” kishte dështuar në çdo pikëpamje dhe nazistët gjermanë, gjithnjë në tërheqje në shumë fronte, përgatiteshin të evakuonin trupat e tyre nga Ballkani. Në një moment të tillë, natyrisht hartuesi i raportit e kishte më të lehtë të justifikohej me argumente vërtet themelore. Por ai, për etikë ose për patriotizëm, sidoqoftë, e nis nga ato argumente që do të cenonin sa më pak krenarinë nacionale dhe ideologjinë e njohur të eprorëve të vet. Kështu, duke theksuar se urdhri për krijimin e Divizionit u bazua në parashikimet se “niveli i Shqipërisë…” (vazhdon)

Nga: Marenglen Verli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here