Më 1921,në botimin e parë të veprës Histori e Skënderbeut, unë pranova menimin e Falmerajerit (Johan Philip Fallmerayer “Das albanische element in griechentland” në “abhandlungen der historischen klasse der koeniglich bayrischen akademie, der ëissenschaften” vëll 8., seksioni -3, f 657 -736 munchen, G. Franz 1860 vëll 9 seksioni 3 f 1- 110 munchen 1866) që Skënderbeu kish lindur më 1412. Më 1947, kur e ribotova veprën e sipërpërmëndur, shkrova që ai kish lindur në vitin 1405. Mbas një studimi të hollësishëm të dokumenteve, tashmë kam arritur në përfundimin që Skënderbeu kish lindur më përpara, aty rreth vitit 1400. Më poshtë po jap arsyet për këtë datë të re: I vetmi portret i Skënderbeut që njohim është ai që gjendet në Muzeun e Firences, në Itali. Ka të ngjarë të jetë portret autentik dhe duhet të jetë bërë përpara vitit 1466, kur Skënderbeu vizitoi tregtarët e pasur Mediçi të Firences, që financuan kryqëzatën e tij. Sipas kësaj pikture, Skënderbeu nuk duhet të ketë qënë më pak se 65 vjeç, në mos më i moshuar. Një person që e ka parë Skënderbeun kur ky vizitoi Romën më 1466 shkruan për të “E homo molto de tempo passa li 60 anni”. Domethënë: “Ai është mbi 60 vjeç. Në rast të kundërt i njëjti person do të kish thënëÓ “Ai është rreth të gjashtëdhjetave” ose “Ai është rreth të shtatëdhjetave”. Më 1420, Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut lidhi një traktat tregtar me Republikën e Raguzës, të cilin e lidhi në emrin e vet dhe të katër djemve të tij si bashkësundimtarë. Kjo do të thotë që në atë kohë Skënderbeu duhet të ketë qënë rreth 20 vjeç, përndryshe nuk do të ishte bashkësundimtar i principatës së Kastriotëve, e cila shtrihej nga Prizreni në Sharfadaj, në detin Adriatik. Me këto arsyetime mund të arrijmë në përfundimin që Skënderbeu duhet të ketë lindur rreth vitit 1400 dhe ishte rreth 68 vjeç kur vdiq, më 1468. Peng i Sulltanit Sipas biografit të Skënderbeut, Marin Barletit, nga Shkodra, Gjon Kastrioti i dha si peng Sulltan Muratit II të katër djemtë e tij. Mirëpo nuk ka asnjë dokument të vërtetojë që Gjon Kastrioti ti ketë dhënë ndonjëherë Sulltanit të katër djemtë e tij në të njëjtën kohë. Ka dy dokumente, një i shkruar më 1410 dhe tjetri më 1428, ku thuhet që Gjon Kastrioti i jep si peng Sulltanit një nga djemtë e tij. Por, nga ana tjetër, ka dokumente të tjera, një i shkruar më 1420 dhe një tjetër më 1426, që vërtetojnë se të gjithë djemtë e Kastriotit kanë qënë në Shqipëri dhe jo në oborrin e Sulltan Muratit II. Përveç kësaj, dokumentet e Raguzës të vitit 1430, të botuara në Illyrisch –Albanische Forschungen e bëjnë përfundimisht të pamundur versionin që të katërt djemtë u morën si peng nga Sulltani. Po atë vit, kur shpërtheu lufta midis Venedikut dhe Turqisë, Gjon Kastrioti mori anën e Venedikut dhe i shpalli luftë Sulltan Muratit II. Kjo do të ishte e paimagjinueshme nëse të katër djemtë e tij do të ishin në oborrin e sulltanit si pengje. Kjo do të thoshte që të katër djemtë, pa dyshim, të gjenin vdekjen, por siç dihet, nuk ka prind që të rrezikojë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, versioni i Barletit që tre nga djemtë e Gjon Kastriotit u helmuan nga Sulltani para vitit 1443, viti i kthimit të Skënderbeut në Krujë, bie në kundërshtim me dokumentet arkivore. Një dokument i manastirit serb të Hilandarit në malin Athos na thotë që Reposhi, djali i dytë i Gjon Kastriotit, vdiq si murg më 25 korrik 1431. Një dokument venecian na thotë që Stanisha, djali i madh i Kastriotit, ishte gjallë më 1445, pra dy vjet mbas kthimit të Skënderbeut në Krujë. Nga këto dokumente del: së pari, që Gjon Kastrioti dërgonte herë pas here një nga djemtë bashkë me ushtarët shqiptarë për të ndihmuar sulltan Muratin II dhe që ky djalë kthehej në shtëpi në fund të çdo ekspedite; së dyti, që vetëm Kostandini, njëri nga djemtë e Gjon Kastriotit, u vra në një nga këto ekspedita turke përpara vitit 1443; së treti, që Skënderbeu u dha si peng kur ishte 30 vjeç, dhe jo 9 vjeç siç na thotë Barleti dhe kjo ndodhi vetëm mbas disfatës që pësoi Gjon Kastrioti më 1430; së katërti, që djali i Gjon Kastriotit, i cili përmendet në dokumentet e vitit 1410 dhe 1428 si peng i sulltanit, mund të ketë qënë Stanisha, djali më i madh dhe i ati i Hamza Kastriotit. Konvertimi në fenë islame Versioni që Skënderbeu dhe i ati i tij u konvertua në islamizëm ka mundësi të jetë një tjetër mit i papranueshëm. Ka katër dokumente të viteve 1420, 1426, 1438 dhe 1439 ku Skënderbeu përmendet si i krishterë, me emrin e tij të krishterë, Gjergj. Është e vërtet që në disa vepra letrare përmendet si mysliman, por nuk ka asnjë dokument arkivor të provojë që Skënderbeu vërtet u konvertua në fenë islame. Për shembull, në disa burime letrare gjejmë që Skënderbeu u emërua nga sulltan Murati II si subash (guvernator ushtarak) i Krujës, si sanxhakbej i Dibrës më 1439 dhe më 1443 si pasardhës i babait të tij. Por kjo nuk do të thotë që Skënderbeu ose i ati i tij u konvertuan në fenë islame. Ata vetëm sa adaptuan një emër turk sa herë që ndihmonin sulltanin në ekspeditat e tij. Mirëpo ai emër turk nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Sot ne kemi shqiptarë të krishterë me emra muhamedanë. Por më tepër sulltani, si rregull, caktonte guvernatorë të krishterë në provincat e thella ku jetonin të krishterë. Për shembull, që në fillim të shekullit mund të përmendim guvernatorin e krishterë të Samos. Si përfundim mund të themi që konvertimi i Skënderbeut në fenë slame duket të ketë qënë sa për emër dhe të jetë mbështetur mbi supozimin që, përderisa ai luftonte për turqit, duhet të kish qënë mysliman. Shkolla ushtarake Një tjetër legjendë e Barletit, që nuk duhet pranuar, është ajo që trajton arsimimin e Skënderbeut në Akademinë Ushtarake të Adrianopojës. Në këtë shkollë pranoheshin vetëm dhjetëvjeçarë dhe myslimanë të lindur ose të konvertuar. Skënderbeu ishte mbi 30 vjeç kur hyri në shërbim të sulltanit dhe përmëndet në dokumentet arkivore si i krishterë deri më 1439, domethënë katër vjet përpara se të kthehej në Krujë. Kjo do të thotë që ai nuk mund të kishte studiuar në Shkollën Ushtarake të Adrianopojës Katolik apo ortodoks? As që mund të dyshohet që Skënderbeu ishte katolik. Papët, duke folur për Skënderbeun me fjalët më të zjarrta, e quajtën atë “mbrojtës të krishtërimit” (Athleta Christi). Shih letrat e Papë Eugjenit IV, 1431-1447, Papë Nikolla V, 1447-1455; Papë Kalikisti II, 1455-1458; Papë Piu II, 1458-1464; Papë Pavli II. 1464-1471. Çështja shtrohet nëse ishte i ritit latin apo i ritit bizantin. Ka shumë të ngjarë të ketë qenë i këtij të fundit. Për shembull, një dokument i Venedikut i 17 gushtit 1428, na thotë që përfaqësuesi i Gjon Kastriotit, at Dhimitri, i paraqiti Senatit një kërkesë në greqisht, kjo tregon që ai është më tepër ortodoks oriental sesa katolik i Romës. Edhe përfaqësuesi i Skënderbeut, peshkop Stefani i Krujës, kur nënshkroi një traktat me Alfonsin e Pestë më 1451 e shkroi emrin e tij në greqisht. Një vit më vonë, at Elia, kapedan i trupave ushtarake napolitane në Krujë, kryeqytet i Skënderbeut, i bëri një kërkesë Oborrit të Napolit ti dërgonin një dhjak që ta ndihmonte në shërbesat e tij, sepse në Krujë nuk kishte asnjë diakon që mund të lexonte latinisht. Kjo do të thotë që, si Gjon Kastrioti dhe Skënderbeu ishin katolikë të ritit bizantin. S’ka asgjë për tu çuditur që këta princa të Shqipërisë, ortodoksë orientalë, i qëndruan besnikë Papës së Romës. Në fakt, Shqipëria ka qënë nën juridiksionin e Papës së Romës deri më 730 p.e.s, kur Leoni i Tretë e shkëputi nga Papa i Romës dhe ia dha patrikut të Kostandinopojës. Mirëpo dekreti i Leonit të Tretë nuk i bëri shqiptarët ortodoksë orientalë. Shqipëria mbeti besnike e Papës së Romës derisa u pushtua nga turqit pas vdekjes së Skënderbeut. Përveç kësaj, nuk duhet harruar që ndarja e Kishës së Romës dhe e Kishës së Kostandinopojës në të vërtetë nuk u bë zyrtarisht. Kjo ndarje u bë në fakt vetëm mbas pushtimit të Kostandinopojës, kur Muhameti II i dha fund çdo kontakti midis dy kishave. Këtu nuk duhet harruar, së pari, që katër vite përpara rënies së Kostandinopojës, këshilli ekumenikal i Firences, më 1449, pothuajse njëzëri (me përjashtim të Markut të Efesit që e kundërshtoi), ripohoi bashkimin e dy kishave, dhe së dyti, që perandori i fundit i Kostandinopojës, Kostandini XIII, vdiq si hero i lidhur me Papën e Romës. Kështu, ishte e natyrshme që edhe princat e tjerë ortodoksë si Skëndërbeu dhe i ati i tij të lidheshin me Romën dhe të ishin nën juridiksionin e Papës. Biemi Dy dijetarë të shquar gjermanë, Kurt Ohli dhe Franc Babinger kanë pohuar se Historia e Skënderbeut e Antivarionos (Antivariono “Historia Scanderbegi” Venecie 1430), që përmëndet nga Xhiamaria Biemi i shek. XVIII, është një shtrembërim letrar. Mirëpo ka prova të brëndshme që tregojnë se historia e Antivarinos nuk është shpikje e Biemit. Ky mendim mbështetet në këto arsyetim: Gjergj Arianiti, i vjehrri i Skënderbeut, përmëndet vazhdimisht nga Antivarioni si “Princ i Kaninës”, titull ky, që nuk njihet te Barleti. Ky titull është konfirmuar në një traktat të nënshkruar nga mbreti Alfons i Pestë i Napolit dhe Gjergj Arianitit në kalanë e Gaetës, më 7 korrik 1451. Në këtë traktat, mbreti Alfons i premton Gjergj Arianitit t’i japë Vlorën dhe Kaninën kur ky t’i merrte këto nga duart e turqve. Biemi nuk kishte dijeni për këtë traktat, sepse u zbulua aty nga fillimi i shek.XX (shih: Spomenik XCV, 74, Botim i posaçëm i Akademisë Mbretërore serbe mbi Gjergj Kastriotin Skënderbeun – nga dr.Jovan Radoviç, Beograd, 1942, f.28). Në dasmën e Mamicës, motrës më të vogël të Skëndërbeut, më 26 janar 1445, në qytetin e Muzakisë u zhvillua një ndeshje me armë midis dy princave shqiptarë, Lek Zaharisë dhe Lek Dukagjinit për shkak të princeshës Irenë Dushmani e Zadrimës. Disa qindra njerëz u vranë dhe dasmorët u shpërndanë nga të katër anët. Këtë ndeshje e përmend vetëm njëri nga biografët e Skënderbeut, Antivarino. Kjo ndeshje vërtetohet edhe nga fakti që disa muaj më vonë Lek Zaharia vritet nga Lek Dukagjini. Dy djemtë e Gjergj Arianitit nuk pranuan të shoqëronin motrën e tyre në dasmën e saj me Skënderbeun në Krujë, më 1451. I vetmi biograf i Skënderbeut që e përmend këtë fakt është Antivarino. Ata ishin inatosur për pajën e madhe që i ati Gjergj Arianiti, i kishte dhënë motrës së tyre. Kjo armiqësi midis djemve të Arianitit dhe Skënderbeut vërtetohet edhe me një dokument venecian i 3 shtatorit 1463 (shih: Ljubich Listine, vëll.X, f.269-270). Më 1451 Vrana Konti e mbrojti heroikisht Krujën dhe si shpërblim të kësaj Skënderbeu i dha feudin e Bullgarisë. Përsëri Antivarino është i vetmi nga biografët e Skënderbeut që na e jep emrin e këtij feudi. Me “feud të Bullgarisë” kuptohet një grup fshatrash në principatën e Skënderbeut, ku flitej bullgarisht. (shih: Archiv za Arbansku Starinu, Kniga II, Sr.2, Beograd, 1924, f.241). Më 1452 u përpoqën të vrasin Skënderbeun. Dhe përsëri i vetmi biograf i Skënderbeut që e përmend këtë është Antivarino. Dokumentet veneciane vërtetojnë që Republika e Venedikut u përpoq të gjente një njeri që të vriste Skënderbeun, duke e shpërblyer me një pension të përjetshëm. (shih: ljubich Listine, vëll.IX, faqet 268 -269. Dokument i datës 4 maj 1448). Më 1456, Gjergj Balsha, nip i Skënderbeut, u shiti turqve kalanë e Modricës, të cilën ai si komandant i saj ishte zotuar ta mbronte kundër turqve. Kjo shitje vërtetohet në gjenealogjinë e Gjin Muzakës, botuar nga karl Hopf në veprën e tij Chroniques Greco-Romanes, Berlin, 1873. Nga të gjithë bibliografët e Skënderbeut, vetëm Antivarino na jep emrat dhe datat e dy betejave më të rëndësishme të Skënderbeut, atë të Torviollit më 29 qershor 1444 dhe betejën e Albulenës, më 2 shtator 1457. Antivarino është gjithashtu i vetmi që përshkruan pushtimin e Beratit nga turqit dhe ekzekutimin nga turqit të princit Teodor Korona. Përshkrimi i betejës së Torviollit është aq i gjallë, sikur të jetë shkruar nga një njeri që ka qenë i pranishëm në atë betejë. Antivarino përshkruan gjithashtu Hamza kastriotin në atë mënyrë sikur ta kishte njohur personalisht. Ka disa prova të tjera të brendshme që më bëjnë të besoj se “Historia e Skënderbeut”, e Antivarinos kurrsesi nuk mund të jetë shtrembërim letrar. Kjo vepër është një nga dokumentet më të rëndësishme, në mos më i rëndësishmi, që trajton biografinë e Skënderbeut. Prandaj për ta vërtetuar këtë unë citova dokumentet arkivore. Dokumente që vërtetojnë të dhëna të tjera të paraqitura në këtë studim mund të gjenden në veprën time “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Peshkop Fan S. Noli, “George Castrioti Scanderbeg”. International Universites Press. Neë York, N.Y.1947). Përfundim Skënderbeu jetoi në shek.XV. Ne jetojmë në shek.XX. Ç’përfaqëson për ne Skënderbeu, sot mbas pesë shekujsh? Ai ende jeton midis nesh. Problemi i tij pesëqind vjet më parë ishte pikërisht i njëjti problem që kishim edhe ne në Rilindjen Shqiptare: Davidi i rreckosur, me një hobe në dorë, që lufton kundër Goliathit të armatosur gjer në dhëmbë. Ai fitoi, edhe ne fituam. Shqipërinë e çliruam me gjithë pengesat e mëdha që ndeshëm. Më 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë Shqiptare. Skënderbeu ishte frymëzuesi ynë gjatë atyre viteve të para e të mundimshme që shoqëruan lindjen e Shqipërisë. Skënderbeu frymëzoi poetët, historianët, skulptorët tanë. Ai po na frymëzon edhe sot e kësaj ditë. Ndonëjherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu.


Kumtesë e mbajtur nga Fan Noli në Semniarin e “Vatrës” në Boston më 10 gusht 1960, botuar në gazetën “Dielli” më 14 dhjetor 1960.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here