Historia e largët tregon se edhe shqiptarët në Mitrovicë kishin vrarë konsullin rus në vitin 1903.  Konsullata ruse në Mitrovicë e hapur më 1902, kishte shkaktuar revoltë të madhe tek shqiptarët të cilët e kishin kundërshtuar atë vendim. Madje, ata kishin penguar hapjen e asaj konsullate. Por, misioni i konsullit rus kishte pasur jetë të shkurtër, pasi vetëm një vit pas hapjes, ai kishte gjetur vdekjen. Disa parashikuan që ky atentat në Mitrovicë do të sjellë luftë të re midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane.

Konsulli quhej Grigorij Stepanoviq Shqerbin. Shqerbin i cili doli të jetë ukrainas, kishte shërbyer si konsull edhe në Stamboll e Shkodër, ndërsa qëllimi i tij ishte infiltrimi sa më i madh i diplomacisë ruse në këtë rajon.

Në vitin 1903, sundimi otoman në Kosovë kishte filluar të dobësohet, ndërsa rezistenca shqiptare po forcohej. Në këto rrethana kishte shpërthyer edhe kryengritja shqiptare kundër forcave osmane, e cila ishte edhe më e fuqishme në Mitrovicë. Konsulli rus, midis turqve dhe shqiptarëve, kishte interes më të madh t’i pengonte shqiptarët në këto aksione. Kështu më 30 mars 1903 zhvillohet një përleshje e madhe midis kryengritësve shqiptar dhe forcave turko-osmane në të cilën vriten rreth 200 shqiptarë. Shqerbin, atë ditë merr rolin aktiv në këtë përleshje gjë që nuk ishte praktike e diplomatëve të huaj në asnjë vend. Të nesërmen, në ditën e dytë të përleshjes, konsulli vendos që edhe fizikisht të jetë i pranishëm në vendin e luftimeve kinse për të raportuar tek superioret e tij për ngjarjen. Mirëpo, në kthim prapa, afër stacionit të trenit të Mitrovicës ai goditet pas shpinës nga një ushtar i forcave turke. Nga lëndimet, pas dy javësh vdesë duke pritur një mjek serb specialist i cili ishte nisur nga Serbia por nuk arriti me kohë.

Kjo kishte ashpërsuar dukshëm marrëdhëniet midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Në atë kohë, Austro-Hungaria ishte e interesuar për një konflikt i cili do ta pastronte Ballkanin nga këto dy ndikime kështu që tërthorazi përkrahte rezistencën shqiptare. Më pastaj, për këtë atentat u fajësuan shqiptarët. U tha se kjo ishte bërë me qëllim që të evitohej ndonjë konflikt i ri ose komplikim në marrëdhëniet ruso-turke.  Madje, për këtë atentat ishte gjykuar një ushtar me origjinë shqiptare, për të cilin u tha se kishte pranuar fajësinë. Zyrtarët e kohës njoftuan se vrasësi ishte nga Gjilani dhe quhej Ibrahim Bin Halid, i cili kishte thënë se vrasjen e kishte bërë për motive të hakmarrjes. Ky ushtar, me vone do te identifikohet me emrin Ibrahim Haliti – Popovci. Për këtë vrasje ai u dënua me burg të përjetshëm dhe u dërgua në Shkup. Më vonë dënimi iu zbutë në 15 vjet, mirëpo pas dy vjetësh qëndrimi në burg ai vdiq. Në vendin ku u vra konsulli rus, atij iu ngritë dy herë përmendorja, mirëpo ajo dy herë u rrënua. Përmendoren e tretë ia ngritën serbët e veriut të Mitrovicës në vitin 2007. /voal.ch

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here