“Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj. Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur, moj bijë?! Por, po na lë pa gjumë’”.

Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të vitit 1939, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë; e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.Play Video

Në Paris, e krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, teksa poeti Visar Zhiti, do ta quante zërin e Vaçes, një pjesë të lirisë së munguar.

Do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë paskësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio-Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, me interpretimin e shumë këngëve, kolonë zanore të filmave.

Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit, çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera, do të mbeteshin në fondin e artë.

Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” më 1973, “Artiste e Popullit” më 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjës”, po në qytetin e lindjes. Kinoteatri mori emrin e saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit.

Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontributin në shoqëri në vitin 1997, është zgjedhur gruaja e vitit në 1997-1998 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij, mes 500 njerëzve më me influencë.

Viti 1991, do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje

Karriera muzikore
Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Këngët
Vaçja, e parapëlqyera e kompozitorëve
Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare: Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Ikona e këngës shqiptare me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Vaçe Zela u nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër. /konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here