Gjatë viteve të komunizmit shumë figura me rëndësi historike nuk janë përmendur, çfarë ka sjellë deri diku edhe harresën e tyre. I tillë është për shembull rasti i Padër Ciril Canitapo dhe raste të tjerë, njëri prej të cilëve është ai i Enrico Tellinit. Pikërisht për të shkruan edhe studiuesi Ylli Pata:

Asnjë aktivitet, asnjë kujtesë, asnjë medalje nga shtetit shqiptar për ushtarakun toskan, i cili u vra vetëm se ishte i bindur se Çamëria ishte shqiptare dhe po vendoste hartat dhe firmën e tij në një akt ndërkombëtar që mund të ndryshonte Hartën që Konferenca e Londrës i vendosi Shqipërisë.

Plot 93 vjet më parë, një komando terroriste greke, masakroi në rrugën Janinë-Kakavijë një delegacion ndërkombëtar së bashku me shoqëruesit e tyre, mes të cilëve ishte edhe Gjenerali Enrico Tellini, ishte 52-vjeçar në 27 gushtin e vitit 1923. Pas një kariere brilante në radhët e ushtrisë italiane, ishte caktuar me mision në Vlorë ku po drejtonte punën e misionit italian pas “hedhjes në det” nga gunat e Selam Musait.

Në Romë sapo kishte ardhur në pushtet një qeveri e zhurmshme, ajo e Benito Musolinit, i cili vetëm vitin e parë nuk dha imazhin e një diktatori por të një politikani aktiv dhe të fuqishëm. Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ajo që kishte qethur Shqipërinë më 1913-ën, cakton që në krye të një komisioni ndërkombëtar një gjeneral italian, i cili ishte një specialist i hartave ballkanike.

Enrico Tellini ishte një njohës perfekt i historisë së Ballkanit, por në veçanti i zonës së Çamërisë. Ai kishte hartuar i pari hartat dhe një portofol faktesh me të dhënat mbi banorët, gjuhën, etnologjinë, etnografinë dhe historinë e shqiptarëve të Çamërisë.

Të gjithë anëtarët e komisionit ishin italianë. Përveç kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, Konferenca e Ambasadorëve i dha të drejtën Italisë që me anë të një komisioni ekspertësh të caktonte edhe kufinjtë me Jugosllavinë. Por le të qëndrojmë tek Greqia, aty ku dhe përfundoi me plumba misioni i Tellinit. Ishte një fat i madh për shqiptarët që në këtë komision veçse ekspertëve shumë të aftë, ndodheshin dhe edhe njohës dhe dashamirës të popullit shqiptar.

Përveç gjeneral Tellinit, në komision merrnin pjesë: Majori Luigji Corti, një mjek ushtarak e një erudit i jashtëzakonshëm; togeri Mario Bonacini, asistenti i Tellinit, i cili ishte zemra e komisionit, njeriu që mblidhte fakte të parrëzueshme nga territori; shoferi Remigio Farneti; si dhe përkthyesi shqiptar që ishte Thanas Geziri, nga Leskoviku i Kolonjës, një zonë e shquar për kundërshtinë ndaj andartëve grekë.

Delegacioni po mblidhte fakte dhe harta për ta përfunduar raportin që do t’ia dorëzonte Konferencës së Ambasadorëve, e cila ishte ekuivalente me Këshillin e Sigurimit të OKB-së sot, pra organ vendimarrës. Dhe Konferenca e Ambasadorëve nuk do të mund te të hidhte poshtë një raport të bazuar me fakte të pakundërshtueshme. Greqia dhe Jugosllavia ishin të njoftuara me misionin e Tellinit dhe u bënë bashkë që të sajonin diçka që të mos kthente mbrapsht atë që u bë më 1913 ku iu mor Shqipërisë gjysma e territorit të saj, dhe për këtë përdorën aleancat e njohura me Rusinë, Francën e Anglinë.

Komisioni që drejtohej nga Tellini po kthehej në Gjirokastër, ku një intelektual i njohur i qytetit, i njoftuar me telegram për faktet bombastike të mbledhura nga miku i tij italian, kishte bërë gati një darkë madhështore për të festuar. Por pranë Kakavijës, një grup terrorist që kurrë nuk u zbulua, i zuri pritën dhe i vrau të gjithë anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve. Fakte të pakundërshtueshme që dolën më pas, rezultuan se autorët e pritës nuk ishin veçse ushtarakë grekë me veshje civile.

Ndërsa Athina tha se ishte një grabitje kaçakësh. Por italianët që mbërritën të parët në vendgjarje dokumentuan se komisionit nuk i ishte vjedhur asgjë nga gjërat personale, vetëm çanta me harta dhe dokumente. Ishte një akt i pastër terrorist që me preçizion e arriti qëllimin. Komisioni pasardhës konfirmoi kufijtë e vitit 1913, natyrisht edhe për gabimin e Duçes, i cili në vend që të kërkonte zbatimin e “amanetit” të general Tellinit, iu vërvit një muaj me topa ishullit të Korfuzit, e pushtoi por e dorëzoi pas dy muajsh si pasojë e presionit ndërkombëtar. Benito Mussolini që ishte Kryeministër dhe ministër i jashtëm njëkohësisht, e akuzoi Greqinë rëndë për vrasjen që e quajti “Eçidio di Giannina”-“Masakra e Janinës”, por kërkoi që të merrte menjëherë 50 milionë lireta si dëmshpërblim.

Atëherë lireta kishte tjetër vlerë dhe ajo përbënte një shumë kolosale që Greqia nuk e paguante dot. Si kundërpërgjigje, Duçja pushtoi Korfuzin që natyrisht nuk e gëzoi. Politikani i shkathët por aventurier, Benito Musolini, e kishte zakon që në fillim të karrierës së tij pa lavdi që “për një plesht digjte jorganin”. Enrico Tellini kishte bërë gati që Janina të ishte fundi i kufirit të Jugut të Shqipërisë, që do të kthente Çamërinë në vendin e saj dhe më pas padyshim që do të ndryshonte historinë, jo vetëm të shqiptarëve por të mbarë Ballkanit.

Zogu i vendosi një shtatore Gjeneral Tellinit pranë Akademisë së Shkencave dhe Parlamentit të sotëm. Por e hoqi natyrisht regjimi komunist duke e quajtur fashist, ndërkohë që Tellini nuk kishte qenë asnjë ditë i tillë. Shtatorja e gjeneralit kishte firmën e të madhit Odise Paskali

E sot, askush nuk thotë asgjë për gjeneralin italian, i cili përpos veprës së ndërprerë në mes ka lënë qindra harta ushtarake e civile që janë një xhevahir për dokumentimin e fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here