Çeta e Çerçiz Topullit ka qenë ajo që ka pasur pak vet, por ata që kanë qenë, ishin trima. Pas vrasjes së bimbashit të Gjirokastrës, çeta u çopëzua për tu bërë më e manovrueshme. Çerçizi kishte me vete: Mihalin, Hajredinin, Asllaninin, Zemanin, Hiton, Myftarin dhe ditën e martë më 17 mars luftëtarët shkuan në shtëpinë e Myrto Haskës, i cili ishte babai i Zeman Haskës, siç njihet ndryshe Zeman Mashkullora.

18 marsi 1908, ishte ditë e martë duke u gdhirë e mërkurë. Pa u zbardhur mirë dita kur Çerçizi u ngrit i pari, pa nga dritarja si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Fillimisht i pandehu nxënës. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin askerë osmanë dhe lëshoi kushtrimin, që është kthyer në legjendë:“O burrani, o shokë, se na rrethoi ushtria!”. Trupa të shumta turke të garnizonit të Gjirokastrës dhe ato që erdhën nga Janina, u vunë në ndjekje të çetës. Luftëtarët rrëmbimthi morën ç’mundën dhe u drejtuan poshtë përroit. Por, spiuni Veip, të cilin Çerçizi e asgjësoi gjatë luftimit, i drejtoi askerët osmanë në drejtim të rrapit, në qendër të Mashkullorës. Edhe pse askerët hapen zjarr të befasishëm, Çerçizi dhe Asllani zunë më shpejt se ushtarët haurin e Abaz Çanos dhe hapën zjarr mbi ta.

Zemani, Myftari, Hajredini e Mihali, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Gjatë rrugës nëpër lëndinën që të çonte tek hauri, u vra luftëtari 18 vjeçar i çetës, përmetari Hajredin Tremishti. Mihal Grameno, i cili ishte më pranë tij, nuk mundi të merrte trupin e pa jetë të Hajredinit. i pikëlluar jashtë mase Mihali u dha shokëve lajmin e vrasjes së Hajredin Tremishtit. Marrja e hakut ishte flakë për flakë. “Tre askerë njëri pas tjetrit, thotë Mihali, qëlloi Çerçizi, e të tjerë të plagosur që u dëgjoheshin ulërimat, sa i detyroi të tërhiqen… Braktisja e shtëpisë dhe lëvizja përmes përroit si dhe dalja tek hauri i braktisur i ndihmoi përkohësisht luftëtarët e çetës së Çerçizit; ndërsa Hito Lekdushi, duke parë strehën gërmadhë në pamundësi pozicionimi mundi të largohej dhe çeta e rrethuar tek hauri mbeti me pesë vetë, përballë rreth 150-200 askerëve osmanë (sipas M. Gramenos). Hito Lekdushi ishte luftëtari që nuk mundi të futej në “kështjellën-haur”, një grup askerësh arritën ti prisnin udhën dhe përgatiteshin ta kapnin. Por, labi kurveleshas nuk e humbi kontrollin. Ai çau trimërisht përmes shkrepave të Levenishtës, u përlesh me armë e trup me trup me askerët, pas 3-4 orësh luftim çau rrethimin dhe u ngjit në malin e Gjerë.

Rapsodi lab vargëzoi popullorçe:“Ndriçoi hëna ngjyrë prushi/Se shkonte Hito Lekdushi’/Për Hito Habibin thonë/Kërkonte haka të zonë..”Hito Xhelil Habili (Lekdushi), i njohur në historinë kombëtare si Hito Lekdushi ishte shok armësh me Çerçiz Topullin e Mihal Gramenon, ku më 9 mars 1908, me Bajram Ligun nga Prongjia, shkroi historinë e atentatit të shekullit kundër komandant i xhandarmeisë në Gjirokastër, që terrotrizonte një popull të tërë. Kapedani dhe prijësi Çerçiz Topulli, pas humbjes së Hajredinit ju drejtua shokëve: “Të rrojë Shqipëria se edhe neve si Hajredini do të vritemi, por, o burrani, shok, të zëmë vendet e të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni”. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë qendrën e haurit, mbrapa Mihal Grameno dhe Asllan Starja. Lufta filloi në mëngjes dhe përfundoi në mbrëmje ishte një luftë për jetë a vdekje, ku çeta e shtatë trimave, me kapedan Çerçizin në krye përballoi një tabor me osmanë, për një ditëv rresht në një betejë krejtësisht të pabarabartë. Raporti i forcave ishte, tmerrues për çdo lloj kapedani e prijësi. Por historia shqiptare ka njohur edhe kapedanë të tillë si Çerçiz Topulli. Në librin e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare”, një prej dëshmitarëve okularë të kësaj epopeje të lavdishme kombëtare shkruan: “Çerçizi u tregua një dragua në këtë luftë. Ai replikonte me ushtarët. Jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdes sipas zakonit e nderit. Vetëm dhe vetëm atëherë munda të besoj historinë e kombit tonë. Atëherë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e stërgjyshërve tanë, të kuptoj e të çmoj vleftën e këtij djali trim se megjithëqë u rrit i përkëdhelur, nuk i trembej vdekjes.

Zbathur, kolos, me leshra përpjetë, vërtitesh nga të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë e gjashtaren në dhëmbë, duke burrëruar neve, duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e çelur se kurdoherë”. Kronikani i betejave dhe shërbëtor i paepur i historisë kombëtare shqiptare Mihal Gramenoja e kujton Çerçiz Topullin në betejën e haurit në Mashkullorë: “Zbathur, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, (Mihal Grameno, Vepra, Vëllimi II, Rilindja, Prishtinë, 1979). Rreth mbrëmjes, në vendin e luftimit erdhën trupa të reja, por edhe sulmi i tyre u zmbraps nga zjarri i kalibruar i luftëtarëve të Çerçizit. Trupat osmane dhe komanda e tyre, u lodhën dhe më shumë u çoroditën si nga humbjet e shumta ashtu edhe nga shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, nga nata që po afrohej, por edhe mjegulla që sapo ra. Kapedani dhe strategu i betejës Çerçizi, iu drejtua Zeman Mashkullorës dhe Asllan Starjes: “Vëzhgoni vendin përreth për të gjetur shtegun se nga mund të çajmë rrethimin”. Ky ishte një urdhër në kohën dhe vendin e duhur. Zemani si mashkullorit e njihte me pëllëmbë vendin. Propozoi të bënin poshtë përroit dhe ashtu u bë. Çerçizi ndau detyrat: Zemani dhe Mihali të parët, atëhere Çerçizi do të vazhdonte zjarrin, Asllan Starja do të merrtre në krah Myftarin e plagosur. Myftari u lutej shokëve ta vrisnin, se mos binin në dorë të armikut. Por, Çerçizi i tha: “Po të vdesim ne, aherë do të vdesësh edhe ti, nuk të lëmë në dorë të halldupëve edhe sikur të japim jetën tonë, ti e bëre tënden. Po, bëj kurajo o trim. Pastaj iu drejtua shokëve: Mblidhi forcat, se do çajmë rrethimin”. “Gjaku Hajredinit u bëftë dritë, përpara me shpejtësi drejt përroit më të poshtë.. përpara na presin beteja të reja”. Beteja e zhvilluar në një ditë që vesonte shi zgjati nga mëngjesi deri në të ngrysur. Mes të ushtarëve osmanë të vrarë ishte dhe kallauzi tradhtar, që i tregoi osmanëve vendin ku strehohej çeta. Nën udhëheqjen e Çerçizit në zjarr e sipër çeta e çau rrethimin dhe arriti në Kasollet e Dino Çiços, ku shërbente një punëtor i kësaj familje fisnike gjirokastrite, që quhej Shahin. Shahini kishte gatuar fasule dhe, u përgatiti luftëtarëve darken me ç’ju ndodhën.

Mihali lidhi plagën e Myftar Axhemit nga Gjirokastra që u plagos tek hauri, dhe luftëtarët e tjerë thanë rrobat e lagura në zjarrin e kasolles. Pasi u çlodhën dhe u siguruan se osmanët nuk kishin rënë në gjurmë, çeta shkoi në drejtim të Gjirokastrës mbi qytet në malin e Gjerë. Shahini shërbeu si korrier midis çetës dhe njerëzve të konakut të Çerçizit. Takimi i çetës me Banushin, vëllain e Çerçizit, nuk ishte i mundur. Në këto rrethana Çerçizi vendosi të hynte në qytet, njerëzit nuk i hapnin portën nga frika e askerëve, spiunëve dhe xhandarëve që ishin shpërndarë në qytet. Pasi trokiti në disa shtëpi, Çeçua u prit nga Resul Berberi. Në shtëpinë e tij u bënë takimet me njerëzit e Myftzrit, të cilin e lanë në qytet dhe Çeta shkoi në Dervician tek familja e Thomait dhe pas kësaj në pyllin e Luvinës. Ndihma e popullsisë së Dervicianit, Vanistrës dhe Goranxisë ishte e pakursyer. Stefan Bako nga Bularati, për gati një muaj e gjysmë e mbajti çetën e Çerçizit me ushqime, veshmbathje e strehim, por edhe me ndërlidhje me komitetin e Gjirokastrës. Polizoi Gjini dhe djali i tij Mihu nga Vanistra, ishin korrierët besnikë me vendin e strehimit të çetës. Një miqësi të veçantë kishte familja Topulli dhe djemtë e saj, me Thoma Papapanon etj. Ata i dhanë Çerçizit letrat nga Misiri, Bari, Gjirokastra, Korça, Janina nga shumë patriot shqiptarë, tek të cilët ishte ndezur fuqishëm zjarri i luftës për lirinë dhe pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Është kjo arsyeja që kënga për Çerçizin do t’ju përcillet shekujve: “Milazim largo taborrë/ Se të kuq, të bëj me bojë/Çerçiz Topulli më thonë..”. Kjo betejë pasoi edhe me suksese të tjera në luftimet e zhvilluara në Frashër, Delvinë, Labovë, Shtëpëz, Çepunë, Virua, Lunxhëri, Skërficë etj. Në Gjirokastër, shtëpia e Topullarëve edhe sot qëndron si një kështjellë krenare kombëtare që do t’ju flasë brezave për Bajon, për Çerçizin dhe për çetën e parë të lirisë.

/Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here