Orët, zanat, hijet, gjarpërinjtë, hijet, xhindet, katallanët… Një botë e tërë, të cilën e kemi zbuluar përrallash, por njëherë motit, në mos edhe sot diku-diku, në Shqipërinë e Veriut besohej…

Orët, zanat, hijet, gjarpërinjtë, hijet, xhindet, katallanët… Një botë e tërë, të cilën e kemi zbuluar përrallash, por njëherë motit, në mos edhe sot diku-diku, në Shqipërinë e Veriut besohej megjithëmend. Si dëshmi e kësaj jete të pasur besimesh, besëtytnish, zakonesh, dokesh, plot një shekull më pas na vjen një libër me autor baronin Franc Nopça: “Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe- Me disa veçanti nga krahinat e Zadrimës dhe nga Shkodra”, një botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, përkthyer nga dr. Mihal Zallari, dhe përgatitur për botim nga akad.assoc Marenglen Verli dhe dr. Edmond Malaj, shkruan “Panorama”. Siç mësojmë, Nopça, si një paleontolog dhe albanolog, ishte pasionuar pas jetës zakonore të vendeve të Ballkanit dhe udhëtoi shpesh në Shqipëri dhe në Jug të Ballkanit si në Bosnje, Kosovë, Maqedoni, Serbi prej vitit 1903 dhe Luftës së Parë Botërore. U përqendrua më së shumti në Shkodër, ku kthehej pas çdo udhëtimi nëpër malësinë e Veriut, ku përveçse mblodhi pasuritë shpirtërore të kësaj zone, na ka sjellë deri ditët tona një koleksion të mrekullueshëm fotografish, publikuar nga studiuesi Robert Elsie. Origjinalët e fotografive prej xhami ndodhen në Muzeun Hungarez të Historisë Natyrore (Magyar Természettudományi Múzeum) në Budapest. Përmes shënimeve të Nopçës, sot na vjen mënyra se si shqiptarët e shihnin botën një shekull më parë, ku besonin, çfarë i trembeshin, si jetonin, cilat ishin traditat dhe zakonet e tyre me raste lindjesh, dasmash e vdekjesh, si ushqeheshin e mjekoheshin. Por, Nopça nuk është mjaftuar me një mbledhje materialesh. Ai bën edhe një studim krahasimor mes zakoneve shqiptare dhe ato që ai ka hasur në vende të tjera të Ballkanit apo edhe në Europë, që nga Maqedonia, Greqia, Rumania, Bullgaria, deri në Francë, Gjermani e Lituani.

Lindja

.. Kur lind në Malci një djalë, atëherë ia lajmërojnë këtë të tërë fisit me zbrazje pushkësh dhe fqinjët dhe farefisi përgjigjen me pushkë. Lindja e një vajze nuk gëzon njeri. Në Hercegovinë, si edhe në Gjermani dhe në disa vise të Rumanisë (kuçovllahët) besojnë se do të ishte shenjë e mirë sikur fëmija të lindte me këmishë (cipa e vesë)…

Foshnja porsa lind, e lajnë me ujë të vakët dhe e mbështjellin me pelena prej leshi, e vënë në djepin e vogël, i japin të thithi një brumë, që e bëjnë me gjalpë, sheqer e me ujë të ftohtë të mbështjellë me pëlhurë; pastaj e mbulojnë me një pallto, që të mos bëhet llafazan. Nuk kam dëgjuar gjë nëse përdorin magji në ujin e banjës. Foshnjën, që mezi i hap sytë, e forcojnë, duke i fërkuar kokën me të verdhin e vesë; pastaj ia lidhin kokën  me një copë pëlhurë. Edhe në Rumani i mjekojnë fëmijët e dobët me të verdhën e vezës.

Si në Bullgari e në Rumani, ashtu edhe në Shqipëri, besojnë se shtrigat mund t’iu bëjnë keq lehtas fëmijëve të porsalindur. Pra, i mbrojnë ata me hajmali dhe me hudhra.

Martesa në Shkodër

Pas fejesës, dhëndri godit banesën e re dhe familja e nuses përgatit pajën e nuses. Në Shkodër e hëna është dita e martesës, kurse në Rumani dhe në Maqedoninë greke të hënën e kanë për keq. Muhamedanët e Shkodrës martohen të dielën ose të enjten, pra si në Rumani. Fejesa në Shkodër, si edhe në Malci, bëhet pa u njojtur djali me vajzën, pa e parë kurrë njëri-tjetrin. Tani ka hyrë zakoni që ia japin dhëndrit fshehtas fotografinë e nuses. Praktikisht, ky gjest nuk ka asnjë rëndësi, edhe sikur në fotografi vajza të jetë e shëmtuar, se djali duhet të marrë për grua atë që i caktojnë prindërit. Duhet martesa të bëhet të hënën, atëherë është zakon, në dasma të mëdha, që mbajnë shumë ditë, të ftohen për të ngrënë drekën në familjen e nuses farefisi më i afërm i dhëndrit që të mërkurën para dasmës; të enjten thirren të gjithë miqtë, të njohurit dhe dy nga farefisi i dhëndrit, në këtë rast dorëzohet dhe dhurata që i bën dhëndri nuses… Dhuratën e sjell gjithmonë një djalë, ky duhet të jetë ogur, që nusja të lindë djem dhe jo vajza…

Të premten mbrëma i lyejnë flokët nuses, duke përdorur si mjet një çorbë të ngatërruar prej goglash, lule shqerrash, gur kali fletë kulpre, dafinë. Me këtë mjet lyejnë flokët të premten dhe i lënë ashtu të tërë ditën e shtunë. Një gjë të këtillë përdorin grekët e Maqedonisë…

Vdekja

Në disa pika zakonet midis Malcisë dhe qytetit të Shkodrës ndryshojnë. Sa vdes dikush, i mbyllin kapakët e syve dhe i lidhin një shami nën mjekër. Në Malci i lidhin edhe këmbët, që kufoma të mos ikë. Ka të ngjarë që kjo e ka rrënjën te një besim i kotë, se në Lesinë kujtojnë se po të mos i lidhen (i qepen) këmbët, i vdekuri del nga varri dhe sillet si hije. Kjo ndodh edhe në disa vende të Bullgarisë. Në mënyrë simbolike, në disa vise të Rumanisë, në reshinar të Zibenbyngenit, i lidhin këmbët me një pe. Kur i mbeten sytë hapur një të vdekuri, ose kur kufoma nuk ftohet shpejt, atëherë kjo është shenjë që në familje do të vdesë dikush tjetër. Këtë besim e kanë edhe rumunët. Pasi pushojnë ulërimat e para të grave, lajmërojnë me lajmëtarë burrat, të cilët nuk tregojnë asnjë shenjë pikëllimi, fisin, miqtë dhe të njohur të largët të të vdekurit. Në Malcinë e Vogël, si në disa vise të Lituanisë prusiane, shpejt pas vdekjes së dikujt bëjnë kurban për të vdekurin një qengj ose një dash, sipas zakonit të vjetër romak, të cilin e hanë ata që vijnë për varrim. Po të bjerë varrimi në një ditë kreshme, atëherë e shtyjnë për t’u ngrënë të dielën…

Në Malcinë e Veriut, një ditë pas vdekjes ftojnë njerëz për të lëshuar vajin (kujën). Vaji përbëhet nga këngë të improvizuara me “Ku! Ku!” dhe “Le, le!”, ku mburrin virtytet e të vdekurit. Vaji ka qenë dikur i përhapur në tërë Europën e Jugut dhe janë gjetur mbetje në Francën e Jugut dhe në Sicili. Varrimi bëhet kudo të nesërmen, por mund të shtyhet, kur nuk e lejojnë rrethanat, se çdo fis në Shqipërinë e Veriut ka varrezat e tij dhe prandaj farefisi lakmon ta varrosin në varrezat e fisit të vet. Vetëm kelmendasit që vdesin në bjeshkë, nuk i zbresin te varrezat, por i varrosin në bjeshkë…

Në Shqipëri nuk është si në Malin e Zi, nevoja e një varrimi kishtar. Unë vetë jam ndodhur në dy varrime në Malci dhe në fushë, ku ka munguar prifti. Sa më shumë njerëz e shoqërojnë të vdekurin te varrezat, aq më shumë nder i bëhet atij dhe farefisit të tij…/zanimalsise.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here