Gazeta për të rinjtë serbë, “Srpsko Kosovo” (“Kosova serbe”), është botuar dy herë në muaj që nga 1 marsi 1920 deri më 15 dhjetor 1934. Nga janari i vitit 1921, revista ndryshoi nëntitullin e saj në një gazetë për të rinjtë serbë dhe arsimin publik. Redaksia e gazetës ishte e vendosur në Mitrovicë, Shkup dhe Beograd. Për studentët dhe ushtarët, çmimi i një numri ishte 6 dinarë. Abonimi vjetor për lexuesit në vend ishte 72 dinarë, dhe 100 dinarë jashtë vendit.

Revista “Srpsko Kosovo” u botua në 16 faqe. Revista është redaktuar nga profesorët e shquar serbë të kohës, si dhe nga Peshkopi N. Velimiroviç.Përveç të dhënave themelore për vitin e botimit dhe numrit të revistës, është botuar një këngë patriotike në kopertinë, e rrethuar nga fotografi të manastirit të Graçanicës, Tyrbës së Muratit dhe qytetit mesjetar të Zveçanit. Tekstet e botuara përfshijnë një përzgjedhje selektive vetëm nga historia, letërsia, folklori, lajmet (etj.) që i referohen popullatës serbe në Kosovë dhe Maqedoni Veriore.

Së këtejmi, këshilli editorial i revistës “Srpsko Kosovo” për objektiv të vetin kishte ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor dhe kombëtar, zakonet popullore dhe vlerat tradicionale vetëm të popullit serb. Në këtë kuadër, në revistën e përmendur janë botuar përralla, legjenda dhe këngë të shumta popullore, që sipas këshillit editorial janë element i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor të popullit serb në territoret e sotme të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore! /Jahja Drancolli /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here