Nga; Ahmet Qeriqi

Arbëreshët e njohur edhe si arvanitë (greqisht, Arvanítes;), janë një grup i popullsisë në Greqi, të cilët tradicionalisht flasin arbërisht, një dialekt të gjuhës shqipe. Ata u vendosën në Greqi gjatë fundit të mesjetës dhe ishin shumicë e popullsisë në disa rajone të Peloponezit dhe Atikës deri në shekullin e 19-të. Arvanitasit  sot vetë-identifikohen,  grekë pas një procesi të asimilimit gradual dhe nuk e konsiderojnë veten se i  përkasin Shqipërisë apo kombit shqiptar. Ata e quajnë veten e tyre si arvanites dhe Arbëror, në gjuhën e tyre. Komunitetet shqipfolës në Greqinë e veriut nuk janë arvanitas por më tepër çamë dhe toskë, dhe ata e quajnë veten e tyre si shqiptar (i njëjtë emër kombëtar e përdorur nga shqiptarët e Shqipërisë). Arvanitasit dhe Arbëreshët nuk e konsiderojnë  veten e tyre me identitet shqiptar. Dialekti arbërisht ka tretur për shkak të ndërrimit e gjuhës, ndikimit të madh që ka ushtruar  greqishtja dhe migrimit të brendshëm nëpër qytetet e mëdha që rezultuan me përzierja e mëvonshme të popullsisë gjatë shekullit të 20-të. (Vikipedia)

Ndërsa studiuesi i njohur Irakli Koçollari shkruan se Arvanitasit ose arbërit e Mesjetës, të larguar nga toka amë nëpër mugëtirat historike drejt jugut ballkanik dhe të vendosur përgjithmonë aty, pothuaj nëpër tërë hapësirat e Greqisë, janë padyshim një pjesë e patjetërsueshme e historisë së kombit shqiptar. Pa jetëshkrimin e tyre, historia e kombit shqiptar do të ishte e cunguar. Kjo farë krenare, e cila, sipas burimeve greke, përllogaritet të jetë rreth 3 milionë në Greqinë e sotme, vazhdon të mbijetojë dhe të bëjë historinë si një pjesë vitale e atij vendi, mes stuhive të asimilimit dhe ruajtjes së identitetit. Për historinë, rrugën, kontributet dhe identitetin e arvanitasve, sot ka më shumë anë të errëta, të panjohura, të pandriçuara sa me të drejtë çdokush mund të shtrojë pyetjet: Si u gjend tërë kjo masë e madhe e popullsisë arbërore në këto vise? Kur shkoi, ku u vendos dhe ku gjendet ajo aktualisht? Në ç’kushte dhe për ç’arsye ndodhi ky emigrim? Si u pritën ata nga vendasit? Ç’ngjau me ta në rrjedhat e shekujve?  (Irakli Koçollari, libri, Arvanitët, histori e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII – XIX)

Shqiptarët dhe grekët, apo grekët dhe arvanitasit kanë një histori të gjatë të bashkëjetesës në kushte dhe rrethana historike, shoqërore, fetare e kulturore e cila tashmë ka rezultuar me humbjen e elementit kombëtar arvanitas, por me ruajtjen e fesë ortodokse  dhe me asimilimin gradual, jo të dhunshëm sikur thuhet nganjëherë, sepse këtë më së miri e thonë dhe e shprehin vetë grekët me origjinë arvanitase. Ata krenohen se janë helenë dhe nuk u bën fare përshtypje se cilët dhe kush ishin dikur. Madje jo pak studiues kanë arritur në përfundim se arvanitasit e duan më shumë Greqinë sesa grekët. Mbase kjo është ekzagjeruar, po duke qenë se qysh në Greqinë e lashtë grekët dhe arvanitasit kishin bashkëjetuar, kishin luftuar së bashku kundër Perandorisë turke, kishin ruajtur fenë e të parëve, natyrisht me gjuhën kanonike greke, meqë gjuha shqipe as u njoh as njihet nga Kisha shoviniste ortodokse greke. Të gjithë ata arvanitas që u përpoqën ta ruajnë gjuhën e tyre në predikimin dhe ligjërimin fetar, u çkrishëruan, u ndoqën u masakruan nga Fanari grek.

Pavarësisht se këtë amalgamim historik greko-shqiptar, jemi munduar ta paraqesim si  dhunë që ka ushtruar Greqia për shkombëtarizimin e tyre, nuk ka burime të shumta historike që e dëshmojnë këtë. Por ndodhi tjetra. Të gjithë grekët, arvanitasit e të tjerë që pranuan islamin u konsideruar tradhtarë të fesë, turq dhe ndaj tyre nuk është kursyer asnjë mjet, jo për rikthimin e tyre në fenë e të parëve, por për shfarosjen kolektive të tyre sikur ndodhe me krejt Çamërinë, por edhe në rajone të tjera të Greqisë ku ishte pranuar islami. Dhe ajo që është më e tmerrshmja në këtë dhunë barbare kundër tyre, në radhë të parë morën pjesë vetë arvanitasit, e sidomos suliotët, të cilët dhanë gjithçka nga vetja  e tyre për ta çliruar Greqinë dhe për t’u vetasimiluar kombëtarisht.

Lagja “Plaka” e Athinës lokalitet antik arvanitas

Lagja e emërtuar Plaka, është lagje e vjetër historike e Athinës, e shtrirë rreth shpateve veriore dhe lindore të Akropolit, dhe që përfshin rrugë labirintësh dhe arkitekturë neoklasike. Plaka është ndërtuar në krye të zonave të banuara të qytetit antik të Athinës. Njihet edhe me  emrin e vjetër antik “Fqinja Perëndive” për shkak të afërsisë me Akropolin dhe vendet e shumta arkeologjike helene të asaj kohe.

Emri “Plaka” nuk ishte në përdorim  të grek folësve deri pas Luftës për pavarësi. Në vend të kësaj, Athinasit e asaj kohe i referoheshin zonës me emra të ndryshëm si Alikoku, Kandili, ose me emrat e kishave lokale. Emri Plaka u vu në përdorim në vitet e para të sundimit të mbretit grek, Otto me origjinë nga Bavaria. Origjina e emrit rrjedh nga gjuha shqipe e arvanitasve ” Athina Plakë”, që do të thotë “Athina e Vjetër”. Në gjuhën shqipe emri plakë, në këtë rast i   gjinisë femërore  që do të thotë një grua apo një burrë i moshuar, si burrë plak, apo grua plakë, apo një Plak katundi, kryeplak, nëna plakë. Njihen edhe toponime analoge si  Mali Plak,  Kisha Plakë,  apo patronimi,  Plaku, Plakiqi e të tjerë.

Lagja më e vjetër e Athinës, dikur edhe më e madhe e cila edhe sot mbanë emrin shqip ashtu si  qindra toponime në Greqi ndodhet në shpatin verilindor të Akropolit, midis Sintagmës dhe sheshit Monastiraqi. Rruga Adrianou (që shkon në veri dhe në jug) është rruga më e madhe dhe më qendrore në Plaka dhe e ndan atë në dy zona: niveli i sipërm, – Ano Plaka – i vendosur pikërisht nën Akropol dhe niveli i poshtëm – Kato Plaka – i vendosur midis Syntagma dhe Monastiraqi .

Lagjja apo pjesa kryesor e Athinës e quajtur, Plaka u ringjall kryesisht rreth rrënojave të Agorës Antike të Athinës në një zonë që ka qenë e banuar vazhdimisht që nga antikiteti. Gjatë viteve të sundimit Osman, Plaka njihej si “lagjja Turke e Athinës”,  dhe aty ishte  selia e shtetarit turk.

Gjatë Revolucionit për pavarësi, të vitit 1822,  të cilit i prinë shumë kryengritës arvanitas dhe komandantët kryesorë të saj, lokaliteti Plaka,  si pjesa tjetër e Athinës, u braktis përkohësisht nga banorët e saj për shkak të betejave të ashpra që u zhvilluan në 1826. Zona u ripopullua gjatë viteve të para të sundimit të Mbretit Otto. Plaka kishte një komunitet të konsiderueshëm arvanitas deri në fund të shekullit të 19-të, gjë që bëri që disa ta quanin atë si lagje arvanitase të Athinës.

Në vitet 1840 Mbreti Bavarez Otto,  i cili ka sunduar Greqinë për një kohë u ka bërë thirrje muratorëve më të mirë të vendit  të ndërtojnë një pallat për mbretin e ri në kryeqytetin e ri. Muratorët kishin  arritur nga një ujdhesë  e vogël në Kikladi i quajtur Anafi. (balkon3.com. ishull-grek-nen-akropol)

Studiuesi Ndue Bacaj shkruan se Lagja Plaka  ka qene edhe në vëmendjen e studiuesit të njohur profesor Antonio Baldaçi-t i cili kur vizitonte Athinen (vitit 1897) do të shkruante : “…Në lagjen Plaka nën Akropol, vazhdon të flitet shqip megjithëse Greqia kërkon me çdo mjet t’i asimilojë ata shtetas të saj…duke kaluar edhe sot neper lagjen Plaka mund të dëgjohet e folura shqipe midis dyqanxhinjëve… (Ndue BACAJ: Nëpër magjitë e Athinës së Lashtë)

Rrëzë shkëmbinjve të pjesës veriore të Akropolit, gjendet lagjja e shqiptarëve e cila quhet Plaka dhe konsiderohet si vendbanimi më i vjetër që ekziston sot në Athinë. Prandaj, në këtë tregim personazhi kryesor janë shqiptarët. Kur dilni nga Plaka për të marrë drejtimin për Akropol, takoheni me shtatoren e Yannis Makriyannisit. Makriyannis është i veshur me kostumet e njëjta me ato të Lord Byronit që i kishte blerë në Prevezë dhe me të cilat shihet në pikturën e famshme të Thomas Phillipsit me titull: ‘Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian’ (Portreti i një fisniku në rrobat e shqiptarit). Makriyannis nuk i ka vetëm rrobat e shqiptarit, por edhe vetitë, sidomos shprehitë e luftës. Makriyannis ka luftuar nën komandën e trupave të Ali Pashës, edhe pse ai ia kishte vrarë babanë. Më vonë Makriyannis u bë gjeneral, por zanatin e luftës e mori nga shqiptarët si shumë grekë tjerë. Të mos flasim për heronjtë tjerë kryesor ‘grekë’, Marko Boçarin, Bubulinën, Andreas Vokosin…Historiani i famshëm britanik, George Finley, i cili luftoi krah Byronit për pavarësimin e Greqisë, e ka sqaruar më së miri rolin e shqiptarëve në këtë luftë dhe jetën e tyre në Athinë dhe gjetiu në këtë vend. Vepra e tij voluminoze me titull ‘History of the Greek Revolution’ është dëshmi monumentale për këtë. (gazetablic.com. Tri-tregimet-e-nje-qyteti)

Referencat:

  1. Qeriqi, RKL: Fejton, Troje shqiptare, të pushtuara e të tjetërsuara, 2020

Irakli Koçollari: Arvanitët,histori e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII – XIX.

http:balkon3.com al. ishull-grek-nen-akropol

Ndue BACAJ: Nëpër magjitë e Athinës së Lashtë

https:gazetablic.comtri-tregimet-e-nje-qyteti,

Vikipedia

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here