Në vitin 1870, kur historia e Shqipërisë dhe shtypshkronjat apo shtëpitë botuese kishin vetëm një tangente jo të plotë, e cila datonte në Voskopojën e vitit 1720 apo 1730 prej së cilës kishin dalë jo më shumë se 20 libra liturgjikë të shkruar në greqisht, në Shkodër, pranë Seminarit Papnor dhe Kolegjit Saverian u krijua Shtypshkronja “Zoja e papërlyeme”.

Në fillim bëhej fjalë për një shtypshkronjë tërësisht private, e cila funksiononte si organ i Seminarit Papnor dhe mbante emrin “Scamp i Koleges” duke synuar kamuflimin e rolit të saj atdhetar, i cili kishte nisur të nuhatej nga organet osmane në Shkodër. Fillimet e shtypshkronjës kishin lidhje me një tipografi shumë të vogël e cila, siç thuhet në “Pak histori’ mi shtypshkronjen e Zojës së Papërlyeme në Shkodër” që gjendet në Arkivin e Shtetit, konsistonte në një makinë të vogël dore të blerë nga Ipeshkvi i Shkodrës Imzot Karl Potten tek Zirini në Milano.

Për arsye sigurie, Arqipeshkvi Potten e mbajti për pak kohë makinën e vogël në shtëpinë e vet, e cila ndodhej pranë ndërtesës së Seminarit dhe Kolegjit. Në vitin 1929, kjo makinë e vogël vazhdonte të ekzistonte në inventarin e përgjithshëm të shtypshkronjës.

Në vitin 1876 del i pari libër në gjuhën shqipe, “Doktrina e Kerscten” e vikarit të përgjithshëm të arkidioqezës së Shkodrës, Imzot Engjëll Radojës. Megjithatë, sipas një kronike të Seminarit, thuhet se libri i parë është një libret i vogël i shkruar në italisht, i shtypur vetëm për përdorim të brendshëm nga studentët e Seminarit Papnor të Shkodrës, i cili qe botuar si kërkesë për të vënë në zbatim vendimet e Kuvendit II kombëtar.

Historia e kësaj shtypshkronje nuk kalon pa peripeci nga më të ndryshmet. Vlen të përmendet konflikti juridik mes jezuitëve dhe qeverisë osmane, me përfaqësues në Shkodër Husein Pashën, i cili me datë 13 shtator 1879, i dërgon rektorit të Seminarit Atonio Zamboni një shkresë me anë të së cilës fajëson jezuitët se po e përdornin pa leje shtypshkronjën dhe për këtë arsye, përposë një gjobe prej 50000 guldash, duhet të mbyllte menjëherë shtypshkronjën dhe të ndalonte çdo formë aktiviteti nga ana e saj. Por rektori Zamboni, duke u mbështetur në një nen, i cili pretendohej të ishte shkelur (neni 130) u mbrojt duke thënë se ai nen vlente vetëm për shtypshkronjat publike, ndërsa ajo e Jezuitëve, siç thashë edhe më lart, juridikisht ishte private. Gjithashtu nuk ishte aspak e vërtetë se aktiviteti i saj kishte filluar pa leje, pasi në momentin e themelimit të shtypshkronjës ishte marrë një leje nga qeveria. Por këto konflikte, ndonëse të pabazuara në ligj nga ana osmane, dhanë impulset e veta negative mbi produktivitetin e shtypshkronjës, e cila për dy vjet (1883-1885) nuk botoi asgjë tjetër përposë katalogëve të provincës. Urdhri i ndalimit të botimit përfshinte edhe mosshtypjen e çertifikatave nderuese për nxënësit e dalluar të Kolegjit Saverian, të cilat shtypeshin çdo fundviti.

Situata e vështirë mes autoriteteve osmane dhe Jezuitëve shqiptarë vazhdoi deri kur Shqipëria fitoi mëvetësinë. Gjatë kësaj periudhe trazirash, shfaqet edhe rëndësia e Austro-Hungarisë, e cila arriti të sillte në gjendje të mirë një makinë tjetër shtypi nga Milano e prodhuar nga marka “Marioni”. Përveç kësaj, ishte e nevojshme të blihej edhe një makinë tjetër më moderne, blerje e cila u realizua në vitin 1906. Makina ishte prodhuar nga marka “Nebioli” dhe vinte nga Torino. Qeveria osmane vendosi një taksë doganore më të lartë se vetë çmimi i makinës duke e bllokuar atë. Çështja mori rëndësi të veçantë, aq sa shkoi deri në Stamboll, ku, sipas të gjitha gjasave ndërhyri Austro-Hungaria, duke bërë të mundur mbërritjen e makinës në gjendje të shkëlqyer.

Në vitin 1921, kur terrori osman kishte perënduar duke i lënë vend lindjes së diellit të sovranitetit, u ble edhe një makinë tjetër, e vogël dhe e shpejtë, e cila shërbente për porositë e vogla e të shpejta si për shembull dëftesat e nxënësve të Kolegjit.

Gjatë periudhës që shtypshkronja ishte funksionale, shumë autorë botuan veprat e tyre e njëkohësisht u botuan edhe disa nga revistat e periodikët më të rëndësishëm fetarë e studimorë.

Deri në vitin 1945, shtypshkronja vazhdoi funksionin e saj, në pesë vitet e fundit me anomali të theksuara, pas të cilave u mbyll nga shkaqe të ndryshme, ku më kryesori dhe i pariparueshmi ishte ai i mësymjes së komunistëve mbi kulturë dhe çdo forme me të cilën ajo mund të promovohej.

Studimin e plotë mbi shtypshkronjën “Tipografia e Zojës së Papëlyeme” e ka bërë Markus W. E. Peters në librin e të cilit është bazuar shkrimi i këtij artikulli./Njekomb/InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here