Cila është e vërteta për prejardhjen kombëtare të hulumtuesit ATANASIJE Urosheviqit (4)

Shkruan Dr.Qazim Namani

Françeskanët në ato rrethana, nuk patën mundësi ta përcillnin gjendjen e popullatës katolike shqiptare në ato anë, madje as në anën veriore të fshatrave shqiptare që shtriheshin në veri të Peshterit afër Janjevës.

Duhet theksuar se popullata shqiptare e zonës së Vrajës, Leskocit, Artanës dhe qyteteve tjera veriore e kishte përballuar për disa shekuj presionin e ashpër të P. Osmane, për myslimanizim të plotë deri në vitet 1843/44.

Ushtria e rregullt e sulltanit, që u dërgua në trojet shqiptare, ndërmerrte masa çnjerëzore, dhe bënte presion shumë të madh, ndaj kriptokatolikëve shqiptarë në Shqipërinë veriore, me qëllim që ta rriste zhvillimin e procesit të islamizimit të popullatës shqiptare.

Se popullata shqiptare e kësaj zone, me shekuj e kishte ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën e lashtë dardane, dëshmohet edhe prej studiuesve të huaj, që i vizituan viset tona gjatë asaj periudhe.

Për ruajtjen e objekteve të kultit, ndërtimin e kishave arbërore, si dhe përballimin e islamizimit deri në gjysmën e shekullit të XIX, kanë shkruar më vonë edhe disa studiues serbë. Atanasije Urosheviçi, gjatë studimeve të tij dhe hulumtimeve në terren, ofron të dhëna edhe për islamizimin e vonshëm të familjeve shqiptare në Malësinë e Galabit.

Siç shihet edhe nga hulumtimet e tij, në kohën kur ai i ka bërë, në brezin e katërt familjet shqiptare të kësaj treve ishin të krishtera.

Për islamizimin e vonë të tyre shkruan edhe Urosheviçi, andaj ne e shkëputëm një faqe nga libri i tij.

Siç shihet edhe nga shkrimet e Urosheviçit vërehet se paraardhësit e familjeve shqiptare të islamizuara në këto anë, shkonin deri te brezi i katërt, për të dëshmuar besimin e krishterë. Sot kjo dëshmi vërtetohet fare lehtë se shkon deri në brezin e gjashtë.

Nga këto të dhëna kuptojmë se deri në këtë periudhë, popullata shqiptare ju bëri ballë, të gjitha sulmeve dhe projekteve osmane e ruse, për ta ndërruar fenë.

Edhe pse kësaj kryengritje në veri i printe kleri mysliman, nga ngjarjet e zhvilluara të kohës, mësojmë se kryengritjen e armatosur e përkrahën të gjithë shqiptarët katolik dhe ortodoksë të kësaj ane, duke u solidarizuar me vëllezërit e tyre mysliman.

Popullata shqiptare ortodokse që u serbizua, në gjysmën ë dytë të shekullit XIX, dhe gjatë shekullit XX, me ndikimin e politikës dhe kishës ortodokse serbe, i përvetësuan të gjitha objektet e kultit, dhe përmes procesit të konservimit e restaurimit, me qëllim të falsifikimit të historisë së tyre, u dëmtuan.

Këtë e dëshmojnë edhe disa autor serbë, të cilët kanë lënë shënime për kishën shqiptare në qytetin e Leskocit. Ata shkruajnë për ndërhyrjen në freskat e kishës së Leskocit që ishte konservuar në vitin 1693, kur të gjitha freskat, mbishkrimet dhe fotografitë u ndryshuan në vitin 1902 dhe rreth vitit 1930, nga padituria për mos kuptimin e tekstit origjinal. Krejt këto kishin ndodhur pasi që këto punë u lanë në dorë të një të riu rusë, shkruanin serbët.

Dëshmi të shkruara nga autorët serbë, për ndërhyrjen e rusëve për të falsifikuar kishën shqiptare në Leskoc.

Nga kjo e dhënë kuptojmë se rusët që nga mesi i shekullit XVII, veprimin e tyre e kishin shndërruar në platformë politike dhe ushtarake, që të zhdukin çdo gjurmë të shqiptarëve në trevat ilire. Shërbimet sekrete ruse gjatë gjithë kësaj kohe punuan për formimin e shteteve sllave dhe shtetin grek në tokat ilire.

Dëshmi që Rusia e planifikonte zgjerimin e Bullgarisë në trojet shqiptare e sidomos në Anamoravë dhe lumin e sotëm Vardar.

Nga teksti lart kuptojmë se Rusia prej vitit 1877, me të gjitha shërbimet e veta sekrete kishte punuar që ta formonte Bullgarinë e madhe, e cila do të shtrihej në territoret e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë së sotme. Një Bullgari të tille e dëshironte Rusia për çështje strategjike në Ballkan.

Se popullata e Leskocit deri në krizën lindore ishte me popullatë shqiptare, i kemi edhe të dhënat që i kanë botuar vet serbët për vizitën e bërë qytetit nga Georg Von Hahn në vitin 1858. Mes tjerash Hahn për qytetin shkruan se ishte me shtëpi të bukura, por ajo që i kishte lënë shumë përshtypje ishte shtëpia e Ismajl Pashës. Shtëpia e Ismajl Pashës në Leskoc dhe shtëpia e Mahmut Begollit në Pejë, janë më të njohurat në tërë Shqipërinë. Pra siç shihet në ato vite e deri në vitin 1878, tërë Sanxhaku i Nishit quhej Shqipëri, madje edhe vet serbët e quanin Arnautlluk (Shqipëri).

Dëshmi e shkruar nga Georg Von Hahn, për arkitekturën popullore shqiptare, dhe se Leskoci në ato vite konsiderohej si qytet shqiptar.

Shqiptarët e këtij rajoni, ishin të njohur si tregtar të zotët dhe ndërtues të mirë të objekteve të banimit. Shtëpitë e bejlerëve shqiptar të ndërtuara në Krushec, Leskoc dhe Vrajë sot ruhen si objektet ma arkitekturën më të zhvilluar gjatë shekullit XVIII e XIX, dhe janë shndërruar si muze të këtyre qyteteve.

Të gjitha këto argumente shtesë janë dëshmi tjera se popullata që jetonte në mes të Leskocit-Prishtinës dhe Shkupit ishte shqiptare e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman, andaj bazuar edhe në të dhënat për biografinë e familjes së Urosheviçit na shtynë të mendojmë se me qëllim është fshehur origjina e saj shqiptare.

Nga të gjitha burimet e përmbledhura për origjinën e familjes së Urosheviçit shtohet edhe një pyetje logjike: Si është e mundur që Atanasije Urosheviç të shkruaj për origjinën familjare gati të krejt popullatës së Kosovës e mos të lë shënime të sakta për origjinën e familjes së vet! A thua ky e dinte mirë se familja e tij nuk kishte pasur origjinë serbe, por që me dhunë ishte serbizuar si shumë familje të tjera?!

Të dalim prapë në temë rreth familjes së ngushte të Urosheviçit. Bazuar në burimet e shkruara, babai i tij quhej Kosta, ndërsa e ëma quhej Mara. Mara ishte bijë e familjes së Qamil Agës, e cila familje kishte prona, dhe shtëpi të bukur në qytetin e Vushtrrisë.

Tani të mësojmë se kush ishte familja Qamili në qytetin e Vushtrrisë.

Për qytetin e Vushtrrisë kemi të dhëna se gjatë vizitës që i bëri në mesin e shekullit XVII, udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebiu, shkruan se në këtë qytet flitet gjuha shqipe dhe ajo osmane, ndërsa nuk fliten gjuhët sllave. Kjo e dhënë na njofton për të kuptuar se në atë kohë nuk kishte popullatë sllave në këtë qytet, madje Çelebiu këtë trevë e quante Albani (Shqipëri).

Nga burimet historike mësojmë se si në shumë qytete ashtu edhe në qytetin e Vushtrrisë, gjatë shekullit XIX, për ortodoksët, ishin hapur shkolla serbe me lejen e P. Osmane. Një numër i ortodoksëve që kishin vijuar mësimet në shkollën serbe të këtij qyteti, me kohë u serbizuan. Nga shkolla serbe e Vushtrrisë, të brumosur me nacionalizëm serbë, dolën edhe disa vojvodë serbë që bënë krime të mëdha ndaj popullatës shqiptare në fillim të shekullit XX e sidomos gjatë luftërave ballkanike.

Pasi në qytetin e Gjilanit nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, edhe Urosheviçi, shkollën fillore e kreu në gjuhen serbe në qytetin e tij të lindjes.

Pas mbarimit të shkollës fillore në vitin 1910, e vazhdoi shkollën e mesme turke në qytetin e Prishtinës.

Lufta e Parë Ballkanike e gjeti atë në klasën e dytë në shkollën e mesme turke. Pasi ndërpritet mësimi në shkollën turke, ai kthehet në qytetin e tij të lindjes.

Mbishkrimi në objektin e shkollës serbë në Prishtinë në vitin 1959, dhe faksimile për faqet përmbledhëse të librit shkollor të Kosovës, i vitit 1884 në Prishtinë.

Urosheviç, në vitet shkollore 1913/14, i vazhdon mësimet në shkollën e mesme serbe në Shkup. Ai në Shkup u regjistrua në klasën e dytë dhe e mbaroi me sukses. Për shkak të Luftës së Parë Botërore, ai detyrohet të ndërpresë mësimet dhe të kthehet në familje. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ai e vazhdoi shkollimin në Shkup, ku shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1922 dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik në këtë qytet, në degën Gjeografi dhe Etnologji. Ai i mbaroi studimet me 1926, dhe më pas ishte asistent i paspecifikuar në këtë fakultet; Më 1927 (pasi mbaroi shërbimin e tij ushtarak), ai u zgjodh asistent në të njëjtin fakultet, ku mori doktoratën në 1929. Gjatë viteve tridhjeta të shekullit XX, nuk kemi ndonjë të dhënë për aktivitetet e tij, por sipas të gjitha gjasave, aktivitetet e tij ishin punë profesionale, me të cilat ishte ngarkuar nga pushteti. Siç shihet ai gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate –Sllovene, kishte marrë edhe gradë ushtarake, sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte oficer rezervë i ushtrisë së Mbretërisë, dhe arrestohet nga gjermanët, i cili lirohet me 10 prill të vitit 1945. /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here