Frang Bardhi – Apologjia e Skënderbeut

Nga: Moikom Zeqo

Dijetari më i madh shqiptar i shekullit XVII-të është padyshim Frang Bardhi. Mbas Marin Barletit ai është përfaqësuesi i dytë i madh i humanizmit shqiptar.

Lindi në Kallmet të Zadrimës, pranë qytetit të Lezhës, ku siç dihet më 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu, bëri Kuvendin e Besëlidhjes së princave shqiptarë për t’u bashkuar në luftë kundër Otomanëve.

Vazhdoi studimet në kolegjin e Loretos në Itali, studime të cilat i nisi në vitin 1628 dhe i mbaroi në qershor të vitit 1633. Nga viti 1633 deri më 1635, Frang Bardhi ndoqi studimet më të larta në një kolegj të Romës. Gjatë kësaj kohe atij i lindi ideja për të bërë një fjalor dygjuhësh latinisht-shqip. Më 1635 Frang Bardhi e boton fjalorin. Fjalori përmban 5000 fjalë të përkthyera në shqip, si dhe disa shtojca në fund, kurse pjesa shqipe përmblodhi afro 2500 fjalë. Fjalori ka edhe 113 proverba e shprehje të shqipes, si dhe emrat e toponimet e qyteteve shqiptare më të rëndësishme.

Në parathënien e shkruar shqip për lexuesit, Frang Bardhi ka theksuar se: “Në të errët dhe pak dritë vlen e kushton shumë”. Ai e kish bërë të vetin parimin e humanizmit të kohës për shkrimin e gjuhëve amtare, se gjuha është “tipari i parë dallonjës i një kombi”.

Një vit më vonë, më 1636, brenda një kohe shumë të shkurtër, prej afro 15 ditësh, Frang Bardhi shkruan kryeveprën e vet “Apologjia e Skënderbeut”.

Në këtë libër, Frang Bardhi bën një polemikë të ashpër e me argumente shkencorë kundër Tomeo Markoviçit, një peshkopi boshnjak, i cili me anë të një librushke i mohonte shqiptarësinë Skënderbeut, duke e quajtur sllav.

Kundër këtij falsifikimi, të cilin Frang Bardhi e quan “të kobshëm”, dijetari ynë mbështetet në fakte dhe dokumenta. Metoda shkencore në histori që përdor Frang Bardhi është më e përparuara për kohën.

Frang Bardhi thekson se dy parime të mëdha kanë rëndësi për historikun “metoda dhe e vërteta”. Apologjia e Skënderbeut është një vepër e shkëlqyer dhe e bën autorin të spikasë midis dijetarëve të shquar të Europës. Këtë vepër Frangu e shkroi në moshën 30 vjeçare.

Në librin eseistik e historik “Apologjia e Skënderbeut”, Frang Bardhi citon dhe aforizma poetike, emra poetësh, duke dëshmuar kulturën e vet letrare dhe poetike, klasike e humaniste.

Që Bardhi ka qenë i njohur me hullitë poetike, këtë mund ta vërtetosh lehtë e qartë.

Bardhi është i pari që na flet për një dukuri tejet interesante për rimën, në një kohë që Eposi Mesjetar i Veriut, po edhe shekuj më pas De Rada te “Milosao”, përdorin vargje të bardhë, domethënë pa rimë.

Kur u fut rima në poezinë shqipe?

Në një studim të tijin pretencioz, Bonlow ka thënë se, janë shqiptarët që për herë të parë kanë përdorur rimën në poezinë gojore në Europë, duke u shpërndarë kjo shëmbëlltyrë edhe te popujt e tjerë.

Në “Fjalorin latinisht-epirotikisht” të Frang Bardhit, më 1635, autori ka përfshirë edhe disa proverba të rimuara, pra është i pari që tregon se rima kishte hyrë tashmë në poezinë apo folklorin artistik shqiptar. “Qysh asht gjykue, s’ka me mungue”. Ky proverb mund të kthehet në dy vargje të mirëfillta 6 rrokëshe.

Një tjetër shembull: “Kush s’asht i besuem, s’di me urdhnuem”. Rimat janë foljore, por edhe mbiemrore.

Një shembull i tretë: “Shumë shtane (të shtira, të qëlluara M.Z.) e një të bame”. Në vend të rimës kemi asonancën “shtane-bane”.

Në “Apologjinë e Skënderbeut” Frang Bardhi citon tri strofa të një poeti të shek. XV, Gjon Jakov Recinit, me sa duket me origjinë dalmatine.

Ato janë marrë nga vepra e poetit e quajtur “Beteja e Herkulit me Skënderbeun”:

Skënderbeu epirotas fluturon

me forcë të madhe si stuhi,

duelin e ashpër e fiton

krenar, zemërfatos si ai.

Kalin e papërmbajtshëm mban

Skënderbeu i lindur nga Epiri

e shigjeton me sytë prej ylli.

Ai parzmore prej lëkure ka

shigjetë, shtizë e hark gjigant,

tek Herkuli i Tebës një topuz hata

E hedh ai me furi që larg.

Gjon Jakov Recini bën një shtjellim të subjektit të ndërthurur me mitologjinë (Herkulin) dhe historinë (Skënderbeun).

Për ta lartësuar këtë të fundit, krijon një skenë fantastike dyluftimi të Herkulit me Skënderbeun, duke e nxjerrë fitimtar këtë të fundit, pra më të madh e të fuqishëm sesa Herkulin. Kështu historia lartësohet më shumë sesa mitologjia.

A ka apoteozë më të bukur dhe fantastike për kryetrimin tonë?

Duke zgjedhur këto fragmente poetike, Frang Bardhi shpreh publikisht referencat dhe hobitë e tij për poezinë në përgjithësi e një shpirt poeti të vërtetë.

Në shtator të vitit 1636 ai vendoset në Zadrimë të Lezhës. Nga Zadrima ai shkruan disa letra dhe relacione të rëndësishme, si ato më datë 7 shtator 1636, 8 shkurt 1637, 5 maj 1637, 28 maj 1637, qershor 1637, 19 prill 1641 etj.

Nga përmbajtja e letrave dhe relacioneve mësojmë se Frang Bardhi është marrë edhe me përkthime nga gjuhët e huaja në shqip, përkthime, të cilat për fat të keq, deri më sot nuk janë gjetur nga dijetarët e interesuar rreth figurës së tij, për etnografinë e kulturën popullore vendase, si dhe për projektet rreth kryengritjeve kombëtare për liri nga Bardhi vetë.

Më 1643 në moshën 37 vjeçare Frang Bardhi vdes papritur, ka të ngjarë nga malarja.

Frang Bardhi nuk jetoi shumë, por ka patur një emër të madh dhe të ndritur. Ai qe një patriot i shquar dhe i flaktë, sypatrembur e luftarak. Ai arriti një shkallë të lartë kulturore për kohën dhe shkroi vepra të guximshme e me kompetencë.

Me këto vepra, ai ka kontribuar në kulturën tonë kombëtare si një nga përfaqësuesit e saj më të mëdhenj në shekuj.

Një bashkëkohës ka shkruar për Frang Bardhin: “Le të krenohet Shqipëria dhe të gëzojë fisi i Bardhajve që i dha atdheut bij të denjë.” /InforCulture.info

InFor. Culture

Recent Posts

Ballkani quhej Scandrebeco; Zbulimi i hartës së rajonit e vitit 1455

Një rast tjetër i ngjashëm kur territoret përcaktohen me emrin e një njeriu mund të…

53 mins ago

Arkitektja e parë shqiptare në Kosovë

Suade Doko Mekuli (1931-2010), erdhi nga Ohri i Maqedonisë në Prishtinë në moshë të re…

1 hour ago

Si u vendos “taksa e parfumeve” në Shqipëri për të financuar shtypjen e librave shqip për ‘tokat e lirueme’!

Në fund të tetorit të vitit 1943, kur vendi ndodhej nën pushtimin e trupave ushtarake…

1 hour ago

Misteret e shpellave të Cërkolezit të Istogut

Shkruan: Haxhi Mehmetaj Motivet e vizatuara, dielli, shkronja X, rrathët më katër rreze, rombi dhe…

1 hour ago

Këshillat kundër rrahjeve të çrregullta të zemrës

A e keni përjetuar ndonjëherë ndjesinë sikur zemra do t’ju dalë nga kraharori? Po ndjesinë…

1 hour ago

Ushqimet që ndalojnë gërhitjen

Gërhitja është një problem që prek shumë njerëz në mbarë botën. Zhurma e bezdisshme e…

17 hours ago