(Festa e Kultit të Malit më 15 gusht ose në data të tjera të muajit qershor, korrik-gusht) /InforCulture.info

I vihet emri ‘’festa e malit’’ megjithëse në krahina të ndryshme nuk kishte të njëjtin emër. Diku kishte emrin e malit si ‘’Festa e Gjallicës’’, ‘’Festa e Runës’’, ‘’Festa e Tomorrit’’, ‘’Festa e Sarisalltëkut’’, e kështu me radhë. Si karakteristikë kryesore kishte pelegrinazhin në male, në vende që populli i quante ‘’të shenjta’’ e ku ishin gërmadhat e ndonjë kishe, xhamie, a të ndonjë ‘’varri të shenjtë’’ të bektashive. Atje dilnin që natën, ndizeshin zjarre, i faleshin diellit, bëheshin kurbane e rite të tjera, që ndonëse kishin veshje të feve monoteiste, më tepër bektashiane, në përmbajtjen e tyre kryesore ishin forma parakrishtere. Ato në fillim të shek. XX ishin ruajtur në forma të fosilizuara dhe lidhen me prodhimtarinë e pjellorinë, vetëm në mënyrë të tërthortë lidheshin me shëndetin, shërimin e të sëmurëve.

Këto festa më tëpër zhvilloheshin më 15 gusht apo afër kësaj date, pra lidheshin me Shën Mërin. Në ballkan, të tilla pelegrinazhe e festa në male e në vende të ngritura pranë altarësh pagane janë zhvilluar edhe tek Ilirët, Grekët e Trakasit e lashtë. Edhe Romakët e kishin një festë të tillë të pelegrimazhit në mes të gushtit. Në krahinën e Laciumit popullsia delte në kodra për të kremtuar Festën e Dianës, hyjni e bimësisë dhe blegtorisë, e gjuetisë. Pra, si rrjedhim, edhe këto festa, me sa duket, kanë të bëjnë, krahas kushtuar kultit të diellit, edhe me hyjni të gjahtarisë dhe blegtorisë.

Me sa duket si datë, 15 gushti është ndikim romak. Në Rumie të Krajës (Mal i Zi, pelegrinazhi bëhej Ditën e Rrëshajve (maj); në Bukanik e në Shën Ilia të Shpatit të Elbasanit bëhej në 20 korrik, Ditën e Shën Ilisë.

Shkëputur nga libir (Etnologjia e Shqiptarëve nga Mark Tirta) /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here