Bibliotekat e para duhet të jenë shfaqur në Mesopotami në vitet 3000 p.e.s. Gërmimet në Ninivë në vitin 1850 zbuluan mijëra pllaka argjile me shkrim kuneiform, të klasifikuar në mënyrë metodike dhe kataloguar, që ishin të dhënat zyrtare të mbretit Asourmpanipal (668-626 p.e.s).

Mbreti i Alexandrisë, Ptolemeo Filadelfus (283-247 p.e.s) themeloi bibliotekën më të pasur dhe të ndritur të botës së lashtë, e njohur si “Biblioteka e Madhe e Aleksandrisë” me 400,000, dhe sipas disave 700.000 vëllime dhe katalogë, të cilat konsiderohen si përpjekjet e para për të krijuar literaturën sistematike shkencore. Kjo bibliotekë u shkatërrua nga një zjarr gjatë pushtimit të Aleksandrisë nga Julius Cesari në 47 pes. Bibliotekat romake zakonisht ishin të vendosura në ndërtesa të afërta ndihmëse të tempujve, kryesisht në qendër të qyteteve. Përbëheshin nga dy pjesë, literatura helene dhe latine, dhe më vonë nga një e tretë, pjesën e krishterë, ndërsa librat katrorë prej pergameni ishin të vendosura anash. Gjatë periudhës mesjetare krijoheshin vetëm në tempuj dhe manastire, ndërsa organizimi, funksionimi dhe kopjimi sistematik i dorëshkrimeve bëhej nga artist miniaturist murgjë të arsimuar.

Qendrat kryesore të Islamit (Bagdad, Kajro, Tripoli) krijuan biblioteka të pasura me dorëshkrime helene e të përkthyera në arabisht.Gjatë Rilindjes u vërejt një trend krijimi bibliotekash të rëndësishme private, ndërsa në vitet e mëvonshme u hodhën themelet për krijimin e bibliotekave të mëdha publike që ekzistojnë deri sot në botë. Biblioteka e famshme e Aleksandrisë, arka më e madhe e njohurive të botës së lashtë, e cila për fat të keq u dogj nga inkursionet e barbarëve, duke djegur të gjithë diturinë, thesarin shpirtëror të antikitetit, pushtimet e shkencës, letërsisë dhe arteve dhe shumë më tepër veprave me vlerë të pallogaritshme. Papirusët e panumërt me dorëshkrimet e njerëzve të mëdhenj rregjistronin ecurinë e shpirtit të madh njerëzor. Nga Biblioteka e Aleksandrisë shpëtoi vetëm 10% e saj. Nga 160 tragjeditë e Sofokliut, kemi vetëm shtatë, dhe ky është vetëm një shembull i thjeshtë. Një bibliotekë e madhe, që humbi në flakë dhe la pas një të kaluar të lavdishme, që të kujtojë se dija mund të jetë për njerëzitbforcë dhe bukuri njëkohësisht. Çfarë ka mbetur nga kjo fatkeqësi e madhe mësohet sot në pothuajse çdo universitet në botë.

Aleksandria e lashtë ishte udhëkryq i qytetërimeve. Aty, rreth shekullit të 3 p.e.s,u themelua biblioteka më e madhe në botë, me qëllim përvetësimin e njohurive dhe mbledhjen e informacionit nga e gjithë bota. Një plan ambicioz me dimensione të përjetshme për të bashkuar Lindjen dhe Perëndimin. Ptolemeu ishte një nga më të çmuarit e regjistruesve, por për fat të keq zjarri i madh në portin e Aleksandrisë shkatërroi këtë vizion ekumenik. Mustafa El Abadan, në veprën e tij “Libraria e lashtë e Aleksandrisë, në faqen 165 tregon se “humbja e koleksioneve të paçmuara të librave, që përmbante biblioteka e Aleksandrisë, mbetet e pazgjidhur. Nga shekulli 18 deri në të tashmen, pikëpamjet e historianëve ndryshojnë. Askush nuk konteston faktin se biblioteka është shkatërruar, por ende nuk është përcaktuar as mënyra dhe as koha e katastrofës. Disa studiues theksojnë faktin se rëndësia e bibliotekës përveç pasurinë e dijes, ishte rishikimi i botës nëpërmjet kërkimeve të besueshme dhe arritjeve të mëdha shkencore. Mustafa El Abadan, në parathënien e veprës së tij “Libraria e lashtë e Aleksandrisë”, konsideron se “rëndësia e veçantë e Biblotekës së Aleksandrisë, qëndron në faktin se ishte djepi i një projekti shkencor kaq të shquar, sa që ka mbetur i pakapërcyeshëm deri në kohët moderne”.

Geoffrey Blainey, në librin e famshëm “Historia e shkurtër e botës” përcakton madhësinë dhe vlerën e bibliotekës: “Një qytet i ri në Egjipt, Aleksandria, do të bëhej trashëgimtari kryesor i traditës athinase. Qyteti, i themeluar në vitin 331 para Krishtit, u bë një furnizues shpirtëror i botës perëndimore. Atje u ndërtua një bibliotekë madhështore dhe një muze i shkëlqyer. Kanë ndodhur përparime të konsiderueshme në hulumtimet mjekësore nga Erofili anatomist i cili së pari ka studiuar trurin e njeriut dhe syrëtë në 285 p.e.s”. E gjithë kjo urtësi e pafund e lashtë që humbi, ajo dije, shpresojmë të shfaqet, qoftë edhe në masë të papërfillshme, sepse ka ndoshta më shumë papirusë të lashtë që u shpëtuan nga shkatërrimi. Natyrisht, nuk dimë për shumë vepra të humbura si ajo e Empedocles, që dorëshkrim i tyre u gjend në bodrumin e një biblioteke gjermane disa vite më parë. Ngushëllimi është se qeveria egjiptiane, në bashkëpunim me UNESCO-n, restauroi Bibliotekën e Aleksandrisë, me një perspektivë të re dhe vizion të ri. Presim plot ankth të gjenden relike të lashtë në të ardhmen, studime dhe projekte në mënyrë që të kthehen në vendin e tyre origjinal, duke e lejuar të vazhdojë atë ëndërr urtësie të lashtë dhe qytetërimi universal që ishte dikur. K.E

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here