Intervistë me akademikun Mark Tirta, studiues i zellshëm i vlerave etnokulturore e shpirtërore të popullit tonë – Nga FRAN GJOKA

(Në intervistë me Akademikun Prof.Dok.Mark Tirta ka renditur aktivitetin shkencor 50 vjeçar  të tij, por edhe risitë në fushën e kërkimeve shkencore dhe produktive.)

 Si ndodhi që u futët në rrugën e studimeve në etnologjinë shqiptare, duke qenë një djalosh i ardhur nga malësia?

Kam lindur e jam rritur në Lëgjin të Oroshit të Mirditës, mes malesh, shumë larg qyteteve e rrugëve nacionale. Dihet se asgjë nuk vjen në të ndriçuarit e jetës pa shkaqe e rrethana të caktuara. Në rastin tim këto janë të shumta e të ndërthurura në mes tyre. Me pak fjalë këto shkaqe e rrethana nuk është e mundur të sqarohen si duhet. Po mundohem të shpjegoj diçka prej tyre:

Babai im e nëna ime kanë qenë shumë punëtorë në shërbim të jetës së familjes. Babai, në këtë vështrim, ka qenë i jashtëzakonshëm: bënte me shumë mjeshtëri bujqësinë, pemtarinë, vreshtarinë. Punonte me pagesë, sidomos dimrit, si teknik gëlqeresh, si marangoz e ndërtues muresh. Nëna ime ka qenë gjithnjë “zojë shtëpie“, pra menagjuese e ngrënies dhe e punëve të ndryshme në shtëpi; ka menagjuar kopështet për perime të ngrënies në shtëpi; ka qenë rrobaqepëse e përkryer për veshjet mirditëse për gra e për burra; ka bërë rroba për tërë njerëzit e shtëpisë, po për të tjerë ka bërë me pagesë. Këto punë tërë energji të prindërve të mij kanë ndikuar shumë në jetën time: këto kanë qenë shtysa të fuqishme për të ecur përpara në punët e jetës sime, për të shpërthyer energjitë si rrufe para furtunës…

Shtysë e fuqishme për të ecur përpara dijet e mia kanë qenë, mes të tjerash, dhe këto përjetime: Vëllai im më i madhi mbaron si i jashtëm 5 klasë fillore në Orosh, po kështu dhe vëllai i dytë: Gjoni, mbaron 5 klasë fillore në konviktin e Oroshit (konviktor) si nxënës i brendshëm. Vëllai i madh i nanës sime nga shtëpia e Bajraktarit të Kryezezit, jo larg Rubikut, kish mbaruar 5 klasë fillore e shërbente xhandar; vëllai i dytë mbaron gjimnazin në Shkodër e të dy gjatë një dreke te një i njohur, me sa duket, u helmuan e vdiqën menjëherë papritur (1939). Në shtëpi të tyre kishte një sasi shumë të madhe librash e mbasi vdiqën ata nuk kishte se kush t’i lexonte. Kështu, i mbartën me kuaj prej Kryezezi e i prunë në shtëpinë e babës në Orosh që t’i lexonin dy vëllezërit e mij më të mëdhej: Pjetri e Gjoni. Mbaj mend se shumica e librave ishin shqip, po kishte jo pak libra italisht, frëngjisht, gjermanisht. Librat shqip na i lexonin: poezi nga N. Frashëri, A.Z. Çajupi, po sidoemos nga të P.Gj. Fishtës si “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”, “Lahuta e Malsisë” e me radhë. Kënaqeshim duke i dëgjuar. Kur dy vëllezërit lexues nuk ishin në mbrëmje në shtëpi, ne fëmijët dëgjues mbeteshim shumë të mërzitur, si “të uritur“. Të tërë mendonim e bisedonim se si do të mësonim t’i lexonim vetë këto gjëra të bukura, lumturuese. Këto ishin shtysa të forta psikologjike për t’u arsimuar e për t’i përthithë vetë gjërat e bukura mbresëlënëse nga librat.

Një ditë, kur unë nuk isha, ndoshta, më shumë se 6 vjeç, Abati i Abacisë së Oroshit e kërkon babën t’i shkojë në selinë e tij. Babai shkon e ai i thotë se njërin nga djemtë e shtëpisë (ishim 6 vëllezër e 2 kushërinj, djem të xhaxhait) don ta marrë e ta shkollojë për ta bërë prift. Baba e pranon këtë mendim. Abati i thotë se emrin e djalit që do ta vendosni për ta bërë prift nuk do ta thuash tani, por ta bisedoni me tërë njerëzit e rritur të shtëpisë e bashkë do ta caktoni, por ai të mos jetë nga më të mëdhenjtë, por nga ata 5 a 6 ose 7 vjeç.

Në mbrëmje, ku ishin të pranishëm tërë njerëzit e shtëpisë, të moshuar, të rritur e tërë fëmijët, u bisedua për një fëmijë që do ta dërgonin në shkollë për prift. Të tërë ranë në një mendje që në shkollë për prift të më çonin mua se unë në foshnjëri isha sëmurë shumë herë; kisha ardhur i dobët nga shëndeti. U tha se Marku për parmendë, për kazëm, për të kullotur bagëtitë ndër male, nuk mund të bëhet, po ndoshta “bahet për kalem”. U vendos me mirëkuptim nga e tërë familja që Marku të shkojë në shkollë për prift. Të nesërmen baba më çoi te Abati në Abaci e i tha se tërë familja vendosën që këtë djalë të dërgojmë në shkollë për prift. Abati më përkëdheli njenën faqe e më pyeti nëse unë dëshiroja të shkoja në shkollë për t’u bërë prift e përgjigja qe një “po!”. U tha se shkollën fillore do ta bëja në Kuvendin Françeskan në Trashan të Lezhës, të mesmen do ta bëja në Shkodër e Shkollën e lartë për prift në Romë. Të tëra do të bëheshin me shpenzimet e institucioneve kishtare.

Abati, për të më dhënë disa mësime fillestare mua, ngarkoi priftin Dom Mark Xhani. Vija te Abacia 4 herë në javë e më bënte mësim nga 2 orë në ditë. Më mësonte shkrim e lexim, arithmetikë, disa poezi e mësim besimi. Kjo zgjati 6 muaj. Abacia ishte rreth një orë larg shtëpisë sime; për mua që isha i vogël ndoshta dhe më tepër. Këtu filloi shkolla e vërtetë për mua. U ndërpre shpejt se erdhën gjëmët e luftës, pasiguria e rreziqe që mund të na merrnin jetën. Nga kjo pasiguri prindërit i kufizuan lëvizjet që vëreheshin si të rrezikshme.

Më 1945 fillova filloren si nxënës i rregullt në fshatin tim në Orosh të Mirditës ku dhe e mbarova. Shkollën 7-vjeçare, të mesme, të lartë e mandej dhe kualifikimin pasuniversitar i kam bërë me bursë të shtetit. Notat që kam marrë gjithnjë kanë qenë maksimale. Kanë qenë disa mësues e profesorë që më kanë mësuar e më futën në universin e shëndritshëm të diturisë. Këta kanë qenë jo pak njerëz të ditur e të përkushtuar në mësimdhënie, me përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga shkolla njerëz të ditur. Në fillore në Orosh për një vit e gjysëm më ka mësuar Davida Gjomarku që kishte arsim të mesëm; ishte me shumë kulturë e na i ka hapë dyert e dijes gjithandej: me shpjegime, me libra, me këshilla gjithfarësh; për mua ka qenë perëndi e rënë nga qielli që më ngriti lart në dritën shkëlqyese të mendimit. Në Tiranë kam pasur profesor në shkollë të mesme Petro Markun që na ka shtyrë shumë drejt dijes. Na shtynte të lexojmë sa më shumë, të kemi bibliotekë librash në shtëpi. Na thoshte se kur të dilnim mësues të blejmë çdo muaj rreth 400 lekë libra kur rroga jonë do të ishte jo më shumë se 3300 deri 4200 lekë me vlerat e vitit 1952-1955. Na porosiste të abonoheshim gjithnjë në “Nëntori” e në “Buletini i Institutit të Shkencave”, Tiranë. Petro Marku na porosiste të mblidhnim në malësi: toponime, antroponime, emra të përveçëm kafshësh. Na thoshte të mblidhnim përralla, doke e tradita popullore, norma kanunore. Unë që atëherë jam munduar t’i plotësoj këshillat e tij, edhe pse më mungonte dija e përvoja e duhur për eksplorime. Ky njeri shumë i ditur na thoshte, sipas legjendave, se Himara, pra dhe Dhërmiu ku e kishte vendlindjen (një fshat greqisht-folës) e kishte origjinën nga Mirdita. Na thoshte se nëna e tij e gjyshja e tij i kishin gunat krejtësisht si të Mirditës e kjo gjë mua më habiste për së tepërmi: Mendoja: si pranon ky njeri kaq i ditur se e ka prejardhjen nga malësitë e mbyllura të Mirditës?!

Pa ato porosi ngulmuese, të thëna e të stërthëna me zë dijetari, me tingllim shkrimtari, të ngulitura thellë në zemrën time, në mendjen time, unë nuk do të isha bërë tjetër veçse një arsimtar në malet e Mirditës. Ai më ka frymëzuar për të lexuar, për eksplorime, për shkrime. Të njejtën gjë e ka bërë më vonë edhe Jup Kastrati me mua në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Edhe profesorë të tjerë më kanë shtyrë, më kanë frymëzuar në rrugën e dijes. Në fëmijëri e në rini kam lexuar jashtëzakonisht shumë libra e me shumë kënaqësi.

 Kur e kuptuan të tjerët se në vetëdijen tuaj kishte lindur pasioni për t’u marrë me kërkime në etnokulturë, në të fshehtat, në misteret e kohëve të kaluara?

Nga natyra kam qenë shumë emocionant. Nga njoftime a pamjet e hidhura në film, edhe kur isha i rritur e i arsimuar, më shkonin lotët, qaja si fëmi. Më tërhiqnin në anë psikologjike mitet e maleve, misteret e shpellave, të shkëmbenjve, të greminave, mbetje fortifikimesh Antike e të Mesjetës. Në Mirditë këto i gjurmoja ngado që në vitet 1953-1955, po më shumë në kohët më të vonshme. Këto u bënë pjesë e shpirtit, e mendjes sime. Në këto kërkime të mijat, doemos, kanë ndikuar shumë porositë e mësimet e dhëna më parë nga Petro Marko e më vonë nga Jup Kastrati.

Viti 1961 më bëri të njohur gjithandej si kërkues në arkeologji, në etnokulturë, në gjuhësi (mbledhje toponimesh, antroponimesh, emra kafshësh, fjalë e shprehje të rralla), mite e legjenda, këngë popullore e me radhë. Këto në fillim i bëja me shumë pak shënime e më vonë, në vitet 1965-1967 u shtuan së tepërmi: kërkime me shumë shënime. Dorëzoja materiale të mbledhura në terren në Institutin e Gjuhë-Historisë, në Institutin e Folklorit, te Arkeologjia në Tiranë. Botoja shkrime në organet e shtypit për eksplorimet në terren, ku disa prej tyre më 1967-1968 u botuan dhe në shtypin shkencor. Këtu e ndjeva veten shumë të lidhur, me shpirt e me zemër me kërkimet në etnokulturë, në fushën e etnologjisë.

Cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës suaj që ju i kujtoni me nostalgji e mall edhe në ditët e sotme?

Këto janë të shumta e unë po përmend pak prej tyre.

Në shtator të vitit 1961, shkoj i shoqëruar nga dy nxënës të mijtë: Dedë Ndreu e Pashk Gega, nga Shënpali ku isha arsimtar e drejt e në Bukël, një lartësi malore shumë e veçuar, anash vend shkëmbor e sipër e mbuluar me lisa e më pak pisha. Ishte rreth 2 orë e gjysëm larg Shënpalit. Për tjetër gjë shkova e tjetër më doli. Mbi një altar të bërë në formë paralelepipedi, me gurë po pa llaç, kishte lekë të kohëve të ndryshme, copa rrobash, të lëna si rite shenjtërie, po mbi ta kishte dhe një grup objektesh, bronzi, bakri e hekuri të Mesjetës së Herëshme. Kur i pashë ato u entuziazmova sa mbeta pa mend. Ishin objekte të dala nga varre të shek. VI-VIII, VI-IX pas Kr. Fshatarët Letaj, banorë, në atë mal – Bukël kishin hapur disa ara të vogla e i kishin mbjellur me misër. Aty kishin dalë, në punim e sipër ato objekte varresh. Për të mos bërë shumë mëkat me ato objekte varresh, i kishin vënë në altar. Pashë rreth e rrotull aty afër e m’u shfaqën shumë varre të Arbërit të Mesjetës së Herëshme. Unë u befasova nga këto dëshmi të Kulturës Arbërore të Mesjetës së Mesme. Nga kjo sikur u bëra tjetër njeri. Nga fjalët tërë emocione që nxirrja nga goja dy nxënësit e mij çuditeshin. Nuk e kuptonin se pse unë po mallëngjehesha kaq shumë nga këto objekte të ndryshkura prej bronzi a prej hekuri edhe pse unë mundohesha t’ua shpjegoja me aq sa mundesha. Unë që nxënës i shkollës së mesme e mandej në shkollë të lartë lexoja me pasion çdo gjë që shkruhej për Ilirët, për Arbërit e Mesjetës, për Kulturën e Komanit. Kur kam qenë nxënës e pastaj student sa e sa herë e kam vizituar Muzeun Arkeologjik-Etnografik të Tiranës e objektet e ekspozuara ishin bërë pjesë e shpirtit tim. Jo vetëm i njihja po i vështroja si gjëra të gjalla e që lëviznin, që na rrëfenin të kaluarën, jetën e stërgjyshërve të Shqiptarëve.

Këto objekte të Varrezës së Buklit, pra të Mesjetës së Herëshme për dy muaj i kam mbajtur në një kuti kartoni në dhomën time të gjumit në Shënpal. Më 27 nëntor 1961, të bartura në një trastë, i kam çuar në Muzeun Arkeologjik, në kabinetin e punës së Prof. Hasan Cekës. Aty në moment kanë ardhur dhe Skënder Anamali, Selim Islami, Rrok Zojzi, Theofan Popa e dy gra. Duke i parë ato objekte më kanë ngritur në qiell për zbulimin e bërë. Përsërisnin disa herë: “Paska kulturë të Komanit dhe në Mirditë!”, “Paska kulturë të Mesjetës së Herëshme dhe në Mirditë!”. Më bënë shumë e shumë lëvdata e disa premtime, po këto të fundit nuk i mbajtën. Unë këtu, nga këto komplimente e kamë ndjerë veten shumë të entuziazmuar, sikur të kisha kapur qiellin me dorë. Kam pasur dhe raste të tjera lumturimi të madhërishëm…

Trego momentet më të hidhura, ndoshta gati tragjike të jetës, që nuk do të dëshiroje t’i kujtoje, por që kanë vlerë për lexuesin.

Si e kam thënë dhe më parë, kam qenë tip tepër emocional, sa që kur më kanë ndodhur gjëra të dhimbshme, kam shkuar disa herë deri në mendim për vetëflijim. Agresiv nuk kam qenë, po fatkeqësinë e kam përjetuar me shumë dhëmbje. Dua të sqaroj se me përjashtim të disa rasteve krejt të veçanta, jetën e kam kaluar në mënyrë normale, duke u marrë gjithë kohën me shumë punë, me lexime librash, me kërkime në të panjohurat e jetës së njerëzve me anë të dukurive rrënjësore të etnokulturës: të dokeve, të traditave, të ligjeve dokesore.

Kur isha rreth 10 a 11 vjeç bëra një dëm të madh në shtëpi, natyrisht nga pakujdesia: më duket se theva filxhanët e kafesë ose ndoshta bëra një dëm tjetër shumë të madh e për këtë veprim dëmtues më rrahën rëndë njerëzit e shtëpisë. I zemëruar shumë e duke qarë ika me vrap e u futa në një pyll me pisha e me lisa, me mendimin për të mos u kthyer asnjëherë në shtëpi, po të rrija atje e të më hanin ujqërit. Aty kishte dhe disa gremina shkëmbore. Duke kaluar në këto vende shkëmbore rrëshqita e rashë në greminë e kështu u lëndova shumë në trup. Kofshët e të prapmet m’u skuqën krejtësisht nga gjaku që rridhte me shumicë. Kisha dhimbje marramendëse. Kjo më bëri që të shkoj menjëherë në shtëpi, ku më pritën me shumë përkëdhelje, për të më qetësuar. Më vunë në një ndenjëse si krevat pranë vatrës, ku kishte ngrohtësi. Më çveshën, më pastruan nga gjaku e mbetje të tjera në trup nga rrëzimi. Më mjekuan nga 2 a 3 herë në ditë me ilaçe popullore e për 3 a 4 ditë u shërova. Ato ilaçe popullore e të tjera në shërbim të shëndetit të njerëzve ishin me shumë vlerë. Mendoj që edhe sot ato duhen vlerësuar për kohën e kushtet e asaj kohe. Po dhe sot mund të mësohet diçka prej tyre… Ishin ilaçe nga bimë e gjëra natyrore, ku përziheshin bashkë elementë të ndryshëm.

Më 1962 isha drejtor shkolle në Shënpal të Mirditës. Çesk Kumrinë nga Shkodra e kishim shef të Seksionit të Arsimit për rrethin, me një shkollë të mesme që e kish marrë “me brekë nëpër këmbë”. Nga dijet e nga ana organizative në arsim ishte krejtësisht i paaftë. Në atë kohë ishte përhapur fjala se do të heqin Çesk Kumrinë nga ai post ku ishte e në vend të tij të venë Mark Tirtën. Çesku bashkë me Shefin e Degës Ushtarake gjetën një mënyrë për të më hequr mua nga Mirdita. Unë isha me shkollë të lartë e nuk duhej të shkoja ushtar, po në këtë kohë zborin për oficer, sipas ligjeve të asaj kohe, nuk e kisha bërë të plotë e të kisha marrë gradën e oficerit rezervë. Kjo mungesë, në bazë të kodeve ushtarake, lejonin të merresha ushtar dhe me shkollë të lartë. Në atë kohë kishte 20 a 25 mësues në Mirditë me shkollë të mesme që nuk merreshin ushtarë se mbeteshin shkollat pa mësim. Në mënyrë pak si të fshehtë e me dredhi, më çuan për 3 vjet ushtar në Sazan, pra në Ishull. Kur më çuan atje unë nuk e desha jetën. Nuk flisja me njeri, po urdhrave u bindesha me rregull. Një jurist nga Korça – ushtar po pa e mbaruar shkollën e lartë më mësoi të shkruaja disa letra për t’u liruar shpejt se isha marrë pa të drejtë ushtar. Mbaj mend se i shkrova një letër Ramiz Alisë, një Sekretarit të Parë të Partisë në Mirditë, një në Ministrinë e Mbrojtjes. Një ditë u afishua një urdhër nga Ministria e Mbrojtjes ku thuhej se ushtarit Mark Tirta nga tre vjet koha e ushtrisë i bëhet 2 vjet. Në atë rast shumë ushtarë, nënoficerë e oficerë po më uronin për uljen e kohës së shërbimit ushtarak e unë nuk ndjeja aspak kënaqësi, po ndjeja vetëm hidhërim.

Aty bëmë muajin e parë, si thonim “karentinë” ku mësimet ushtarake ishin më të lehta e pastaj filloi stërvitja ushtarake e rënduar; filloi dhe të bëhej roje te qendrat – depo të armatimit e te artileria kundërajrore. Më çuan roje te artileria kundërajrore në një kodër. Isha me pushkë. Aty desha t’i jap fund jetës. E dija se plumbi duhej të godiste o në zemër o në tru, se ndryshe mbetesha gjallë e si mos më keq. Po të kisha revole do të ishte gjë e lehtë, po me pushkë të gjatë ishte diçka e vështirë të gjuaje në tru ose në zemër. Mendova shumë mënyra për ta bërë këtë, po asnjëra nuk po më ecte. Zbatha këpucën e djathtë për të lëvizur shkrepsin e pushkës. As me këtë nuk munda ta bëj. Në moment vjen kapteri me ushtarë për të ndërruar rojet. Kështu ky akt tragjik dështoi. Ika në kapanon për gjumë. Të nesërmen mësuam se një ushtar kish plagosur veten në përpjekje për t’u vetëvrarë.

Menjëherë po atë mëngjes u mblodhën ushtarë, nënoficerë e oficerë nga gjithkah e filluan ta shajnë me fjalët më të ndyra: me nënë e me babë, me gjysh e me gjyshër e me nga të afërm të tij kahmos. Unë e kuptoja se ato shprehje fyese e poshtëruese nuk ishin të vërteta, pavarësisht nga fajet vetjake të ushtarit për të cilin flitej. Kuptohet, kjo bëhej për të frikësuar ushtarët e tjerë që të mos bënin veprime të tilla tragjike. Unë në këtë rast i thirra mendjes e bëra kthesë, largim nga ai akt tragjik, duke menduar se nga kjo mund ta pësonin dhimbshëm prindërit, vëllezërit, kushrijtë, të afërt e dashamirët e mij. Arsyetova me vete: Çfarëdo padrejtësie që të më bëhet, sado e rëndë të jetë ajo, unë do ta duroja me qetësi, në heshtje. Me letrat e kërkesat me gojë, me ndihmë të vllajt – Gjonit, që ishte oficer në Drejtorinë e Ndërlidhjes të Ministrisë së Mbrojtjes, me ndërhyrjen e organeve më të larta të rrethit të Mirditës u lirova nga ushtria mbasi bëra një vit e disa muaj ushtar. U ktheva në arsim në Mirditë ku u mora shumë me kërkime e shkrime kulturore e shkencore.

Më morën në specialitetin e etnologut në Institutin e Histori-Gjuhësisë në Tiranë. Këtu iu vura me forcë të madhe kualifikimit si etnolog dhe kërkimit shkencor.

Isha marrë shumë vite, me kërkime terreni, me studime, me botime në fushë të etnologjisë; pa e menduar fare u përplasa me një të papritur tronditëse: Aty nga muajt e fundit të vitit 1975 dhe kjo zgjati dhe në 3 muajt e parë të vitit 1976, u akuzova rëndë për ideologji borgjeze, revizioniste, obskurantiste në shkrimet e mija. Dy vetë qenë këta që e hartuan këtë akuzë, pas shpine e jo drejtpërdrejt në sy. Këta u përkrahën dhe nga disa njerëz të tjerë të Institutit që ishin me pozitë e që u shkonte fjala. M’u hoqën 3 studime nga shtypi shkencor: 2 në “Etnografia Shqiptare”, nr. VI e VII dhe një nga “Studime Historike”. Këto studime më parë ishin diskutuar e miratuar për botim nga sektori ku bëja pjesë, nga specialistët reçensentë e deri nga redaksitë përkatëse. Kishin shkuar deri në boca në shtypshkronjë. Vendosën të më qarkullojnë, të më çojnë në Selitë të Tiranës prapa Dajtit për 3 vjet. Thuhej 3 vjet po nuk dihej se sa do të rrija në fshat. Unë nga kjo u trondita për së tepërmi: jeta për mua “u bë pa vlerë”.

Në këto momente tronditëse për mua, u takova rastësisht në rrugë me Prof. Eqrem Çabejn e aty më pyeti për shumë gjëra e, ai me siguri nga fytyra e shihte se isha bërë si i vdekur. Më pyeti për studimet në mitologji e besime e unë i tregova tërë katrahurën që kish ndodhur. I kërkova ndihmë që të më shpëtojë nga gremina ku do të më hidhnin. U shpreh i gatshëm që për këtë të bisedojë me Aleks Budën. Nga ky rast shkova dhe te Prof. Aleks Buda e iu ankova. Më tha se do ta diskutojë në mënyrë të posaçme në Presidiumin e Akademisë së Shkencave dhe se fjala e vota e tij do të ishte në mbrojtjen time, por, më tha, nga 9 veta “unë kam vetëm një votë”. Pas 12 ditësh më thërret drejtori i Institutit të Historisë e më thotë se problemi im ishte diskutuar për rreth 2 orë e u vendos: Unë do të rri në tavolinën ku kam punuar për vite të tëra; 3 punimet do të botoheshin pasi të bëheshin dhe përpunime nga ana ideologjike; do të botoheshin jo shumë shpejt se “temperatura ka vajtur 180°”.

Pra mua më shpëtuan nga gremisja prof. Eqrem Çabej e prof. Aleks Buda. Unë u jam shumë i detyruar për këtë. Ata për mua nuk kanë vdekur. Ata jetojnë për të mirat që më kanë bërë mua e të tjerëve.

Jeni një studiues i zellshëm i vlerave etnokulturore e shpirtërore të popullit tonë, cilat kanë qenë shkrimet e para që keni botuar?

Në vitet ’50, po sidomos nga viti 1964 e në vazhdim, sipas mësime të profesorëve të mij të nderuar, që i kam përmendur dhe më parë, unë jam marrë shumë me kërkime, me eksplorime në terren e më pak me shkrime. Një pjesë të madhe të tyre atëherë, i kam dorëzuar në Arkivat e Institutit të Histori-Gjuhësisë e në Institutin e Folklorit në Tiranë.

Nga vitet 1966-1967 fillova të shkruaj studime shkencore që u botuan në revista e manuale shkencore në Tiranë. Në vazhdim të kohës shkrova jo pak studime e kumtesa që u botuan jo vetëm në Tiranë, në Shkodër e me radhë, por dhe në Kosovë e në Maqedoni, në revista e manuale shkencore të Shqiptarëve të atjeshëm, por dhe në botimet, në revistat shkencore shtetërore të Maqedonisë që botoheshin në Shkup. Në këto vite, duke përfshirë këtu dhe vitet ’80 e ’90, u botuan shumë studime e kumtesa të miat dhe në revista e manuale shkencore të vendeve të ndryshme të botës si: në Austri, në Itali, në Gjermani, në Kanada, në Francë, në Rumani, në Hungari, në Kroaci, në Serbi, në Rusi, në Spanjë e me radhë. Më së shumti këto kanë qenë kumtesa ose punime 10 deri 30 faqe reviste a manuali.

Kam shkruar disa libra në vitet ’70 të shek. XX, por ato filluan të botohen vetëm nga vitet pas 1995. Qe botuar më 1973 një libër 75 fq. “Mitologji e besime” me shtyp të thjeshtë si shaptilograf që e kishte Universiteti në vartësi. Në vitet ’70 kisha përgatitur “Mitologji e besime ndër Shqiptarë” dhe “Fjalori mitologjik shqiptar” që u përjashtuan nga botimi me pretekste ideologjike. Që më 1982 ishte përgatitur për botim libri “Migrime të Shqiptarëve”, por u botua vetëm më 1999. Në vitet 1980-1999 kemi botuar disa libra me bashkëautorësi, si: “Shpati i sipër”, “E drejta kanunore shqiptare”: bashkautor në vëll. I, III, IV të “Veshjeve popullore shqiptare” e kështu me radhë. Disa nga librat shkencorë të shkruar nga ky autor: “Etnologjia e Shqiptarëve”, “Etnologjia e përgjithshme”, “Mitologjia ndër Shqiptarë”, “Migrime të Shqiptarëve”, “Lëvizje migruese të brendshme”, “Lëvizje migruese ndër shekuj”, “Panteoni e Simbolika”, “Mjeshtëri e kërkimit shkencor në etnologji”. Ka dhe disa të tjera në rrugë botimi. Këto janë bërë shumë kohë më parë, por janë ripunuar më vonë në përgatitje për botim. Këta libra shkencorë janë përdorur dhe në mësimdhënie në Universitetin e Tiranës e për disa vjet dhe në Prishtinë.

Jeni autor i një vepre madhore “Etnologjia e Shqiptarëve”. Si arritët ta realizoni këtë vepër të munguar deri më sot?

Për këtë vepër e për të tjera që u përmendën, për punime të veçanta shkencore, kam bërë eksplorime terreni në tërë viset e Shqipërisë, në Kosovë e në krahinat shqiptare të Maqedonisë e kam mbledhur material burimor të gjerë. Kam lexuar e skeduar të dhëna nga autorët e ndryshëm eksplorues si G.J. von Hahn, Fr. Nopça, M.E. Durham, M.Hasllëk e shumë të tjerë, duke i marrë të dhënat në mënyrë kritike e selektive. Kam konsultuar materiale të ndryshme të arkivave. Nga të lexuarit e të thelluarit në brendi të veprave të etnologëve e të antropologëve të mëdhenj të botës, kam përvetësuar në thellësi mënyrën e të strukturuarit, mënyrën e analizës shkencore ku hyhet në brenditë më të thella të të vërtetave, të marra në kompleks e jo si gjëra të veçuara, të shkëputura njera nga tjetra. Në këtë rrugë pune të bërë ditë e natë, pa e ditur se ç’është pushimi, besoj se kam arritur të bëj diçka me vlerë.

Në këtë vepër përshkruhen shkencërisht norma, rregulla, tradita, besime pagane, doke, ligje popullore e me radhë, si keni mundur t’i grumbulloni këto materiale me shumë vlerë?

Është dashur shumë punë, shumë mundime, për të mbledhur këto në terren nga burime të ndryshme të shkruara, po dhe shumë mundime, me punë ditë e natë, për t’i interpretuar në ndërthurjet e tyre si dukuri njëra me tjetrën, po dhe si ndryshimësi gjatë shekujve. Ato kanë ndryshuar, po në to janë ruajtur dhe thërrmijëza që nga koha e lashtë. Është dashur punë e madhe dhe për t’u strukturuar vepra ashtu si duhet. Për interpretim të dukurive e për strukturim të tyre, kam pasur si mësim modelet e shkencëtarëve të mëdhenj botërorë në fushën e etnokulturës. Veprat e tyre i kam lexuar me kujdes.

Jeni pjesëmarrës në disa ekspedita etnografike nëpër vendin tonë. Tregoni ndonjë kujtim ose mbresë të veçantë nga takimet me popullin?

Kujtimet e mbresat janë të shumta. Këtu po japim pak prej tyre. Populli na ka pritur në shtëpi e kudo, na ka ndihmuar në punën tonë: mua e kolegët e mij. Kishte hotele të thjeshta e tepër modeste në Brataj të Vlorës, në Kuç, në Progonat e gjithandej në Labëri; kishte të tillë në Iballë të Pukës, në qendër të Dukagjinit, në Vermosh, po rrallë herë kemi fjetur në këto bujtina. Na merrnin në mbrëmje, disa herë dhe për drekë, të thuash se me detyrim, për të fjetë e për të ngrënë në shtëpitë e tyre. Kjo për ne nuk ishte vetëm se e kalonim natën në komoditet, po vetë specialiteti na e kërkon që ta shohim jetën sa më natyrshëm, t’i shohim e t’i përjetojmë doket e traditat. Hynim shumë thellë në jetën e popullit, ku ishin tërë njerëzit e shtëpisë, po dhe komshinj që vinin të kuvendonin me ne.

Isha në eksplorim në Brataj të Vlorës e kërkova të më mblidhen shumë pleq, të moshuar bashkë e të marr prej tyre besime, rite e mite të burimit pagan. Më thanë se do t’i thonin Sekretarit të Partisë të urdhëronte të mblidheshin tërë pleqtë. Unë kundërshtova me motivin se ai përfaqësonte propagandën e ateizmit. Ata me mendje të tyre i thanë Sekretarit e ai urdhëroi të mblidhen tërë të moshuarit e vendit në Sallën e Shtëpisë së Kulturës e ashtu u bë. Ai erdhi e më përshëndeti mua; u tha tërë të pranishmëve që të më shpjegojnë mua ç’t’u pyes pa asnjë kufizim e menjëherë u largua. Biseda me ta për të dhënat që kërkoja më shkoi shumë mirë. Më paraqitën shumë rite, mite e besime të burimit pagan që për mua ishin me shumë interes, të shumta e të panjohura.

Po në këtë kohë, me një shoqërues, shkova në shtëpi të një plaku 104 vjeç e që mendjen e kishte të freskët. Më tregoi shumë gjëra interesante. Më tregoi se ku kish qenë fëmijë shkonte në shkollë në Medrese, duke kaluar nga Drashovica; aty, kur po ndërtohej Ura e Drashovicës, e vjetra, kish parë e përjetuar sesi, afërsisht aty nga viti 1879, mjeshtrat ndërtues të Urës së Vjetër kishin murosur një fëmijë të marrë që lëvizte rrugëve si lypës. Nga ky akt primitiv i ndërtuesve popullsia ishte revoltuar për së tepërmi e kërkonte dënimin e ndërtuesve. Gjithsesi, te mjeshtrit ndërtues që nuk ishin Lebër ekzistonte mendimi i përforcimit të urës me anë të flijimit.

Unë e etnologia e shquar Andromaqi Gjergji gjatë një ekspedite në Mat shkuam dhe në një shtëpi në Burgajet ku punuam ditën, në mbrëmje e deri orë 1.30 mbas mesnate. Andromaqi u muar me veshjet e grave e merrte të dhëna nga gratë. Unë punova me kryefamiljarin që ishte i moshuar e me një plak që kishte ardhë nga Lura e ishte aty mik. Mbas orës 10 të natës kolegia mbaroi punë me gratë e u kthye të pyesë dy burrat për gjëra të ndryshme si dhe unë. Në orën 1.30 mbas mesnate mbaruam punë e u ulëm të flemë. Morëm këtu shumë të dhëna me interes për kërkimet tona shkencore. Të nesërmen në mëngjes ishte ditë e pazarit në Derian e shkuam aty për të parë gjëra që i shërbenin specialitetit tonë si vlera të etnokulturës. Na vijnë të dy të moshuarit bashkëkuvendues të mbrëmjes e na kërkojnë që t’i asgjësojmë gjithë sa kishin shkruar nga thëniet e tyre e madje dhe duke na kërkuar ndjesë. S’po e kuptonim kërkesën e tyre. Ata në mëngjes, ndërsa ne shkuam në Pazar, u kishim treguar disa të rinjve për ato që kishim kuvenduar me ne. Ata djem kishin qenë aventurierë ngatrrestarë. U kishin thënë pleqve se ata që mbanin shënime për thëniet e tyre kanë qenë të sigurimit të shtetit e “ju menjëherë do t’ju burgosin”. Këta të moshuar e kishin besuar këtë e, të frikësuar, erdhën shpejt te ne e kërkonin të falur, për sa kanë thënë, me arsyen se kanë gabuar e për këtë na kërkuan “të falur”. Hoqëm shumë keq për t’i bindur, sadopak, se nga kjo nuk do t’i gjejë gjë e keqe.

Jeni autor i hartimit të disa guidave udhëzuese për kërkime në etnokulturë. Si u lindi ideja për hartimin e tyre?

Është e vërtetë, kam bërë disa guida, udhëzues a pyetësorë që të ndihmojnë në kërkimin shkencor, në eksplorime në terren. Të tëra janë botuar si broshura të veçanta. Është një praktikë e njohur në botë për ata që bëjnë kërkime në etnologji e në folklor. Ato janë si një platformë pune ku përmendet çdo element, qoftë dhe shumë i vogël. Kjo ndihmon për të mos harruar gjëra të veçanta gjatë kërkimit në terren, më së shumti, po dhe në arkiva e në botime të ndryshme. Këto bëhen dhe për bashkëpunëtorët që nuk janë specialistë të mirëfilltë të fushës, po që me këta udhëzues orientohen më mirë në mbledhjen e materialit në terren, në popull.

Ç’mendim keni për vëmendjen dhe predispozicionin e autoriteteve shtetërore ndaj kulturës popullore dhe folklorit në ditët e sotme?

Që 70 vjet e këtej vërehet shumë qartë se etnologjisë e folklorit në Shqipëri nuk u është kushtuar kujdesi i duhur. Këto 24 vjetët e fundit janë katandisur në një gjendje për të të ardhur keq. Nuk vihen aty kuadro të afta, po me miqësi, me tarafe, sipas klaneve të caktuara. Nuk mbështetet në asnjë arsyetim logjik bashkimi në një institut me etnokulturën dhe studimet në pikturë, në skulpturë, në dramaturgji. Këto të fundit kanë të bëjnë me artin e kultivuar e nuk e kanë vendin këtu.

Në ish vendet komuniste të Europës Lindore në universitete kishte degë të veçanta të etnologjisë veç e të folklorit, po dhe për muzeologjinë, ku përgatiteshin kuadro mësimdhënëse e të kërkimit shkencor në këto specialitete. Vetëm në Shqipëri nuk kishte. Kjo trashëgimi kulturore me kaq vlera mbetej pa specialistë të veçantë, po mjafton të kishte mbaruar për histori për të dhënë etnologji; duhej të ishte specialist në letërsi për të dhënë folklor.

Duhet ta kishte në Fakultetin e Shkencave Shoqërore një departament të veçantë të etnologjisë, një tjetër të folklorit. Këto disiplina kanë secila historinë e tyre të veçantë, kanë teoritë krejt të përcaktuara, kanë evolucionin, kanë simbolikat, kanë mbetëzat (mbijetoja) prehistorike të ndërthurura me dukuri më të vona: të Mesjetës e të Kohës së Re. Këto duhet t’i dijë mirë pedagogu pa ta japë si duhet lëndën e etnologjisë ose të folklorit.

Është shumë e gabuar të ndryshohesh emrin e disiplinës etnologji a Folklor ose Etnografi. Etnologji: Studimi i etnosit, pra i një etnie, i një populli; emërtimi Antropology që do të thotë “Studimi i njeriut”, kupton njerëzimin në përgjithësi e veçanërisht komunitetet primitive të Afrikës, të Australisë, të Guinesë së Re, të Zelandës së Re, indigjenët e Amerikës e me radhë. Duke i ndërruar emrin disiplinës, emër me të cilin janë bërë rreth 100 botime librash, manualesh, revistash shkencore, mendojnë se kanë bërë një shpikje, në të vërtetë kanë shprehë padije me mendjemadhësi të veçantë.

Në një konferencë shkencore keni debatuar ashpër me albanologun Aleksandër Stipçeviç. Ku konsistonte asokohe debati juaj?

Debatet në tubime shkencore, si kundërvenie, janë një gjë e zakonshme, edhe pse diskutimet mund të botohen ose jo. Ngrihen problemet kundërvenëse pa u shkruar e, nëse kërkohen për botim ato shkruhen. A. Stipçeviçi në diskutim përmendi kumtesën e Rr. Zojzit për veshje ilire e trashëgimi të tyre në ato shqiptare; përmendi Andromaqi Gjergjin, ornamentet ilire e dukuri të tyre në veshjet shqiptare; përmendi dhe kumtesën time për kulte të natyrës (kur bëhej fjalë për kultin e diellit e të gjarprit) ndër Ilirë e ndër Shqiptarë. Ai i quajti diçka si të dyshimta e pak të bazuara të tre kumtesat e tre autorëve, si vazhdimësi iliro-shqiptare. Kur iu kërkua me shkrim, e dha vetëm për mua që isha më i ri e i panjohur për të. Unë në kundërvënie argumentova saktësitë e mija në fakte e interpretime, lashë të hapur anën hipotetike për kultet te Ilirët që nuk ishin studiuar nga arkeologët; kritikova disa mendime të gabuara, të shprehura në kumtesën e A. Stipçeviçit.

Që nga ajo ditë e debatit e këtej me A. Stipçeviçin kemi qenë miq, jemi shoqëruar, kemi shkëmbyer letra e libra; kemi bërë reçensione vlerësuese për librat e njëri-tjetrit.

Dimë se një numër i “Etnografisë Shqiptare”, nr. 18, i kushtohet çështjes së migrimit të popullit tonë, trajtuar nga ju. Pse nuk u botua si libër më vete?

Nuk kishte pará Akademia e Shkencave. Në vazhdim kam dashur të botoj librat e pabotuar fare. Ajo u botua në një farë mënyre. Këtë e kam në CD e po të kem para menjëherë e botoj si libër në vete.

Në temën interesante që kemi trajtuar, përcaktohen mirë vendet ku janë ngulitur Shqiptarët, por shpesh mungojnë të dhënat e shpërnguljes: koha, vendi, pse ndodh kjo?

Krahinat nga kanë emigruar më shumë e ato nga kanë ikur më pak i kam shënuar. Kur kam gjetur shifra të ikjes i kam shënuar, po në jo pak raste nuk i kam gjetur të dhënat konkrete e pra nuk janë shënuar. Koha relative është dhënë.

Para pak ditësh lexova një shkrim tuajin, kushtuar vizitës së M.E. Durhamit në Shqipëri. Ç’përfaqëson kjo albanologe e shquar për ju?

Gjatë shek. XIX e në gjysmën e parë të shek. XX kanë ardhur në Shqipëri jo pak intelektualë e intelektuale nga vise të ndryshme të botës së qytetëruar e kanë shëtitur, kanë bërë eksplorime ndër malet shqiptare, në vise të ndryshme; kanë shkruar libra, po dhe shkrime për shtyp, në pasqyrim të kulturës shqiptare, por ata që shëndritën më shumë në eksplorime e studime shkencore janë Johann Georg von Hahn (1811-1868), që është quajtur dhe babai i albanologjisë, Frans Baron Nopca (1877-1933) dhe intelektualja Mary Edith Durham (1863-1944) nga Anglia. Kjo e fundit jo vetëm që ka bërë eksplorime në malësitë shqiptare e nga këto ka shkruar 7 libra e shumë shkrime të tjera në organe shtypi, po ka dhënë një ndihmesë të madhe në mbrojtje të etnokulturës së Shqiptarëve. Për punën që ka bërë në shërbim të etnokulturës shqiptare, në shërbim të jetës së Shqiptarëve të persekutuar nga Serbët në Veri e nga Grekët në Jug, për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, ajo është nga Anglia, por është dhe Shqiptare e shquar ku jeta e saj ishte e lidhur me fatet e popullit tonë. Kjo është heroinë kombëtare e Shqiptarëve e ndaj saj kemi shumë detyrime. Duhet nderuar kjo heroinë se me të kombi ynë nderon veten.

Jeni vlerësuar me titujt më të lartë shkencorë dhe çmime të larta në krijimtari. Ç’përbëjnë për ju këto vlerësime?

Këto janë pasqyrë e punës sime ditë e natë, të thuash se një jetë të tërë. Shpirti im më thotë se duhet të bëj sa më shumë për atdheun, për kulturën shqiptare. Më mirë të jetoj diçka më pak e të bëj më shumë se sa të jetoj më shumë e të bëj më pak!

 Instituti i dikurshëm i Kulturës Popullore është riorganizuar. Si funksionon puna sot në strukturën e re? A është kthyer vëmendja e strukturave shtetërore ndaj traditës?

Ky Institut jo vetëm nuk ka ecur përpara në punë shkencore, por ka shkuar shumë prapa. Askush nuk interesohet për këto trashëgimi kulturore të Shqiptarëve që u ruajtën e u zhvilluan ndër shekuj. I kanë ndërruar dhe emrin këtij specialiteti: nga etnologji, etnografi dhe për letërsinë etnokulturore është quajtur folklor. Na i kthejnë termat në antropologji e këtu bëjnë një idiotësi. /voal.ch /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here