Mbassi thehej mbasditja e Natës se Këshndellavet ase e Natës së Buzmit, në katundin têm u ngjallte njifarë levizjeje pregatitse me të ngazullue. Amviset e shpijakëve me dhantína haesh në sahana e kupa, marrë nën duer, mbulue me shamija e mbajtë shquet në shêj përvujtnije, shkojshin e vijshin vrik e vrik te shoqet e tyne për t’u çue shka atyne u mungonte, pse nata e Buzmit duhej t’i kënaqte e nginte të gjithë. 

Burrat aty këtu shifeshin o tue marrë o tue çuc kusija, gjygyma, kunguj pies, shirqa e butila me vênë. Camerdhokët, tue ia thanë kangës, ia jepshin shpatijeve me latusha e këmesa në krah për të pré dëllijat që digjeshin mâ mirë e për të këndue në haré me krizma e xhixhillima «Buzmit të Këshndellavet». 

Të tjerët, skâje arash e kopshtijesh, prejshin buzmin që përbâhet prej nji cupil qarri të trashë sa mberthen dora dhe mâ i gjatë se dash m’dash t’oxhakut ase sa të mbrrij e të kalojë prej nji caranit në tjetrin. Mandej merren disa copa të kiemesh nga të gjitha pemët fryt-dhânse, tue përjashtue ferrat, murrizat dhe çdo pemë t’egër. Të gjitha lidhen pë’r të prémen e qarrit me kurpna a shelnja e lihen mbas dere nën strehën e shpís. Prap do tjerë ua thekshin kambëvet me dorza e duej kashte, marrë prej bjeshkalive qi mbiellin gjithfarë drithnash. Kashta duhej për të bâ me tê lamnajet.

Përnjimend dukej se secili kishte marrë me krye nga nji barrë të jashtzakonshme e bâjshe bé se askuj s’i dilte rend për të ndrrue fjalë me njeri të gjallë pa i dhanë fund punës së caktueme.

Mbarështrue punë e bagtí, lá e ndrrue, skuqë në ftyrë prej acarit dhe ndezë prej nji gëzimit të heshtshëm gjindja e thjeshto e shpis seme iu afrojshin shqimes së votrës, prej kah, nga drujt e pa tym që ndezeshin kadálas, vinte të nxehtit e ambël. Gazi e shpresa xixillojshin në sytë tonë të sjellun kah baba, i zoti i shpís, që, edhe pa prekë shumsend me dorë, krejt punët i miratonte gati si prej veti, pa prozhmue e idhnue njerí.

Ai pyette së pari:

– Oj gjra, a kini que shka kimi pa’ shnue? – E nâna, e zoja shpis: – Maná, gji’ça shka kimi pa’ shnue.

Të gjithë brofshini në kambë: motra e vllau bijshin dëllijat, me të cilat im-át mbushte pil e për maje oxhakun dhe për pak kohë u dukte se fikej zjarini prej sosh. Vllau i madh me kunatën, tue e mbajtë për skâjesh, bijshin buzmin e lânun nën strehë, të cilin i zoti i shpis e zgjidhte dhe e vente ur’oxhakut, kurse qarrin vllá e kunatë e vêjshin tej e tej zjarmit, tue qindrue vllau kah ana e burravet e nusja kah e gravet; tjerët bijshin kashtën, nësa nana vinte me bukë e krypë në dorë dhe motrat shpejtojshin me prû sofrën dhe secili ka nji send. Ashtu në kâmbë percjellshim ndezjen e dullijave që farfullojshin gjithkah e mandej shkriheshin në farfurija e pluhën hini.

– Ver’ e Këshnelle! – uronte burrnimi nji zâni, dhe granija gjegjej – tash e përherë. Kta u përsritte ritmikisht disa herash derisa u digjshin krejt krecet e mbetshin vetëm shtagat e përcullueme të dëllijave. Atëherë i zoti i shpís merrte do kashtë gruni me të cilën bânte nji kryq dhe e rrethonte këtë me nji rreth po nga kashta: ky ishte lami. Mbi lamë man¬dej im át nepte shêj që të shtrohet sofra, ku duert e shpejta të nuseve e të motrave reshëshin, të gjitha të mirat e Zotit. Ndërsa gotat e rakís rrijshin mbushë pa u prekë, im-át fillonte lutën ndër gjuj të mdhaj, mandej prej gotës së vet i nepte buzmit me pij tue stërpikë me rakí sungun që ishte vû në krye të tubit, tue thanë me rend për çdo të kieme:

«Sungu na e ká dhânë» e na të tjerët « sungu le ta peije!».

« Qersheja na e ká dhânë» na tjerët « qersheja le ta peije!».

«Kumlla na e ká dhânë» na tjerët «kumlla le ta peije! ».

« Molla na e ká dhânë» na tjerët «molla le ta peije! ».

« Dardha na e ká dhânë» na tjerët «dardha le ta peije! ».

« Arra na e ká dhânë» na tjerët «arra le ta peije! ».

« Toka na e ká dhânë» na tjerët «toka le ta peije! » etj.; mandej u çojshin gotat radhazi tue u mundue me iau perligjë urimeve të babës. Para se të shijoheshin mezet, baba i nepte buzmit me hangër tue vûnë çdo cung të tij nga nji grimcë prej çdo mezje tue thanë: «Sungu, qersheja etj. le ta haje!». Po ashtu u bânte dhe kur nisshim me hanger darken e me pí vënën.

Mbassi u kryente darka, u çonte sofra, u mblidhte lami i saj e u qitte jashtë nën strehën e kosharit, vllau i madh me nusën e vet merrshin unët e qarrit e i rrafshin me rend për vargojsh tue thanë: «Sa gjacllêma dalin!?» e na, prij prej babes, gjegjeshim:

Aq gjelm né na lefshin!

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq gjelm na u martofshin!». 

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq gjelm na u trashgofshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq gjelm të parë na u bâfshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: « Aq trèma ktu dalshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq pendë dhe na u shtofshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq pendë qé na ngafshim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq barrë drithi gjeçim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq barrë gjroshësh gjeçim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq koshare na mushshim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq hambarë na mbushshim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq kulla na grefshim!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq kmonë na tingllofshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq sofra ktu u shtrofshin!».

«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq zêmra ktu u gzofshin!» etj. e né në fund:


«Sa gjacllêma dalin!?» e na: «Aq bekime paçim».

Kur mbarojshin shkëndijat, i shkrepshin edhe nji herë cungjt tue pyetë:

«A ka mâ gjacllêma?» e na «jooo!». Mandej ata: «Sa gjacllêma duelen?» e na «Aq t’mira paçim!». 

Unët e qarrit iu dorzojshin babës, i cili i tubonte me të padjegmet e ur’oxhakut. Si u përshndetshim edhe nji here me vênë, na të vegjlit shkojshim me fjetë, kurse të vjetrit rrijshin çuet tue pí e bisedue, nësa granija gatonte darken e dytë. Në mjesnatë na zgjojshin të gjithve, e, mbassi u shtrëngojshini, u nisshim kah ara, tue marrë me vehte rakí, tepsin plot me hae, buzmin e kashtën.

Në mjedis t’arës mbi borë im át ndreqte lâmin me kashtë; mbi tê pushojshin tepsín tue shqiptue e bâ gjithshka qe kishim bâ për lâmin e sofrës. Nësa i zoti i shpís me nji tjetër ndreqte lâmin, na tjerët shkojshim në rranxë të secilës pêmë, nga të cilat kishim nxjerrë të kiemet e buzmit dhe i stërpikshim me rakí e vênë, mandej u nepshim pak thermija të haevet tue lânë të kiemet përkatse te çdo pême, tue shoqnue këtë rit me fjalët: «Na e ka dhânë». «Le ta pijë, le ta hajë! ».

Ma në fund vllau i madh, të cilit nusja i kishte vû dorën mbi sup, u matte me pré me spatë nga nji degë të pêmëve, që u jepshim me pí e me hangër tue thânë: «A ta pres?» e nusja i pergjegjej: «Mos e prit se bân me thes!». Kta u përsritte tri here rresht. Vendin ku mashkulli matej me e pre, femna e lidhte me dy, tri fije kashte nga ato të lâmit të sofrës. Mbassi kryeshim këtê, kthejshim te lâmi i arës, ku pijshim e hajshim nga të gjitha ato që kishim marrë me vehte në tepsí tue urue si ne darkën e mbrames.

Nesret delshim bashkë me fëmijt e lagjes mbi sukore per të çmue Iâmin ma të mirë në katund. Ashtu grumbull tue brohoritë shkojshim me i kërkue zojës s’asaj shpije nga dy vola (4 kokrra) kakruq (arra) për shoq si shpërblim tue i thâne:

Tei ke lamin mâ të mêrë.
Del e para m’prenverë, 
Kakruqtt’ tú piqen me verë!

Dhe e zoja e shpís, si na nepte shka ishte zakon, nja dy grushta kakruq i derdhte n’oborr për të na pá tue a kacafytë. Atij që së pari i dilte arra fuq e që na i thomi «firuk», i mbette për gjith vjetin êmni «kakruk firuk »..

Zef V. Nekaj – Shejzat, vjeti I, nr. 4-5, nanduer dhjetuer 1957 /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here