Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

FEDERATA E DALMATËVE – Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër pushtuesve romakë

Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë Dardane banonin popullsi të ndryshme ilire, të cilat me përjashtim të ilirëve të bregdetit të Adriatikut. dalin vonë në burimet e shkruara antike. Midis tyre ata që përmenden më herët janë « liburnët » të njohur si një nga popullsitë ilire që zhvilluan detarinë. Por nga ilirët veriorë, të cilët njihen më mirë dhe që zënë një vend të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve II-I p.e. sonë e në qëndresën kundër pushtuesve romakë, kanë qenë dalmatët.

Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve antikë për ilirët e veriut është pasqyruar në një farë mënyre edhe në historiografinë e sotme. Nuk mund të thuhet se mungojnë studimet për ilirët e veriut, por këto studime lidhen më tepër me popullsi të veçanta, me shtrirjen e tyre gjeografike dhe nuk ka një trajtim të përgjithshëm të historisë së tyre. Këto studime mbështeten pak nga të dhënat e arkeologjisë, edhe pse këto janë të pasura në krahinat veriore ilire për periudhat prehistorike e protohistorike dhe për periudhën e pushtimit romak.

Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër pushtuesve romakë

Në shek. II p.e. sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në këtë krahinë dalmatët krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë në drejtim të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë edhe disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e. sonë territori i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët. Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më vonë kufiri arriti deri te rrjedhja e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në brigjet jugore të së cilës banonin daorsët. Më i vështirë është përcaktimi i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një krahinë malore, por ka shumë të ngjarë që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët, në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së federatës së dalmatëve, brenda këtyre kufijve dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori e relievit të viseve dalmate dhe kullotat e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë, kanë bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia vinte në rend  të dytë, kurse xehtaria ka  qenë më pak e zhvilluar.

Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në periudhën e parë të hekurit kishte filluar shthurja e bashkësisë primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin e shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një shtresë e veçantë që zotëronte kope të mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore, që u vu në krye të federatës dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i përkasin edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të quajtura zakonisht « gradina » të ngritura përreth pllajave të brendshme, rrënojat e të cilave janë ruajtur deri në ditët tona.

Këto qendërbanime të fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të disa kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët bënë kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të  cilën  Straboni e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të larta dhe i vështirë për t’u pushtuar. Për të njohur natyrën e qendërbanimeve të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende të pastudiuara mirë. Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore e ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë. Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit. Në popullsinë blegtorale të dalmatëve pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e pasura të viseve tëtyre.

Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike, tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën e tij, dalmatët e ndanin tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit, përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private, por për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek ilirë të tjerë, të ishin prona të përbashkëta. Por, në të njëjtin vend Straboni shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset e tyre ka pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të rëndësishme, përveç Salonës e Delminit, kanë qenë Propona, Ninia, Andetri etj.. Është e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u përmendën më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë, tregues të një zhvillimi ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë krahinë të gjerë të federatës së dalmatëve organizimi fisnor po  ia lëshonte vendin shoqërisë skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit një fuqi politike të rëndësishme në brigjet e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.

Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit të Pleuratit dalmatët qenë në vartësinë e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër. Me vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në vitin 181 p.e. sonë ata u bënë përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi të tjera ilire, të cilat qenë detyruar t’i jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë Salonës, qenë detyruar t’i jepnin gjithashtu një tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të cilët zotëronin vetëm krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Naretva. Daorsët para vitit 168 p.e. sonë bënin pjesë në shtetin ilir dhe me rënien e këtij të fundit kishin hyrë nën protektoratin e Romës.

Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime në shtetin romak, që ndiqte një politikë pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë lindorë të Italisë. Kështu pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake, ndërsa në vitin 178 p.e. sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe federatën e dalmatëve. Për luftën kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst ankesat e daorsëve e  të Isës, të cilët ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija të dalmatëve kundër delegatëve të tyre. Vepra e Polibit, që është burimi kryesor për këto ngjarje, tregon se nuk qenë  veprimet e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur me kohë për të pushtuar trevën veriore ilire. « Duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të popullit të tyre dhe, në anën tjetër, do t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënë këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre».

Në vitin 156 p.e. sonë ushtria romake duke pasur si bazë rrjedhjen e poshtme të lumit Naretva filloi sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e parë e ushtrisë romake për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi keq dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli romak G. Mark Figuli, duke shpresuar se do t’i zinte dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës së tyre Delminit, por një vit më vonë, pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara nuk  bëjnë fjalë për gjendjen që u krijua pas luftës. Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi keq me pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë, ku shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë romakë. Japodët e panonët, ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që i bënë shtetit romak për më se njëqind vjet – nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e dytë të shek. I p.e. sonë – popullsitë ilire të veriut, e detyruan atë të dërgonte në viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në  luftën kundër romakëve, qëndronin dalmatët, të cilët për shumë vjet me radhë mbetën kundërshtarët më të fortë tëRomës.

Në gjysmën e dytë të shek. II p.e. sonë kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët. Ardianët ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që jetonte në brigjet e Adriatikut të Mesëm derinëafërsitëliqenittëShkodrës.

Visetetyre,qëbëninpjesënështetinilir,pasvitit168p.e.sonë, ishin futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të qëndresës së federatës së dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur në vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në përpjekjet për të forcuar pozitën e tyre në një krahinë të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën së pari me « aleatët » e këtij shteti. Sipas Tit-Livit ardianët e pleurejtë « shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët ». Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të forcuar pavarësinë e tyre, në një kohë kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve romakë, krijuan për Romën një situatë të vështirë, të rënduar edhe nga kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo situatë shteti romak dërgoi në viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri relativisht të madhe, të përbërë nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës. Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur për një luftë e qëndresë të gjatë. Burimet japin njoftime vetëm për një betejë që u bë në vitin 135 p.e. sonë, ku romakët i thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti romak, për të shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët nga bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës së sotme.

Shkëputur nga: (Historia e Popullit Shqiptar – Akademia Shqiptare e Shkencave) /InforCulture.info

InFor. Culture

Recent Posts

Propozimi amerikan në ’45: Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën…

“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë…

1 day ago

Ide për shkrepje fotografish kreative (FOTO)

Fotografitë, si në letër e po ashtu edhe digjitale mund të shkatërrohen. Por emocionet dhe…

1 day ago

Stela e ushtarit ilir Bato nga Kaliqani i Istogut

Shkruan: Haxhi Mehmetaj Nga ky mbishkrim kuptojmë që kemi të bëjmë më një monument varri…

1 day ago

Hebrenjtë në Shqipërinë e besës

Kastriot Kotoni Popujt e Mesdheut kanë pikëtakimet e tyre të hershme qysh në ngjizjen e…

1 day ago

Konsumoni 2 mollë në ditë, ja çfarë do ndodh me organizmin

Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë ajo është molla. Nuk është ekzagjerim.…

1 day ago

Keni probleme me tretjen? Ja formula ideale

Konstipacioni, plogështia dhe problemet me stomakun janë shenja paralajmëruese që sistemi tretës nuk po funksionon…

1 day ago