Ciklin me postime për figurat e mitologjisë dhe demonologjisë shqiptare po e vazhdojmë me një figurë tjetër shumë të përmendura në besimet popullore dhe shumë të rëndësishme. /InforCulture.info

Ora

Figurë e mitologjisë shqiptare. Në besimet popullor, Ora ‘’paraqitet si një gjë e pa dukshem, përgjithësisht pa trup dhe pa formë, përveç se kur është trupëzuar’’ (M.Tirta, Shtres. Mit. në ep. shqip., në ‘’ ÇFSH’’, 3, f. 192), si një vashë a gjarpër që ruan një njeri, një shtëpi, një fis etj. Kështu, Shala e di Orën e vetë e ka në majën e Rrshellit. Ajo është këshilltarja e  përhershme e kreshnikëve (shi File Kapedani). Besohej se jetonte në male, pyje, kroje, ose pran njerëzve, u ndihmonte të mirëve dhe ndëshkonte të këqinjtë.

Në shpellën e kreshnikëve, Ora i shfaqet Mujit si ‘nji gjarpën I madh shkrola-shkrola’, që qëndron në bisht e shndërrohet në një ‘vashë bardhushë’, të ‘bukur si drita’, apo sin ë këtë vargje të ciklit të kreshniklëve: ‘’Gja vogël ora qi po ishte,/ si dy rrfe n’at ballë dy sy m’i kishte.’’

Krejt i ndryshëm është përshkrimi që na ka lënë Mis Durhami. Sipas saj, Orët ‘’zakonisht duken natën si shkëndija të bukura’’. Ato i vërtiten përreth udhëtarit, duke hutuar, për të mos e lënë të shkojë më tej. Në kësi rastesh, duhet të rrish e të presësh deri sat ë këndojë gjeli i parë, kur ato zhduken mejëherë. Veç kësaj, Orët, me sa duket, kanë ëndje edhe për gjëra të tjera: ato u hipin kuajve natën dhe u lidhin nyje krifat. Këto nyje nuk duhen zgjidhur kurrsesi. Orëht ruajnë edhe thesaret e fshehura, prandaj i ngatërrojnë kërkuesit që të mos mund t’ gjejnë (E.Durham, Prejardhja e disa fiseve…, VII, 2, f. 515).

Vendpushimet e zakonshme të Orëve ishin mrizet. Për këtë arsye, malësori shqiptar I konsideronte të paprekshëm këta lisa të shenjtë. Besohej se pot ë pritej lisi i ndonjë mrizi, madje qoftë dhe vetëm një degë të tijë, dëmtuesi ose ndonjë pjestar i familjes së tij do të pësonte mëdoemos ndonjë fatkeqësi. Orët pushonin edhe në udhëkryqe, në qafa malesh, në ballë të urave, në brigjet e lumenjve e të përrenjve etj.

Emri i Orëve shpeshherë nuk zihej ngoje, se ishte tabu, pradaj dhe zëvendësohej me emërtimet eufeministike, si p.sh., ‘’Qofshin të bardhat’’ etj.

Del edhe në shumë shprehje e frazelogji popullore: Ora e shpis, Ora e njerit, Ora e Fisit, Ora e bajrakut; ndihmo Zot e Ora e Shalës!, e ka Orën e madhe; të dektë Ora!, t’u vraftë Ora!, t’u ligtë Ora!, e ka Orën e çuet, njeri me Orë, Orëbardhë, Orëlig, Orëpremë, Orëzi, Orëzezë, Orëfjetë, Orëshambë, më poq Ora, më qiti Ora, më ruejti Ora!, më tha Ora, njëri qi flet me Orë, të marrtë Ora e ligë!, paç Orën e mirë!, njeri me Orë etj.).

Ka shumë të ngjarë që, ashtu sit e Zanat, edhe tek Orët të ruhen figura të lashta të kohëve pagae të përtëritura më një emër të ri.

Në Shqipëri ekzistojnë shumë toponime, që lidhen drejtpërsëdrejti me këtë figurë: Kroi i Orëve (Shalë e Rragam-Tropojë), Logu i Orëve (Kir-Pult), Shpella e Orës (Ganjoll), Bira e Orvet (Aprripë e Gurit-Pukë), Shpella e Orëve (Mërtur). Por meqë Ora është edhe roje, gjejmë edhe toponime ku pasqyrohet ky atribut I saj, si: Shkami i Rojes (Aprripë-Pukë), Shpella e Rojes (Gushtë-Shllak).

(shkëputur nga libri ‘’Fjalor i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare – Azem Qazimi’’) /inforculture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here