Në Encikopedinë e Madhe Greke thuhet: “…Çamëria (Thesprotia), banohet nga shqiptarë që quhen çamë dhe janë banorët më të vjetër të këtyre trojeve, duke e cilësuar si pjesë e krahinës së jugut shqiptar.”
Zoti Pavlopoulos, në prani të forcave të armatosura greke si audiencë, në Larisa, këto ditë ju bëtë publike dhe përsëritët deklaratën tuaj, që për mendimin tim, duket e papërgjegjëshme dhe e papranueshme, veçanërisht kur ajo përcillet nga fjala e një presidenti, të një shteti brenda komunitetit europian. Po citoj deklaratën tuaj si më poshtë:
“Është pakonceptueshme që udhëheqja e Shqipërisë të ngrejë Çështjen Çame. Përveç faktit se kjo çështje nuk ekziston, është më mirë që Shqipëria të mos kujtojë se çfarë do të thotë historia e të ashtuquajturave “çamë” gjatë periudhës së mizorive naziste në Greqi, nëse dëshiron të ketë ndonjë perspektivë evropiane. Më vjen keq që jam i drejtëpërdrejtë, por në ditë të tilla si kujtimi i holokaustit ata guxojnë të flasin për çamë. Më mirë të mos kujtojmë historinë e atyre që u shfaqën si çamë në hapësirën greke. Respekti për historinë është baza ndërkombëtare për miqësinë dhe fqinjësinë e mirë.”
Zoti President, meqenëse ju pretendoni se keni respekt për historinë, e shikoj të arsyeshme, si njohës i mirë i çështjes në fjalë, konstatoj me keqardhje që deklaratat tuaja të njëpasënjëshme për Çështjen Çame, nuk përkojnë me realitetin. Së pari, kur ju theksoni në deklaratën tuaj se çamët “…u shfaqën si çamë në hapësirën greke”, kjo nuk e errëson dot, origjinën antike të çamëve në trojet e tyre etnike, se kështu dëshironi ju. Historia nuk është dëshirë dhe lojra fjalësh, por fakte reale dhe autentike, sepse kështu vepron gjithë bota. Dalja juaj e përsëritur me deklaratat të papërgjegjëshme, nuk i bën nder një politikani të rangut të lartë, të një vendi që pretendon fqinjësinë e mirë dhe në të njëjtën kohë, mohon të drejtën e një popullësie të martirizuar dhe larguar nga trojet e veta etnike, siç është Çamëria (Thesprotia), me pretendimin se Çështja Çame nuk egziston. Papërgjegjëshmëria juaj kalon çdo cak, kur ju ushtroni presion në formën e kërcënimit, ndaj një vendi fqinj e paqësor, siç është Shqipëria, e cila aspiron t’i bashkohet familjes europiane. Shenjat e nervozizmit të shfaqur nga ana juaj për Çështjen Çame nuk janë argumente, por frikë nga e vërteta. Ndoshta ky është edhe një reagim dëshpërues përballë pozicionimit të instancave ndërkombëtare si BE-ja, e cila para disa ditësh vendosi t’i heqë të drejtën e vetos Greqisë, lidhur me procesin e integrimit te Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.
Së dyti, duhet theksuar fakti se vet Encikopedia e Madhe Greke, (botimi i parë, në rubrikën për Thesprotinë, i përkthyer nga i ndrituri Ilo M. Qafëzezi që disponohet në arkivat tona), citohet ndër të tjera:
“…Çamëria (Thesprotia), banohet nga shqiptarë që quhen çamë dhe janë banorët më të vjetër të këtyre trojeve, duke e cilësuar si pjesë e krahinës së jugut shqiptar.”
Këtë element domethënës e kanë trajtuar shumë autorë të antikitetit si Tukididi, Staraboni e të tjerë, kur dëshmojnë: “ Çamët – Thesprotët identifikohen si jo grek” (pra, nënkupto pellazgo-epiroto-ilirë). Që ju të mos keni komplekse, po ju japim spjegimin tonë për fjalën Thesproti që ka si bazë rrënjën shipe (The = Fletë = Me folë). Dhe fjala “proto” që edhe në gjuhën tuj ka kuptimin “i parë”, pra të parët e dheut si folës në trojet e tyre. Për ilustrim të këtij argumentimi gjuhësor, më lejoni t’u vë në dukje se, emërtimi i fjalës në greqisht Theos = Zot, zbërthehet në mënyrën më bindëse, në gjuhën e këtyre Protove = Çamëve, që do të thotë folësi i parë. Me këtë dua t’u theksoj zoti President që jemi aty të hershëm, jemi të parët në ato troje dhe mos kërkoni ta mohoni me nervozizmin tuaj absurd.
Me gjuhën e kërcënimit, nuk mund të pengoni pretendimin e drejtë të shtetasve shqiptarë, për trojet e të parëve të tyre, në këtë rast të çamëve. Ajo nuk ndalohet gjithashtu me gjuhë emocionale jo diplomatike, por ju lë mbi shpinë përgjegjësinë dhe detyrimin që keni ju, për këta ish-shtetas grekë të dëbuar padrejtësisht nga politikat shoviniste, duke i lënë ata larg trojeve dhe varreve të të parëve të tyre. Këtu është Thembra e Akilit.
Së treti, për t’i paraprirë një kërkese llogarie ndërkombëtarisht, për genocidin e ushtruar ndaj shtetasve çamë në vitin1946, me metoda shoviniste dhe një genocidi të pashembullt, ju organizuat një gjyq-farsë, duke shpallur si kolaboracionistë një pjesë të popullsisë çame. Është fakt i pamohueshëm historik, se keni shkelur çdo të drejtë të qytetarëve çamë, duke i zbuar nga trojet e tyre me preteksin (si kolabaoracionistë). E kosideroj të domosdoshme të theksoj këtu, se edhe sikur të egzistonte pretendimi i juaj për popullësinë çame si kolaboracionistë, sipas të drejtës ndërkombëtare, një kolaboracionist, dënohet për një veprim ose krim të kryer në vendin e tij, por nuk mund të dëbohet nga trojet e atij vendi, ku ka lindur dhe i përket. Ky është nje veprim i dënueshëm ndërkombëtarisht, në kundërshtim me të drejtat themelore të çdo shtetasi, sepse të akuzuarit të çdo natyre, nuk mund t’i privohet kjo e drejtë, përfshirë këtu nënshtëtsinë dhe kombësinë, përndryshe çdo veprim i ushtruar me dhunë kundrejt kësaj të drejte njerëzore, quhet akt shovinist dhe si i tillë, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Duke u shfaqur në një pozicion të tillë me deklarata të kësaj natyre, theksoj këtu, se nuk është vetëm çështje nervozizmi, por dhe shfaqje e një veprimi jo normal nga pozicioni që ju mbani, kundrejt një popullsie të masakruar dhe akuzuar padrejtësisht.
Ju vë në dijeni gjithashtu zoti Pavlopoulos, se përsa citova më lart, akuza juaj mbi popullësinë çame, shpallur si kolaboracioniste nga gjyqi-farsë i 1946, është shfuqizuar juridikisht me vendim të Ministrisë greke të Drejtësisë nr. 17835/1976 (dhe me kërkesë të Gjykatës së Diktimit të Janinës Nr.1837 të datës 29.09.1976) të gjykimit të çështjes e titulluar (Gjykata Penale e Kolaboracionistëve të Janinës, Artës dhe Prevezës), mbështetur në Kodin Penal grek në fuqi, mori vendimin e formës së prerë, duke shpallur të pavlefshme këtë akuzë, e për rrjedhojë, e rrëzoi atë juridikisht. Në bazë të këtij vendimi të shpallur nga organet tuaja të drejtësisë i quaj të papranueshme, tendecioze dhe jo diplomatike në kundërshtim me realitetin.
Për çfarë deklarova më lartë e them me përgjegjësi, se Ministrisë së Jashtme greke, në kuadër të takimit dypalësh, të Nënkomisionit të Përbashkët shqiptaro-grek, (për çështjet juridike dhe konsullore), mbajtur në Tiranë më 1995, i janë paraqitur dokumenta të pakundërshtueshme, lidhur me këtë çështje. Pikërisht për këtë arsye, pala greke heshti dhe po hesht edhe sot në lidhje me këtë dialog të nisur, me qellimin për të mos vazhduar më tej, mbasi pala juaj e ndjen dhe e konsideron çështje të humbur. Më duhet të theksoj, se qëndrimi i juaj është një akuzë e ndërtuar tashmë mbi formulimin e një presioni të qartë politik, pa pasur asnjë bazë ligjore.
Së katërti, deklarata juaj, që si qëllim ka sulmin mbi pjesën myslimane të popullësisë çame, fsheh njëkohësisht veprimin sa dinak, aq dhe shovinist, me ide ndarjen e popullsisë çame, ashtu siç keni copëtuar administratisht trojet e tyre dhe përkon me planet tuaja, për të fshirë nga realiteti egzistencën e popullsisë orthodokse çame, e cila është e gjallë dhe kontribon për zhvillimin e shtetit grek, megjithë presionin e ushtruar mbi ta për t’ua mohuar origjinën.
Zoti Pavlopoulos, popullsia çame nuk mund të ndahet në copa. Ajo është një dhe e pandarë, sepse egzistenca e një popullsie nuk përcaktohet nga fetë, por nga identiteti i saj kombëtar. Nënshtetësia dhe besimi mund të ndryshojnë edhe në rrethana lëvizjesh demografike, ndërsa kombësia mbetet ajo që është. Qëndrimi juaj i përsëritur me deklaratat e fundit, tregojnë për një mendje jo të kthjellët, keqdashëse, që nuk kontribon për marrëdhënie të mira midis dy shteteve tona, marrëdhënie të cilat ne i kemi respektuar vazhdimisht. Të akuzosh dhe t’i bësh presion Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante normat diplomatike, t’i kërkosh fqinjit tënd të mbyllë gojën, thjeshtë sepse kërkon të mbroië të drejtat e shtetasve të vet, si një kusht themelor kushtetues i çdo shteti, është një gjuhë e papranueshme. Jepni fund kësaj maskarade, si përgjegjësi e juaja dhe e pikëpamjeve tuaja shoviniste që përfaqësoni. Koha punon për zgjidhjen e Çështjes Çame zoti Pavlopoulos. Një proces i tillë është i pandalshëm, dhe dita për zgjidhjen e kësaj çështje të mohuar nga padrejtësia nuk do të vonojë.
Për ç’ka trajtova në këtë replikë, po ua bëj të qartë zoti President i Greqisë, se shqiptarët e Çamërisë, falë zhvillimeve integruese dhe ndërgjegjësimit të politikës ndërkombëtare për këtë çështje, do të gëzojnë një ditë, të drejtat e tyre të mohuara në vazhdimësi, nga qeveritë greke.