Më 11 shkurt 1920, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i marrë në Kongresin e Lushnjës, i cili zhvilloi punimet në janar 1920.

Në fillim të vitit 1920, zyrat qeveritare ishin në Durrës. Meqenëse Durrësi ishte i pushtuar nga italianët, Kongresi i Lushnjës shqyrtoi si mundësi për të shpallur kryeqytet Vlorën, sepse Vlora ishte dhe kryeqyteti i parë i Shqipërisë pas pavarësisë së vendit më 1912. Por, Vlora ishte pak larg nga veriu. Një tjetër mundësi ishte Shkodra, e cila në atë kohë ishte dhe qyteti më i madh i Shqipërisë. Por, Shkodra ishte pranë Malit të Zi, me të cilin kishte probleme, dhe ishte larg pjesës tjetër të vendit. Atëherë u vendos se nuk kishte zgjidhje më të mirë se Tirana, për nga pozicioni gjeografik që kishte në qendër të vendit.

Tirana ka qenë gjithnjë një kryqëzim mes rrugëve të hershme, edhe pse kjo nuk thuhet shumë në histori. Rruga nga Dalmacia kalonte në Ulqin, Shkodër, Lezhë dhe shkonte në lindje të vendit duke kaluar në rrethinat e Tiranës, përmes Qafë-Kërrabës, Elbasan. Një tjetër rrugë e rëndësishme ishte Via Egnatia e cila lidhte gjithë qytetet qendrore të Shqipërisë dhe vazhdonte drejt Manastirit, Selanikut e Stambollit. Tirana ishte në kryqëzim të kësaj rruge që lidhte veriun e vendit me detin duke kaluar përmes Shëngjergjit. Një tjetër rrugë që vinte nga Kavaja dhe shkonte në Ndroq, përmes Urës së Beshirit, Qafës së Tujanit dhe vazhdonte në Dibër e Maqedoni. Këto tri rrugë kryqëzoheshin në Tiranë, në sheshin e sotëm “Skënderbej”.

Në 11 shkurt 1920 në Tiranë mbërriti gjithë qeveria shqiptare e drejtuar nga Sulejman Delvina. Ajo u vendos në ndërtesën e parë që ndodhej në fillim të rrugës së Elbasanit. Qeveria u prit ngrohtë nga populli i Tiranës, që u ndie krenar se qyteti i tyre u bë qendra e Shqipërisë. /ata/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here