Etnolog, lindur në Orosh të Mirditës më 21 maj 1935 ; mbaron universitetin në Tiranë për histori – gjuhësi më 1961.
Në vitet 1955 – 1957 dhe 1961 – 1967 ka qenë arsimtar në Mirditë : më tepër drejtor shkolle e inspektor arsimi për rrethin.

Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me kërkime në fushë të etnokulturës : mbledhje materiali etnografik e folklorik ; zbulon e përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire – romake ; ngriti një muze në Rrëshen (1967) ; mbledh toponime, antroponime, fjalë të rralla.

Botoi shkrime të ndryshme, po dhe dorëzoi objekte e shkrime në arkiva në Tiranë.Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë etnolog profesionist, në Institutin e Histori – Gjuhësisë, dega e etnologjisë, Universiteti i Tiranës (tani : Instituti i Kulturës Popullore i Akademisë së Shkencave, Tiranë), punë që vazhdon ta kryejë edhe në ditë të sotme.Kualifikimin e tij pasuniversitar e ka bërë në fushë të etnologjisë. Ka mbrojtur disertacionin me një temë nga etnologjia e ka fituar gradën « Kandidat i Shkencave » më 1978 ; është bërë « Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor » më 1983 ; ka fituar gradën « Doktor i Shkencave » më 1989. Ka marrë titullin “Prof. Dr.”më 1994.
Ka shkruar rreth 300 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të Shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të Shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje dhe në disa revista e periodikë shkencorë në botën e jashtme. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa: në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në rreth 90 raste.

Ka bashkëpunuar në bërje të veprave madhore si: “Qytetërimi Ballkanik” – nën kujdesin e UNESKO –s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, – drejtuar nga Instituti i Studimeve për Eur, J. L. në Vjenë; në botimet madhore të Shqipërisë: ka bashkëpunuar në: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare” e me rradhë. Prej vitesh jep lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës.
Jep lëndën “Etnologjia e E. J. L. dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr të rinjtë, si mentor, në marrje të gradave shkencore master e dr. I shkencave.

Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkëautorë), V.I (1999), V.II (2001), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here