Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 17 tetor 1969, filmi Easy Rider shpërtheu në ekranet e kinemave përmes një mjegulle psikodelike. I përshkuar nga muzika rok, dashuria e lirë dhe përdorimi i drogave, ky film me temë rrugëtimi dhe me buxhet të vogël mbërthente frymën e kundërkulturës së pjesës së dytë të viteve ’60 të shekullit XX, si dhe tensionet sociale që zienin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi rrëfen historinë e dy motoçiklistëve me shpirt të lirë: hipikut Billy me mustaqe, i luajtur nga regjisori i filmit, Dennis Hopper, dhe Wyattit me rroba prej lëkure, që luhej nga producenti i filmit, Peter Fonda. Easy Rider fillon me Billyn dhe Wyattin që kontrabandojnë kokainë nga Meksika për ta shitur te një tregtar droge në Los Anxhelos, karakteri i të cilit luhej nga producenti i njohur muzikor Phil Spector (interpretimi i të cilit duket edhe më i zymtë në dritën e dënimit të tij për vrasje në vitin 2009). Të dy, tashmë me shumë para, vendosin të udhëtojnë me motoçikletë nëpër ShBA deri në Nju-Orleans, për të arritur në kohë për [festivalin] Mardi Gras.

Gjatë odisejadës së tyre përmes peizazhit të gjerë amerikan, nën tingujt e këngës Born to Be Wild të [grupit] Steppenwolf, ata hasin personazhet që mishërojnë disa nga botëkuptimet konfliktuoze të përhapura në ShBA në atë kohë, nga një avokat alkoolist për të drejtat civile (i luajtur nga Jack Nicholson) e deri te një sherif i korruptuar, nga një komunë e hipikëve te paragjykuesit e qyteteve të vogla. Realizuesit e filmit krijojnë një portret të një vendi në ndryshim. Slogani në posterët e filmit ishte: “Një burrë kërkoi Amerikën. Dhe, nuk e gjeti askund …”!

Një muaj para premierës së Easy Rider-it në vitin 1969, Hopperi dha një intervistë për programin Line Up të BBC-së me Philip Jenkinson. I veshur me rroba të ngjashme me ato të personazhit të tij, Billyt, intervista e Hopperit ishte intriguese, e çrregullt dhe në momente po aq konfuze sa filmi kult që ai sapo kishte realizuar.

Ai shpjegoi për BBC-në se kishte dashur “të bënte në thelb një film mbi atë që po ndodhte në Amerikë në atë moment”. Vitet ’60 të shekullit XX ishin një periudhë e trazuar për ShBA-në, ndërsa vendi kalonte nëpër përmbysje të shpejta dhe të rëndësishme kulturore. Kjo dekadë ishte dëshmitare e lëvizjes për të drejtat civile, e protestave në rritje kundër luftës – teksa lufta në Vietnam përshkallëzohej – dhe e një sërë atentatesh tronditëse ndaj figurave politike si John F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr.

Hendeku midis brezave dukej se po thellohej. Shumë nga brezi i “pasluftës” [baby boomer] kishin përqafuar muzikën dhe kulturën e re, duke eksperimentuar me droga dhe seks, dhe shpesh duke refuzuar hapur vlerat më tradicionale dhe konceptet materiale të prindërve të tyre. Hopperi ndjente se asgjë në kinema nuk u drejtohej drejtpërdrejt këtyre të rinjve. Nuk kishte asgjë që tregonte shpresat dhe frikërat e tyre, mënyrën se si ata dëshironin të jetonin dhe si ato aspirata kishin krijuar ndarje të thella në shoqërinë amerikane. Ai i tha BBC-së, në vitin 1969, se nuk e kishte parë asnjë film “që bënte një koment social për atë që ndodhte”.

“Po, [studiot] bëjnë filma për Luftën Civile [amerikane], i bëjnë për skllavërinë ose për Luftën e Koresë, por, dua të them, diçka që po ndodhte vërtet në atë moment. Shumë pak njerëz bënin një film për këtë, veçanërisht në Holivud”.

Easy Rider nuk ishte i pazakontë vetëm për tematikën që trajtonte, por edhe për mënyrën kaotike dhe inovative të realizimit të filmit. Me një buxhet të kufizuar prej vetëm 400 mijë dollarësh nga produksioni Columbia Pictures – që herë pas here nënkuptonte se Fonda duhej të paguante ekipin nga xhepi i tij – produksioni ndoqi një qasje DIY (bëje vetë). Një element thelbësor për narrativën e filmit ishte ideja e rrugës si simbol i lirisë dhe mundësive. Hopperi kërkonte të kapte pamjet e Billyt dhe Wyattit duke ngarë motorët përgjatë një autostrade që dukej e pafundme. Ky lloj xhirimi zakonisht bëhej duke marrë me qira një kamion të pajisur me kamera dhe radio. Në vend të kësaj, krijuesit e filmit blenë një [veturë] Chevrolet Impala të vitit 1968, me tavan të hapur, duke planifikuar ta shisnin më pas për të rikuperuar një pjesë të kostove. Kinematografi László Kovács vendosi një kamerë në pjesën e pasme të makinës, duke e siguruar me dërrasa dhe thasë me rërë, ndërsa u ul në ulësen e pasme për të xhiruar Fondan dhe Hopperin teksa ngisnin motorët Harley-Davidson në rrugë të hapur, duke përdorur shenja dore për t’ua komunikuar se çfarë duhej të bënin. Produksioni kurseu gjithashtu para duke xhiruar në vende reale, në vend që të ndërtonte skenografi të shtrenjta në studio, si dhe duke filmuar në dritë natyrale me kamera të mbajtura me dorë, duke i dhënë filmit ndjesinë e një autenticiteti të pafiltruar.

Megjithatë, procesi i produksionit të filmit ishte larg të qenit i qetë, kryesisht për shkak të karakterit shpërthyes të Hopperit. Ai pranoi për BBC-në, në vitin 1969, se ishte përjashtuar nga Holivudi për shkak të prirjes për të pasur mosmarrëveshje me regjisorët. “I ndiqja udhëzimet vetëm kur e respektoja personin”, tha ai. “Nëse nuk e respektoja, dhe shumicën e kohës nuk e respektoja, nuk i ndiqja udhëzimet”. Tani, për herë të parë, ai vetë ishte regjisori dhe përfundoi duke luftuar për kontroll mbi çdo aspekt të procesit të realizimit të filmit. Në një moment, pati një përleshje fizike me një operator kamere që refuzoi t’ia dorëzonte pamjet që kishte xhiruar.

Kjo nuk ishte e vetmja përplasje që regjisori kishte gjatë xhirimeve. Aktori Rip Torn ishte fillimisht i përzgjedhur për të luajtur rolin që më vonë do të interpretohej nga Nicholsoni, por ai u largua disa javë pas fillimit të xhirimeve, pas një grindjeje me Hopperin. Në vitin 1994, Torni e paditi me sukses Hopperin për shpifje, kur regjisori pretendoi se aktori ia kishte drejtuar një thikë gjatë grindjes – ndërkohë që Torni pohonte të kundërtën. Në një intervistë me Jenkinsonin, Hopperi pranoi se ishte “i vështirë në punë”. Fonda e përshkroi më drejtpërdrejt kur foli me Will Gompertzin e BBC-së në vitin 2014: “Hopperi ishte një lloj megalomaniaku”.

Megjithatë, Hopperi e merrte zanatin e tij seriozisht dhe ishte i përkushtuar ndaj vizionit të tij. Ai i tha BBC-së se “ishte trajnuar në aktrimin metodik” dhe “që të mos kishte ide të parapërgatitura” se si duhej të zhvillohej një skenë. Kur kishte punuar me James Deanin, si aktor i ri në Rebel Without a Cause (1955) dhe Giant (1956), Dean i kishte thënë: “Mos aktro sikur po pi cigare, thjesht pije”. Hopperi e mori këtë këshillë për zemër. Për të dhënë realizëm dhe spontanitet në këtë tregim të kundërkulturës, ai – së bashku me Fondan dhe Nicholsonin – konsumuan sasi të mëdha droge dhe alkooli gjatë xhirimeve të filmit. Skenat u drejtuan në një stil dokumentar, me aktorët – shpesh të droguar ose të dehur – që improvizonin skenat dhe dialogët.

Nicholsoni i tha revistës Time në vitin 1970 se kishte “pirë rreth 155 xhointë [marihuanë]” gjatë xhirimit të një skene të shumëfishtë ku dy motoristët ia prezantojnë marihuanën karakterit të tij, George. Sfida e vërtetë e aktrimit për të ishte të kujtonte, pas gjithë atyre xhointëve, që të luante Georgein sikur ishte i kthjellët në fillim të skenës. “T’i mbaje të gjitha në mend duke qenë i droguar, të luaje skenën si i kthjellët dhe pastaj të bëheshe i droguar – ishte fantastike”, tha ai.

Filmbërësit shfrytëzuan në maksimum heqjen e Kodit Heis [për autocensurë] në vitin 1968. Udhëzimet e vetëimponuara të Holivudit kishin ndaluar, ndër të tjera, blasfeminë, lakuriqësinë, dhunën realiste dhe përdorimin e drogës. Kur Kodi u zëvendësua me sistemin e vlerësimit MPAA, Easy Rider përfitoi nga kjo liri e re dhe portretizimi i hapur i konsumimit të drogës, pa gjykim, ndihmoi që filmi të bëhej një cause célèbre (çështje e famshme) që në premierë. Hopperi mbrojti përdorimin e drogës në një intervistë për BBC-në, duke thënë se “do të ishte joreale që këta dy djem në Amerikë të mos pinin marihuanë” dhe pretendoi se trafikimi i kokainës nga ata nuk ishte më imoral sesa mënyrat e tjera kapitaliste të fitimit të parave. “Ndoshta të gjithë jemi të përfshirë në akte kriminale të një lloji apo tjetri”, tha ai.

Dhe Easy Rider nuk përpiqet t’i paraqesë motoristët si heronj apo domosdo si njerëz të mirë, por thjesht si një pasqyrë të Amerikës. “Mendoj se ata janë aq të mirë sa udhëheqësit e tyre, apo jo? Mendoj se njerëzit janë aq të mirë sa udhëheqësit e tyre”, tha Hopperi. Filmi, herë pas here, paraqet një imazh thellësisht shqetësues të ShBA-së në të cilën jetojnë protagonistët e tij. Ai e bën të qartë armiqësinë e hapur dhe dhunën brutale me të cilën mund të përballen individët që shihen si të huaj.

Por, mënyra se si Billy dhe Wyatt ishin veshur, zhgënjimi i tyre me vlerat e sistemit dhe kërkimi i identitetit dhe qëllimit të jetës preku një tel të veçantë te shumë të rinj amerikanë. Ashtu ia doli edhe kolona zanore me rokënrol, e cila arriti të kapte shpirtin e trazuar të kohës. Këngët nga Jimi Hendrix, The Byrds, The Band dhe nga të tjerët, fillimisht ishin thjesht muzika që pëlqenin filmbërësit. Ato duhej të shërbenin vetëm si zëvendësuese, ndërkohë që Crosby, Stills, Nash & Young po punonin për një kolonë të mirëfilltë zanore. Por, Easy Rider përfundoi duke u montuar sipas këtyre këngëve, duke bërë që një pjesë e madhe e buxhetit përfundimtar të filmit të përdorej për të drejtën e përdorimit të tyre.

Megjithëse fillimisht u shfaq vetëm në një kinema në Nju-Jork, Easy Rider pati jehonë te të rinjtë amerikanë, duke u bërë shpejt i suksesshëm në aspektin kritik dhe komercial. Hopperi fitoi Çmimin e Filmit të Parë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1969, ndërsa Nicholsoni si dhe skenari i filmit u nominuan për çmimet Oscar. Filmi do të fitonte më shumë se 60 milionë dollarë në mbarë botën.

Holivudi mbeti i befasuar nga popullariteti i papritur i një filmi të bërë me një buxhet minimal dhe jashtë sistemit të studiove. Suksesi i Easy Rider-it, në arkat e kinemasë, ndihmoi në nisjen e një epoke ku studiot u dhanë regjisorëve të rinj, si Martin Scorsese, Francis Ford Coppola dhe Steven Spielberg, më shumë kontroll krijues dhe liri për të eksperimentuar. Këta regjisorë më pas do të përcaktonin kinemanë amerikane të viteve ’70 të shekullit XX.

Vetë Hopperi ishte i habitur nga ky pranim i ri nga një Holivud që më parë atë e kishte refuzuar. “Është sikur të jesh në një llastik. Vrapon aq larg dhe ata tërheqin përsëri në mes, dhe papritur je në mes dhe i rrethuar nga establishmenti”, tha ai. Por, ai mbeti cinik për statusin e tij. “Të përgëzojnë, të duan dhe të tërheqin në gjirin e tyre. Kjo derisa të mos jesh më i dobishëm për ta, se pastaj të hedhin përsëri tutje”. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here