Rreth vitit 1943, Robert Grejvs shkroi një poezi. Në të, ai hodhi një vështrim të zakonshëm mbi botën e lashtësisë, dhe zgjodhi si temë atë të luftës dhe të propagandës. Ai u përqendrua në Betejën e Maratonës, të zhvilluar në vitin 499 Para Krishtit, midis ushtrisë së Athinës dhe asaj të perandorisë perse.

I cilësuar si një triumf madhështor për athinasit, Maratona u mitizua shumë shpejt në mbarëbotën greqishtfolëse. Kur persët u zmbrapsën nga toka greke, lindi legjenda e luftës heroike për liri dhe kundër despotizmit. Por kjo nuk është e gjitha. Sipas kësaj mënyre të leximit të historisë, në Maratonë lindi edhe Evropa.

Por kështu edhe perandoria britanike. Kjo është arsyeja pse në 1846, Xhon Stuart Mill pretendonte se “edhe si një ngjarje në historinë angleze”, Beteja e Maratonës ishte “më e rëndësishme sesa Beteja e Hastings”. Robert Grejvs e vuri në pikëpyetje atë qasje, dhe preferoi t’i lexonte pasojat e Betejës së Maratonës, si triumfin përfundimtar të një fushate propagande të suksesshme dhe jetëgjatë nga ana e athinasve.

Poema që shkroi Grejvs në vitin 1943 – Versioni Persian – buron nga këndvështrimi i vetë “persëve mbi të vërtetën”. Për ta, thekson ai, Maratona ishte pak më shumë se sa një “përleshje e parëndësishme” në skajet perëndimore të perandorisë së tyre, dhe sigurisht jo “përpjekja madhështore për të pushtuar Greqinë”, siç ishte përshkruar dhe mitizuar nga athinasit.

Nëse i hidhni një sy një harte të Evropës Juglindore, Afrikës Veriore dhe Azisë Perëndimore në fillim të shekullit V Para Krishtit, kur u zhvillua beteja e Maratonës, është e vështirë të mos arrihet në përfundimin se Grejvs kishte njëfarë të drejte.

Midis ngjitjes në fron të Kirit të Madh në mesin e shekullit VI Para Krishtit, dhe vdekjes së pasardhësit të tij Darit III 2 shekuj më vonë, persët (me dinastinë e frikshme Akemenide në krye të tyre) udhëhoqën perandorinë më të madhe që kishte parë bota deri në atë kohë.

Pakistani, Irani, Iraku, Turqia dhe Greqia. Kjo ishte një perandori e ndërtuar mbi një infrastrukturë të përparuar, me një shkallë tolerance ndaj kulturave dhe feve të ndryshme, dhe kur kërkohej, edhe me një fuqi shkatërruese. Duke pasur parasysh fuqinë e jashtëzakonshme që patën për 200 vjet, pse duhet të jetë e habitshme që Grejvs arriti në përfundimin se persët mund t’i kenë konsideruar luftërat me grekët si ngjarje periferike për ta?

Megjithatë, Grejvs po “notonte” kundër rrymës. Gjatë Iluminizmit dy shekuj më parë, intelektualët kishin filluar të teorizonin se pse Perëndimi ishte bërë kaq dominues në rendin botëror, dhe pse kishte qenë kaq e suksesshme në përhapjen e qytetërimit të të bardhëve.

Ata dolën me një teori radikale:Epërsia evropiane nuk erdhi nga Krishterimi, siç ishte menduar më parë, por nga një traditë kulturore që filloi në Greqinë e lashtë. Grekët, pretendonin ata, shpikën lirinë dhe racionalitetin, dhe Roma më pas i përhapi këto dhurata të çmuara në të gjithë Evropën nëpërmjet një serie pushtimesh perandorake civilizuese.

Kulturat e tjera në skajet e Greqisë dhe Romës ishin barbare. Dhe barbarët më të këqij dhe më kërcënues ishin persët, që synonin të arrinin dominim e botës. Që nga epoka e Luftërave Greko-Persiane, persët kanë qenë viktima të një fushate shpifjesh, gjatë të cilës ata janë etiketuar si tiranë shtypës të botës së lirë.

Kjo ka qenë shumë e dëmshme për studimin e historisë së Persisë së lashtë, dhe një problem i përkeqësuar nga fakti se persët nuk e shkruan kurrë historinë narrative ashtu siç bënë grekët. Përkundrazi, për të transmetuar të kaluarën e tyre, ata u mbështetën në tregimin gojor, poezitëdhe këngët.

Të shpëtuar nga tirania

Por çfarë mund të bëhet? Si mund t’i çlirojnë historianët persianët nga tirania e traditës klasike? Si mund ta lidhim ngritjen dhe rënien e perandorisë së tyre të jashtëzakonshme, nga një perspektivë që është neglizhuar për kaq shumë kohë nga historia?

Përgjigja jepet nga një shumëllojshmëri burimesh vërtetë marramendëse, por mrekullisht ndriçuese. Ka mbishkrime mbretërore në gjuhën e vjetër perse; arkiva të pasura dokumentare kuneiforme të shkruara në baltë, të cilat na rrëfejnë për funksionimin e perandorisë, ekonominë dhe shërbimin e saj civil.

Ka një mori relievesh murale, dizajne në tekstil, punime prej ari dhe argjendi, dhe një trashëgimi e mrekullueshme arkeologjike, që tregon historinë e vërtetë mbi të kaluarën ePersisë. Falë shfaqjes së atyre thesareve historike, ne kemi qenë më në fund në gjendje t’u japim persëve një platformë, nga e cila ata ta tregojnë historinë e tyre.

Një mbret në ngritje

Kjo histori fillon në mesin e shekullit VI, me ngritjen e njërit prej sundimtarëve më të shquar të botës antike:Kirit II, ose “Kirit të Madh”. Kur u ngjit në fron në vitin 559 Para Krishtit, Persia ishte një mbretëri e vogël e vendosur në Iranin jugperëndimor. Vetëm një nga disa fise iraniane në vasalitetin e mbretërisë së Medëve.

Kur vdiq në vitin 530 para Krishtit, Persia ishte në rrugën e duhur drejt statusit të njësuperfuqie. Momenti kyç erdhi në vitin 550 Para Krishtit kur Kiri, i mbështetur nga një koalicion fisesh iraniano-jugore, marshoi drejt veriut për të sulmuar Medët dhe pushtoi kryeqytetin e tyre, Ekbatana.

Më pas, ai sulmoi mbretërinë e fuqishme të Lidias në Azinë e Vogël, duke pushtuar kryeqytetin e saj shumë të pasur, Sardis. Kjo fitore i hapi rrugën për të pushtuar qytete të tjera të rëndësishme përgjatë bregut të Detit Jonit.

Një moment tjetër historik në ngritjen e Persisë, ishte në vitin 540 Para Krishtit, kur Kiri nisi një sulm ndaj perandorisë neo–babilonase me qendër në Mesopotami, dhe hyri në qytetin jashtëzakonisht të pasur të Babilonisë. Mesa duket sundimtari pers nuk hasi asnjë rezistencë ushtarake ose politike dhe e ruajti statuskuonë, duke i lejuar zyrtarët babilonas të vazhdonin punën në postet e tyre qeveritare dhe fetare.

Pjesa më e madhe e njohurive tona mbi rënien e Babilonisë vjen nga Cilindri i Kirit, i shkruar me urdhër të Kirit, megjithëse nga një perspektivë babilonase. Si një pjesë e propagandës perandorake, Cilindri përpiqet që të legjitimojë pushtimin e Babilonisë nga Kiri duke përfaqësuar perëndinë Marduk.

Pas pushtimit të Babilonisë, Kiri krijoi një perandori vërtet ndërkombëtare. Në Pasargadae të Iranit, mbreti ndërtoi një varr dhe një vend të mbjellë me një kopsht të ujitur nga një mori kanalesh uji. Rezultati ishte një parajsë në mesin e shkretëtirës. Retorika mbretërore theksonte se të gjitha kombet e pushtuara të kësaj perandorie ishin të bashkuar në shërbim të Mbretit të Madh, dhe duhej t’u bindeshin ligjeve të tij.

Thuhej se mbreti përkrahej nga Zoti i Madh Ahuramazda, i cili i dha monarkut dhuratën e mbretërimit për të stabilizuar rendin botëror, pasi trazirat dhe rebelimi ishin të lidhura me kaosin kozmik. Rebelimi kundër autoritetit të perandorisë shihej si një revoltë kundër autoritetit hyjnor, pasi Mbreti i Madh i shërbente vullnetit të Ahuramazdës në Tokë.

Ritet dhe ritualet

Kiri i Madh vdiq në luftë, duke luftuar kundër një fisi të Azisë Qendrore të quajtur Masagetae. Nuk ka asnjë dyshim se vdekja e mbretit, i dha një goditje të rëndë projektit perandorak persian, por nuk ishte e mjaftueshme për të shmangur zgjerimin e perandorisë.

Në fakt, pasardhësi i Kirit, Kambisi II, i shtoi perandorisë një vend tjetër të rëndësishëm: Egjiptin. Burimet greke e portretizojnë Kambisin si një despot të çmendur, që shtypte në mënyrë tiranike nënshtetasit e tij, dhe që poshtëronte traditat fetare të vendeve të pushtuara prej tij.

Por dëshmitë arkeologjike në Egjipt, na japin një panoramë të ndryshme. Ato sugjerojnë sembreti pers zbatoi politikën e harmonisë fetare. Mbishkrimet nga Serapeum në Memfis (viti 524 Para Krishtit), konfirmojnë se ai nderoi vdekjen e një demi të shenjtë me ritet dhe ritualet e duhura.

Qëndrimi liberal ndaj besimeve të ndryshme fetare dhe kulturore nga Kambisi, duket se ka qenë një tipar dalluese i sundimit pers. Megjithatë, Akamenidët mund të përdornin edhe forcën brutale për të arritur qëllimet e tyre, siç dëshmohet nga ngritja e njeriut që do të rivalizonte Kirin II si sundimtari më i suksesshëm nga të gjithë sundimtarët persë, dhe do të drejtonte perandorinë në kulmin e saj:Dari i Madh.

Dari u ngjit një fron në vitin 522 Para Krishtit pasi rrëzoi djalin e Kirit, Bardija, përmes një grushti shteti të përgjakshëm. Ai ishte i pamëshirshëm në shtypjen e revoltave që e tronditën perandorinë. Në pak më shumë se një vit, ai mposhti, kapi dhe ekzekutoi udhëheqësit rebelë.

Për pjesën tjetër të mbretërimit të tij 36-vjeçar, ai nuk u kërcënua më nga asnjë kryengritje.

Tekstet bashkëkohore perse dëshmojnë për fuqinë e madhe të Darit dhe egërsinë e tij në mbrojtjen e perandorisë. Sipas një burimi, vetë Ahuramazda i kishte dhënë Darit“mbretërimin e kësaj Toke të gjerë me shumë toka në të Persinë, Median dhe tokat e tjera të gjuhëve të tjera, të maleve dhe fushave, të kësaj ane të oqeanit dhe anës së largët të oqeanit, të kësaj ane të shkretëtirës dhe anës së largët të shkretëtirës”.

Në një tekst tjetër, vetë mbreti paralajmëron ndëshkime të rënda që ai ishte gati të jepte për ata që guxonin të rebeloheshin. “Unë jam i egër në forcën e hakmarrjes sime, me të dyja duart dhe këmbët”– thuhet të ketë deklaruar ai. Megjithatë, reputacioni i frikshëm i Darit nuk u ndërtua vetëm mbi fuqinë e egër ushtarake.

Ai u angazhua për zbatimin e projekteve të ndërtimit dhe të inxhinierisë në mbarë perandorinë. Në Egjipt ai ndërtoi një kanal midis Nilit dhe Detit të Kuq. Në zemrën e Iranit ai filloi një program të madh ndërtimi në Persepolis, që do të bëhej kryeqyteti ceremonial i perandorisë së tij.

Qytetit të Suzës (Irani Perëndimor) iu dha një jetë e re kur u bë kryeqyteti administrativ i perandorisë. Drejtimi i një perandorie prej 5.2 milionë km2 paraqiste një sfidë të madhe logjistike, madje edhe për një sundimtar aq të aftë sa Dari.

Prandaj, ai i ndau territoret e perandorisë në satrapi (provinca) administrative, dhe u dha poste të larta një grupi të vogël njerëzish, të nxjerrë ekskluzivisht nga nivelet më të larta të aristokracisë persiane. Këta satrapë, u përpoqën të nxisnin ndërveprime të shëndetshme me elitat lokale.

Drejtimi i qetë i perandorisë, mbështetej në aftësinë e tyre për të siguruar pagimin e taksave nga çdo rajon, dhe e arritën këtë në pjesën më të madhe të perandorisë. Në fakt, sistemi i satrapisë, është një nga arsyet kryesore pse persët ishin në gjendje të kontrollonin një perandori kaq të madhe për aq shumë kohë.

Një faktor tjetër që i dha Perandorisë Perse një avantazh shumë të madh konkurrues ishte cilësia e infrastrukturës së saj. Rrugët e klasit të parë, lidhnin qendrat kryesore me bërthamën perandorake. Ato mateshin në intervale prej 6 km (të njohura si parasange), ndërsa stacionet rrugore ngriheshin çdo 27 km, për të mundësuar ndërrimin e shpejtë të kuajve të freskët, për çdo lajmëtar perandorak që transportonte dokumente zyrtare.

Herodoti vlerësonte se distanca nga Suza në Sardë në Anadollin Perëndimor (450 parasange – ose 2735 km) mund të përshkohej në vetëm 90 ditë. Gjerësia e madhe e perandorisë së Daritpasqyrohet gjithashtu në artin akamenid. Kjo ishte në thelb një përzierje eklektike e stileve dhe motiveve të nxjerra nga pjesë të ndryshme të perandorisë, por të shkrira së bashku për të prodhuar një pamje të veçantë dhe harmonike që ishte dukshëm persiane.

Motivet egjiptiane dhe asiriane (si disqet diellore dhe xhindët me krahë), u shkrinë së bashku për të pasqyruar në formë materiale diversitetin dhe unitetin e perandorisë. Në një farë mënyre, arti akamenid ishte gjithmonë një art mbretëror, pasi motivet e krijuara për lavdërimin e mbretit, gjenden vazhdimisht në pothuajse të gjitha artefaktet materiale perse, duke filluar nga skulpturat e gdhendura në shkëmb – si ato të gjetura në Bisitun apo tek varrete mbretërve në Naksh i-Rustam dhe Persepolis – deri tek gdhendjet e vogla të gjetura tek gurët e çmuar.

Pretendime të ekzagjeruara

Për të gjitha arritjet e tij si luftëtar dhe administrator, Dari i Madh mbahet mend, të paktën në Perëndim, si despot, planet pushtuese të të cilit për Greqinë, morën fund në një mënyrë të përgjakshme në Betejën e Maratonës. Ndërsa Dari mund të ketë pasur ambicie për ta përfshirë Greqinë në perandorinë e tij, tregimi i Herodotit mbi tensionet greko-persiane e ekzagjeron shumë përgjigjen persiane ndaj rezistencës greke.

Dari vdiq në vitin 486 Para Krishtit, dhe detyra e zgjerimit të perandorisë i kaloi djalit të tij Kserksit. Kserksi tregohej i pamëshirshëm kur e donte puna, si për shembull kur shtypi me shpejtësi rebelimet në Egjipt dhe Babiloni. Por ashtu si babai i tij, edhe mbreti i ri pa se gjeti grekët ishin një kockë fortë për t’u mposhtur. 

Edhe pse e pushtoi Athinën në vitin 480 Para Krishtit, ushtria e Kserksit pësoi disfata të rënda përballë grekëve si në det (Salaminë) ashtu edhe në tokë (në Plataea dhe Mikale). Përballë realitetit se Greqia nuk do të përfshihej kurrë në perandorinë e tij, Kserksi zgjodhi të braktiste pushtimin e tij dhe të kthehej në shtëpi.

Dekadat që pasuan sollën grushte shteti në pallatin mbretëror, rebelime të brendshme, humbje dhe ripushtimin e Egjiptit, si dhe shtypjen e një revolte në Sidon (në Libanin e sotëm). Por pavarësisht këtyre krizave, Persia dominoi e pa kundërshtuar, derisa në vitet 330 para Krishtit, në Greqi u shfaq një figurë që do të rrëzonte të gjithë perandorinë Akamenidebrenda pak vitesh:Aleksandri i Madh.

Mbreti që u ngarkua për ndalimin e maqedonasve ishte Dari III. Fakti që ai dështoi ta bënte këtë ishte një njollë në reputacionin e tij. Por në realitet Dari ishte një ushtar i guximshëm dhe një administrator i aftë, që përbënte një kërcënim serioz për ëndrrat e Aleksandrit për lavdi.

Por as ai nuk mundi të parandalonte dy humbje të mëdha ndaj Aleksandrit në betejë.

Në Isus në vitin 333 Para Krishtit, dhe në Gaugamela në vitin 331. Pas disfatës së dytë, Dariu arratis në Ekbatana në Iranin Perëndimor, në përpjekje për të mbledhur trupa të reja, dhe prej andej në Baktria, ku u vra nga kushëriri i tij, Besus. Vdekja e Darit në vitin 330 Para Krishtit, shënoi fundin e perandorisë perse dhe një fazë të re në historinë botërore. Një fazë ku Aleksandri i Madh, nisi të ndërtonte një perandori të madhe që do të eklipsonte edhe atë të persëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here