Fragmant nga ” Të dhëna mbi Historinë e Mesjetës së Hershme të Shqipërisë” A. Meksi
Kolonizimi sllav i Gadishullit Ballkanik, siç rezulton nga interpretimi i të dhënave burimore, është një proces i gjatë dhe jo rezultat i një viti. Inkursionet e para sllave në territoret e perandorisë bizantine i takojnë shek. V, ndërsa vendosja e tyre në këto toka fillon rreth fundit të shek. VI. Në vitet e fundit të sundimit të perandorit Anastas, në vitin 517, një valë sllavësh shkretojnë Thesalinë e Maqedoninë.” Në vitet 539-40 kutrigurët apo protobullgarët, në dy valë, kalojnë deri në Selanik e Konstandinopojë, duke u tërhequr përtej Danubit, si dhe përshkojnë Ilirikun deri në Greqi e Korint.
Pak më vonë, kemi futjen e parë të sllavëve në trojet e Shqipërisë së sotme. Prokopi i Cezaresë na bën të ditur se në vitin 548, kur trupat bizantine ishin të zëna në luftë kundër gotëve në Itali, një inkursion sklavenësh, pasi kalon Danubin, përshkon Ilirikun dhe arrin deri në territoret e Dyrrahut, duke vrarë e robëruar të gjithë të rriturit që takonin e duke rrëmbyer pasuritë. Ata arritën të shtien në dorë edhe mjaft kështjella që deri atëhere mbaheshin për të sigurta, duke bërë si deshën. Këtij inkursioni i takon dhe rrënimi i kishave të Bylisit (bazilikat A dhe B), duke u nisur nga gjurmët e rrënimeve dhe monedhat e gjetura mbi dysheme. Pas këtij rrënimi, Bylisi nuk e merr më veten dhe kthimi i bazilikës së Ballshit në një kishë peshkopale tregon për vazhdimësinë e jetës në këtë zonë. Megjithatë, gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian, Danubi mbetet kufiri verior i Bizantit edhe pse kemi inkursione deri në Korint, Selanik e madje deri në muret e Konstandinopojës. Përballimit të këtij rreziku i takon dhe fortifikimi i qyteteve dhe kështjellave që përmend biografi i perandorit, Prokopi i Cezaresë, nëpërmjet të cilave sigurohej vijueshmëria e sundimit bizantin, sepse sllavët nuk ishin në gjendje t’i merrnin ato.
Për periudhën që vijon deri në fund të viteve 70 të këtij shekulli burimet nuk na përmendin sulme të sllavëve apo dhe të avarëve në këto troje. Me vdekjen e Justinianit dalin në skenën ballkanike avarët, të cilët, nën udhëheqjen e kaganit Bajan, arrijnë të përdorin në inkursionet e tyre dhe popuj të tjerë, ndër të cilët dhe sllavët.
Për këto na flet së pari Menandri, sipas të cilit në vitin e katërt të mbretërimit të cezar Tiber Konstandinit erdhi në Traki populli sllav, afro 100.000 veta dhe plaçkiti Trakinë e shumë vende të tjera. Ndër kohë Tiberi i dërgon kaganit avar dy ambasada me kërkesën që avarët të sulmojnë sllavët, sepse qenë duke shkatërruar Helladën. Interpretimi nga ana e L. Maksimoviçit i titujve të përdorur për perandorin tregon se këto ngjarje kanë ndodhur në vitin 578 dhe 579. Inkursorët, siç tregon
shifra e lartë e tyre, kishin ardhur së bashku me familjet për t’u vendosur në tokat bizantine, ngaqë nuk i arriten synimet e tyre dhe u detyruan të kthehen prapa.
Mbas pak vitesh, sllavët sulmojnë sërish tokat në jug të Danubit dhe për këtë na njofton Jani i Efesit. Sipas tij, në vitin e tretë pasi vdes perandori Justin II dhe hipën në fron Tiberi (viti 580/1), sllavët sulmojnë Helladen, Trakinë e rrethinat e Selanikut, duke shkretuar fshatrat, ndër kohë që perandori i kishte duart të zëna në lindje nga lufta me persët. Gjithashtu, sipas Janit të Efesit, kjo vazhdoi për katër vjet, duke u sjellë ata njerëz nëpër perandori, domethënë deri në vitin 583/4. Kërkime të mëtejshme në dorëshkrimet e ruajtura të këtij burimi kanë treguar se sllavët u kthyen prapa pas këtij qëndrimi.
Me pushtimin e Sirmit nga ana e avarëve, në vitin 582, pas një rrethimi të gjatë, u hap rruga e pushtuesve për në Gadishullin Ballkanik dhe filloi përhapja e sllavëve në të sipas rrugëve që shpinin drejt Detit Egje, Selanikut e Konstandinopojës.
Dëshmi të mëvonshme për inskursione sllave në territorin bizantin na jep Miracula Sancti Demetrii, me Cudite 13-14-15, të datuara, si pas Lemerlit, në vitin 586 (22 shtator). Sipas saj (I-13) rreth 100000 sllavë, të shtyrë nga avarët, papritmas dhe për të parën herë shihen nën muret e Selanikut, duke u larguar pas një rrethimi të pasuksesshëm që zgjati 7 ditë. Krahasimi i kësaj të dhene me ato të kronikës së Monemvasise të viteve 587/88 tregon se sllavët paskëtaj vendosen në Greqinë Ju gore, si dhe në zonat e Maqedonisë.
Sipas kronikës së Monemvasisë. Në një tjetër inkursion Kagani pushton gjithe Thesaline, gjithë Helladen, Epirin e Vjetër, Atikën, Eubenë. Ata që pushtuan Peloponezin me armë dhe dëbuan popullsinë e vjetër dhe u vendosën vetë në të. Tributë sllave që morën pjesë në këtë rrethim të Selanikut, si dështuan në qëllimin e tyre, u drejtuan për në jug, duke shkretuar dhe provinca të tjera, ndër të cilat dhe Epirin e Vjetër.
Për këto shkatërrime flasin të dhënat e gërmimit të bazilikës të Ankiasmit (Sarandë), si dhe të vetë kështjellës, e cila, nga monedhat e gjetura, kuptohet se duhet të jetë rrënuar në këtë kohë. Monedhat (dy cope) janë të perandorit Justin II dhe Sofisë, të datueshme deri në fundin e vitit 578, qe ndërkohë mund të ishin ende në përdorim.
Me këto fise avaro-sllave, që shpërndahen pas rrethimit të Selanikut të vitit 587 – 88, një sërë studiuesish lidhin dhe formimin e sklavinive të para në territorin e Ballkanit. Kështu, prej tyre duhet të jenë slla vët, që, në vitet 90 të shek. VI, rezulton të kenë pushtuar qytetin e Lezhës. Nga letërkëmbimi i Papës Gregor I (590-604), mësojmë se në provincën e Ilirikut barbarët kanë rrënuar një sërë qytetesh dhe peshkopët e tyre, sipas një urdhëri të perandorit Maurik, duhet të ndihmohen nga një tjetër (viti 591).
Nga një letër tjetër e datuar në vitin 592, mësojmë se papa i cakton peshkopit të Lezhës vendqëndrim në Skuilace të Ilirisë së Jugut, sa kohë që qyteti i tij ishte në duart e armiqve. Kjo gjë rezulton dhe nga një letër tjetër e Papës Gregori, që datohet në vitin 597, ku mësojmë se peshkopi i Lezhës është ende në Skuilace.
Gjithashtu, në dy letra të tjera, që mbajnë datën 599 dhe 600, mësohet se këta barbarë janë sllavët, -Sclavorum gens. Ky fakt tregon për kohë të vështira dhe të pasigurta dhe se një grup sllavësh ka rrënuar qytetin. Megjithëkëtë, në letrat e mësipërme nuk flitet që bashkë me peshkopin kanë shkuar në Itali dhe banorët e qytetit, siç përmendet kjo në rastin analog të Europës në provincën e Epirit të Vjetër, banorët e së cilës, së bashku me peshkopin, shkuan në Kasope të Korfuzit.
Pranë Lezhës kemi qytete të tjera, njëkohësisht dhe qendra peshkopale, të cilat vazhdojnë të përmenden në atë kohë, pra nuk janë pushtuar apo rrënuar nga sllavët. Këto janë Skodra dhe Dioklea po të Prevalit, si dhe Dyrrahu. Largësia e tyre nga Lisusi dhe vetë natyra e terrenit në shpinë të tij përjashtojnë praninë e një popullsie të madhe sllave, e cila të mund të qëndronte për një kohë të gjatë aty.
” Të dhëna për historinë e hershme mesjetare të Shqipërisë (fundi i shek. VI — fillimi i shek. XI)” – Aleksander Meksi, 1989