Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dekada më parë hapi dyert për t’i dhënë jetë ikonave, artifakteve, kryeveprave, shumë objekteve të trashëgimisë sonë kulturore, të cilat ishin humbur nëpër errësirën e historisë. Të përzgjedhura deri në detaje, të mbledhura dhe të ruajtura mes sakrificash, të kuruara, dhe tepër sublime, prej një grupi vizionarësh shpresëdhënës.
Në materialin e publikuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë, thuhet se sot muzeu është në një godinë bashkëkohore, ku ruhet, konservohet, konsolidohet, ekspozohet, një pasuri e mbledhur prej vitesh, me të cilën krenohemi. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar (MKAM) në Korçë pas disa javësh i mbyllur nga pandemia më datë 18 maj hapi përsëri dyert, datë që përkon dhe me Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980.
Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullin XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shekullit XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi, etj. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj. I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016. I pozicionuar përgjatë Bulevard “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash por edhe një institucion unikal në rajon.