Poezi nga Alda Merini

S’kam nevojë për para.
Kam nevojë për ndjenja,
fjalë, fjalë të zgjedhura me urti,
për lule të ashtuquajtura mendime,
për trëndafilë të ashtuquajtur prani
për ëndrra që banojnë pemëve,
për këngë që çojnë peshë statujat në vallëzim,
për yje q’u pëshpërisin dashnorëve rrëzë veshit.
Kam nevojë për poezi,
kjo magji që djeg rëndesën e fjalëve,
që zgjon ndjenja dhe fal ngjyra të reja.
Poezia ime është e rrufeshme si zjarri
më përshkon gishtërinjtë si një rruzare.
Nuk lutem ngase jam poeti i gjëmës
që hesht, hera-herës, dhimbjet e një lindjeje mes orëve,
jam poeti që çirret dhe luan me britmat e veta,
jam poeti që këndon dhe s’gjen fjalë,
jam kashta e thatë mbi të cilën rreh tingulli,
jam ninulla që përlot fëmijët,
jam mendjemadhësia që vetërrëzohet,
jam petku i hekurt i një lutjeje të gjatë
të hidhërimit të shkuar që s’sheh dritë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here