Çelësi nuk qëndron në shmangien e vezëve, por në ekuilibrin dhe mënyrën se si kombinohen me ushqime të tjera
Vezët janë ndër ushqimet më të konsumuara në botë, të përballueshme, ushqyese dhe shumëpërdorimëshe. Ato janë të pasura me vitamina, aminoacide thelbësore, acid folik, acide yndyrore omega-3 dhe minerale si seleni dhe hekuri. Për më tepër, përbëjnë një burim proteine me cilësi të lartë, që ndihmon në rigjenerimin dhe ndërtimin e qelizave.
Megjithatë, për shkak të përmbajtjes së kolesterolit dhe yndyrnave, roli i vezëve në ushqimin e personave me kolesterol të lartë apo me sëmundje kardiovaskulare vazhdon të jetë temë diskutimi.
Sipas një analize të publikuar nga Mayo Clinic, konsumimi i moderuar i vezëve – deri në shtatë copë në javë, nuk e rrit rrezikun për sëmundje të zemrës apo të enëve të gjakut te personat e shëndetshëm. Përkundrazi, vezët mund të jenë pjesë e një diete të ekuilibruar, nëse kombinohen me perime, drithëra integrale dhe yndyra të shëndetshme.
Edhe një analizë e publikuar në National Institutes of Health (NIH) raporton se në shumicën e rasteve, konsumimi i moderuar i vezëve nuk lidhet me rritje të incidencës së sëmundjeve koronare, përderisa dieta e përgjithshme është e pasur me fibra dhe yndyra të pangopura.
Në të kundërt, siç thekson Journal of the American College of Nutrition, konsumimi i sasive të mëdha, veçanërisht më shumë se 12 vezë në javë, mund të rrisë rrezikun për probleme kardiovaskulare, sidomos te personat me nivele të larta të kolesterolit LDL (“kolesteroli i keq”), transmeton Telegrafi.




