Letër e një grupi patriotësh (Abdi B. Toptani, Emz. Nikollë Kaçorri, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mustafa Asim Kruja dhe Rexhep Mitrovica), dërguar perandorit Franc Josef të Austro-Hungarisë, ku protestojnë për fatin e Shqipërisë, e cila rrezikohet të copëtohet ndërmjet fqinjëve. Në të kërkohet që të mbrohet integriteti i katër vilajeteve shqiptare dhe të ruhet autonomia e plotë e Shqipërisë.
Në tetor të vitit 1912, Rexhep Mitrovica, Nikollë Kaçorri, Abdi Toptani, Bedri Pejani, Fuad Toptani, Mustafa Kruja, Sali Gjuka i drejtohen me një letër e përbashkët perandorit Franc Jozefit I të Austro-Hungarisë, ku e bëjnë me dije për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga katër shtetet e Ballkanit, të cilat “duen me e përpii a me e coptue”, duke kërkuar njëkohësisht prej tij që të mos preken kufijtë e Shqipërisë dhe kështu, e “pavogëlueme të ketë autonomië të plotë nën Mbretninë Otomane”. Nëse Turqia, shtojnë nënshkruesit, nuk mund ta mbrojë Shqipërinë e përbërë prej katër vilajetesh, që ka tre milionë shqiptarë, atëherë t’i lejojë shqiptarët që, sikurse popujt tjerë ballkanikë, të bëjnë shtetin e tyre më vete, sepse “shqiptarët janë nji komb ma i vjetri nër këta, me nji gjuhë e zakone fare të veçanta”. Shkruesit e letrës shtojnë se shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, prandaj meritojnë të jenë të pavarur, të kenë një mbretëri “mbas dëshirës së shqiptarëve, sikurse Belgjika e Zvicra”.
Ja letra e plotë
Madhnië, Tetor 1912
Shumë të vështira e të rezikshme jan këto dit për ne Shqiptarët e për nanën t’on Shqipninë qi të katër shtetet e Ballkaneve po rrain me përpii a me e coptue. Na ma sae fuqië kena mundohena edhe perëndisë i lutena qi Mbretnija jon t’muisi këta anmiq e të na prui (mbrojë) prej sish. Por për fat të keq gjasat nuk po na duken fort të mira e po shohim se shumë vende të katër vilajeteve të Shqipnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë, gjinden nden kambë të hueja.
Për këtë shkak po marrim lejen m’u sjellë kah Madhnija Jote si Perandorit të nji Perandorisë madhe qi asht ma e afërmia jon e ban pies në Ballkan me Bosnie e Herzegovinë, e me Ju lutun qi në qashtjet të Balkanve të merret parasyshë edhe Shqipnija në mënyrë qi kufit e sajë mos të përkiten e mos të shtyhen prej kurrkui e qi Shqipnija kështu e paabërkame e e pa voglueme të ketë një Autonomië të plotë nën Mbretnin Otomane.
Për në kjoftë se për fat të zië qillon, qi kio Mbretnië nuk ka me muit ma mbas luftës sotshme me sundue në kurfarë mënyrë Shqipnin prej katër vilajetesh përmendun sipri, me tre milion e ma shqiptarë të bahet nji Mbretnië në vehte sikurse të tjerat Shtete Ballkanve, në daç përse Shqiptarët jan nji komb ma i vjetri ner këta, me nji gjuhë e me zakone fare të veçanta e gjaku i tyne nuk munst e paitue kurrsesi me ç’do gjak të kombeve qi jan rreth e rrotull, në daç përse nuk do t’jeshte e drejtë humbja, as zvoglimi i nji kombi Shqyptarë si për numër ashtu edhe për mend, si edhe për vieftën morale me të cillën sado qi për nji kohë shekuish shum të gjatë kie rrahun në çdo krah e në çdo mënyrë prej shum e shum tallazesh politike, qëndroi në kombësië të vet e në zakone të veta porsi nji shkamb i fortë në midis detit e kiarishtë e diftoin theroritë e mëdhaja qi Shqiptarët hoçën për roin, gjytetarimin e përparimin e kombit vet në këtë kohë të mrame të Tyrqvet të Rië, në daç edhe, përse na duket se nji mbretnië Shqyptare mban peshën jo vetëm të Ballkanve por edhe të gjitha shteteve t’Europës e sidomos n’muit m’u baa mretni e pa anë mbas dëshirit ton, sikurse Belgji e Svizera.
Prei gjithë këtyne shkaqeve e arsyeve na e pshtesim të tan shpresën t’onë në ma të madhen mirësinë e Madhnisë Tande, për të cillën na e gjith Kombi Shqyptar kaa për të Jau ditun për nderë për gjithmand.
Me shpresë të madhe qi të lutnat t’ona kanë me u bërkaa zembren e Madhnueshme të Madhnisë Tande kemi nderien e ma të madhen me vu këtu duër t’ona e m’u përmendun.
Të detyrueshmit Shërbtorë
Të Madhnisë s’Ate
Abdi b. Toptani
Emz. Nikollë Kaçorri
Bedri Ipeku
Salih Gjuka
Mustafa Asim Kruja
Rexheb Mitrovica
AQSH, F.43, pa vit, D. 1200, f. 1; (Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare 1910-1912, IHP, Prishtinë, 2003, f. 319)



