6.1 C
Pristina
Wednesday, May 12, 2021
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri...

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka shqyer vargonjtë e robërisë dhe ka luftuar për të drejtat e veta, madje edhe duke luftuar së bashku me burrat për të mbrojtur vendin, lirinë, Atdheun. Po ta shfletojmë historinë kombëtare prej kohës së ilirëve e deri në kohën tonë, mësojmë  se roli i femrës në botën shqiptare ka qenë mjaft i rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës. Mbretëresha e parë e ilire ishte, Teuta.  Femrat shqiptare kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në periudhën e Bizantit dhe në kohën e principatave shqiptare, si:

Angjelinë Muzaka, Ana Komnena, Helenë Balsha, Zafinë Muzaka, Komnenë Muzaka, Marie Muzaka, Mamicë Kastrioti, Marë Kastrioti, Marie Kastrioti, Donikë Muzaka- Kastrioti, Vojsa -Vojsavë  Kastrioti Boksa Dukagjini, Marie Dukagjini, Serafina Topia.

Gjatë shekujve të robërisë turke në viset shqiptare janë shquar edhe emra luftëtaresh,

Të njohura si vashat e Kurbinit në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Po ashtu një trimëri kolektive kanë treguar edhe gratë e krahinës së Sulit, suljotet arvanitase, në krye me trimëreshën, Bubulina Laskaria. Një femër me karakter burri, hakmarrëse dhe luftarake ka qenë edhe  Shanisha Tepeleni, nëna e Ali Pashës.

Në botën intelektuale shqiptare të kohës së Rilindjes Kombëtare njihet edhe princesha rumune me origjinë shqiptare, Elena Gjika. Në luftën për çlirimin e Shqipërisë njihej edhe Tringa Smajli. Në kujtesën popullore njihet edhe Hajrije Garria, motra e Halilit dhe e Mustës, e cila ndëshkon burrin dhe të birin për shkak të tradhtisë.

Marigo Posio, është e njohur si femra që brenda natës qëndisi shqiponjën  në flamurin kombëtar, me të cilin Ismail Qemali  shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Në luftë kundër pushtimit serb u shquan, Qerime Halili nga Radisheva e Drenicës, e cila prej vitit 1924 e deri në vitin 1927 ishte edhe udhëheqëse e luftëtarëve dhe çetave popullore shqiptare në Drenicë e më gjerë pas rënies së kryetrimit të luftës çlirimtare kundër mbretërisë okupatore despotike serbe, Azem Bejtë Galica.

Në luftë kundër forcave masakruese bullgare në Iliridë, në Malësinë e Gostivarit, në kohën e luftërave Ballkanike, në vitin 1913, u shqua Sulltane Qafa e cila ra trimërisht në mbrojtje të nderit dhe të familjes.

Në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës u shqua heroina Marie Shllaku, të cilën regjimi komunist titist-jugosllav, e dënoi me vdekje-pushkatim.

Një femër  jo sa duhet e njohur ndër ne është edhe Gjystina Shkupi, infermiere dhe luftëtare në luftën e Spanjës së viteve 1937-1939 së bashku me shumë luftëtarë shqiptarë, si Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Xhemal Kada e shumë të tjerë. Një rol me rëndësi përkrah burrave kanë quajtur edhe femrat shqiptare në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Edhe në Lëvizjen Nacional-Demokratike shqiptare janë shquar disa femra heroina, në mesin e tyre sidomos, Marie Shllaku.

Marie Shllaku ka lindur  më 22 tetor të vitit 1922 në lagjen Badra,  në qytetin e Shkodrës. Ishte  bija e Mark Simonit dhe e Diles, e ardhur nga një familje me origjinë nga Palajt e Dukagjinit. I ati kishte një pijetore në Gjuhadol dhe me të shoqen u trashëguan me tri vajza dhe një djalë, Ndocin, Rozën, Marien dhe Luvian.

Maria, shkollimin fillor dhe të mesëm e mori në shkollën fetare “Motrat Stigmatine” dhe më tej u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë-Filozofisë, në Romë. Në saje të përkujdesjes së drejtpërdrejtë të atdhetarit e poetit të madh shqiptar, At Gjergj Fishta, i njohur si Homeri i shqiptarëve, Maria kishte mësuar mirë historinë shqiptare, ndërkohë që kishte mësuar edhe gjuhët, gjermanisht, italisht, frëngjisht, latinisht si dhe gjuhën e vjetër greke.

 Pasi studimet iu ndërprenë nga lufta, u kthye nga Roma  dhe e emëruan   sekretare në ministrit të Punëve Botore, të cilin asokohe, në Tiranë e  udhëhiqte, Iljaz Agushi. Më 25 shkurt  të viti 1943 u caktua të punojë në Prizren si inspektore financash për prefekturat e nënprefekturat e Kosovës.

Më 6 maj 1944 u pushua nga puna për motive politike. Në shtator arrestua nga gjermanët, por me ndërhyrjen e Xhafer Devës u lirua. Më 9 shtator të po atij viti, kur hynë brigadat partizane, në Gjakovë, iu bashkua çetave të NDSH-së, me të cilat edhe kishte mbajtur lidhje. U përpoq të koordinonte luftëtarët  e Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, Ndue Përlleshit e Ukë Sadikut, në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, ku veç kontributit të veçantë të profesor Ymer Berishës, një rol shumë të randësishëm luajti edhe Marie Shllaku. Me porosi dhe ndihmën e At Bernardin Llupit ajo strehohet në Dobërdol, në shtëpinë e Dan Pjetrit. Prej aty ajo luajti  një rol të jashtëzakonshëm në organizimin e Kuvendit të Dobërdolit të Ujmirit, e bashkë me profesor, Ymer Berishën dhe komandantin,  Ukë Sadiku, të cilët edhe  ishin udhëheqësit kryesorë të atij Kuvendi, mbajtur 24-25 gusht 1945 te Llugat e Dan Pjetrit. Fjalimi i Maries në atë Kuvend do të mbahej  mend për shumë kohë  nga shumë pjesëmarrës që i mbijetuan luftës.

Prej 26 dhjetor të vitit 1944 e deri me 27 shkurt të vitit 1945  themelohet Komiteti Demokratik Shqiptar, që synonte krijimin e një rezistencë aktive kundër ripushtimit të Kosovës, kësaj radhe nga partizanët komunistë.

Marie Shllaku në organizimin e rezistencës mbarëkombëtare nga Organizata NDSH-së dhe Besa Kombëtare, ka luajtur  një rol të rëndësishëm edhe në Kuvendin e Doberdolit.

Asokohe shquheshin luftëtarët popullorë, nacionalistët e njohur si: Shaban Polluzha, Ukë Sadiku, Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Zef Gjidoda, Ymer Berisha, Qazim Bajraktari, Shaban Dema, Kolë e Pashuk Bibë Miraka,  Ajet Gërguri, Osman Bunajku e të tjerë,  e në mesin e tyre edhe trimëresha nga Shkodra, Marie Shllaku.

Në  monografinë e studiuesit,   Tomë Mrijaj thuhet se  “Me ardhjen në Kosovë të babait të Marie Shllakut, Mark Simonit nga Shkodra, i dërguar nga Qeveria e Komuniste dhe forcat e Sigurimit, për t’ia mbushur mendjen vajzës së tij të re, që të heqë dorë nga rruga e saj patriotike, ajo  nuk prani të dorëzohet e të kthehet pranë familjes,  por qëndroi në male, me çetat nacionaliste të Kosovës, derisa u arrestua e më pas u dënua me vdekje-pushkatim

Dita e  12 shtatorit e vitit 1945 ishte ditë e rëndë dhe e zezë për luftëtarët e Kosovës dhe për fshatarët e Drenicës e Dukagjinit,   pasi në  vendin e quajtur,  Çelia e Jellovcit fshat i komunës së Klinës,  u zhvilluan luftime të ashpra kundër forcave të egra sllavo- komuniste. Gjatë kësaj përleshje që zgjati me orë të tëra trimat e NDSH-së nuk dorëzoheshin. Atë natë shtatori me gjakun e tyre të pastër lanë tokën e ripushtuar të Kosovës kreshnike, ushtarët  çetës se profesor,  Ymër Berishës e të Ukë Sadikut. Në luftën e Çelisë së Siçevës u asgjësua Çeta e komandantit të njohur, Ukë Sadikut nga Gjurgjeviku i Madh. Në atë betejë ranë Sadri Hoti, nipi i  Ukë Sadikut  – Isufi, Smajl Hajdari, Rexhep Ademi, Sadik Lutani,   Zefi me djalin e tij, Metë Dina e të tjerë,  ndërsa u plagosën Alush e Murat Smajli, Marije Shllaku, Ali Meta etj. Edhe nga ana e forcave çetnike e partizane  kishte shumë të vrarë e të plagosur.

Nga vendi i njohur si “Lugina e Çelisë” dolën të gjallë nga Çeta e Ukë e Shaban Sadikut, por me shumë plagë të rënda në trup tetë luftëtarë: Komandanti, Shaban Sadiku, Ali Meta, Musli Hoti, Marie Shllaku, Alush Smajli,  Rexhep Ismajli i njohur si Kapter Rexhepi, Ali Zeqiri dhe Sokol Ahmeti.

Marie Shllaku mori pjesë  edhe në Kuvendin e Drenicës, që u mbajt më 20 janar të vitit 1945. Aty mbajti një fjalim të fortë atdhetar, i cili pati ndikim edhe në pajtimin e dy prijësve të Luftës së Drenicës: Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës. Maria ishte e lidhur edhe  me shqiptarë të besimit islam, jo për shkak të fesë, apo për ndonjë shkak tjetër, por pikërisht sepse si një atdhetare e shquar, e dinte se shpëtimi i kombit mund të vinte vetëm po qe se do të bashkoheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja dhe ndarja krahinore.

Në luftën për çlirimin e atdheut nga ripushtimi jugoslla Marie Shllaku, jo rastësisht u gjend edhe në Drenicën legjendare, ku për dymbëdhjetë vjet me radhë kishte luftuar e kishte qëndruar heroikisht  heroina e popullit, Qerime Halil Radisheva, e njohur si Shote Galica. Po kështu, edhe pse ishin kohë të turbullta, ato kohë kur doli kundër tradhtisë që partizanëve komunistë të Kosovës, heroi Shaban Palluzha, Marie Shllaku, pa kurrfarë hamendjeje, që në ditët e para doli në anën e tij dhe e përkrahu deri në fund

Në luftën e Siçevës, ditën e tretë të festës së Bajramit në prill ku mbetën në betejë mbi 30 burra të zgjedhur të atdheut, ajo mori disa plagë në trup, pasi i  shpëtoi rrethimit. Për fat të keq, ajo më vonë në fshatin Açarevë, kah fundi vitit  1945 u zu rob nga bashkëpunëtorët e UDB-së.

 Në procesin gjyqësor i zhvilluar asokohe në Prizen kundër 27 nacionalistëve shqiptarë të NDSH-së trimëresha, Marie Shllaku qëndroi heroikisht e burrërisht,

Gjykimi i grupit të madh të liridashësve të vërtetë shqiptarë zgjati 13 ditë. Ai u mbajt në ndërtesën ish Shtëpisë së Kulturës në Prizren, duke filluar nga data 29 qershor 1946 e deri me datën 11 korrik të atij viti. Asokohe prokuror i përgjithshëm ishte Ali Shukriu. Gjatë seancës përfundimtare të gjyqit, në listën e të akuzuarve ishin 27 nacionalistë shqiptarë.  Kur hetuesi e pyeti Marie Shllakun: kur ke nisur të merresh me politikë, ajo u përgjigj:  Unë qysh  herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria e ime për atdheun, përpjekja ime për një Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë”.

Maries Shllakun e  pushkatuan në Prizren në nëntor të vitit 1946, pas gjyqit që iu bë asaj bashkë me 26 luftëtarët e tjerë të angazhuar për bashkimin e trojeve shqiptare. Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me UDB-në vendosën në atë kohë pushkatimin për Marie Shllakun, 24 vjeçare, At Bernard Llupin, 60 vjeç, Kolë Parubin, 41 vjeç dhe  Gjergj Martinin, 29 vjeç, të gjithë ishin nga qyteti i Shkodrës, të cilët u dënuan më 15 korrik 1946, ndërsa i pushkatuan në nëntor të po atij viti.

Ideali i Marie Shllakut ishte të shihte Kosovën e lirë, bashkimin e shqiptarëve brenda kufijve etnikë dhe krijimin e një shteti të fortë shqiptar, një Shqipëri, që do të bënte bashkë trojet shqiptare, tash për tash të shkapërderdhura në gjashtë shtete të Ballkanit.

( Ahmet Qeriqi)

Literatura:

Ahmet  Qeriqi: Femra shqiptare kurdoherë aktive në jetën e popullit tonë për liri, arsim, dije e kulturë.

Tomë Mrijaj: Marie Shllaku: Bija e Shkodrës martire e Kosovës.

Vikipedia.

Leonora Laçi, shkrim i botuar  26 shtator 2014, gazeta Dielli.

MSC, Kristinë Dedaj, shkrim i botuar në  dhjetor, 2017.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Anija kozmike 14 miliardë milje larg Tokës ka mbledhur tinguj misteriozë nga një galaktikë tjetër

Voyager 1, anija kozmike më e largët nga Toka, e cila aktualisht është 14 miliard milje larg, ka zbuluar tingullin e universit.

Si ndikoi pandemia që numri i rinocerontëve të rritet në nivele rekord?

Numri i rinocerontëve me brirë në Nepal ka arritur nivelin më të lartë prej më shumë se 20 vjetësh, pjesërisht për shkak...

A e dini arsyen pse piratët mbulonin njërin sy?

Fakti që pothuajse të gjithë piratët mbuluan njërin sy me një kapak të zi sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me një...

Në Tokë kanë jetuar 2.6 miliardë specie të llojit T-Rex

Studiuesit kanë bërë një përllogaritje të popullatës së Tiranosaurve Rex, species me madhësi sa një autobus, që ka jetuar 2.4 milionë vjet...

Recent Comments