Në ambientet e Universitetit të Korçës u zhvillua sot një simpozium shkencor në nderim të intelektualit dhe patriotit Llazar Zai Fundo, një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare të fillimshekullit XX. Aktiviteti mblodhi akademikë, studiues dhe studentë, të cilët referuan mbi jetën, veprën dhe kontributin e Fundos në fushat e filozofisë, politikës dhe mendimit kritik.
Gjatë simpoziumit u sollën fakte dhe dokumente të reja mbi jetën e Fundos, përfshirë dhe rolin e tij si një ndër shqiptarët e parë nënshkrues të Manifestit të Vento Tenes, një dokument themelor që i parapriu idesë së Bashkimit Europian. Përmes këtij aktiviteti, Universiteti Fan Noli, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Korçë, synon jo vetëm të nderojë këtë figurë të ndritur, por edhe të rivlerësojë kontributin e tij njerëzor, intelektual dhe kulturor, duke e vendosur në vendin që i takon në historinë e mendimit shqiptar.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, në një prononcim për CNA, e cilëson Zai Fundon si një intelektual të klasit të parë, një patriot, idealist dhe njeri me kurajë të jashtëzakonshme.
Ai thekson se, për fat të keq, figura e Fundos ka qenë pak e njohur ose keqinterpretuar, sidomos për shkak të mënyrës se si u trajtua historia gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Ndër të tjera, ai ve në dukje me krenari faktin se Zai Fundo ishte një ndër nënshkruesit dhe hartuesit e Manifestit të Vento Tenes.
“Sot tek ambjentet e universitetit do të organizohet ky simpozium në nderim të një figure shumë të rëndësishme siç është Llazar Zai Fundo. Zai Fundo është padyshim një nga figurat më të rëndësishme do të thoja unë të Korçës e të Shqipërisë, të gjysmës së parë të shekullit 20-të, një figurë komplekse të cilin në rast se do të duhet ta përkufizoja me disa cilësi do të thoja që ishte një intelektual i klasi të parë, një patriot, një idealist dhe një njeri shumë kurajoz. Për fat të keq është një figurë e cila është e njohur shumë pak, ose në rastin më të keq edhe është keqinformuar në lidhje me të, për shkak edhe të historisë së Shqipërisë gjatë periudhës së komunizmit. Kështu që besoj se universiteti ka ndërmarrë nismën e duhur për të bërë një simpozium dhe për të bërë një studim të thelluar dhe të detajuar të kësaj figure komplekse. Jam shumë kurioz të shoh e të dëgjoj referatet dhe gjetjet e këtyre studimeve të cilat padyshim do të zbulojnë shumë nga figura e Zai Fundos. Veçant të tjerash duhet ta themi me krenari që është një nga personalitetet e para shqiptare i cili ka qenë nënshkrues dhe hartues i manifestit të Vento Tenes, që është dokumenti në themel të projektit të Bashkimit Europian të cilin ne synojmë të aspirojmë”, tha Filo.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Erjon Nexhipi, u shpreh se ky aktivitet është fryt i një bashkëpunimi të nisur që prej vitit të kaluar me universitetin, dhe se ai përbën një emocion të veçantë.
Ai e cilësoi Fundon si një përfaqësues të mendimit europian dhe të atdhetarisë shqiptare, për të cilin Korça ka privilegjin ta quajë bij të saj.
“Është një aktivitet i parashikuar nga viti i kaluar, një aktivitet që në fakt po na krijon emocion pa filluar. Ne në kuadër të bashkëpunimit që kemi me universitetin, kemi zhvilluar disa konferenca, ky është një tjetër aktivitet shkencor që unë shpresoj do të sjellë kontribute për të evidentuar një figurë atdhetare dhe të mendimit europian të Shqipërisë që ne për fat kemi privilegjin ta kemi atdhetar të Korçës. Është një figurë komplekse shumëdimensionale që një aktivitet i kësaj natyre thjesht kontribuon, nuk mjafton. Mendoj që në periudhën e ardhshme do ketë nevojë të ketë aktivitete të tjera të ngjashme për ti dhënë ato vlera që ky patriot ka”, u shpreh Nexhipi.
Në intervistën e tij për CNA, Prof. Dr. Gjergji Pendavinji, pedagog në Departamentin e Shkencave Sociale, thekson se Llazar Fundo ishte një mendimtar që e kishte paraprirë kohën e tij dhe që sot ka ardhur momenti të zerë vendin e merituar në historinë e kombit dhe të mendimit politik shqiptar.
Ai shton se Fundo ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në hartimin e Manifestit të Vento Tenes, dokumenti i parë i plotë që shërbeu si bazë për idenë e Bashkimit Europian. Sipas profesor Pendavinjit, ky manifest përfaqëson një nga përpjekjet më serioze të kohës për të shmangur luftërat në kontinentin europian përmes modelit federalist, një ide që Llazar Fundo e mbështeti dhe e përfaqësoi me dinjitet.
“Sot kemi një aktivitet shkencor, simpozium, që i kushtohet figurës dhe personalitetit tonë të shquar Llazar Zai Fundo. Ai vërtet ka një vend të merituar por që nuk është ndriçuar për një kohë shumë të gjatë, gjatë kohës së diktaturës por edhe tani ka ardhur koha që ai të zerë vendin e duhur në historinë e mendimit shqiptar, historinë e këtij kombi. Llazar Fundo është një nga ata persona që ka ecur më shpejt se koha. Ka qenë vërtet një prekursor i ngjarjeve të kohës dhe këtë e ka treguar kontributi i tij në lëvizjen kontinentale europiane të federalizmit. Unë këtë kam si objekt të trajtimit në kumtesën time, duke kërkuar një model të ri të organizimit politik të shoqërisë kontinentale europiane për të evituar hegjemonizmin, totalitarizmin dhe autoritarizmin, luftërat dhe të gjitha peripecitë që ka kaluar në shekullin e 20-të e gjysmën pas shekullit 20-të shoqëria europiane. Ky ishte modeli federalist dhe ai ka qenë një nga ideatorët falë formimit të tij ekselent, shkollimit të tij në Sorbonne, në jurisprudencë.
Ai i njihte mirë problemet, u bashkua me të gjithë elitën europiane të cilët e përpunuan dhe e përhapën idenë e federalizmit si shpëtimin e këtij kontinenti dhe kulmin e arriti në kohën e luftës, manifesti i Vento Tenes. Vento Tena një ishull i vogël në detin Tirren në Itali, atje u internuan të gjithë antifashistët, ata që Benito Musolini i konsideronte të rrezikshëm dhe pikërisht këta u bashkuan dhe formuluan një manifest të Europës së lirë e të bashkuar. Ky është dokumenti i parë më i kompletuar, një projekt politik për Bashkimin Europian. Ky ka qenë Llazar Fundo dhe krenohemi si shqiptarë që paskemi patur njerëz të tillë që kanë kontribuar për Europën”, tha Pendavinji.
Prof. Dr. Irena Nikaj, pedagoge në Departamentin e Edukimit, thekson se pjesëmarrja e saj në këtë konferencë nuk është thjesht përkujtimore, por një thirrje për drejtësi të munguar.
Ajo tregon se Fundo u ekzekutua në mënyrë mizore, me urdhër politik, në bashkëpunim me elementë të ushtrisë partizane jugosllave, çka e bën këtë një plagë të hapur për ndërgjegjen historike të shqiptarëve. Sipas saj, vetëm përmes pranimit të së vërtetës dhe vlerësimit të mendimit ndryshe, historia mund të shërbejë si udhërrëfyes për një të ardhme më të drejtë.
“Unë kam zgjedhur të marr pjesë në një konferencë që i kushtohet figurës, veprimtarisë por edhe mungesës së drejtësisë për Llazar Zai Fundon, i cili ka humbur jetën në rrethana tragjike dhe siç mendoj unë, për shkak të qëndrimeve, ideve dhe mendimeve, të cilat në kushtet e luftës dhe të justifikimit të banditizmit brenda kuadrit të luftës dhe të ushtrisë nacional çlirimtare, ka humbur jetën në bashkëpunim edhe me ushtrinë partizane, antifashiste çlirimtare jugosllave. Më shumë sesa thjesht një përkujtimore, unë do të doja të ftoja për drejtësi. Figura si Llazar Fundo por edhe të tjerë, të cilët ishin kundër mënyrës se si po ndërtohej drejtimi i luftës antifashiste dhe i pushtetit të ardhshëm, ishte dënimi me vdekje që ata morën edhe në mënyra mizore. Për shembull, është vetë vullneti i drejtuesit, komisarit politik të ushtrisë nacional çlirimtare që Llazar Fundo të torturohej dhe pastaj të vritej. Pra, unë mendoj shoqëria jonë pas 80 viteve që kanë ndodhur krime të tilla, ka nevojë urgjente për drejtësi. Sigurisht këto konferenca i shërbejnë vetëdijësimit, opinionit publik për atë që ka ndodhur gjatë luftës, dhe kjo drejtësi do të ndihmonte që lufta antifashiste nacional çlirimtare e shqiptarëve të mos mbulohej ose të mos errësohej vlera e saj nga krime të tilla të cilat duhet të marrin përgjigje. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Unë mendoj se të gjitha këto figura që kanë bërë pluralizmin e mendimeve, ideve dhe të Shqipërisë pas luftës, duhet të marrin drejtësi”, deklaroi Nikaj.
Prof. As. Dr. Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, shprehet se Llazar Fundo ishte një nga figurat më të fuqishme të mendimit intelektual shqiptar, i cili për një kohë të gjatë ka mbetur në heshtje, për arsye si subjektive ashtu edhe objektive.
Spaho vuri në pah veçanërisht kontributin e Fundos në shtypin e viteve ’20, pas kthimit të tij nga studimet në Sorbonë, ku ai kishte përthithur idetë e revolucionit francez dhe kishte ndërtuar marrëdhënie me disa nga mendimtarët më të mëdhenj të kohës.
Skicat e tij satirike, të botuara në “Gazetën e Korçës” në vitin 1923, trajtonin me ironi dhe thellësi problemet më të mprehta të realitetit shqiptar, si sistemi arsimor, ushtria, gjakmarrja, varfëria dhe martesat ndërfetare.
“Llazar Fundo është një figurë e shquar e mendimit intelektual shqiptar. Për një kohë të gjatë kjo figurë ka mbetur në heshtje, e pazbuluar në dimensionet e veta për arsye subjektive apo objektive, por mendoj që ka ardhur koha që këto personalitete të fuqishme të mendimit shqiptar, të dalin në dritë dhe të rivlerësohet figura e tyre në kontekstin e sotëm por edhe në horizontet e tjera të pritjes. Përgjithësisht unë jam përqëndruar në lidhjet e Llazar Fundos me shkrimin të themi letrar, bëhet fjalë për skicat e tij satirike të botuara tek Gazeta e Korçës në vitet 1923 kur ai sapo ishte kthyer i sapodiplomuar në Sorbonne, me një bagazh intelektual të adhurueshëm, me idetë e revolucionit francez, me përvojën e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë dhe francezë të cilët një pjesë të mirë i kishte patur miq, dhe pikërisht me këtë bagazh ai vjen e kontribuon në shtypin e kohës veçanërisht në gazetën e Korçës me skicat e tij satirike të cilat prekin probleme të mprehta të aktualitetit shqiptar.
Me atë penën e tij, me analizën që iu bën elementeve të këtij realiteti, siç janë sistemi arsimor, ushtria, mentaliteti shqiptar, mënyra e jetesës, plagë të tilla si gjakmarrja, varfëria, martesat mes dy feve që atëherë ishin akoma tabu, zenë vend në skicat satirike të tij dhe përcjellin një mesazh për shoqërinë e kohës e cila sapo kishte filluar të emancipohej dhe ti shikonte plagët e saj madje edhe në mënyrë satirike, ironike ashtu siç Zai Fundo shfrytëzoi përvojën dhe i pasqyroi në shkrimet e tij. Kjo traditë që hapi ai, do të ndiqej nga plejada e shkrimtarëve të viteve 1930, Nonda Bulka, Qemal Stafa etj, në kuptimin e kësaj që të ndërtonin një lloj shkrimi të tillë satirik ku të godisnin problemet më të mprehta të realitetit të asaj kohe. Zai Fundo ka meritën që ishte ndër të parët që e hapi këtë udhë në shtypin shqiptar”, u shpreh Spaho.
Dr. Suela Dinellari, përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Sociale, në kumtesën e saj tregon se Zai Fundo mbetet një emër ende pak i eksploruar, por me potencial të madh për të ndriçuar mendimin shqiptar dhe europian.
Ajo thekson se Fundo del si një vizionar, një mendimtar që i ka paraprirë kohës dhe që pavarësisht distancës historike, ofron ide që mund të shërbejnë ende për të ardhmen e Shqipërisë dhe për aspiratën drejt Bashkimit Europian.
Kjo qasje e re në analizën e veprës dhe mendimit të Fundos përfaqëson një risi në debatin akademik shqiptar, duke i dhënë atij vendin e munguar ndër mendimtarët europianë që kanë kontribuar për paqen dhe bashkëjetesën mes kombeve.
“Në rradhë të parë, për mua është një event i veçantë në fokus të një kumtese si një kërkim shkencor, vendosim një emër që pak është lëvruar në aspektin politik, filozofik dhe letrar. Zai Fundo në kumtesën time ze një vend të veçantë sepse krahasohet me një figurë shumë të madhe të mendimit gjerman që është Emanuel Kanti dhe që përballë njëri tjetrit ata kanë në fokus paqen dhe Europën e Bashkuar. Jo më kot ne jemi përpjekur që Zai Fundon ta vendosim si një ndër iniciatorët e mendimit edhe për këtë lloj federate pra bashkimi kombesh dhe në fokus të vizionit të tij shohim një këndvështrim që për periudhën dhe kontributet në aspektin historik, janë larg asaj që po ndodh sot. Duket që është realist, duket që i qëndron kohës, dhe duket që është një vizionar dhe që në të ardhmen ndoshta do ti shërbejë mendimit shqiptar për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”, deklaroi Dinellari.
Prof. As. Dr. Eris Rusi, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, u shpreh për CNA se ky simpozium ka si qëllim të rikthejë në vëmendje një figurë të lënë për shumë kohë në harresë, intelektualin Zai Fundo.
Sipas Rusit, kujtesa është baza që ushqen vetëdijen e një kombi dhe figura e Fundos mishëron intelektualin që nuk i nënshtrohet sistemit, por angazhohet për të gjetur zgjidhje në interes të shoqërisë. Ai e cilëson Fundon si një përfaqësues tipik të intelektualit organik, që nuk hesht përballë padrejtësisë dhe që merr guximin të dalë përpara, duke sfiduar rrethanat. Duke iu referuar jetës së tij, Rusi theksoi se Zai Fundo përballoi një fat tragjik në emër të idealeve që përfaqësonte.
“Kujtesa është ajo që ushqen vetëdijen e një kombi dhe kjo veprimtari shkencore që organizohet sot në universitetin Fan Noli, synon që të vendosë në vend atë që është një harresë mbi një prej intelektualëve të kulturës shqipe, Zai Fundo, i cili mishëron atë që Antonio Gramsci e etiketon si intelektuali organik, intelektual i cili nuk nënshtrohet por është gjithmonë në kërkim të atyre zgjidhjeve që janë në interes të shoqërisë. Intelektual i cili nuk pajtohet me padrejtësinë dhe kur e shikon që gjërat është e nevojshme të marrin tjetër drejtim, nuk stepet dhe nuk ngurron të dalë në plan të parë. Vetë trajektorja tragjike e jetës së Zai Fundos është e tillë që për hir të idealeve ai pëson një fat tragjik dhe sot veprimtaria synon të rivlerësojë edhe atë kontribut njerëzor dhe intelektual të këtij personaliteti i cili në thelb i ka dhënë shumëçka kulturës dhe historisë së vendit tonë”, tha Rusi për CNA.
Në kumtesën e saj, Prof. As. Dr. Elona Çeçe, i është referuar romanit “Rikthim në Vento Tene” të shkrimtares Laureta Petoshati, ku jeta dhe ideali i Zai Fundos paraqiten në mënyrë të detajuar. Sipas saj, Fundo përfaqëson jo vetëm elitën intelektuale shqiptare, por edhe atë të mendimit progresist europian.
Ajo thekson se figura e Fundos i kalon kufijtë e një heroi kombëtar, duke u shndërruar në një simbol të përkushtimit për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Për të, Zai Fundo mbetet një burim i fuqishëm frymëzimi edhe për brezat e sotëm.
“Personalisht kisha dëgjuar për këtë personalitet por nuk isha thelluar për ta njohur atë. U bë shkak kjo veprimtari që po organizohet për të përkujtuar këtë person që të shtoj njohuritë. Konkretisht në këtë kumtesë që unë do mbaj sot në simpoziumin shkencor, i jam referuar një romani nga shkrimtarja Laureta Petoshati, “Rikthim në Vento Tene”, ku personazhi historik i Zai Fundos paraqitet në detaje dhe përfaqëson jo vetëm elitën intelektuale të Shqipërisë por dhe më gjerë. Fakti që këta njerëz u sakrifikuan në emër të një kauze të madhe siç ishte liria, pavarësia dhe zhvillimi i Shqipërisë apo dhe më gjerë siç kishin idetë për lidhjen ballkanike, apo më gjerë për Bashkimin Europian, sepse Zai Fundo është nga të parët që ka hedhur idenë “bashkim në diversitet”, që e gjejmë si term në materialet për të cilat punohet në kuadër të integrimit europian. Zai Fundo mendoj se mbetet një burim frymëzimi. Ai është një hero dhe i kalon caqet e heroit kombëtar, por mbetet një figurë ndërkombëtare sepse ata sakrifikuan në emër të një ideali të madh”, tha për CNA, pedagogia Çeçe.
Pedagogu Metin Venxha e përshkruan Fundon si një intelektual të kategorisë së parë, i cili zhvilloi aktivitetin e tij në një nga periudhat më të trazuara të historisë shqiptare, midis dy luftërave botërore. Fundo mori pjesë aktive në revolucionin e qershorit të vitit 1924, ishte pranë Fan Nolit dhe më pas u bë drejtues i Shoqërisë “Bashkimi”, një strukturë me ndikim të madh në atë periudhë.
Venxha theksoi se pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, Fundo u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të qëndronte në Europë deri në pushtimin fashist të vendit. Më pas, ai u rikthye dhe iu bashkua lëvizjes antifashiste me idealin për një Shqipëri të lirë e demokratike. Sipas tij, Llazar Fundo ishte një njeri i lirë dhe demokrat i vërtetë, dhe pikërisht për këtë liri intelektuale ai u përball me një fund tragjik, duke paguar çmimin më të lartë për besimin në idealet e tij.
“Llazar Fundo është një personalitet i historisë së Shqipërisë së shekullit të 20-të. Ai ka dhënë një kontribut të vyer në fushën politike, në fushën intelektuale në gjysëm e parë të shekullit të 20-të në historinë e Shqipërisë. Është një figurë dinamike, komplekse, që aktivitetin e vet e zhvillon në vitet 1920-1940, thënë ndryshe në vitet ndërmjet dy luftërave botërore dhe si i tillë ai sigurisht që implementon dhe ideologjitë totalitare të cilat ishin në rendin e ditës në atë periudhë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Europën. Llazar Fundo është një intelektual i kategorisë së parë, ai merr pjesë aktivisht në atë që ne njohim si “revolucioni i qershorit”. Ishte politikisht afër Fan Nolit, kontribon në mënyrë aktive në këtë revolucion, pas datës 1 gusht 1924 është dhe drejtuesi kryesor i Shoqërisë Bashkimi, duke thënë që revolucioni i qershorit dhe shoqëria bashkimi luajnë rolin më pozitiv në vitin 1924, periudhë ku shteti shqiptar tronditet nga 3 ngjarje të rëndësishme siç ishte atentati i Zogut, vrasja e amerikanëve në Mamurras dhe vrasja e Avni Rustemit që në të njëjtën kohë ishte e drejtues i shoqërisë bashkimi, e më pas drejtimi merret nga Llazar Fundo. Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet në dhjetorin e 1924, bën që bashkë me Fan Nolin, ndjekës e përkrahës të tyre, edhe Fundo të kalojë në migrim dhe gjithë pjesën tjetër të jetës deri në pushtimin e Shqipërisë në 1939, të qëndrojë në Europë. Rikthehet në Shqipëri, merr pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen anti fashiste si një idealist dhe në funksion të një Shqipërie të lirë demokratike, internohet nga fashistët në Itali, rikthehet dhe fundi tragjik i tij është sepse Llazar Fundo ishte një njeri i lirë, demokrat i vërtetë dhe lirinë e tij intelektuale e pagoi shumë shtrenjtë”, u shpreh Venxha.
Aktiviteti shkencor i zhvilluar në Universitetin “Fan S. Noli” në nderim të Llazar Fundos u shndërrua në një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe akademike për qytetin e Korçës dhe më gjerë. Përmes kumtesave të mbajtura nga studiues, pedagogë dhe figura të spikatura të botës universitare, u hodh dritë mbi jetën, mendimin dhe veprën e një prej personaliteteve më të ndërlikuara e të guximshme të historisë moderne shqiptare.
Kontributet e shumta të Llazar Fundos në fushat e filozofisë politike, mendimit demokratik dhe angazhimit antifashist u rivlerësuan në një kontekst të ri, për të kuptuar më thellë rrugëtimin e mendimit shqiptar dhe përpjekjet për një shoqëri të lirë e të drejtë.
Ky simpozium shërbeu jo vetëm si një platformë akademike reflektimi, por edhe si një akt simbolik rikthimi i figurës së Llazar Fundos në kujtesën historike kombëtare, duke rikujtuar se historia nuk mund të mbetet peng i harresës, por duhet të jetë udhërrëfyes për të ardhmen./ CNA