Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 16 prill 1964, Robert Welch ishte një nga 12 burrat e shpallur fajtorë, për një grabitje famëkeqe, në Gjykatën e Kurorës në Ejsbëri. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1978, ai u shfaq në programin dokumentar të temave aktuale të BBC-së, Man Alive, ku kujtoi sesi personalitetet lokale përlesheshin për vende në sallën e gjyqit, për të ndjekur shpalljen e dënimeve. “Kjo ishte ajo për çfarë kishin ardhur të gjithë. Kulmi i shfaqjes, drama”, tha Welch. “Dhe, ambienti mesjetar ku u shqiptuan dënimet … e kupton, ishte paksa tronditës”.
Kishte kaluar një kohë kur Welch dhe miqtë e tij të dënuar kishin realizuar një nga vjedhjet më të guximshme dhe më fitimprurëse që kishte parë ndonjëherë Mbretëria e Bashkuar: Grabitja e Madhe të Trenit.
Welch dhe të tjerët ishin pjesë e një bande që kishte ndalur një tren të natës së Postës Mbretërore, që udhëtonte nga Glasgou drejt Londrës. Grabitësit ishin larguar me 2.6 milionë paundë në kartëmonedha të përdorura – një shumë rekorde në atë kohë – që sot do të ishin më shumë se 50 milionë paund (rreth 58 milionë euro). Në kohën e gjyqit të Welchit, policia ende ishte në kërkim të tre personave që dyshoheshin se kishin marrë pjesë në krim.
Për të realizuar këtë grabitje të organizuar me kujdes, 15 anëtarë të dy prej bandave më të mëdha kriminale të Londrës kishin bashkëpunuar, secili me një rol të caktuar në plan. “Ata konsideroheshin si elita e botës kriminale”, tha Reginald Abbiss, një gazetar i ri në atë kohë që mbuloi krimin për BBC-në, në podkastin Witness History në vitin 2023. “Duhej të kishe një talent të caktuar, guxim, aftësi të veçanta për të realizuar një grabitje të kësaj përmase – dhe ata u bashkuan sepse duhej një shumëllojshmëri e madhe talentesh”.
Grabitja e guximshme ndodhi pak pas orës tre të mëngjesit të 8 gushtit 1963. Hapi i parë që ndërmorën grabitësit ishte prerja e linjave telefonike për të penguar dhënien e alarmit. Më pas, manipuluan sinjalet e trenit që të qëndronin në të kuqe. “Ata vendosën një dorezë mbi dritën e gjelbër, lidhën një bateri të lirë me dritën e kuqe dhe kjo, natyrisht, bëri që makinisti të ngadalësonte”, tha Abbiss.
Duke parë dritën e kuqe, makinisti i trenit, Jack Mills, ndaloi lokomotivën, ndërsa ndihmësi i tij, David Whitby, zbriti për të përdorur telefonin anësor të linjës për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Aty zbuloi se linja telefonike ishte prerë, dhe menjëherë u sulmua nga burrat me maska dhe të veshur me rroba punëtori. Ndërkohë, një grabitës i maskuar hyri në kabinën e trenit për të neutralizuar makinistin. Kur Mills tentoi të rezistonte, një tjetër anëtar i bandës e goditi në kokë, duke e lënë të pavetëdijshëm.
“E vetmja pengesë, nëse mund ta quajmë kështu, ishte fakti që makinisti i trenit … tentoi të rezistonte”, tha Abbiss. “Njëri prej grabitësve e goditi në kokë me shkop gome. U derdh shumë gjak dhe ai ra menjëherë”.
Banda kishte marrë informacion të brendshëm se paratë dhe pakot me vlerë të lartë ndodheshin në dy vagonët e parë të trenit. Dhe, për shkak se ishte fundjavë me festë zyrtare (bankat ishin mbyllur), treni do të transportonte më shumë para se zakonisht.
Edhe pse nuk kishte policë në bord, në tren ndodheshin më shumë se 70 punonjës të Postës Mbretërore, kryesisht në vagonët e pasmë, ku ishin të zënë duke klasifikuar letrat. Kriminelët, të cilët tashmë ishin njohur me funksionimin e trenit, shpejt shkëputën dy vagonët ku ndodheshin paratë. Plani ishte t’i ndanin ata nga pjesa tjetër e trenit dhe t’i lëviznin larg një shpatine të pjerrët, drejt një pike të caktuar takimi, ku do të ishte më e lehtë për të shkarkuar thasët me para.
Aty hasën në një problem. “Ata kishin një shofer për të drejtuar trenin, por ai nuk arriti ta niste, kështu që u desh ta tërhiqnin nga dyshemeja makinistin fillestar, Jack Mills, dhe ta kërcënonin duke i thënë: ‘Drejto trenin’”, tha Abbiss. “Ai arriti ta çonte trenin një milje [1.6 kilometra] më tej, deri te vendi ku po prisnin shumica e anëtarëve të bandës, duke lënë pas tetë a nëntë vagonët e tjerë me klasifikues që punonin të qetë, krejtësisht të pavetëdijshëm që pjesa kryesore e trenit kishte vazhduar përpara”.
Mills, ende i gjakosur, u urdhërua të ndalonte dy vagonët e parë në urën Bridego. Aty, pjesa tjetër e bandës hapi me forcë vagonët, neutralizoi stafin e Postës që punonte brenda tyre dhe i detyroi të shtriheshin me fytyrë nga toka. Po ashtu, sollën edhe Millsin dhe Whitbyn, të cilët i lidhën me pranga bashkë.
Banda kishte vendosur që t’i jepnin vetes vetëm 15 minuta për të shkarkuar paratë, dhe më pas të linin gjithçka që mbetej. Ata formuan një zinxhir njerëzor dhe me shpejtësi transferuan 120 thasë që përmbanin dy ton e gjysmë para në Land Rover-ët e parkuar. Pas një çerek ore, ekipi dha urdhrin për t’u larguar dhe u kërkuan punonjësve të Postës që të qëndronin pa lëvizur dhe të mos lajmëronin policinë për të paktën 30 minuta. Më pas, grabitësit u zhdukën në errësirën e natës.
Guximi i grabitjes dhe shuma e madhe e përfshirë e magjepsën publikun britanik. Në javët që pasuan, vendi u përfshi nga titujt sensacionalë që përshkruanin ndjekjen e autorëve nga policia. Por, përkundër planifikimit të përpiktë dhe ekzekutimit të saktë të grabitjes, brenda një viti shumica e bandës kriminale ishte arrestuar dhe përballej me drejtësinë.
“Në shikim të parë, puna dukej si një operacion i planifikuar mirë”, tha për BBC News në vitin 1964, detektivi mbikëqyrës, Malcolm Fewtrell, i cili udhëhoqi hetimet për grabitjen. “Por, në praktikë, rezultoi një katastrofë. Qartazi nuk ishin aq të zgjuar sa mendonin se ishin”.
Gjyqtari në procesin kundër tyre nuk i pa veprimet e grabitësve në mënyrën “romantike” si disa pjesëtarë të publikut, duke deklaruar se do të ishte “ligësi” po të tregonte ndonjë shenjë lehtësimi ndaj të dënuarve.
“Mbaj mend se si një valë tronditjeje përshkoi sallën e gjyqit kur gjyqtari, një burrë i quajtur Lord Justice Edmund Davies, shpalli 307 vjet dënime brenda gjysmë ore”, tha Abbiss për BBC Witness History në vitin 2023. Në atë kohë, dënimet që morën për grabitjen ishin ndër më të rëndat në historinë kriminale britanike – veçanërisht duke pasur parasysh se askush nuk u vra dhe nuk u përdorën armët e zjarrit.
“Isha i mpirë, nuk mund të mendoja për asgjë tjetër përveç 30 vjetëve. Kur do të dalim? Nuk do të dalim kurrë”, tha njëri nga grabitësit, Tommy Wisbey, për emisionin Man Alive në vitin 1978.
“Nuk mendoj se të bie realisht në mendje, deri disa ditë më vonë, kur e kupton se çfarë dënimi ke marrë”, i tha BBC-së bashkëpunëtori i tij në bandë, Gordon Goody. “Po, bënim humor … Por, në thelb, besoj se ishim të sëmurë nga brenda”.
Arsyeja që gjyqtari dha për ashpërsinë e dënimeve ishte sulmi ndaj makinistit Mills. “Kushdo që ka parë atë makinist të tronditur nga nervat, nuk ka asnjë dyshim për efektin tmerrues që ka një sulm i organizuar nga grabitës të armatosur ndaj qytetarëve që respektojnë ligjin”, tha gjyqtari Edmund Davies gjatë gjyqit. Mills nuk punoi më kurrë më dhe vdiq në vitin 1970 nga leukemia. Ndihmësi i tij, Whitby, vdiq nga një atak kardiak vitin pasues, në moshën 34-vjeçare.
Megjithatë, mes vetë grabitësve ekzistonte ndjenja se po ndëshkoheshin në mënyrë të tepruar, sepse grabitja kishte turpëruar shtetin britanik. Njëri prej tyre, Roy James, i tha BBC-së në vitin 1978: “Në atë moment, gjithë turpi që kisha ndier gjatë gjyqit, u zhduk, sepse ndjeva se z. Edmund Davies përdori pozicionin e tij si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, përdori shtetin për hakmarrje. Ai e vendosi veten në të njëjtin nivel me mua dhe gjithçka që më akuzonte se isha”.
“Ekzistonte ndjenja se gjyqtari Davies ra poshtë për dy arsye”, tha Reginald Abbiss. “E para ishte dhuna ndaj makinistit të trenit, dhe e dyta, fakti që shteti – qeveria, Posta Mbretërore dhe Hekurudhat Britanike – u zunë në befasi. U pa se institucioni nuk ishte aq vigjilent sa duhet”.
Nami i keq i kriminelëve u rrit edhe më shumë pas dënimit, kur dy anëtarë bënë arratisje spektakolare nga burgu. Charles Wilson, që kishte qenë arkëtari i grupit, u arratis nga burgu vetëm katër muaj pas gjyqit. U kap në Kanada pas katër vitesh në arrati dhe vuajti edhe 10 vjet të tjera në burg. Ronnie Biggs u arratis nga burgu Uandsuorth në Londër, 15 muaj pas dënimit, duke përdorur një shkallë të improvizuar me litar. Ai kreu operacione plastike dhe jetoi në Spanjë, Australi dhe Brazil, duke iu shmangur arrestimit për gati 40 vjet. Në vitin 2001, u kthye vullnetarisht në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor dhe vuajti pjesën e mbetur të dënimit.
Ligji në fund arriti edhe te tre anëtarët e bandës që nuk kishin dalë fillimisht në gjyq. Bruce Reynolds, i konsideruar si truri i grabitjes, kaloi pesë vjet në arrati derisa u arrestua pas rikthimit në Angli. U dënua me 25 vjet burg, por në fund vuajti vetëm 10. Djali i tij, Nick, që kaloi fëmijërinë në arrati me të atin në Meksikë dhe Kanada, kishte më vonë një lidhje simbolike me jetën jashtë ligjit, kur kënga e grupit të tij, Alabama 3, Zgjohesh në mëngjes [Woke Up This Morning], u bë kënga hapëse e serialit Sopranot [The Sopranos].
Ronald “Buster” Edwards, i cili më vonë u luajt nga këngëtari i Genesis, Phil Collins, në filmin Bastër [Buster,1988], iku në Meksikë pas grabitjes. U dorëzua në vitin 1966 dhe u lirua pasi vuajti nëntë vjet burg. James White, që kishte shërbyer si përgjegjës për furnizimet gjatë grabitjes, u kap në Kent dhe u burgos pas tre vitesh në arrati. U lirua në vitin 1975.
Pavarësisht dënimeve të gjata me burg që iu dhanë, të gjithë burrat e dënuar për Grabitjen e Madhe të Trenit përfunduan duke u liruar më herët. Asnjëri prej tyre nuk vuajti më shumë se 13 vjet për këtë krim – megjithëse shumë prej tyre u rikthyen në burg për vepra të tjera penale në vitet që pasuan.
Sa i përket shumës së madhe të grabitur gjatë grabitjes, pavarësisht se policia në vitin 1964 ofroi 10 për qind të shumës si shpërblim për informacionin që do t’i çonte tek ato, shumica e parave nuk u gjet kurrë. /Telegrafi/