Në shoqërinë shqiptare paramoderne, ndaj gruas askush nuk mund të ushtronte dhunë, përveç bashkëshortit të saj. gruaja nuk mund të qëllohej me armë as për gjakmarrje. 

 

Në paragrafin 2763 te Kanuni e Skanderbegut thuhet: “Asht kundra burrnis me shti pushkë në gra…kjoftë edhe e gjaksit. Kush shtin pushkë kso dore, vra e pa vra, gjobitet prej katundit deri 100 desh”.

Një gjobë e tillë ishte e papërballueshme për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare të asaj kohe. Edhe më i rëndë ishte fakti se ai që qëllonte gratë mbulohej përgjithnjë nga hija e zezë e turpit. Madje, në përpjestime të caktuara, një turp të tillë e “trashëgonin” disa breza pasardhësish.

Por, në shoqërinë tradicionale shqiptare mund të asistoje në skena të llatarshme, ku një ose disa burra njëherazi, qëllonin me pushkë pranë kokës së një gruaje, natyrisht jo për ta plagosur ose për ta vrarë atë.

Çfarë mesazhi përcillnin të shtëna të tilla me armë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje po i referohemi një fragmenti nga libri i Edith Durhamit “Brenga e Ballkanit”: “Eepilepsia ka qenë e zakonshme në malësi. Thuhej se vinte kur njeriut i hynin shpirtrat e këqinj. 

“Një herë pashë një grua që papritur u rrëzua me një goditje epilepsie. Disa burra menjëherë u turrën, më thanë të hapja udhën dhe shkrepën koburet pranë kokës së saj, kështu trembej e largohej shpirti i keq. Meqë ajo shpejt erdhi në vete, besuan se ata e arritën këtë gjë”.

Kësisoj, të qëlluarit me armë pranë kokës së ndonjë gruaje që përjetonte krizë epilepsie, konsiderohej si formë mjekimi për të shpëtuar shpirtin e saj nga xhindet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here