Analizë për veprën e Shakespeare’s Borrowed Feathers të autorit Darren Freebury-Jones, që gjurmon në mënyrë të pazakontë ndikimet dhe huazimet e Bardit, por mbështetet në teknologjinë e gabuar.

Nga: Emma Smith / The Daily Telegraph

A e shkroi Shekspiri, Shekspirin [William Shakespeare]? Nuk është për t’u habitur që Darren Freebury-Jones, një pedagog në Fondacionin e Vendlindjes së Shekspirit në Stratford mbi Ejvon [Stratford-upon-Avon], pohon se ai e ka bërë këtë. Ajo që është më befasuese është se, siç tregon ky libër i ri ekspertize, ai nuk shkroi i vetëm. Puplat e huazuara të Shekspirit [Shakespeare’s Borrowed Feathers] ka të bëjë më pak me “sorrën hajdute” [“upstart crow”, siç e quajti dramaturgu Robert Greene, 1558–1592], që tronditi botën e thashethemeve dhe interesave të teatrit elizabetian, dhe më shumë me autorët e tjerë, ndikimi, rivaliteti dhe bashkëpunimi i të cilëve formuan kanunin që ia atribuojmë Shekspirit si solo-krijues.

Këtu hasim disa figura të njohura, duke përfshirë yllin e ndritshëm Christopher Marlowe, i cili transformoi skenën përmes qasjes së tij poetike, si dhe John Fletcherin e stilit italian, me të cilin Shekspiri shkroi dramat e tij të fundit. Zgjuarsia në të shprehur dhe fluiditeti gjinor i komedive të tij i detyrohen shumë stilit oborrtar të John Lylyt, dhe në shkrimet e tij vërehen gjurmët e disa prej dramave të Ben Jonsonit, në të cilat Shekspiri aktroi. Duke vënë në dukje disa fraza të përsëritura në Secili në mënyrën e vet [Every Man in His Humour, komedi e Jonsonit], te OthelloNata e dymbëdhjetë dhe Hamleti, Freebury-Jones paraqet një rast interesant se Shekspirit iu caktua roli i personazhit të Jonsonit – roli i Mateos, një teveqel që shkruante poezi të tmerrshme.

Megjithatë, fillimisht takojmë heroin e Freebury-Jonesit: [dramaturgun] Thomas Kyd. Për herë të parë në më shumë se katër shekuj, Kyd po shijon momentin e tij. Krahas tragjedisë së suksesshme hakmarrëse, Tragjedia Spanjolle [Spanish Tragedy], atij sërish i atribuohen një mori shfaqjesh që aktualisht janë anonime. Gara e rrezikshme mbi marrëdhënien e tij me Shekspirin përqendrohet veçanërisht te Ardeni i Favershamit [Arden of Faversham], një histori e vërtetë krimi ku Alisa tekanjoze dhe dashnori i saj i kotë, Mosby, vrasin burrin e Alisës. Autorësia e kësaj drame është një terren shumë i kontestuar mes studiuesve. Në një krahasim të papërshtatshëm, kjo t’i kujton dy burrat tullacë të Jorge Luis Borgesit që grindeshin për një krehër: Freebury-Jones pa hezitim i shpjegon me maturi të dy argumentet, ndërsa e bën shumë të qartë pikëpamjen e tij se merita nuk i përket Shekspirit, por Kydit.

Bota e teatrit elizabetian ishte e vogël: Shekspiri me siguri duhet ta ketë njohur Kydin, dhe Freebury-Jones jep një vlerësim të zgjuar letrar kur diskuton atë që Shekspiri mësoi prej tij. Ai ringjall idenë e vjetër për të ashtuquajturin Ur-Hamlet, një version të mëparshëm tashmë të humbur të tragjedisë më të famshme të Shekspirit, dhe pretendon se ishte i shkruar nga Kydi. Freebury-Jones paraqet një rast bindës se ndërthurja jo e plotë narrative rreth Zbutjes së kryeneçes bazohet në një inskenim të Kydit të Tragjedisë Spanjolle, dhe vëren se struktura dhe karakterizimi i tragjedive të tjera të Kydit jehon te Othello dhe Jul Çezari. Megjithatë, pyetja se kur ngjashmëritë e tilla janë dëshmi ndikimi dhe jo autorësie, është pothuajse e pamundur të përgjigjet saktësisht.

Freebury-Jones është i matur për këto vështirësi, por megjithatë i vendosur për të zbuluar autorësinë. Ju mund të dyshoni se ai ka një agjendë të veçantë për të ndërtuar kanunin e Kydit. Procesi i gjerë teknokratik i Freebury-Jonesit mbështetet në një bazë të dhënash të teksteve dramatike në internet, të quajtur jo edhe aq mirë si Krahasimet dhe N-gramët [Collocations dhe N-grams], të cilën ai e përshkruan si “një zbulesë” që “ka ngritur disiplinën [e studimeve të atribuimit] në një nivel të ri”. Kjo është një metodë shumë më pak bindëse sesa analiza e tij e ndjeshme letrare. N-gramët janë seri të vazhdueshme fjalësh që kërkimet e kompjuterizuara mund t’i gjejnë dhe krahasojnë nëpër tekste: baza e të dhënave krijon një tabelë për secilën dramë, duke renditur paralelet e saj të N-gramëve me veprat e tjera. Nëse leximi i këtyre tabelave tingëllon anemik – ashtu është. Ai nxjerr në pah formime jo të veçanta të frazave, por fragmente të përsëritura, shpeshherë copëza banale: është e vështirë të regjistrosh dublikatë të tilla si “Zoti të bekoftë” ose “sepse nuk mundem” si nënshkrime të duhura autoriale.

Rezultatet e N-gramëve janë gjithashtu të paqarta. Freebury-Jones paraqet, në mënyrë triumfale, listën e 10 paraleleve më të mira për Makbethin, që tregojnë se katër tragjedi të Shekspirit kanë mbivendosje të rëndësishme verbale. Por, kjo ndodh edhe me gjashtë shfaqje të tjera që nuk janë të Shekspirit. Dhe, në një kapitull të mëvonshëm mbi bashkëpunimin e Shekspirit me Thomas Middletonin, për të cilin shumë studiues besojnë se përfshin Makbethin, Freebury-Jones detyrohet të pranojë se baza e të dhënave nuk është e dobishme për identifikimin e formave të zakonshme të bashkautorësisë, si rishikimi ose bashkëpunimi.

Nga ana tjetër, një rezultat më i dobët i N-gramëve përdoret për të mohuar marrëdhëniet e rëndësishme midis shfaqjeve. Hakmarrja hamletiane e Antonit [Antonio’s Revenge] nga John Marston (që ka mbijetuar) merr më pak vëmendje se krahasimi me Hamletin e humbur të Kydit. Shumë shpesh, “kompjuteri thotë jo”. Problemi është se paralelet e N-gramëve supozojnë që lidhja më e rëndësishme midis shfaqjeve është verbale, por dramaturgët e teatrit komercial me siguri ishin të kujdesshëm që të përfitonin nga skena me përdorime të zgjuara të rekuizitave dhe veçori të tjera të performancës 0 të gjitha këto, për fat të mirë, i shmangen matjes shkencore.

Freebury-Jones është autori i parë që sjell misteret e analizës stilistike të kompjuterizuar për lexuesit e përgjithshëm, megjithëse qasja e tij ka detaje që i përkasin sallës së leksioneve. Vlerësimi i tij është kryesisht i qartë dhe i bollshëm, edhe pse ndonjëherë naiv. Por, pavarësisht teknikave të tij moderne, qasja e përgjithshme ndaj librit mbetet konservatore. Për shembull, rirreshtimi i Shekspirit në pentametrin jambik inovativ të Marloweit demonstron “vargun më elastik, retorikën më të nuancuar dhe në përgjithësi një stil më të butë dramatik”. Për ta thënë ndryshe, Shekspiri ishte më i mirë se Marlowei. Megjithëse Freebury-Jones përfundon me vendimin e prerë për të shënuar “faktin se gjatë jetës së tij Shekspiri ishte anëtar i një komuniteti të gjerë dhe brilant të dramaturgëve”, argumenti i tij këtë kërkim e bën tërësisht Shekspirocentrik. Sipas T.S. Eliotit, “poetët e pjekur vjedhin” dhe “e shndërrojnë atë në diçka më të mirë, ose të paktën në diçka më ndryshe”. Siç zbulon ky libër, kjo ishte mënyra se si sorra e dikurshme u bë mjellma e Avonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here