Recension mbi librin e historianit Tim Blanning – Augusti i Fort: Një studim mbi madhështinë artistike dhe fiaskon politike [Augustus The Strong: A Study in Artistic Greatness and Political Fiasco].

Nga: Noel Malcolm / The Daily Telegraph
Përkthimi: Agron Shala 

Për aq sa mbaj mend, ka pasur historianë me mendësi puritane që kanë thënë se nuk duhet të shkruajmë më për mbretërit dhe mbretëreshat. Në të kaluarën na këshillonin të shkruanim për lëvizjet shoqërore dhe faktorët ekonomikë; tani temat kryesore janë gjinia, raca dhe mjedisi. Të gjitha këto meritojnë të studiohen, por është absurde të mendojmë se duhet të injorojmë sundimtarët e shekujve të kaluar.

Mbretërit dhe mbretëreshat kanë rëndësi sepse deri vonë ishin ata që shtynin gjërat përpara. Ne mund ta mbivlerësojmë fuqinë e tyre, siç shpeshherë bënin edhe ata vetë. Por, në shumicën e shteteve evropiane, nga Mesjeta e deri në fillim të shekullit XIX, vullneti mbretëror ishte faktori më i madh i vetëm që ndikonte në qeverisje, diplomaci dhe zhvillimin e luftërave. Në fakt, deri në mesin e shekullit XIX, ishte ende normale që mbretërit të udhëhiqnin vetë trupat e tyre në betejë.

Augusti i Fort, sundimtari i Saksonisë dhe Mbreti i Polonisë (1670–1733), dukej se kishte atributet për një rol të tillë udhëheqës. Nofka e tij i referohej aftësisë së tij për të thyer patkonjtë vetëm me duar; ai ishte shenjëtar i shkëlqyer dhe deri në moshën 23-vjeçare kishte marrë pjesë në pesë fushata ushtarake. Kur vitin e ardhshëm pasoi vëllain e tij si sundimtar i Saksonisë, ai dukej si personi i përsosur për këtë rol: një karakter i fuqishëm, më i madh sesa jeta (oreksi i tij për pije dhe gra ishte sigurisht më i madh se i shumicës), por gjithashtu një dashamirës i artit dhe një promovues i vërtetë i industrisë dhe tregtisë.

Çfarë mund të shkonte keq?

Përgjigja, siç shpjegon biografia e re e Tim Blanningut, është kjo: pothuajse gjithçka. Gabimi i parë i Augustit ishte gjithashtu më i madhi dhe krijoi kushtet për gjithçka që shkoi keq më pas. Kur Mbreti i Polonisë, John Sobieski (i famshëm për shpëtimin e Vjenës kur u rrethua nga osmanët më 1683) vdiq papritur më 1696, Augusti ndërmori një fushatë politike për t’u bërë pasardhës i tij; pasi pagoi një mori ryshfetesh të shtrenjta dhe pasi u konvertua në katolicizëm – për shkak të oportunizmit flagrant – më në fund u zgjodh për fronin polak. Kjo ia dha atij titullin e duhur mbretëror dhe fuqinë nominale mbi vendin më të madh në Evropë, pas Rusisë. Por, fraza “kupë e helmuar” nuk do ta përshkruajë çmimin që ai kishte fituar.

Polonia ishte shteti më i paqeverisshëm në Evropë. Pushteti i vërtetë nuk i përkiste mbretit, por fisnikërisë dhe qytetarëve të pasur, të cilët formonin një lloj oligarkie masive. Megjithatë, vetë ata kishin pak fuqi për t’i shtyrë gjërat përpara; forca e tyre e madhe qëndronte në aftësinë e tyre për t’i ndaluar gjërat që të ndodhnin, duke përdorur një “veto të lirë” e cila zbatohej lirshëm për çdo masë reformuese ose centralizuese. Si rezultat, ushtria e tyre ishte e dobët për një vend të madhësisë së tillë dhe i gjithë buxheti i shtetit ishte më pak se tre për qind e buxhetit të Francës së Luigjit XIV.

Kjo mund të mos kishte rëndësi nëse sundimtarët e shteteve fqinje do të kishin qenë gjakftohtë dhe dashamirës. Por, mbretërimi polak i Augustit përkoi me ngritjen në madhështi të dy figurave kokëforta dhe agresive: Pjetri i Madh i Rusisë dhe Karli XII i Suedisë. Fatkeqësisht, Augusti pranoi t’i bashkohej të parit në përpjekjen për të copëtuar territoret baltike të këtij të fundit. Ushtria suedeze doli të ishte makinë vrasëse e llojit të vet dhe Karli XII e ndoqi Augustin në një hakmarrje të tërbuar, duke e dëbuar përfundimisht nga Polonia dhe duke vendosur sundimtarin e tij marionetë në fron.

Në mënyrë të pashmangshme, në disa pjesë të librit vëmendje më e madhe bie mbi ata dy monarkë dinamikë sesa mbi heroin tonë të prirur ndaj aksidenteve. Karli shfaqet si maniak gjakftohtë, i cili e kaloi gjithë mbretërimin e tij duke bërë luftëra, sepse kjo ishte ajo që i pëlqente. Si taktik i shkëlqyer dhe strateg i keq, ai përfundimisht e udhëhoqi gjithë ushtrinë drejt shkatërrimit në Ukrainë dhe iu desh të kalonte pesë vitet e ardhshme si mërgimtar në territorin osman.

Pjetri, ndërkohë, po merrej në mënyrë metodike me rajonin lindor të Baltikut; zotimi për t’ia dhënë një pjesë të madhe të tij aleatit të dikurshëm August (tani i kthyer në Varshavë), siç e thotë bukur Blanningu, “u preh në varrezat e mëdha të premtimeve të tij të thyera”.

Historianët polakë nuk i kanë dhënë Augustit një vlerësim të mirë. Gjykimet e tij të gabuara në luftë dhe diplomaci çuan vërtet në vdekje dhe shkatërrim të shkallës së gjerë. Ndjesitë moderne mund të fyhen gjithashtu nga filanderizmi i tij i vazhdueshëm, megjithëse Blanningu e zvogëlon numrin e fëmijëve kopilë nga 354 – që përfliten – në vetëm tetë. Edhe më fyes mbase është përkushtimi i tij ndaj sporteve absurde mizore, të cilat përfshinin hedhjen në ajër me batanije të dhelprave, vjedullave dhe kastorëve derisa të ngordhnin – ai ishte, na thuhet, “një hedhës i mirë”.

Megjithatë, siç thekson edhe Blanningu, Saksonia nën Augustin shënoi një epokë të artë kulturore, falë patronazhit të tij bujar, sensit të shkëlqyer artistik dhe energjisë së papërmbajtshme. Lulëzuan muzikantët dhe piktorët; ata që punonin stolitë dhe argjendarët mezi mbulonin kërkesat e tij; Majseni nisi prodhimin e porcelanit elegant dhe kryeqyteti i tij, Drezdeni, u shndërrua gradualisht në një nga qytetet më të bukura në Evropë.

Pjesa më e madhe e kësaj ishte për kënaqësinë personale të Augustit; por, larg nga tërheqja në botën e mbyllur të kulturës elitare të oborrit, ai mirëpriti turmat dhe mbajti festa të mëdha për kënaqësinë e tyre. Dëshira e tij për të përmirësuar gjithë vendin ishte e vërtetë dhe shtrihej deri te ftesa për tregtarët hebrenj dhe te këmbëngulja – përkundër disa kundërshtimeve – që ata të lejoheshin të mbanin shërbimet e tyre fetare.

Rrëfimi i Blanningut bazohet në kërkime të gjera në literaturën përkatëse në gjermanisht, polonisht, suedisht dhe rusisht – një paraqitje mbresëlënëse në kulturën tonë akademike gjithnjë e më dëshpëruese të bazuar në një gjuhë. Debatet e studiuesve kryesisht shmangen dhe shkrimi mbetet i freskët dhe tërheqës gjatë gjithë kohës. Nuk jam plotësisht dakord me përshkrimin e Penguin-it [shtëpisë botuese], që e cilëson si biografi “të trazuar”: kjo duket se minimizon argumentet serioze që kalojnë nëpër këtë libër të strukturuar me kujdes. Por, “e kënaqshme” do të ishte më e saktë. Kishte mjaft faqe këtu ku unë u ndjeva vërtet mirë dhe i kënaqur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here