KADRI HALIMI, ETNOLOGU I PARË NË KOSOVË

Nga Bajram Mjeku, Prishtinë 04 nëntor 2021

Nëse dikush do të më pyeste, cili është personaliteti që më ka lënë më së shumti mbresa, pa u hamendur do të pohoja se ai është Kadri Halimi, etnologu i parë shqiptar nga Kosova, i lindur më 8 shkurt të vitit 1921 në Cërnicë të Gjilanit.

Profesor Kadri Halimi diplomoi në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Beogradit dhe sapo mbaroi studimet, u pranua asistent në Degën e Etnologjisë. Të angazhohej si asistent një shqiptar në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, më saktë në kohën kur ministër federativ i Punëve të Brendshme ishte tirani serb Aleksandar Rankoviç, është dashur të tejkalojë me dije dhe elokuencë secilin student serb, që studionte atëbotë në Universitetin e Beogradit!

Kaluan pak muaj si asistent dhe profesor Halimi u arrestua dhe u dënua me burg të rëndë nga i njëjti regjim. U dënua tre herë me burg të rëndë për shkak të bindjeve të tij politike.

Për herë të parë me të jam takuar në fillim të vitit 1990, së bashku me një kolegë timin, atëherë gazetar i gazetës së studentëve “Bota e re”, derisa unë vetëm asistoja gjatë intervistës ekskluzive me profesorin e respektuar. Prisnim shumë nga intervista me të dhe ashtu ndodhi. Ish-Jugosllavia e kishte marrë teposhtëzën dhe Kadri Halimi kishte rastin e parë që t’i shprehte lirshëm bindjet e tij politike dhe kulturore para opinionit kosovar. Dorën në zemër gjatë dy orëve sa zgjati intervista, si asnjëherë në jetën time jam ndier krenar për përkatësinë time kombëtare! Fliste qetë dhe me elokuencë, rrezatonte njohuri të mëdha për shkencën dhe etnologjinë, si dhe fliste me integritet për kulturën dhe etnologjinë shqiptare. Ishte personalitet i matur dhe fort i dashur që të bënte për vete. Kishte kulturë të jashtëzakonshme jo vetëm për fushën që kishte studiuar në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin Universitet me profesor Anton Çettën, Mark Krasniqin, Ali Aliun dhe studentë tjerë shqiptarë të kohës.

Mbas intervistës, me profesorin jemi takuar disa herë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur vizitonte presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova. Takimet midis këtyre dy personaliteteve ishin aq mbresëlënëse, të cilat nuk do t’i harroj kurrë. Kur presidenti Rugova takohej me profesor Kadri Halimin, ngritej me lehtësi në këmbë dhe e mbante ngryk për disa qaste. Këtë ndjesi të mikpritjes Rugova e kishte edhe me profesor Anton Çettën, i cili vite më parë kishte qenë ligjërues i presidentit Rugova në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.

Edhe pse pati ndërprerje të gjatë nga puna shkencore e hulumtuese për shkak të dënimeve si i burgosur politik, Kadri Halimi ka dhënë shumë në shkencën e entologjisë, pastaj në fushën e antropologjisë kulturore, folklorit e muzeologjisë. Sikur të mos burgosej për bindjet e tij politike dhe sikur regjimi serb të mos ia ndalonte botimin e veprave dhe studimeve shkencore në fushën e etnologjisë, kjo shkencë sot do të ishte zhvilluar në të njëjtin nivel me shtetet tjera të Ballkanit. Duke i vënë censurë të hekurt, profesor Kadri Halimi ka mbetur i lënduar gjatë gjithë jetës në fushën e shkencës. Mbas arrestimit të parë në vitin 1952, por edhe në dy arrestimet e mëvonshme, shumë dorëshkrime të tij janë konfiskuar nga Shërbimi Sekret serb dhe sot e atë ditë nuk dihet për fatin e tyre.

Kadri Halimi ndërroi jetë në vitin 2001. Do të ishte në nderin e shtetit të Kosovës, që ndonjë institucion i lartë kulturor i vendit të mbante emrin e Tij, më saktë emrin e etnologut të parë shqiptar në Kosovë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here