nga Ilir Yzeiri
Më 10 shkurt 1917 lindi në Adana të Turqisë, shkrimtarja, studiuesja dhe intelektualja e angazhuar Musine Kokalari. Vepra e saj letrare nuk është studiuar sa duhet dhe nuk njihet ashtu siç do të duhej. Në narrativën për të ka mbizotëruar, më së shumti, vetëm njëra anë – kundërshtimi që ajo i bëri vendosjes së diktaturës në Shqipëri dhe fotoja e saj në gjyqin politik të vitit 1946, e cila paraqitet si emblema e dhunës mbi fjalën e lirë, mbi kundërshtarët politikë dhe mbi arsyen. Ndërkaq, Musine Kokalari është femra e parë shqiptare që arriti të mbrojë një tezë doktorature në Itali. Është shkrimtarja ndër më të talentuarat e periudhës së pavarësisë dhe të luftës. Është antropologia që mblodhi, studioi dhe botoi traditën e këngëve, zakoneve dhe gjithçkaje tjetër që shënjonte jetën e shoqërisë së mbyllur primitive e patriarkale shqiptare. Në librat e saj « Siç më thoshte nënua plakë » (1939) apo « Sa u tund jeta » (1944), duke vizatuar fatin e femrës shqiptare që nga lindja e deri në martesë, ajo tregon me nota ironie, sarkazme dhe me koloritin e të folmes së qytetit të saj, Gjirokastrës, gjithë këtë festival zakonesh e kodesh që ishte sanksionuar në marrëdhëniet dhe në shkëmbimet mes familjeve shqiptare. Erdhi bashkë me familjen e saj, si shumë të tjerë, nga Turqia dhe u vendos fillimisht në Gjirokastër e pastaj në Tiranë. Babai i saj ishte avokat i njohur. Në këtë mënyrë kishte ardhur edhe familja e një tjetri personalitet, përkthyesit, leksikografit dhe shkrimtarit Vedat Kokona. Pasi mbaron shkollën « Nana Mbretëreshë » niset për studime në Itali në universitetin « La Sapienza » për të studiuar letërsi e filozofi, duke u bërë e para femër që studion për letërsi në historinë e re të shqiptarëve. Përveç atyre që përmenda, ajo ka botuar edhe librin « Jeta ime universitare », një ditar i mrekullueshëm që tregon Romën dhe Italinë antike. Ky libër është botuar edhe në Itali. Siç e thashë, është e para femër që ka mbrojtur një disertacion në letërsi dhe teza e saj ishte për Naim Frashërin. Në kufijtë e këtij komenti është vështirë të tregosh përmasat e kësaj shkrimtareje. Unë kam zgjedhur një poezi të sajën që më duket se shënjon kredon e saj artistike. Për fat të keq, në atë poezi, ajo duket sikur ka parashkruar edhe fatin e saj tragjik. Poezia titullohet « T’isha një lule » (« Kolla e vdekjes » Vepra v. I, f. 94).
T’isha një lule…
Zbardhoi drita, lindi dielli; u bë ditë
dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re.
Ishte një pyetje që donte përgjigje.
Së mbrëndëshmi ndëgjova një zë që më pyeti “Ç’ësht jeta?”
Hap sytë për një cast,
vështroj rrotull dhe asgjë nuk gjej,
asnjeri nuk përgjigjet në vënd t’im.
Ulem dhe u përvishem librave,
kërkoj mendimin e atyre që kanë shkrojtur…
por edhe atje asgjë.
Pa shpresë largohem prej vëndit ku ndodhesha,
e pakënaqur hedh këmbët e mia;
rëndë rrëshqasin, diçka shkelin.
Një faqe libri të vjetër.
Ulem, e marr, e vështroj
dhe vetëm një fjalë këndoj,
moskënaqsia…
Mendimet më turbullojnë
dhe më së fundi m’u duk
se e gjeta të vërtetën,
se jeta ësht moskënaqësia.
E drejtë, e pagabuar.
Të gjithë thrresin sikur t’isha…
dhe unë gjithashtu.
Jam njeri, më krijoi natyra
duke më dhënë dhe tru.
Më vërviti në tokë,
më bëri më të lartë nga të gjithë shtazët dhe bimët,
me gjith atë nuk knaqem,
i kërkoj vehtes të jem kështu, të jem ashtu;
si kjo dhe si ajo dhe më së fundi e gjeta…
T’isha një lule-lule are, e vogël dhe me erë.
Të çelnja në prendverë
dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.
T’isha një lule vjollce në mes të ferrave.
Të qëndroja e fshehur, e pa dukur
dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve.
Prej frike,
të larguar prej njerzis do t’më këputnin,
do të dhurohesha te njëri –tjetri
për shenjë kujtimi.
Do të ndëgjonia se ç’flitnin, fjalët e bukura
dhe plot shpresë.
Do t’më thurnin dhe mua
disa vargje të lehta
për hir të dashuris.
Një trëndafil i egër të mbinja
për mbi varrin e ndonjë të riut.
Të mirrnja pjesë në lotët
që do të derdhnin mbi atë tokë të ftohët.
Karafil i kuq të lulzoja
dhe me kujdes të vaditesha …
një ditë të vendosesha në jakën e palltos.
Do të shetitnja dhe unë rrugët e qytetit,
do të kuptonja jetën djaloshare
dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;…
që të dy qënkan të bukur do të thoshin.
Më së fundi le t’isha
së paku një lule e egër,
midis rrugës dhe gurëve,
pa kujdesin e të tjerëve.
Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,
burrë ase grua…e di, por s’ka gjë,
një lule isha dhe jo njeri….
Siç shihet poezia është ngritur e gjitha mbi metamorfozën. Metamorfoza në stilistikë është procesi i shndërrimit nga një gjendje në një tjetër ose nga një gjendje me shpirt në një tjetër jo me shpirt. Në poezinë romantike, por edhe në atë popullore kjo është një përftesë mjaft e përhapur. Të bëhem zog, të kem krahë apo si thotë Naimi « baltë le të bëhem të më shkelnjë këmb’ e saj ». E përdor edhe Kafka në veprën e tij të famshme « Metamorfoza » kur një mëngjes, personazhi i tij, Gregor Samsa, u gdhi i transformuar në një insekt. Mirëpo në këtë poezi frymëzimi apo nxitja e këtij transformimi është një përgjigje ndaj pyetjes se çfarë është jeta, përse jetojmë, përse vijmë e ikim në këtë botë. Dhe çfarë lëmë pas. E përfshirë në këtë atmosferë, Musine Kokalari zbulon këtu shpirtin e dëlirë të saj dhe instinktin për të qenë e dobishme për të tjerët dhe nga të gjitha sendet zgjedh lulen sepse, duke u transformuar në një lule, ajo don të jetë në shërbim të dashurisë. Jemi në fazën romantike dhe platonike të dashurisë, në atë fazë ku ndjenja realizohet përmes simbolit të lules që i dashur i dhuron të dashurës, përmes lules që në atë kohe vihej si një zbukurim në xhepin e sipërm të xhaketës apo palltos. Por Musine Kokalari shfaq edhe një anë tjetër : ajo nxit realizimin e aktit të dashurisë, erosin dhe zgjedh të jetë lule e egër që të jetë dëshmitare kur të dashuruarit puthen. Vini re, natyra është areali ku realizohet dashuria. Dhe në fund, sikur ta kishte parashikuar fatin e saj, ajo thotë se nuk ka gjë le të jem një lule dhe le të më shkelë këmba e njeriut. Për fat të keq atë e shkeli këmba e diktaturës. U arrestua në vitin 1946. Bëri mbi 20 vjet burg. Pasi doli nga burgu punoi si fshesare rrugësh në qytetin e Rrëshenit derisa vdiq e vetmuar në vitin 1983.