Me librin “Artizanatet tradicionale në Muzeun Etnologjik të Kosovës”, Bekim Xhemili synon të sensibilizojë publikun e gjithmbarshëm dhe institucionet vendimmarrëse mbi vlerat që kanë zejet artizanale si trashëgimi dhe mbi rolin që luan Muzeu Etnologjik i Kosovës si hapësirë komunikimi mes të sotmes dhe të kaluarës

Valon Shkodra

Libri “Artizanatet tradicionale në Muzeun Etnologjik të Kosovës” i autorit Bekim Xhemili vjen në duart e lexuesit si rezultat i përfshirjes së tij disavjeçare me materialet dhe lëndën, i punës shumëvjeçare të tij në Muzeun Etnologjik të Kosovës, si dhe i pasionit të madh që ka e profesionit prej etnologu që ushtron. Falë punës së përkushtuar në Muzeun Etnologjik të Kosovës për një dekadë me radhë (midis viteve 2007-2017), autori Bekim Xhemili me kolegë e bashkëpunëtorë, në mjediset e Muzeut Etnologjik organizuan disa herë “Javën e artizanateve”, duke e kthyer dukshëm vëmendjen e shumë vizitorëve vendorë e ndërkombëtarë njëherësh kah vlerat që ruhen në këtë Muze dhe kah tradita e artizanateve në vendin tonë.

S’do mend se artizanatet e prezantuara nga zejtarët në edicionet e “Javës së artizanateve” në Muzeun Etnologjik të Kosovës kanë shërbyer si urëlidhëse ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes, duke ndihmuar në sensibilizimin për ruajtjen e traditës dhe duke shpalosur larushinë e vlerave kulturore të Kosovës. Në anën tjetër, këto aktivitete, të zhvilluara në katër edicione brenda dhjetë vjetësh, u prezantuan pikërisht në vendin e duhur, sepse vetë funksioni i Muzeut Etnologjik është të ruajë, të dokumentojë dhe të prezantojë vlera të traditës, me qëllim që vizitorët të mësojnë për artin e zbatuar tradicional, të rëndësishëm në jetën e dikurshme sociale, ekonomike e kulturore.

Libri “Artizanatet tradicionale në Muzeun Etnologjik të Kosovës” i autorit B. Xhemili është i konceptuar në tri pjesë kryesore, të cilave u prapavihet shtojca me materiale promovuese nga eventet e organizuara në Muzeun Etnologjik. Në pjesën e parë, autori, krahas prezantimit të punës së vet, jep një vështrim të përgjithshëm mbi artizanatet dhe vlerat e tyre kulturore, pastaj paraqet shkurtazi historikun e Muzeut Etnologjik të Kosovës e të vetë objekteve ku ky institucion zhvillon veprimtarinë, konceptin e ekspozitës së përhershme të tij, si dhe klasifikimin e eksponateve që Muzeu i zotëron.
Në pjesën e dytë, prezantohen disa zeje – fillimisht ajo e plisaxhinjve, si zeje atraktive për vizitorët, pastaj zeja e poçarisë, si mjeshtëri e vjetër në Kosovë, për të vazhduar me punimet e tekstilit, zejen e drugdhendjes, artin e lyerjes së fytyrës së nuses për dasmë – traditë kjo në krahinën e Zhupës, më tutje vazhdohet me prezantimet e zejes së briskpunuesve, zanat ky i çmuar i kohës, e zejes së farkëtarisë dhe asaj të teneqexhinjve etj.

Në pjesën e tretë ndërkaq, autori ka përfshirë, me shumë vend dhe domethënie, disa kujtime e përshtypje të miqve besnikë të Muzeut Etnologjik të Kosovës, mbështetës e bashkëpunëtorë të aktiviteteve të Muzeut me publikun.

Ato që këtë botim e bëjnë edhe më të veçantë janë fotografitë cilësore dhe vërtet artistike (gjithsej 139). Autori i ka mbledhur dhe ruajtur materialet e nevojshme për librin, duke i ndërthurur fotografitë me tekstin, në mënyrë që lexuesit t’i ofrojë edhe një qasje pamore të komunikimit me lëndën e librit. Prezantohen me anë të fotografive produktet zejtare, ambientet muzeale, eksponatet, aktivitetet e Muzeut dhe vetë zejtarët duke i demonstruar zejet. Falë këtyre fotografive, në mënyrë vizuale shpaloset tradita jonë shekullore e artizanateve. Autori Xhemili, siç thekson me të drejtë mikja e madhe e Muzeut Etnologjik të Kosovës, redaktorja e fotografive të këtij botimi, Ann Christine Eek, “ka kapur një sërë situatash, vështrime të përgjithshme dhe detaje, me vizitorët si individë, grupe dhe klasa shkollore, të cilëve u është dhënë mundësia të njohin punën e argjendarëve, të poçarëve e të tjerëve, si dhe ambientin nga punëtoritë ku zhvillohen këto punime”.

Krahas edicioneve të “Javës së artizanateve”, autori ka prezantuar edhe një pjesë të organizimeve të tjera të Muzeut – përgatitjen e ushqimit tradicional në oborrin e Muzeut, performimet me muzikë tradicionale në Muze, ditën me pleqnarin në Muze, demonstrimin e punës në vek, projektin e artistëve e mandej të fotografëve në rezidencë, ligjëratat për etnokulturën dhe trashëgiminë kulturore, realizimin e audio-CD-së “Tinguj Tradicionalë të Kosovës”, ndeshjen mes pehlivanëve në oborrin e Muzeut, binjakëzimin e Muzeut Etnologjik me Muzeun Popullor të Kembrixhit në Angli, si dhe ekspozitën “Fija e Argjendit nga Kosova deri në Istër’’, fryt ky i bashkëpunimit mes Muzeut Etnologjik të Kosovës dhe Muzeut Etnografik të Istrës në Kroaci.

Falë intervistave të bëra me zejtarët, autori Xhemili ka arritur të sjellë jo vetëm punën dhe punimet e tyre, por t’ua prezantojë edhe rrëfimet e ndryshme të traditës familjare, duke na sjellë edhe të dhëna historike për zejet që ata i ushtrojnë, për breznitë e tyre prej zanatlinjsh, me çka ky botim merr vlera edhe më të mëdha.
Sikurse gjetiu në botë, punimet artizanale edhe në Kosovë mbrohen nga ligjet e shtetit, duke u parë si objekte të veçanta për nga teknikat e punës, dizajni dhe vlerat e tjera artistike, historike e sociale. Patjetër, ligji i shikon edhe si asete në rrezik të zhdukjes, ndaj edhe angazhimi që të merren masa për ruajtjen e këtyre vlerave paraqet një ndër obligimet tona. Pikërisht këtë e bën edhe autori B. Xhemili, i cili përmes këtij botimi synon të sensibilizojë publikun e gjithmbarshëm dhe institucionet vendimmarrëse mbi vlerat që kanë zejet artizanale si trashëgimi dhe mbi rolin që luan Muzeu Etnologjik i Kosovës si hapësirë komunikimi mes të sotmes dhe të kaluarës, mes qytetarit dhe historisë së tij, mes vendit tonë dhe të interesuarve nga vende të tjera. Muzetë janë ambasadorët dhe prezantuesit më të mirë të vlerave tona kulturore shekullore, prandaj s’kemi se si të mos vlerësojmë punën e bërë në Muzeun Etnologjik të Kosovës, sidomos kur, duke e lexuar librin e B. Xhemilit, mësojmë se është ndër muzetë më të rëndësishëm të vendit tonë, me më së shumti vizitorë nga të katër anët e botës, e për të cilin kanë shkruar e raportuar edhe gazetat prestigjioze, si “The Washington Post”, “The Guardian” e “New York Times” e të tjerë.

“Njerëzit, pa njohjen e historisë, të origjinës e të kulturës, janë si pemë pa rrënjë”, thotë aktivisti politik Marcus Garvey. Libri “Artizanatet tradicionale në Muzeun Etnologjik të Kosovës”, i autorit Bekim Xhemili, na njeh pikërisht me rrënjët tona, të historisë e të kulturës sonë, e madje ua prezanton ato me dinjitet edhe të tjerëve. Prandaj, në fund, le të themi se ky libër i Bekim Xhemilit është një pemë plot me rrënjë të forta e fruta të jashtëzakonshme që kanë për t’i shijuar cilitdo lexues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here