Forcat greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare. Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit u vranë 782 veta. Ishte 27 qershori i vitit 1944
Forcat shoviniste greke, të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva dhe të armatosura gjer në dhëmbë nga aleatët anglo-amerikanë, filluan përgatitjet për të sulmuar krahinën e Çamërisë. Forcat e gjeneral Zervës që numëroheshin në 10 mijë veta ishin shumica me prejardhje çamësh shqiptarë, por të helenizuar nga kisha ortodokse greke. Këto forca vepronin sipas urdhrave që merrnin nga qeveria greke në emigrim, me seli në Kajro. Përballë kësaj force agresive ndodheshin reparte të vogla çame myslimane të armatosura keq dhe të paorganizuara..
Më 27 qershor 1944, 5 mijë forca greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta, çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare.
Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. U dogj medreseja e qytetit dhe të gjitha xhamitë në qytet dhe në fshat. Grekët vranë myftiun e Parathimisë, dijetarin Hasan Efendiun së bashku me hoxhallarët Mulla Çafaja, Haxhi Shehun dhe hafiz Esat Ademin. Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit në datën 27 qershor u vranë 782 veta. Forcat zerviste me thika ndër dhëmbë dhe urna të ndezura në duar, u vërsulën si ujq të tërbuar, drejt veriut, duke e kthyer Çamërinë në një tokë të djegur.
E vetmja rezistencë e armatosur u bë në vendin e quajtur Munin, në gusht të vitit 1944 ku 72 çamë luftuan heroikisht për 24 orë kundër 5 batalioneve zerviste të përbërë prej 2 mijë e 500 vetash. Të 72 çamët ranë në fushën e betejës duke u shkaktuar forcave greke 400 të vrarë dhe 600 të plagosur. Forcat greke kundër shqiptarëve i vazhduan masakrat dhe plaçkitjet edhe pas 27 qershorit deri në mars të vitit 1945.
Në lidhje me numrin e të vrarëve sipas statistikave, gjatë masakrave të viteve 1944-1945, kundër shqiptarëve në Greqi, ka të dhëna të ndryshme, ku ai numër është 3829 burra, gra dhe fëmijë. Po ashtu këta kriminelë me anë të urisë shkaktuan vdekjen e rreth 2.987 vetëve, kryesisht, gra, fëmijë e pleq, që gjithsej janë 6.816 vetë, apo 1/7 e krejt popullatës çame myslimane përtej kufirit shtetëror. Sipas qyteteve, u vranë si vijon: Filati 1.286 vetë, Paramithi 807 vetë, Gumenicë 722 vetë, Margëlliç e Pargë 713 vetë etj.
Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria. Ka dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre të cilët i kanë shkruar në libra të ndryshëm, që mund të jenë skenar për filma dokumentarë. Në Çamëri nuk mbeti asnjë shqiptar i fesë islame.
Kjo kasaphanë përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 35.000 çatëve që erdhën me foshnja në duar e me një bohçe në krah e u strehuan si refugjatë në Shqipëri në kushte të vajtueshme. Ata lanë mbrapa pasurinë e tyre të vënë gjatë brezave qe llogaritet me vlerë 4 miliardë dollarë. U dogjën e u shkatërruan 68 katunde mbi 6 mijë e 500 ndërtesa banimi si dhe 85 faltore islamike.
Shtëpitë, ullishtat, kopshtet, pyjet dhe zabelet iu dhanë grekëve dhe vllahëve të shpërngulur nga zona e Gramozit, gjatë luftës civile 1945-1949. Autoritetet greke nuk e ndalën dorën e tyre edhe ndaj varreve të çamëve myslimanë. Me buldozerë, ata rrafshuan të gjitha varret, kudo që ishin.
Përgjegjësi indirekte për këtë gjenocid, mbajnë edhe fuqitë aleate, të cilët me qëndrimin e tyre, inkurajuan shovinistët grekë për të kryer masakrën çame.
Aktualisht në Çamëri, zyrtarisht nuk ka mbetur asnjë çam i besimit mysliman. Atje mund të gjesh vetëm ca rrënoja të xhamive dhe medreseve, që kanë ekzistuar para vitit 1945.
Po ashtu duhet cekur se nga forcat e Zervës në Çamëri janë llogaritur se janë grabitur: 17 mijë kokë bagëti të holla, 1 mijë e 200 të trasha, 21 mijë 000 kuintal bereqet, 80 mijë kuintal vaj; gjithashtu produkti i vitit 1944-1945 që arrijnë në 110 mijë kuintal bereqet dhe 30 mijë kuintal vaj. Gjatë emigracionit 110 mijë bagëti të holla dhe 24 mijë bagëti të trasha ngordhën dhe humbën.
Varrezë monumentale për viktimat
Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë tregojnë se masakrat u kryen me armë të ftohta, me varje e zjarr. Mëshirë nuk patën as ndaj fëmijëve e as grave shtatzëna. Bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame. Në nderim të tyre në vitet 2012-2013 në një hapësirë prej 12.000 m2 është ndërtuar Varreza Monumentale.
“Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer të Konispolit me emrat e 2 mijë e 900 viktimave çame ku më 27 qershor çdo vit është bërë vend pelegrinazhi, në përkujtim të gjenocidit kundër çamëve nga zervistët grekë.
Masakrimi i shqiptarëve ortodoksë
Masakrimi popullsisë shqiptare të përkatësisë fetare islame, përveç se kemi të bëjmë me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve, ajo ishte porosi edhe kundër shqiptarëve të përkatësisë fetare ortodokse, që mos të deklarohen se janë shqiptarë, por grekë.
Por, ata shqiptarë ortodoks të cilët kanë pasur qëndrim kombëtar e kanë pësuar me kokë, sepse edhe ata u eliminuan. Ne mënyrën me makabre nga forcat zerviste e pësoi avokati Spiro Çalluka, i cili ka qenë drejtori i arsimit shqip në Paramithi. Atë zervistët e burgosen me 30 qershor 1944 dhe pas disa ditë torturash çnjerëzore në moshën 87-vjeçare, ia nxorën sytë dhe u tërhoq zvarrë me makinë në qytet deri sa ndërroi jetë. Më pas së bashku me shqiptarë të tjerë ortodoksë të Çamërisë u la i varur për tri ditë mes qytetit për të dhënë shembullin se shqiptarët ortodoksë do të kishin të njëjtin fat mizor nëse deklarohen shqiptarë.
Shqipëria dhe çështja çame
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në rrethana aspak të favorshme shoqërore, e politike me keqardhje është konstatuar se Qeveria komuniste e Shqipërisë, i la çamët e ardhur nga Çamëria në mëshirën e fatit dhe nuk bëri asnjë përpjekje, për t’iu siguruar strehim, bukë dhe punë. Por, me angazhimin e tyre e sidomos me përkrahjen e popullsisë shqiptare, ata u vendosën si në Konispol, Sarandë, Vlorë, Fier, Elbasan, Durrës, Tiranë e të tjerë. Madje çamët, shikoheshin me dyshim nga qeveria e Tiranës dhe trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë.
Dy kongrese të çamëve
Në mjedisin e ri në cilësinë e refugjatëve çamët në Shqipëri në fund të vitit 1944 krijuan Komitetin Antifashist të Emigrantëve Çamë, si pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, me mision për të lobuar për kthimin e çamëve në shtëpitë e tyre dhe për të krijuar kushte për mbijetesën e tyre, në kampet e refugjateve që u krijuan në Shqipëri.
Komiteti në kuadër të veprimtarisë së vet organizoi dy kongrese, i pari në fund të Luftës së Dytë Botërore në Konispol, ndërsa i dyti më 23 shtator 1945 në Vlorë. Si Kongresi i parë dhe i dytë miratoi shumë Memorandume, që iu dërguan Misioneve të ndryshme ushtarake të aleatëve në Shqipëri, duke kërkuar të diskutohej çështja çame, ku si e vetmja zgjidhje ishte riatdhesimi i tyre në Çamëri dhe gjykimet e drejta për ata që i dëbuan.
Por, çdo angazhim në këtë drejtim ishte i kotë, sepse aleatët heshtën, duke mos treguar interesim për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin e duhur, ku përgjegjësi mban edhe Qeveria e Shqipërisë.
Persekutimi i çamëve nga pushteti
Në lidhje me çamët, moment i veçantë paraqet viti 1948, sepse për interesa ideologjike Qeveria e Shqipërisë urdhëroi mobilizimin e disa qindrave çamëve, për t’i dërguar në Greqi që të luftonin në radhët e komunistëve grekë. Por, ndaj një urdhri të tillë çamët refuzuan dhe s’pranuan të bëheshin mish për top, për interesat komuniste. Nga një qëndrim i tillë mbi 1 mijë çamë u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqendrimit, në Lozhan. Nga trajtimi çnjerëzor, vdiqën rreth 80 vetë.
Në rrethana të tilla shoqërore në vitin 1951 çamëve iu dha me dhunë shtetësia shqiptare dhe Komiteti u shpërbë, me ç´rast çështja çame mbeti në heshtje nga pushteti në Shqipëri.
Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.
Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.
Nuk ka të dhëna të sakta se sa mund të jetë tash numri i çamëve në Shqipëri, edhe pse ai numër llogaritet aproksimativisht rreth 200 mijë çamë.
Jo heshtje ndaj çështjes çame
Në sajë të kursit ideologjik të Qeverisë së Shqipërisë dhe politikës izoluese gjatë kohës së komunizmit (1944-1991) Çamëria dhe çështja çame mbetën në heshtje. Dhe një qëndrim i tillë fatkeqësisht ishte në favor të politikës greke, e cila vazhdimisht ka pasur qasje antishqiptare.
Ndërsa pas rënies së sistemit monist nga viti 1991 e më pas çështja çame nuk mbeti në heshtje por ajo trajtohet si çështje e pazgjidhur kombëtare, duke arritur te ndërkombëtarizohet. Në këtë drejtim rol të veçantë kanë luajtur kryesisht pjesëtarët çamë si përmes partive politike apo nga shoqëria civile, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nuk ka dilemë se gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë dhe të tjerë kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin patologjik nga greket ndaj tyre.
Në shumë raste kemi dëgjuar rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë të cilat vështirë të imagjinohen se kanë ndodhur para 80 vjetëve nga fqinjët e shqiptarëve, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një urrejtje patologjike sa kombëtare dhe fetare, për pastrim etnik të krahinës shqiptare të Çamërisë.
Gjenocidi kundër shqiptarëve në Çamëri e në viset e tjera shqiptare në Greqi me qëllimin e spastrimit etnik është identik me serbët që vepruan kundër shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit (1877/1878), të cilët i vranë dhe i shpërngulën shqiptarët nga 648 vendbanime (urbane e rurale). Ata që patën fat e shpëtuan u vendosen si muhaxherë në vendbanime të ndryshme të Kosovës, kryesisht në Prishtinë, Vushtrri, Podujevë, Gjilan e të tjera.
Pëshpëritja e parë për çamët ortodoksë
Mediat njoftuan se në këtë përvjetor në Tiranë në organizim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në mjediset e Kishës së Metamorfozës në prani të dhjetëra besimtarëve është mbajtur një përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë. Përshpirtja është liturgji ortodokse që lutet për të përkujtuar të vdekurit, ku meshtari i Kishës, At Kristo Sharko kreu përshpirtjen në kujtim të emrave të tyre.
Përshpirtja u realizua për Spiro dhe Thoma Çalluka, Gaqo Pasko, Dhimo Kasari, Ilia Nasto, Thimi Gogozoto, Petro Sharra, Ilia Konomi dhe gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë të vrarë nga forcat zerviste gjatë gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Të gjithë ata punuan për atdheun e tyre, Shqipërinë, deri në momentin e fundit të jetës. Ky është rasti i parë që në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kryhet një përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë (!).
Dita e përkujtimit të Çamërisë
Në përkujtim të popullsisë shqiptare e cila është masakruar e shpërngulur me dhunë nga Çamëria Kuvendi i Shqipërisë, në vitin 1994 datën 27 qershor e ka shpallur si Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë. Por, nuk mjafton me kaq, sepse Qeveria e Shqipërisë, duhet të jetë aktive e jo inferiore apo utilitare, sepse çështja çame vazhdon te mbesë e pazgjidhur dhe temë delikate midis marrëdhënieve shtetërore Shqipëri-Greqi. Por, një situatë e tillë është rezultat i politikës shtetërore greke, e cila mohon çështjen çame.
Deri sa në Greqi është në fuqi ligji i luftës me Shqipërinë (1940), që është absurd se të dyja vendet janë në NATO, si dhe çamët të vazhdojnë të trajtohen si bashkëpunëtorë të fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, është vështirë të priten ndryshime pozitive ndaj çështjes çame. Por, nga ajo kohë e deri në ditët tona asnjë qeveri greke nuk ka pasur guxim t’u kërkojë falje shqiptarëve të Çamërisë, për masakrat e kryera ndaj tyre, që është obligim moral si dëshmi e kapacitetit demokratik dhe në favor të marrëdhënieve në mes dy popujve.
Çamëria – çështje e hapur kombëtare
Dhe në fund duhet cekur se ndonëse Greqia është e BE-së ajo u mohon çamëve të drejtën elementare për të vizituar vendlindjen e tyre ku ende kanë pronat e tyre, si dëshmi e origjinës në Çamëri. Në këtë aspekt diplomacia shqiptare nuk duhet të heshtë, por duhet të angazhohet në ndërkombëtarizimin e çështjes çame, sepse është obligim moral, kombëtar e kushtetues, sikurse vepron bota demokratike ndaj pjesëtarëve të popullit të vet, duke marrë parasysh se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake apo të individëve, sepse Çamëria vazhdon të jetë çështje e hapur kombëtare që kërkon zgjidhje sipas standardeve ndërkombëtare.