Arkeologët kanë nisur gërmimet në lokalitetin arkeologjik në Cernicë të Gjilanit, duke premtuar zbulime të reja dhe të rëndësishme.

Ministri i Turizmit, Hajrulla Çeku përmes një postimi në Facebook thotë se Gradina e Cernicës po konsiderohet një nga vendbanimet e periudhës së hekurit dhe asaj helenistike, që përfshinë periudhën e Mbretërisë Dardane, është tani në qendër të vëmendjes.

Çeku ka theksuar se arkeologjia po trajtohet me prioritet në Kosovë.

“Gradina e Cernicës, bazuar në materialin e zbuluar arkeologjik, përfaqëson njërin nga vendbanimet kryesore të periudhës së hekurit dhe asaj helenistike – periudha e Mbretërisë Dardane, në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Çeku.

Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të eksploruar dhe ruajtur vendbanimet e lashta që dëshmojnë historinë dhe kulturën e pasur të Kosovës.

Gërmimet arkeologjike në Gradina e Cernicës pritet të ofrojnë njohuri të reja dhe të zgjojnë interes të madh si për komunitetin shkencor ashtu edhe për publikun e gjerë.

Gërmimet në Cernicë janë vetëm vazhdimi i një serie projektesh që synojnë të ndriçojnë më tej historinë e lashtë të Kosovës.

Ndryshe, punimet për pastrimin dhe konservimin e kalasë së Vuçakut kanë filluar në maj, por para pak ditësh edhe aty është zbuluar një objekt i vjetër romak me gdhendje skulpturale.

Në muret rrethuese të kalasë, është zbuluar një altar romak që daton nga shekulli i tretë i erës sonë, një spolia e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit 527–565 para erës sonë.

Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi zbulimin si një dëshmi të rëndësishme të historisë dhe kulturës së vazhdueshme të Kosovës.

“Gërmimet sapo kanë filluar në Kalanë e Vuçakut të Drenasit, dhe ekipi arkeologjik tashmë ka bërë zbulimin e tij të parë të rëndësishëm, në muret rrethuese të kalasë: një altar romak që daton nga shekulli i tretë të e.s., një spolia e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527–565 e.s.). Altari ka një rëndësi të veçantë si dëshmi e jetës dhe kulturës së vazhdueshme nga parahistoria dhe antikiteti deri në mesjetë”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Me këto zbulime, Kosova po konsolidon pozicionin e saj si një vend me trashëgimi të pasur arkeologjike dhe historike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here