Pjesëmarja në demonstratën e 30 majit 1989 në Podujevë
(Në 35-vjetorin e rënies heroike)
Basrie Murati-Sakiri
Në mbrëmjen e 29 majit 1989, me t’u errësuar, papritmas erdhi Sabri Kiçmari aty ku isha e strehuar. Te familja e Fexhrie Poterës, bashkëveprimtare dhe bashkëfshatare e imja, e cila ishte arratisur në shtatorin e 1988-tës në Suedi, po ashtu për shkak të veprimtarisë atdhetare, isha vendosur disa ditë përpara. Në fytyrën e Sabriut dallohej qartë një shqetësim, dhe me vete mendova, se ardhja e tij kishte të bënte me diçka serioze. Dhe ashtu ishte – të nesërmen, pra më 30 maj 1989, do të zhvilloheshin demonstrata në Podujevë dhe në qytetet tjera të Kosovës. Po atë ditë vinte një delegacion i Parlamentit Evropian për ta vlerësuar situatën në Kosovë. Prandaj, edhe ne duhej të dilnim të demonstronim e t’u tregonim pakënaqësinë tonë, edhe pse ishim ilegalë. Rrezikun nuk e paramendova aty për aty, se nuk kisha kohë të kujtohesha. Më duhej të përgatitesha për të shkuar, sepse ai nuk priste.
Prej aty u nisëm diku pas orës 22:00. Për ku, ende nuk e dija. Për shkaqe rreziku e konspiracioni nuk tregohej vendi se ku shkonim, derisa arrinim te vendstrehimi. Me kujdes arritëm të dilnim te hekurudha, jashtë lagjeve të qytetit. Edhe pse udhëtonim skaj hekurudhës, siguri nuk kishte. Policët ishin bërë si të tërbuar dhe flitej se mund t’i hasje kudo, prandaj në çdo hap na kanosej rreziku.
Te baza e paraparë arritëm pa problem. Ajo ishte shtëpia e bacë Ademit dhe gjendej në periferi të qytetit Podujevë, në një lagje të dendur. Ishte qetësi e madhe, vetëm të lehura qensh dëgjoheshin nganjëherë. Brenda në oborr hymë ngadalë nga ana e kundërt e shtëpisë, pa bërë as më të voglën zhurmë. Shkuam nga ana e kundërt e shtëpisë, ngase dyshohej se familja e Aliut përcillej gjithherë nga ana e forcave policore. Një njeri pak i moshuar e me trup të plotë na e hapi derën dhe ashtu nëpër errësirë u futëm brenda. Ai kishte qenë baca Adem, babai i Ali Ajetit. Aty na përshëndetën edhe dy të rinjë, që më vonë e kuptova se ishin vëllezërit e Aliut.
Pas një kohe, kanë ardhur edhe shokët tjerë, ku menjëherë filluam të përgatiteshim për demonstratë. Vendimi për demonstratë ishte marrë shumë shpejt dhe njerëzit nuk ishin të informuar sa duhet. Ne ishim të pasigurt, nëse do të kishte numër të duhur pjesëmarrësish. Nga ana tjetër, pjesëmarrja jonë në demonstratë ishte me rrezik, sepse policia na kërkonte kudo që nga 27 marsi 1989 dhe ballafaqimi me ta, na priste luftë e hapur.
Parullat filluam t’i shkruajmë Aliu dhe unë. Ai i shkruante bukur me vizore në material stofi të bardhë me ngjyrë të zezë, ndërsa unë pas tij i ngjyrosja me ngjyrë të kuqe. Gjatë punimit të tyre vendosëm të shkruajmë edhe parullën “Kosova Republikë!”. Që nga demonstratat e viti 1981 kjo parullë nuk ishte dukur nëpër tubime e demonstrata.
Menjëherë më doli parasysh rreziku që na kanosej. Nga ana tjetër një shkëndijë gëzimi shkrepi në zemrën time. Në mesin e parullave tjera, që i shkruam atë natë, ishin: “Europë Help!”, “Liri, Barazi, Demokraci!”, “Më mirë vdekje, se robëri!”, “Duam bukë!”, etj… Jo vetëm për shkak të përmbajtjes, por edhe nga ana estetike, ato dukeshin bukur. Duke i punuar, bëmë shumë shaka me njëri-tjetrin e sidomos Sabriu me Aliun.
“Shqipe vetëm unë dhe ti kemi të drejtë ta quajmë veten punëtorë revolucionarë, këqyri këta dembelët veç rrinë e këqyrin seri!”, më pati thënë Aliu me humor dhe mundohej ta fshehte buzëqeshjen në fytyrën e tij të çiltër.
Ndër të tjera, dikush tjetër pati pyetur se, nëse ndokush nga ne plagoset në demonstratë, çka duhej ndërmarrë dhe si t’i ndihmojmë? Fjala ishte që t’mos biem të gjallë në duar të armikut. Aliu u përgjigj menjëherë:
“Me e vra, po çka!? A po menon se po nalna e po e pres a? Me më vra edhe mua masanej!”. Nga mënyra se si e tha ai ne përnjëherë ia nisëm të qeshim edhe pse flitej për diçka të vështirë!
“Unë nuk mund ta bëjë atë gjë!”, tha Sabriu, kurse dikush nga grupi pas tij tha duke qeshur:
“Vallahi e bëj, që çka po vetë!”. Dhe e qeshura vazhdoj edhe më tutje.
Nëna e Aliut, nënë Vahidja, bënte roje
Në dhomën ku qëndruam atë natë na shoqëronte edhe baca Adem, kurse nëna e Aliut, nënë Vahidja herë hynte e herë dilte, ngase na bënte roje. Ajo ishte një nënë shumë bujare dhe e ndjeshme. Kur ishte në praninë tonë na kënaqte me fjalët e saja, sa të dashura aq edhe të vendosura. Gjatë tregimeve të saja e vëreja edhe merakun që fshihte, se mos na priste ndonjë e ligë në demonstratë. Ishte me të vërtetë e vështirë ta mendoje rënien e ndonjërit prej atyre të rinjve. Të gjithë ishin përkushtuar, të matur e të ditur.
Nuk besoj të ketë vënë gjumë në sy atë natë ndonjëri prej nesh. Të nesërmen, pasi hëngrëm bukë (thënë të vërtetën vetëm sa morëm nga disa kafshore) filluam të bëheshim gati për të dal në demonstratë. Të gjithë morëm veshmbathje të tjera për shkaqe kamuflimi/maskimi, disa të punëtorëve me ngjyrë të kaltër, e disa rroba nga vëllezërit e Aliut. Unë vetëm i shikoja. Aliu dikur më tha:
“Po ty oj Shqipe, askush nuk po të sjell tesha tjera, a? (Shqipe ishte pseudonimi, me të cilin më pagëzuan dhe më thërrisnin shokët në ilegalitet) Vetë shkoi e m’i solli nja dy palë pantallona e një xhemper.
“Në mos të ardhtë mërzi që janë të miat, provoj a të biejnë e veshi qeto!”, më tha. I vesha sikur të ishin të miat.
Pasi u përgatitëm mirë dolëm të shkonim në demonstratë. Një rrebesh shiu filloi, por nuk zgjati shumë. Ne u përshëndetëm me njëri-tjetrin, sepse nuk dihej se a do të takoheshim më. Nëna e Aliut ishte e fundit që na përshëndeti e përcolli jashtë oborrit të shtëpisë së bacë Ademit.
U nisëm me veturë të dilnim pas shkollës së gjimnazit “Isa Boletini” ku e kishim lënë në ora 12:00 të takoheshim me shokë të tjerë. Sapo dolëm nga vetura e vëllait të Aliut, në një rrugicë prapa gjimnazit, u takuam me shokët tjerë. Safet Ajeti, një shok i gjeneratës dhe ilegales, mbante në dorë një flamur të mbështjellë. Pak para se të dilnim në rrugën kryesore të qytetit, i ndamë transparentet. Atë me parullën “Kosova Republikë!” ma dha Aliu mua me një buzëqeshje vendosmërie. Ende e ruaj të freskët atë shkëlqim plot krenari, që shndriste fytyrën e tij. Qysh duke i shkruar parullat një natë më parë më pat premtuar, se do ta bënte një gjë të tillë. Ne ishim gati ta fillonim demonstratën.
Menjëherë pasi dolëm në rrugën kryesore që ishte e mbushur plot me nxënës, i kemi shpalosur transparentet dhe kemi filluar të bërtisnim parullën “Kosova Republikë!”. Të gjithë njerëzit që ishin kalimtar të rastit në rrugë i kanë drejtuar sytë nga ne, mirëpo nuk na afrohej njeri. Ata na vështronin me habi dhe në fillim nuk na u bashkëngjit askush. Ne ishim veshur me rroba të pazakonshme dhe mbanim edhe kapelë në kokë, për t’mos u identifikuar nga policia. Duke brohoritur, kemi shkuar deri te qendra e qytetit. Tek atje na janë bashkangjitur nxënësit e gjeneratës time, shoqe dhe shokë që i njihja dhe disa të afërm tanë. Mirëpo, numri i tyre nuk ishte i mjaftueshëm, gjithsej në demonstratë nuk ishim as 150 vetë.
Në qendër të qytetit ndeshëm disa grupe policësh, të cilët vetëm na shikonin pa ndërmarrë asgjë. Atë ditë thanë se kishin qenë policët sllovenë, prandaj edhe nuk na kishin sulmuar. Ne marshonim ballë për ballë tyre. Në ato momente nuk mërziteshim edhe pse mund të shtinin në ne. Shqetësoheshim dhe filluam të mllefoseshim pse masa e njerëzve nuk na bashkohej, por vetëm na shikonte me habi. Vetëm më vonë e patëm kuptuar se shumica prej tyre ishin frikësuar për shkak të parullës “Kosova Republikë!” që brohoritej pas tetë vitesh dhe kishin dyshuar se nuk jemi shqiptarë, por provokatorë serbë.
Përballë policëve të armatosur rënd
Të dytën herë, kur u kthyem te shkolla “Isa Boletini”, kishin dalë shumica e profesorëve të na shikonin. Ne brohorisnim pa ndërprerë parullat: “Kosova Republikë!”, “Liri, barazi, demokraci!”, “Republikë, kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”, e shumë parulla të tilla. Ashtu duke brohoritur, kemi shkuar në anën tjetër të qytetit deri te shkolla “8 Nëntori”. Edhe atje nuk na është bashkangjitur masa rinore. Përkundrazi, kur na panë nxënësit ikën dhe hynë brenda në shkollë. Kjo na zhgënjeu shumë, sepse ne e patëm paramenduar ndryshe, që masa e nxënësve dhe e popullit do të na bashkëngjitej.
Përsëri morëm rrugën për në qytet, mirëpo sapo dolëm nga oborri i shkollës, hasëm në vështirësi. Ballë nesh, përafërsisht 100 metra larg, vinte një grup i zi policësh të armatosur rënd. Ne kemi marshuar drejt tyre, por nuk vonoi e na hodhën gaz lotsjellës. Ne filluam të shpërndaheshim, duke u tërhequr mbrapa dhe kemi vrapuar sa më larg. Policia është vërsulur e tërbuar pas nesh. Në fund të oborrit të shkollës ishte një gardh prej teli të cilin e kërcyem me shumë vështirësi. Masa u shpërnda tërësisht. Një pjesë e demonstruesve iku drejt rrugës, e cila shpinte te pompa e benzinës, kurse pjesa tjetër nga ana jonë iku fushës në drejtim të fshatit Letanc. Policët u vërsulën pas atyre që ecnin drejt rrugës në drejtim të Shtedimit, sepse ata e mbanin flamurin lart. Prej ilegalëve në anën tonë ndër të tjerë ishin edhe Shaban Mulolli e Ismet Abdullahu. Ne ecnim bashkë fushës dhe i shihnim nxënësit që vraponin arave në të gjitha anët. Bënte vapë, si të ishim në mes të verës edhe pse ishim ende në muajin maj.
Pas dy muajsh të jetës ilegale, dalja jonë hapur ishte e pabesueshme. Pasi që nuk shihnim ndonjë rrugëdalje, zumë vend afër një ferre, dhe u ulëm. Helikopterët e policisë dhe të ushtrisë silleshin mbi kokat tona dhe kishim frikë se mos na vërenin. Ashtu ulur, të fshehur nën kaçuba, skaj një are të mbjellë me misër e kanë pasur më vështirë të na dallonin.
Ishte kohë e mihjes së misrit dhe nëpër ara kishte edhe fshatarë të tjerë që punonin. Nuk vonoi shumë dhe erdhën disa nga shokët dhe shoqet e gjeneratës sime, të cilët kishin frikë të ktheheshin në shkollë apo në shtëpitë e tyre, por pasi ne i këshilluan se si të vepronin, ata u nisën menjëherë. Qëndrimi me ne ishte i rrezikshëm. Pas një çasti që u vendosëm në atë skaj are, nga ana e Shtedimit u dëgjuan të shtëna automatiku. Shqetësimi ynë u shtua edhe më shumë dhe e ndjemë veten edhe më të pasigurt. Pothuaj dy orë zhurma e helikopterëve nuk pushoi. Ashtu me frikë dhe pasiguri qëndruam deri në perëndim të diellit. Nuk kishim asnjë rrugëdalje si të largoheshim nga aty dhe më e keqja nuk dinim asgjë se ç’kishte ngjarë me shokët dhe demonstruesit tjerë. (Vijon)