Nga: Harriet Sherwood / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur në vitin 1719 Ben Browne u nis me kalë nga fshati i tij i vogël në veri të Anglisë drejt dritave vezulluese të Londrës, shqetësimet e tij nuk ishin aq të ndryshme nga ato të rinjve të sotëm. Kryesisht ishin në këtë formë: ju lus të dërgoni para, gjithçka është shumë e shtrenjtë.
Rreth 65 letra të dërguara nga Browne drejtuar babait të tij në Trotbek në qarkun historik të Uestmorlandit, tani pjesë e Kumbrisë, u kanë mbijetuar 300 vjetëve të shkuara. Të martën ato shfaqen në Tounend, në shtëpinë e familjes Browne për të cilën tani kujdeset Trusti Kombëtar.
Letrat janë plot me përshkrime të gjalla të jetës së re të Browneit në Londër – ku ai u trajnua si nëpunës i një avokati – si dhe nevojën e tij për fonde. Në fillim u ndesh me trazirat sociale në formën e protestave të dhunshme – nga endësit e mëndafshit të Spitalfildsit kundër importeve të basmës nga India. Ishte, i shkroi ai shtëpisë, “një turmë shumë e madhe e endësve të këtij qyteti … janë të uritur për mungesë tregtie”.
Me kalimin e kohës, letrat e tij shpeshherë kërkonin para për ta ndihmuar për pagesën e qirasë dhe për të blerë çorape, pantallona, paruke dhe sende të tjera të nevojshme për jetën e tij të re. Shpresonte që prindërit e tij të mos e mendojnë si ekstravagant, por “… veshjet që tani i kam janë të këqija në krahasimin me ato që veshin këtu”.
Browne tregonte se punon me orë të gjata, nga ora tetë e mëngjesit deri në orën njëzetë, duke kopjuar dokumente ligjore, ndërsa ishte i mërzitur kur zbuloi se babai e kishte caktuar për pesë vjet te punëdhënësi i tij. “Kam humbur kulmin e rinisë sime”, u ankua ai.
Sidoqoftë – dhe pavarësisht se i tha babait se sa i mungonin paratë – Browne çonte jetë të mirë shoqërore, duke takuar miq dhe duke ngrënë e pirë përreth Flit-Strit, afër shoqatës “Inns of Court”. Ai gjithashtu gjeti burimet për të kënaqur pasionin e tij për blerjen e librave.
Një numër i librave të mbijetuar në bibliotekën në Tounend, kanë datat e blerjes që korrespondojnë me vitet në të cilat Browne ishte në Londër dhe ato u shënuan me dorën e tij. Përfshinin romanca, letërsi dhe drama të Shekspirit.
Ai gjithashtu kishte përmbushur kërkesat nga familja dhe fqinjët në Trotbek për të marrë artikujt e ndryshëm të disponueshëm vetëm në qytet. Ua dërgoi prindërve të tij disa kuti dhe një letër ku Browne renditi kërkesat që kishte përmbushur.
Në një letër, Browne njoftoi se ishte martuar me shërbëtoren e punëdhënësit të tij, Mary Branch, pasi e kishte dashuruar në fshehtësi. Iu lut babait për bekimin dhe faljen e tij, e cila iu dha siç duhej. Browne shkroi se “do të jetë përherë mirënjohës për këshillat e mira dhe të shumta që kam marrë nga babai dhe nëna që janë tolerantë dhe të dashur”.
Emma Wright, menaxherja e koleksioneve dhe shtëpive në Tounent, ka thënë: “Këto letra janë kaq të ngjashme dhe tregojnë se asgjë vërtet nuk ka ndryshuar. Ashtu si letrat ose mesazhet elektronike që mund të marrin sot shumë prindër që kanë fëmijë në vend tjetër, ato tregojnë sesi duhet të jetë ndjerë babai i Browneit kur ka marrë lajmet për të dhe kërkesat për ndihmë, ndërsa çdo i ri që ka mbërritur në një qytet të madh për të studiuar ose punuar, do të njohë situatat në të cilat ndodhej Beni si i ri.”
Browne jetoi për 16 vjet në Londër, përpara se të kthehej në fermën e familjes. Babai i tij, i quajtur gjithashtu Ben Browne, ruajti dhjetëra letrat që Beni i ri ia dërgonte shtëpisë, por mbijetuan vetëm disa nga letrat që i moshuari ia kishte shkruar të birit. /Telegrafi/