Mjekët zënë vendin e parë për ngasje në mënyrë agresive, ndërsa parukierët janë shoferë më të qetë, thuhet në një studim britanik që ka zbuluar lidhjet midis profesioneve të shoferëve dhe zakoneve të tyre të vozitjes, shkruan “Metro”.

Hulumtimi tregon lidhje të drejtpërdrejtë midis profesionit dhe zakoneve të vozitjes, duke zbuluar se cilat profesione janë më të prira për shpejtësi, parkim joadekuat dhe sjellje të rrezikshme në trafik.

Sipas një sondazhi me 2 mijë britanikë, punëtorët e ndërtimit u dalluan si shoferët më të shpejtë, me më shumë se 70 për qind të të anketuarve që pranuan se rregullisht e tejkalonin kufirin e shpejtësisë.

Nga ana tjetër, profesionistët e mjekësisë pranojnë se shpesh nervozohen gjatë vozitjes, ku më shumë se një e katërta e tyre përdorin gjeste të papërshtatshme dhe bërtasin për të shprehur zhgënjimet gjatë vozitjes.

Është interesante që parukierët tregojnë mirësjellje të veçantë në rrugë. Pothuajse të gjithë të anketuarit e këtij profesioni thonë se rregullisht i lënë të tjerët të hynë para tyre, ndërsa më së shumti vështirësi me parkimin kanë punonjësit e burimeve njerëzore.

Nga ana tjetër, sipas studimit, elektricistët shpeshherë harrojnë të japin sinjal kur dalin nga rrethrrotullimi.

Sondazhi tregoi gjithashtu se avokatët, punonjësit e medias dhe sipërmarrësit më së shpeshti parakalojnë dhe hyjnë në korsinë tjetër kur nuk duhet, duke shfaqur tendencë ndaj sjelljeve të rrezikshme.

Përkundër këtyre sjelljeve, shumica e shoferëve besojnë se drejtojnë mirë dhe kujdesen për sigurinë në komunikacion, edhe pse një numër i madh i tyre kanë pranuar se shpesh ndihen të nervozuar gjatë ngasjes.

Shumica dërrmuese besojnë se vozitja do të ishte më e këndshme nëse të gjithë shoferët do të ishin më të rregullt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here