Kalaja e Mitrovicës (Zveçanit) ishte ndër vendet kryesore të Serbisë mesjetare në Kosovë, pas shtrirjes së ekspansionizmit sllav në tokat arbërore, në fund të shek. VII. E një rëndësie të njejtë edhe për Perandorinë Osmane, pas triumfit në “Betejën e Kosovës”, më 1389.

Thënë më saktë, kushdo që kontrollonte kalanë, kishte përparësi efektive në mbrojtjen e Veriut të Kosovës, i cili në aspektin politik, ngarthente kontrollin ushtarak, të sulmeve nga veriu, atë të pasurisë mbi minierat si dhe atë ekonomik, të tregtisë, sidomos lidhjen e vijës tregtare me Dubrovnikun.
E ndërtuar gjatë sundimit bizantin, Kalaja e Mitrovicës kishte rëndësi të madhe për Bizantinët. Në radhë të parë, përbënte fortifikatën kryesore kundër shtetit të Rashkës dhe mundësonte siguri gjatë shfrytëzimit të pasurisë nëntokësore në Veriun e Kosovës sidomos në kohën e Car Simeonit gjatë shek. IX.
Qyteti i Mitrovicës do të hynte nën sundimin serb në fillim shek. XIII, si pjesë e territorit të Rashkës, në kohën e Stefan Nemanjës. Ky pushtim u bë i mundur nga luftrat e njëpasnjëshme në Ballkan dhe dobësimit Bizantin, sidomos nga sulmi në Konstandinopojë, i njohur si “Kryqëzata e Katërt”.

Nemanjiqët do të ndërtonin kisha dhe manastire të shumta në Veri të Kosovës, do të pushtonin Shkupin nga bizantinët dhe do t’i fusnin në kontroll pasuritë nëntokësore, minierat, të cilat kontribuoan në suksesin e kësaj dinastie.
Kalaja e Mitrovicës ishte vendi ku u ekzekutua Stefan Duçanski, nga i biri i tij, Stefan Dushani, i cili qe trashëgimtari më i suksesshëm i nëmanjiqëve, njëkohësisht i parafundit nga kjo dinasti. Pas rënies së tyre, kalaja do të binte në pushtet të Vuk Brankoviqit, dhëndri dhe kundërshtari i madh i princit Lazar.
Pas triumfit osman në Betejën e Kosovës më 1389, kundër princërve serb në krye me princin Lazar, Vuk Brankoviqi ishte ndër të paktit që mbijetoi, por i pafuqishëm për të ruajtur territorin autonom dhe të refuzojë vasalitetin osman. Osmanët e detyruan atë që të dorëzojë Shkupin, qendren e mbretërive serbe si dhe Kalanë e Mitrovicës, si vendin më rëndësishëm në Kosovë. Kjo ishte humbja më e madhe, e cila që simbolizon rënien e despotizmit serb në Kosovë.

Osmanet do ta kishin nën zotërim kalanë deri në shek. XIX. Garnizonet turke u vendosën ne kala dhe jetesa u vendos në anën e kundërt të lumit Ibër, duke ndërtuar Xhami, Medrese, Hamame, Pazare dhe Sahatkullë. Kalaja e Mitrovicës lidhte rrugën tregtare të osmanëve me zotërimet (vilajetet) e tyre në Bosnjë. Ajo do të braktisej nga osmanët gjatë depërtimit Austrohungarez në Ballkan.

Kalaja e Mitrovicës përmendet edhe në udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut gjatë shek. të XVII, ose “Mitrovica e Kosovës” siç e quante ai. Gjatë arritjes në Mitrovicë nga Pazari i Ri (Novi Pazar), kalaja ishte vendi ku Çelebiu u ndal. Duke përshkruar ngjarjet që ndodhën në atë kohë në “Librin e udhëtimeve”, Betejën e Kosovës, vrasjen e Sulltan Muratit dhe pushtimin e Kalasë së Mitrovicës, këtë të fundit e portretizon si “Ogurzezë”, si shenjë fatkeqësie lidhur me ngjarjet në vrasjen e Sulltanit në fushën e Kosovës.
Kalaja e Mitrovicës dikur vendi kryesor i mbretërive serbe në Mesjetë, në aspektin e trashëgimisë, kishte një agjendë dhe trajtesë të veçantë edhe në epokën millosheviqiane, ku në vitin 1990, institucionet shtetërore serbe do ta shpallnin atë si objekt me kulturë dhe rëndësi të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, ajo bënë pjesë në kuadër të ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura të Republikës së Kosovës, sipas emërtimit ligjor, “Kështjella Mesjetare e Zveçanit” si vend historik dhe kulturor i një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e tjera.

Shkrim nga Besart G Peci

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here