Referencat e para për mëtimin e shqiptarëve për autonomi e pavarësi, truallizohen në Kosovë e Maqedoni. Ajo që quhej me përçmim “fikr-i fesat” (ide ngatërrestare) nga ana e autoriteteve osmane, pati dalë në sipërfaqe disa herë gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në tejqyrën e një historiani, akti i 17 shkurtit 2008, me të cilën Kosova u mëvetësua dhe u bë shteti i dytë shqiptar në Ballkan, është paraprirë nga dhjetëra kërkesa që prej autonomisë e deri te pavarësia. Por, 180 vjet më parë një kryengritës semi-legjendar me emrin Dervish Cara u bë i pari që kërkoi para botës që shqiptarëve t’iu jepet autonomia ashtu siç i ishte dhënë Serbisë më 1830 dhe 1833. Duke e rivizituar këtë kryengritje, këto shënime janë një kthim në Kosovën dhe Maqedoninë e vjetit 1844

Rrëfimtaria zyrtare për shtetësinë e Kosovës nuk ka ndonjë referencë fjalëprerë për historinë e kërkesës për pavarësi. Në mungesë thuajse të plotë të një versioni shqiptar, togfjalëshët për Kosovën e cila e shpall pavarësinë unilateralisht mbeten sot e gjithë ditën përshkrimet më të klisheizuara për ngjarjen më të rëndësishme të këtij fillimshekulli në Ballkan. Ky tejthjeshtëzim është kapilarizuar aq fort në botimet akademike e ato divulgative në anglisht, sa edhe është dekurajuar nevoja për të përsaktësuar episodin e 17 shkurtit, i cili nuk ishte një akt pa histori, e jo se jo “akt unilateral”.
 

Duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë

Evokimi i parë dhe i vetëm historik ka qenë në një pasdite të së dielës në shkurtin e vjetit 2008. “Duke ndjerë rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë…”, kishte thënë kryeministri i asohershëm i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë leximit të deklaratës që e mëvetësoi vendin. Nga anëpamja e sotme, me një largesë prej 16 vjetësh, mbase teksti inagurial kaq mund të manovronte gjuhësisht në rrethanat e një komunikimi të ndërlikuar politik me Perëndimin. Së këndejmi, njoftimet e zakonta gazetareske të asaj kohe për pavarësinë e Kosovës sot mund të ndjesohen me statusin e dëshmive historike. I tillë mund të quhet edhe një opinion i botuar në “The Guardian” nga historiani e komentatori britanik, Timothy Garton Ash. Në atë batërdi zërash për shpalljen e pavarësisë, ai kishte qenë nga të vetmit që e kishte bubërruar tekstin e shpalljes që, sipas tij, ishte “një dokument i pazakontë”. “Është kaq i ngarkuar me kushte, detyrime e rezervime, shumë syresh në lidhje me mbrojtjen e pakicës së mbetur serbe, aq i tejmbushur me përkushtime për të konsultuar, nderuar e përfillur dalazotësit ndërkombëtarë të provincës, sa në të njëjtën kohë është edhe deklaratë varësie”. Në këtë copëz vështrimi, sidoqoftë fjalët e Garton Ash qëlluan fatthënëse për shtetin që përjetoi fatbardhësisht ritin e kalimit dhe atitudën dyshimtare të Perëndimit.

“Realiteti në terren, merret vesh, do të jetë krejt i tjetërfarshëm nga fjalët e bukura në letër. Shqiptarët kosovarë kanë hedhur hapa të rëndësishëm drejt vetëqeverisjes”, kishte shkruar historiani britanik.

Ku, kur dhe pse

Është e pasigurt nëse ka diçka të tillë si diskutime shkollareske në establishmentin akademik shqiptar, por është fare e sigurt që kurrë nuk janë shtruar kërshërime mbi historinë e kërkesës për pavarësi. Ndonjëherë nëpër fusnota publikimesh historike është përmendur kazualisht se ideja e krijimit të një “vilajeti shqiptar”, me status autonom, pati qenë zëruar së pari herë prej Mithat Pashës më 1876. Në ndonjë vend tjetër është thënë se parashtrimi i parë serioz për pavarësinë e shqiptarëve vie nga veprimtari rilindës prej Kërçove, Jusuf Ali beu i cili më 1878 shkroi pamfletin “Bisedime aktuale që meritojnë vëmendje”– po i njëjti, një vjet më vonë ishte botuar në Sofje me përkthim në bullgarisht.

Sidoqoftë, nga ato pak dromca historike nga të cilat mund të induktohet diçka, kërkesat për një qeverim krye në vete kanë një histori solide gati dyshekullore. Pak rëndësi ka nëse këto rravgime udhëhiqeshin për një vetëdije të qartë veçuese – në fakt është qasje e gabuar kur nga e tashmja vihen ose kërkohen kushte të pamundura për të kaluarën për të përkufizuar nocione krejt të reja.

Megjithëse me kriteret e sotme kërkesat autonomiste dhe ato për pavarësi dallojnë në nuanca e substancë, sensi që përftohet nga leximi i historive dhe historizave nga shekulli i nëntëmbëdhjetë është se me to shpesh kuptohej e njëjta gjë.

1844: Zërat e parë për autonomi

Në të rrëmbyerin shekull të nëntëmbëdhjetë, pas shuarjes së dy pashallëqeve të mëdha shqiptare në Janinë dhe Shkodër, ajri i pakënaqësive të mëdha sociale vazhdoi për dekada të tëra në pjesën më të madhe të hapësirës banimore shqiptare. Siç është fati i shumë historive rebele, një figurë obskure nga krahinëza e Pollogut në jug të vargmalit Sharr qëlloi të bëhej kryengritësi që e bëri për herë të parë të dëgjueshme kërkesën për autonomi.

Kjo histori me rebelë, besimtarë e të mbijetuar e pati për të parë të vetin Dervish Carën në fillimvitet 1840. Jehu i këtyre ndodhive të rrëmetshme u ndje gjer vonë në kujtesën e banorëve të Gostivarit, siç e jep edhe kallëzimi popullor në të folmen e andejanshme: “Dervish Cara i Pallçishtit ka ardh n’Gostivar bashk me popullin shyptar kur e zu askerin e turkit ene e bani copa”.

Sipas traditës vernakulare, familja e njohur Cara e hiqte prejardhjen e vet nga krahina e Matit (sipas këtyre kallëzimeve njëfarë Jusufi me të bijtë e tij kishin zënë vend në Urviq).
Nga ato pakëz të dhëna të disponueshme krijohet përfytyrimi për kryengritësin e ardhshëm i cili veçse kishte krijuar lidhje dashamirëse me pashallarët vendës, veçan me Abdurrahman Pashën. Pushtetet gjithnjë e më të mëdha të ajanëve shqiptarë u bënë cak i reformave qendërzuese të Portës së Lartë, nëpërmjet të cilave gjakohej hiçësimi i poleve rivale të pushtetit dhe secesionizmit. Si vjegëz për fillimin e kryengritjes së madhe shërbeu likuidimi i Abdurrahman Pashës së Tetovës dhe vëllezërve të tij, Havzi Pasha dhe Hysen Pasha. Sipas historianit maqedonas Aleksandër Matkovsi, artistokracia fisnore shqiptare nuk mund ta kalonte lehtë rekrutimin e detyruar në ushtrinë e Portës së Lartë. Kështu, në verën e 1843-s në Shkup pati akte të hapura defiante ndaj përpjekjeve të autoriteteve perandorake për rekrutim. Ballafaqime të armatosura ngjanë në muajt në vazhdim, të cilat më nuk ishin cakërrime të zakonshme. Marrja e Gostivarit dhe Tetovës e kishte përftuar një gjendje të re; tani flamuri i kryengritjes mes mijëra rebelësh të armatosur u përcoll në Shkup, Kumanovë, Kaçanik, Vranjë e Leskovc. Për pak muaj, harta rebele kishte marrë përpjestime të tilla sa qytetet kryesore në Kosovë ishin jashtë autoritetetit perandorak.

Në gjysmën e parë të vjetit 1844, ashtu siç përcjellin njoftimet konsullore, kryengritjes tashmë i ishin bashkuar 10 mijë njerëz. Frustrimit të madh i kishte dhënë dorë edhe sjellja e Portës së Lartë, e cila më 1843 dërgoi një komision hetues, të udhëhequr nga Ali Riza dhe Selim beu, me qëllim që të përnjiheshin ankesat e banorëve të krishterë të sanxhakëve të Shkupit dhe Nishit; të tilla komisione nuk i honepsnin kërkesat gjithnjë e më të shpeshta të shqiptarëve.

Nga Shkupi në Janinë: “Jemi vëllezër”

Ndërkohë, shpirti solidar i kryengritjes solli si rrallëherë në historinë e deriatëhershme cilësimet “vëllezër”: më 1844, krenët e rebelimit të madh nga Shkupi iu bënin apele shqiptarëve në Janinë për t’i rrokur armët.

Edhe burimet serbe aspak dashamirëse, sidomos në kohën e princ Aleksandër Karagjorgjeviqit (1842-1858), vinin re se e gjithë Rumelia ishte në duart e shqiptarëve (“celu Rumeliju u svojim rukama”). Serioziteti i kryengritësve shqiptarë përkapet edhe nga ato korrespodenca që vinin prej terreni e afishoheshin si njoftime në faqet e gazetës serbe “Serbske narodne novine”.

Të tilla janë edhe këto radhë të botuara më 18 maj 1844: “Gazetat thonë se arnautët ngadhënjyen edhe në beteja të tjera me ushtrinë e rregullt turke. Jo vetëm që atyre iu bashkuan plot individë nga ushtria turke, por në Bullgari pati raste kur edhe regjimente të tëra u bënë tok me ta. Shqiptarët janë në grupe të mëdha e të vogla gjithandej Bullgarisë, Rumelisë, Maqedonisë…nën katër prijës që janë në ujdi me shoqishojn. E gjitha forca e tyre ndodhet në viset rrotull Shkupit”.

Image
Faksimili i kopertinës dhe artikullit të gazetës “Serbske Narodne Novine” (18 maj 1844)

Sidoqoftë, ngjarjet e përcjella ditë pas dite vinin në spikamë edhe gëzimin në Beograd sa i përket sukseseve të ushtrisë osmane. Kështu, në njoftimin e bërë më 18 maj, një korrespodent ngutej të jepte lajmin: “Arnautët, siç e dinim u thyen afër Shkupit, dhe çdo zemër e krishterë mund të gazmojë se fitimtar është Arnaut Omer Pasha, i lindur në Kroaci, nga regjimenti kufitar, i cili do t’i trajtojë të krishterët më njerëzisht gjatë kësaj fitoreje. Ata janë gati të dëbojnë arnautët gegë nga prapësitë që kanë bërë deri më tani”.

Edhe nëse kërkesat kryengritëse ishin larg nga zërimi i një programi autonomist, plot studimtarë bijnë në ujdi se kërkesat e tyre ishin për sigurimin e një statusi autonom sipas modelit të kryengritjes serbe. Sikundër pasqyrohej në një numër të gazetës ruse “Sankt-Peterburgskie Vedomosti”, në qershor të 1844-s, kur përfaqësuesi osman, Omer Pasha, iu kërkoi kryengritësve shqiptarë të ulnin armët, përgjigja e tyre kishte qenë se “ata mund t’i dorëzojnë armët me kusht që Porta t’u japë atyre të drejta si të Serbisë dhe Greqisë”.

Layard më 1844: “Në Shqipëri nuk ka më autoritet osman”

Ndërsa kryengritja shqiptare që kishte përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë po përkapte vëmendjen e diplomatëve të huaj rusë e austriakë, është një kronikë britanike që e ka përjetësuar nga afër dukjen e atyre që po e sfidonin prej vitesh Perandorinë Osmane. Si 27 vjeçar, politikanit dhe diplomatit britanik, Austen Henry Layard i kishte rënë hise të njihte nga dora e parë shtabin e kryengritësve shqiptarë.

Te libri i tij dyvëllimësh i botuar më 1887, “Early Adventures in Persia, Susiana, and Babylonia”, ai tregon se në Kostandinopojë po mbërrinin thashetheme sikur po bëheshin mizori tronditëse ndaj të krishterëve.

“Në pranverën e hershme të 1844-s pati një kryengritje prej së vërteti kundër sundimit turk në Shqipërinë veriore”, shkruan Layden. Sipas tij, shqiptarët kishin shpartalluar trupat e sulltanit në përplasje të vazhdueshme, aq sa “ia kishin dalë mbanë në dëbimin e autoriteteve osmane në provincë”.

Shi për këtë arsye, ambasadori i asokohshëm në kryeqytetin perandorak, Stratford Canning, me qëllim që t’i binte në fije gjendjes së vërtetë të gjërave në trevat kryengritëse, kishte propozuar që Laydeni të ndërmerrte një udhëtim e ta njoftonte për gjendjen.

Image
Libri dyvëllimësh i Austen Henry Layardit, “Early Adventures…” është një nga kronikat më interesante që e përjetësoi portretin e kryengritësve shqiptarë në Shkup

Sipas kujtimeve të tij, Omar Pasha, një renegat i krishterë me prejardhje kroate, që kishte bërë emër gjatë luftës së Krimesë, komandonte disa korpuse të vogla ushtarake që ishin dërguar kundër kryengritësve shqiptarë.

“Kryengritësit, që ishin nga fisi i gegëve ndër shqiptarët veriorë, ishin nën prijën e njëfarë Dervish Cares, një prijës i vogël që e kishte vënë veten në krye të lëvizjes. Ata kishin rrokur armët për të kundërshtuar rekrutimin, që asokohe po imponohej në pjesën më të madhe të Perandorisë Osmane, kurse shpallja në Shqipëri e ‘Tanzimatit’, apo reformave kushtetuese, që ishte trumbetuar në Konstantinopojë, e që ishte në kundërshtim, në shumë drejtime, me të drejtat dhe privilegjet e tyre të moçme”, shkruan Layard.
“Gegët ishin një fis i sertë e luftarak, të cilët asokohe kishin ruajtur në thellësitë e tyre malore një lloj gjysmëpavarësie – Porta rrallë e hiç ishte në gjendje të kishte autoritet mbi ta. Ata ishin të armatosur mirë e të guximshëm, por pa disiplinë, e kur kuturisnin në ultësira ishin të pazotë t’i bënin ballë edhe një trupe të vogël të ushtrisë së rregullt turke të pajisur me artileri, e cila iu mungonte tërësisht”.

Propaganda kundër kryengritjes

Nga njoftimet e para që kishte marrë udhëtari anglez, Dervish Cara dhe pasuesit e tij, që vlerësoheshin se ishin midis dhjetë deri në pesëmbëdhjetë mijë burra, kishin zbritur nga malësitë e Dibrës në ultësirat e Vardarit. Gjithfarë thashethemesh kishin mbërritur në Konstandinopojë për mizori ndaj banorëve të pafajshëm, porse sipas fjalëve të udhëtarit anglez “këto njoftime qëlluan të ishin me të madhe ekzagjerime, nëse jo plotësisht të pathemelta”. Me afrimin e ushtrisë osmane të Omer Pashës, e cila po kamponte midis Velesit dhe Shkupit, të dy palët u përpoqën me anë të bisedimeve të binin në ujdi, por pa ndonjë rezultat. Kështu, gjenerali osman kishte propozuar Layardin që të përpiqej të bindte Dervish Carën që t’i pranonte kushtet. “Në atë kohë ndikimi i Anglisë ishte i madh në Lindje, dhe fjala e një anglezi pranohej kudo si betim që kurrë nuk mund të shkilej”, kujtonte vite më vonë diplomati anglez.

Gegët me fustanellat e bardha

Edhe përshkrimi i kryengritësve shqiptarë jep një tablo gati piktoreske: “Teksa po iu aviteshim shqiptarëve unë mund të shihja sesi po na merrnin në shënjestër me armët e tyre të gjata. Bëra me shenjë se doja të flisja me ta, dhe meqë kisha të veshur petka evropiane dhe një kapele me brez ari, që asokohe e shquante një konsull në Lindje, ata më lejuan të afrohesha. Gjeta të mbledhur burra të sertë e të ashpër, që kishin të veshur një ‘fustanellë’ të ndragur, apo një fustan prej liri, që zgjatej deri në gju, si dhe xhaketat e zbukuruara dhe guna të ashpra të bardha, të cilat, tok me një armë të gjatë dhe brezin e veshur me pistoleta e thika, formonin kostumin e fisit geg”.

Image
Politikani, diplomati e udhëtari anglez, Austen Henry Layard me veshje shqiptare. Kur vizitoi kryengritësit shqiptarë, ai u mrekullua nga fustanellat e tyre, vallet pirrike dhe mungesa e ndonjë fanatizmi fetar

Si nuk e gjeti Dervish Carën aty, shqiptarët, fillimisht mosbesues, e përudhën udhëtarin anglez drejt vendit ku ndodhej ai.

“Pasdite arrita në selinë e Dervish Carës. E gjeta atë, tok me një numër të madh pasuesish, në një pyll, pa ndonjë strehë tjetër përveç lisave të ahut poshtë të cilëve ata ishin mbledhur. Nuk mund të përfytyrohej një trupë burrash më të sertë e kryeneçë, dhe në të njëjtën kohë më piktoreskë. Ata u tubuan afër meje, të meziduruar të mësonin arsyen e vizitës sime, teksa i hidhnin shikime plot inat kallauzit tim, veshja turke e të cilit e ngjallte dyshimin dhe urrejtjen e tyre. Prijësi i tyre dallohej prej tyre vetëm nga xhaketa dhe brezi që ishte më pasurisht i zbukuruar sesa ai i zakonshmi i veshur prej gegëve, dhe nga armët e tij, që ishin të veshura hollë me argjend. Ai shoqërohej prej disa prijësve, të cilët, posi ai, ishin të mbuluar me zbukurojca ari”.

“Jo osmanët në malet tona”

Pritja që i bëri malësori shqiptar ishte plot oborrësi, ani pse sipas diplomatit anglez “ai ishte një burrë i pashkollë, pa ndonjë ofiq midis njerëzve të tij, i cili me ndikimin dhe trimërinë e tij ishte vënë në krye të kryengritjes kundër qeverisë turke”. Me të parë udhëtarin anglez, kryengritësi urdhëroi që t’i sillnin ndonjë haje, që përbëhej prej një buke të zezë dhe një dorë oriz të zier.

“Si i përmendi një numër ankesash që gegët kishin kundër Portës, Dervish Cara deklaroi se ata ishin të vendosur që të mos pranonin ndonjë autoritet turk në malet e tyre, të mos iu nënshtroheshin ligjeve të reja të ‘Tanzimatit’, e as të furnizonin ushtrinë e rregullt me rekrutë”.

Nëse këto kushte nuk pranoheshin, kishte bërë me dije Dervish Cara, ata do të luftonin deri te më i fundit “për të mbrojtur malet e tyre kundër ushtarëve të Sulltanit”.

Ndërkohë, diplomati anglez iu kishte thënë atyre se ishte e pamundur që një komandant turk t’iu bindej këtyre kushteve, dhe nëse do të ngulmonin me to vendi i tyre do të pushtohej prej ushtrive të Sulltanit.

Ndërsa nuk donin të lëshonin pe në kërkesën e tyre për të mos dhënë asnjë ushtar për Sulltanin, ata i bënë me dije Layardit se do të rezistonin deri te më i mbrami, ciladoqofshin pasojat.

Me të rënë nata, kujton diplomati anglez, kryengritësit nisën të mblidheshin për të parë një vallëzim. “Ne ecëm drejt një vendi të hapur në pyll ku qenë mbledhur luftëtarët. Disa qindra prej tyre kapën duart mes vete dhe filluan të lëviznin si në një rreth me hapa ritmikë nën vrumbullimën e daulleve dhe gajde, duke rrahur këmbët e duke rrotulluar krahët andej e këndej. Ishte një lloj vallëzimi ‘romaik’ apo pirrik”.

“Nuk i kryejnë ritet fetare”

E nesërmja i gjeti luftëtarët kryengritës duke u bërë gati për luftë, porse Layardi e pa me interes të shënonte se ata nuk ishin fort të dhënë pas fesë.

“Pashë se vetëm pak prej tyre kryenin devocionet e tyre, ashtu siç iu kërkohet myslimanëve të mirë kur zgjohen në mëngjes, sado që një hoxhë bëri thirrjen e zakonshme për lutje. Në këtë drejtim shqiptarët nuk ishin bash të dhënë, dhe sadoqë thoshin se janë myslimanë të mirë ishin tejet të shkujdesur në kryerjen e detyrave të tyre fetare, dhe nuk ishin as fanatikë e as jotolerantë ndaj atyre që dallonin në fe”.

Po atë ditë, ai kishte pasur kuvendime të tjera me Carën dhe prijësit e tjerë, dhe me po të njëjtat argumente ata nuk donin t’ia dinin për të dhënë rekrutë. Layardi e ngriti para tyre edhe trajtimin e të krishterëve, duke pasur parasysh thashethemet që kishin mbërritur në Kostandinopojë për mizoritë ndaj bullgarëve.

“Ata protestuan me zemërim se nuk kishte asnjë të vërtetë në të këto njoftime, të cilat, sipas tyre, ishin sajuar prej armiqve të tyre, turqve, për ta dëmtuar kauzën e tyre e për t’i vënë kombet evropiane kundër tyre”, shkruan Layard. “Ata deklaruan se, me përjashtim të rritjes së taksave, për të cilën, si zotërues të vendit, e konsideronin veten se e kishin të drejtë, dhe të cilën e mblidhnin nga të gjitha klasat dhe besimet pa dallim, ata kurrë nuk kishin pasur punë me të krishterët, të cilët i kishin vëllezër e nuk u kishin rënë në qafë për shkak të fesë. Isha i prirë të besoja se çfarë po thoshin ata ishte në një masë të madhe; por e mora një premtim solemn prej prijësve të tyre se do të mbronin të krishterët dhe nuk do të lejonin që të trazoheshin”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here