Daut Dauti

Filmi ‘The Sicilian’ i vitit 1987, nën regjinë e Michael Cirmino, konsiderohet ndër filmat epik të historisë së krimit. Në rolet kryesore janë angazhuar aktorë të njohur siç janë Terence Stamp, Joss Ackland, John Turturro dhe Barbara Sukowa. Filmi është i bazuar në romanin po me këtë titull të autorit Mario Puzo. Filmi paraqet jetën e banditit famëkeq sicilian, Salvatore Guiliano. Ky film ka qenë ndër më të mirët e këtij zhanri para ardhjes së ‘The Godfather’, që në shumë aspekte ishte vazhdim i ‘The Sicilian’.
Banditi Guiliano ka qenë një lloj Robin Hudi i Sicilisë deri në vitin vitin 1947 kur veprimi i tij kriminal e tronditi Italinë. Me 1 maj të atij viti (1947) qindra arbëreshë dhe fshatarë tjerë sicilianë u mblodhën në Portella della Ginestra, 3 km. larg Piana degli Albanesi, për ta festuar Ditën e Punëtorëve, që ishte një paradë tradicionale që festohej me dekada. Rreth orës 10, kur masës po i fliste sekretari i partisë komuniste të Piana degli Albanesi, publiku u sulmua me armë nga banda e Giulianit dhe me të cilin rast u vranë 11 veta kurse 27 u plagosën. Ku rast i rëndë ka hyrë në histori si Masakra Portella della Ginestra.
Arbëreshët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë politike të Sicilisë që nga lëvizja për bashkim të Italisë. Më vonë, nga viti 1889 deri më 1894 arbëreshët u bënë gati kryesorët në ‘Fasci Siciliani dei Lavoratori’ (Liga e Punëtorëve Sicilianë). Dhe, nga fillimi i shek. XX roli i tyre ishte poashtu vendimtar në politikën majtiste dhe komuniste të Sicilisë.
Arbëreshët në vitin 1944 në Piana degli Albanesi e shpallën shtetin e tyre që e quajtën Republika e Pavarur Popullore, që zgjati vetëm 50 ditë e që u shua në mënyrë brutale nga intervenimi i shtetit italian.
Për këto arsye, arbëreshët kanë qenë temë që shpesh i kanë ngacmuar shkrimtarët dhe kineastët italianë e botërorë. Por, jo edhe neve shqiptarëve që kemi dëshirë ta vizitojmë vendin e tyre dhe të fotografohemi e shumë rrallë të shkruajmë diçka të vlefshme për historinë e tyre politike siciliane. Sidoqoftë, Mario Puzo dhe filmi ‘The Sicilian’, sikur edhe shumë filma tjerë, së bashku me një literaturë të konsiderueshme italiane, nuk e kanë injoruar temën e arbëreshëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here