Jahja Drancolli
Si sot, më 1 dhjetor 1918, u themelua Jugosllavia, ose burgu i kombeve: Kjo ngjarje shënon edhe 105 vjetorin e riokupimit të Kosovës, shoqëruar me krime, spastrim etnik dhe vjedhje ushqimore, veçanërisht në zonën e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit dhe Ferizajit!
Në fillimet e saj, më 1 dhjetor 1918, vendi u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndërsa nga viti 1929 u quajt Mbretëria e Jugosllavisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti komunist i Jugosllavisë u quajt Republika Popullore Federale e Jugosllavisë, Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste në vitin 1992, u riemërua Republika e Serbisë dhe Malit të Zi, duke mbijetuar deri në vitin 2003. Ky vit shënon fundin e Jugosllavisë.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare Mbretëria Jugosllave mbështetej nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërsa shteti komunist nga shtetet komuniste. Nga mesi i viteve 1950, Jugosllavia konsiderohet si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Paangazhuarve, e cila kundërshtoi dominimin e fuqive të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si i tillë, në një Europë të ndarë nga blloku, neutraliteti jugosllav ishte një faktor tërheqës sigurie dhe kishte mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare.
Nga pikëpamja demografike, nëse do t’u besohet të dhënave statistikore të vitit 1918, numri i popullsisë shqiptare ka arritur shifrën (3,6%, kjo përqindje duhet dyfishuar, pasi një pjesë e shqiptarëve janë të regjistruar si myslimanë dhe turq). 1981, 7,7%, krahasuar me serbët 36.3%, kroatët 19.8%, myslimanët 8.9%, sllovenët 7.8%, maqedonasit 6%, malazezët 2.6%, dhe hungarezët 1.9%. Pas përfundimit të demarkacionit të shtetit komunist jugosllav nga fundi i viteve 1950, Krahina Autonome e Kosovës (dhe Metohisë), zotëronte një territor prej 10,887 km².
Burimet historike të kohës dëshmojnë se pas Luftës së Parë Botërore u krye riokupimi klasik i Kosovës nga Serbia për ta përfshirë atë në mbretërinë e sapoformuar të SKS, e cila për të shpronësuar shqiptarët kishte praktikuar reformën agrare, duke sjellë kolonët serbe nga viset e ndryshme të mbretërisë së atëhershme. Kolonizimi u shoqërua me serbizimin e popullsisë vendase, e cila kishte reaguar me kryengritje të mëdha të shoqëruara me migrime drejt Turqisë dhe vendeve të tjera (për këtë duhet parë programi i migrimit të V. Čubrilović-1937, dhe studimi i nobelistit Ivo Andrić -1939).
Pas kapitullimit të mbretërisë jugosllave në vitin 1941, pjesa më e madhe e Kosovës i përkiste sferës pushtuese italiane, pastaj gjermane dhe bullgare. Në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it 29/XI/1943, Kosova mori atributet e një formacioni shoqëror të pavarur politik, përkatësisht u pranua si krahinë e pavarur në shtetin socialist në formim. Këto atribute do të afirmohen dhe më shumë në Konferencën e Bujanit më 31/XII/1943-2 janar 1944. Me themelimin e Jugosllavisë komuniste jemi dëshmitarë të aneksimit të Kosovës nga Republika e Serbisë. Pas forcimit të marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1948, represioni i madh i shqiptarëve u shoqërua me shpërnguljen e madhe të shqiptarëve në Turqi. Gjatë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve u dënuan në procese të organizuara politike.
Me Kushtetutën e vitit 1963 filloi vetëqeverisja shoqërore, e cila vuri në pah reformat ekonomike dhe politike dhe në këtë kontekst, konfliktet qeveritare të evidentuara në Plenumin e Brijunit (1966), çuan në zëvendësimin e nënpresidentit jugosllav, A. Ranković. Gjatë këtyre viteve, si pasojë e ndarjeve historike shqiptaro-serbe, si dhe ndarjeve kombëtare, stabiliteti i marrëdhënieve mes dy popujve është vështirësuar. Aq më tepër kur dihet se dominimi politik i serbëve ishte mjaft i dukshëm, pavarësisht përfaqësimit të tyre numerik më të ulët.
Dy vjet pas Plenumit të Briones (1968), i gjithë vendi do të përfshihet në demonstratat e fuqishme të nëntorit në Kosovë dhe më gjerësisht në trevat e tjera shqiptare të Jugosllavisë, ngjarje këto që sollën një sërë ndryshimesh në të gjitha fushat e jetës duke kulmuar me shpalljen e Kushtetutës së vitit 1974, sipas së cilës Kosova mori një pavarësi më të madhe autonome, pothuajse të ngjashme me atë të republikës. E gjithë kjo u shoqërua me reagime të ashpra nga opinioni politik dhe popullata serbe, e cila gjatë viteve 1945-1991 në Kosovë numëronte rreth 200.000-260.000 banorë.
Vdekja e Titos (1980), solli ndryshime të mëdha, të cilat u shprehën sidomos në funksionimin kolektiv të Kryesisë së shtetit në përbërje nga një përfaqësues prej çdo republike dhe province autonome. Ndryshimet në fjalë, u shoqëruan me krizë ekonomike dhe politike të shprehura në gjithë vendin por me theks të veçantë në Kosovës, kur dihet se vendi në fjalë ishte më i njohuri prodhues i plumbit, cinkut dhe metaleve të tjera fisnike në gjithë europën, kishte mbetur shumë më i prapambetur në Jugosllavi (sipas statistikave të vitit 1979. në Kosovë GDP për kokë banori ishte 795 $, ndërsa në nivel jugosllav 2635 $). Pra, këto shkaqe kishin ndikuar që Kosova të përfshihet në demonstrata të marsit dhe të prillit 1981. Në demonstrata të përmendura kishin rënë më shumë se 100 demonstrues. Vendosja e masave të dhunshme u shoqëruan më burgosjën e së paku 7000 demonstruesve.
Në anë tjetër në Serbi janë fuqizuar kërkesat nacionaliste dhe unitariste, të cilat kulmuan më 1989, pas Memorandumit të SANU (1986) dhe ngritjes së S. Milošević në krye të partisë komuniste serbe (1987). Viti 1989 shënon suprimimin e autonomisë së provincës së Kosovës dhe të Vojvodinës, të shoqëruar me demonstrata të shumta në të cilat kishin mbetur disa dhjetëra të vrarë. Vitet 1989-90 u bën të njohura edhe me fillimet e sistemit pluralist të cilat do të japin grushtin përfundimtar LKJ-së (janar 1990), si dhe Jugosllavisë komuniste.
Në këtë kuadër në Kosovë është themeluar LDK në dhjetor 1989 dhe është vendosur sistemi i pushtetit paralel në arsim, mjekësi, dhe në institucione të tjera shoqërore; në Kaçanik, më 7/IX/1990 do të shpallet Republika e Kosovës të cilën Serbia e konsideronte për shtet ilegal. Ndërsa më rënien e Jugosllavisë, miratohet Vendimi për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës (22 shkurt 1991), dhe së këtejmi, do të shpallet më 19/X/1991 Republika e Pavarur e Kosovës.
Atëbotë, Serbia dhe Mali Zi më 27/IV/1992 do të shpallin unionin e tyre në një shtet të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (SRJ), e cila nëse i besohet regjistrimit të vitit 1991, përfshinte një territor prej 102 173 km², më 10,4 milion banorë. Prej tyre 62%, serbë, rreth 17% shqiptarë të cilët bojkotuar regjistrimin, 5%, malazezë, 3%, myslimanë dhe 3% hungarezë. Ç’prej gjysmës së dytë të vitit 1990 konflikti shqiptaro-serb do të merr përmasa më të mëdha. Ngritja e konfliktit kulmon me daljen e UÇK më 28 nëntor 1997. Atëbotë, forcat serbe kishin kryer vrasje enorme mbi popullatën civile shqiptare, andaj deri në tetor të vitit 1998 Kosovën e kishin braktisur më se 98.000, të shoqëruar më rreth 200,000 të zhvendosur. Me ardhjen e S. Miloshević në krye të shtetit më 1997, dhe ngritjes së masave të dhunës dhe të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, Forcat e NATO-s ç’prej 24/III/1999, do të bombardojnë pikat strategjike të federatës serbo-malazeze, dhe do të pushojnë së bombarduari vetëm më 12/VI/1999 me vendosjen e administratës së përkohshme të OKB. Është e njohur se vetëm gjatë marsit dhe qershorit 1999 janë përndjekur rreth 960.000-1.500.000 të popullatës shqiptare. Ndërsa, numri i shqiptarëve të vrarë kryesisht civilë sillët rreth 12.000.
Në anë tjetër, Kroacia dhe Sllovenia do të shpallin pavarësinë e tyre (më 25/VI/1991), e cila qe kontestuar me intervenimin e armatës jugosllave. Në shtator të vitit 1991 sipas një referendumi do të shpallet shteti i pavarur i Maqedonisë, ndërsa në tetor të po këtij viti, pas referendumit shpallet dhe memorandimi i pavarësisë së Bosnës dhe Hercegovinës. Më 16/XII/1991, shtetet anëtare të BE kishin vendosur pranimin e pavarësisë së republikave jugosllave, dhe së këtejmi qe pranuar më 15/I/1992, pavarësia e Kroacisë dhe Sllovenisë, ndërsa më 7/IV/1992 pavarësia e Bosnës dhe Hercegovinës, shtete këto, të cilat më 22/V/1992 do të bëhën dhe pjesë e OKB-së!