Lekë Drini, i kërrusur mbi tavolinë, për të satën herë nxirrte nga sirtari dokumentet, bënte krahasimet, ndiqte me vëmendje kronologjinë e hulumtimeve, por prapë i shpëtonte ndonjë detaj. Kur mendonte se e kapi të padukshmen, e zbërtheu enigmën, u fut në zgorin e misterit që e linte pa gjumë, i dilte befas një detaj i ri, nxirrte krye ndonjëherë hamendësimi përmbysës.
Vrushkulli i dritës që binte furishëm mbi pjesën e errët, përnjëherësh shteronte, për t’ia lënë vendin errësirës së pafund që e acaronte. Ngrehina e tij shkencore, e projektit më të madh të jetës, e ndërtuar me mund, sikur lëkundej. Kishte kohë që merrej me teza e hamendësime për varrin më të famshëm e më të fshehtë jo vetëm në Arbëri. Kaloi disa dimra të gjatë e të zymtë mbi dokumente, libra e shqyrtime, kishte përtypur edhe libra të tillë që e bënin të shpërvilte buzët me ndjesinë e shijes së ndotur që s’e kapërdinte. Me materialet mbi tryezën e punës bënte monolog, u hakërrohej pa zë autorëve që nxirrnin në pah mendimin ndryshe, duke i kundërshtuar; i tumirte kur e mendonte se ia lehtësonin rrugën e ndriçimit të fshehtësisë, thuajse karriera e tyre shkencore varej nga tumirja a hedhja poshtë e tezave që shtronin.
Arkeologu që po shkelte në të pesëdhjetat, ndërtoi teorinë e vet vite me radhë, por sa e lexonte një hamendësim tjetër, në mungesë të fakteve të reja nga terreni, sikur lëkundej, i nisnin mëdyshjet e sikletshme, të cilat dikur e djersinin, endej poshtë e lartë nëpër zyrë. Gjithnjë kishte dyshuar, ishte në rrugë të mbarë, apo duhej t’ia niste nga fillimi.
Koha e trazirave i jepte vrull pune, sepse jeta sociale e rruga nuk i ofronte asgjë, përkundrazi e bënin të mblidhej kruspull si kërmilli, herë në zyrën e Institutit, herë në dhomën e punës në apartament. Askush nuk i bënte presion të dilte sa më parë me teorinë e re, sepse në këtë rrëmujë askush nuk ia kishte nevojën, aq më pak dikush do të merrej me varre e me të kaluarën, kur e tashmja i bluante. Por vazhdimi i trazirave po e largonte nga ëndrra e fillimit të hulumtimeve, të mbetura në gjysmë. Nuk donte ta besonte se më askujt nuk do t’i shkonte nëpër mend financimi i projektit të lënë në gjysmë.
Atëbotë, kur filluan hulumtimet arkeologjike, e rrëmbyen emocionet, iu hapën horizontet, shpresonte se do të zbulonte gjëra, të cilat do ta tronditnin opinionin. Pastaj, befas, hulumtimet u ndërprenë… Dolën punë më të ngutshme, u tha nëpër korridore të errëta të një ministrie.
Një hije dyshimi ra mbi të gjithë. Thuhej se qarkullonte një letër e brendshme. Pastaj nisi të pëshpëritej për një kafkë të gjetur. Ku e gjetën kafkën nuk e përcaktonin, as nuk e thoshin kafka e kujt mund të ishte. Pastaj çdo gjë ra në heshtjen torturuese. Fshehtësia u bë edhe më e madhe, kur i tërhoqën të gjitha pajimet nga terreni. Hulumtimet ndërpriteshin. Errësira e mbuloi pjesën që mendohej se u ndriçua, apo se do të ndriçohej.
Trazirat nisën ta zhvlerësonin punën e tij. Nisi fushatë kundër së kaluarës së lavdishme, e cila përbaltej nga të gjitha anët, ose edhe më keq, barazohej me baltakun e pesëdhjetë vjetëve të fundit. Të vdekshmit kërkonin llogari nga të pavdekshmit pas pesëqind vjetësh. Në mllefin e tyre sikur donin t’ua rrëmonin varret, t’ua lëkundnin eshtrat e t’u hakërroheshin: pse na ngarkuat me lavdinë, të cilën nuk e mbanin as nuk e përballonim!
Marrëzira të tilla do të dëgjonte deri në pakufi, sikur të mos paraqitej plaku si të dilte nga fshehtësia e shekujve. Paraqitja e tij ia ndryshoi jetën…. Ai hyri papritmas në zyrë, ndërsa hapjes së derës i parapriu trokimë e lehtë:
-Jeni ju Lekë Drini, arkeologu? – nisi me pyetje, duke e zhbiruar me shikim shpues e të përqendruar.
Ai ende pa e marrë veten nga futja e bëftë e të panjohurit, plaku vazhdoi:
-Zef m’thrrasin, rrnoj në Lezhje. Kam një porosi për ju.
Plaku i tregoi se kohë të gjatë kaloi në Shkodër. Ndërkaq, erdhi t’i thoshte se e ruante një dosje të vjetër. Donte ta dorëzonte në vendin e sigurt dhe te njeriu përgjegjës.
-Nuk i dihet, kohë të liga po vijnë, – i tha plaku.
Burri i moçëm druante se peshtafi me dokumentet e çmuara mund të humbte apo të binte në duar të gabuara. Dy herë i ofroi Leka të ulej, por plaku shtatgjatë e thatim, me flokë të thinjur e tipare të mprehta, nuk e refuzoi, por nuk u ul. Qëndronte në këmbë, vështronte kohë pas kohe librat e radhitura e artefaktet e shpërndara mbi tavolinë, në dysheme e në rafte. Mahnitej me to, por e frenonte veten të mos pyeste as të mos hapte gojën nga habia.
I pamësuar me mënyrën e tillë të komunikimit, Lekë Drini e shikonte me habi. Nuk priste që një plak kokorosh t’ia behte në zyrë, t’i tregonte se mbante gjëra të çmuara dhe, njëkohësisht, të mos pranonte të ulej. Kur ia përmendi për herë të dytë gjërat me vlerë, Leka nuk e besonte se ende mbeti diçka nga e kaluara që nuk e rrëmbyen hajdutët e aventurierët.
Ato ditë zbuloheshin e rizbuloheshin artefakte, të cilat më vonë dilnin kallpe, mu si antikat egjiptiane që falsifikoheshin në punëtori të prodhimit serik, ndërsa shiteshin kinse për origjinale, kështu që e mori me rezervë çdo gjë që ia thoshte ai. Megjithatë burri i moçëm, i veshur mirë e me kujdes, nuk dukej mashtrues, nuk kërkonte lekë.
-Asht nji dorëshkrim i vjetër afër Kishës së Shna Ndout, – tha i qetë ai, – noshta të intereson.
Arkeologu si të qëndronte para një shtatoreje antike, e shikonte me interesim, pa i kthyer përgjigje. I bënin përshtypje tiparet e rregullta, sytë ngjyrë kafe që e shikonin ngultas. Mbeti si hut. Dikur plaku e pa me mëdyshje, mos u fut në vend të gabuar. Megjithatë, sqaronte detaje të tjera, të cilat gjithnjë e më shumë ia mbushnin mendjen Lekës, pos pamjes së mysafirit që rrezatonte vendosmëri.
Dita po shuhej. Rrezet e fundit të diellit të qershorit binin për së kithi në pezulin e dritares. Fjalët e fjalitë e plakut i rridhnin të ngadalta, të qeta e të njëtrajtshme si të qëndronin pezull në ajër e pastaj të vazhdonin tutje. Kishte kohë që nuk e kishte dëgjuar këtë të folme të veçantë si të vinte nga koha e Budit e Bogdanit. Sa herë fliste plaku Zef, i cili kohë pas kohe përpiqej të fuste fjalë të gjuhës letrare, tingëllima i vinte nga thellësia e shekujve, një tingëllimë burrërore dhe e prerë.
Derisa Leka përpiqej të shkëputej nga ngjyra e zërit të tij, ai për t’i vënë kapak bisedës i tha se duhej të vinte në kishë, javën e ardhshme, ditën e Shna Ndout. Që nga aty do ta orientonte më tutje. Nuk e zgjati më shumë, ia dha adresën, ku mund ta gjente, e përshëndeti me një “tungjatjeta” të thatë si të qe shkarkuar nga një barrë e rëndë. Iku ashtu si erdhi: i ftohtë e i largët.