Shumica e amerikanëve që kanë borxh, kanë pranuar se ndihen të stresuar, bazuar në një anketë të fundit të revistës “Forbes”. Ndonëse nuk janë dhenë shifra për të anketuarit, është bërë e ditur se 77 për qind e amerikanëve përballen “në ndonjë formë” me borxhe.
Sipas anketës, 54 për qind e amerikanëve që kanë borxh, kanë thënë se “shpesh ose gjithmonë” ndihen të stresuar nga rrethanat e tyre të borxhit. 32% kanë thënë se borxhi u shkakton stres “ndonjëherë”.
Si rezultat i stresit lidhur me borxhin, 48% e të anketuarve raportuan se kishin vështirësi në gjumë, 40% vunë re rritje të nivelit të ankthit, 38% raportuan se kanë probleme të shoqërohen me të tjerë dhe 34% treguan se kanë depresion.
Këto përgjigje e bëjnë të qartë se borxhi nuk ndikon vetëm në portofolin e njerëzve. Ai ndikon seriozisht në mirëqenien mendore, duke e bërë edhe më të rëndësishme gjetjen e mënyrave për të përballuar dhe për të kërkuar ndihmë kur është e nevojshme.
Gjithashtu të anketuarit kanë treguar se borxhet kanë ndikim negativ edhe në marrëdhëniet e tyre. 60% prej të anketuarve kanë thënë se stresi që u është shkaktuar nga gjendja financiare ka ngjallur mosmarrëveshje në marrëdhëniet e tyre. Pothuajse të gjithë në këtë grup kanë thënë se borxhi lëndoi marrëdhëniet kurse gjysma e grupit ka deklaruar se pati humbje të besimit në mes tyre dhe partnerëve.
Agjencia “Associated Press” ka shkruar se është mirë që borxhet të ndahen në prioritete. Shlyerja e borxhit me normën më të lartë të interesit mund të jetë më e dobishme. Ajo që njihet si metoda e përshpejtimit të larjes së borxhit, mund të jetë e dobishme nëse dikush ka stres të borxhit nga kredit kartelat. Me këtë metodë, mund të kërkohen para në interes dhe të shlyhen borxhet më shpejt.
Në sondazhin e “Forbesit”, 55% e të anketuarve përmendën rrethanat ekonomike si faktorin kryesor që i çon në borxhe. 48% e të anketuarve ia atribuuan borxhin e tyre ndikimit të përhapur të reklamave dhe konsumimit. 42% identifikuan vështirësitë në ndjekjen dhe kontrollin e shpenzimeve të tyre si arsye kryesore për barrën e tyre të borxhit. Tri të katërtat e të anketuarve (75%) përmendin kartat e kreditit si arsyen kryesore që janë në borxhe. Kreditë personale nuk janë shumë prapa, me 68% të të anketuarve që i citojnë ato si burim të rëndësishëm të asaj që u detyrohen.