Pas shekullit të XI situata në territoret e Perandorisë Bizantine ndodhën ndryshime të mëdha duke përfshirë edhe tokat arbërore.
Në njërën anë kemi kalimin nga prona e kushtëzuar tek prona e pakushtëzuar, e cila përshpejtoi edhe vendosjen e rendit feudal në tokat shqiptare. Pronjarët e dikurshëm u zëvendësuan nga dinatët(pronarët e mëdhenj), të cilët përbënin aristokracinë e re ushtarake, civile dhe klerike. Pronarët e vegjël, mortitët humbën tokat e tyre dhe u detyruan në pronat e pronarëve të mëdhenj, si qiramarrës.
Ndërkohë në anën tjetër ndarja e Kishës së Krishterë në dy qendra bëri që prijësit arbëror të shfaqeshin të ndarë në lidhjet e tyre me Lindjen dhe me Perëndimin. Ndërkohë që tokat e Arbrit ishin nën pushtimin bizantin nuk munguan në periudha të caktuara edhe pushtime të tjera, si ai: bullgar, norman, anzhuin, serb apo krijimi në tokat e jugut edhe të Despotatit të Epirit. Këto ishin pushtime që përfshinë gjithë tokat arbërore por edhe hapësira të caktuara të tyre. Por shumë familje fisnike arbërore nisën të fuqizoheshin aq shumë, sa nëpërmjet forcës së armëve, ekonomike apo edhe lidhjeve martesore nisën të rrisnin fuqinë e tyre dhe kështu nisi edhe krijimi i principatave arbërore mesjetare.
- Principata e Arbrit
Reklama
about:blank
RAPORTOJENI KËTË REKLAMË
Në historiografinë shqiptare cilësohet si shteti i parë mesjetar shqiptar i themeluar në vitin 1190 nga ‘’arhondi’’ Progon. Për shumë studiues kjo principatë drejtohej nga familja feudale e Skurrajve që kishte rol zotërues në këtë periudhë në Shqipërinë e Mesme. Kjo Principatë kishte një funksionim autonom nën pushtimin Bizantin por edhe nën varësinë e fqinjëve, si Despotati i Epirit dhe Perandoria Serbe. Pas vdekjes së Progonit, ky shtet u drejtua nga bijtë e tij, fillimisht Gjini dhe më pas Dhimitri. Pikërisht me këtë të fundit Shteti i Arbrit pati edhe fuqizimin më të madh. Ai qeverisi këtë shtet nga viti 1207(ose 1208) deri në vitin 1216 duke arriti kulmin e fuqisë së vetë në një hapësirë që përfshinte kryesisht Shqipërinë e Mesme, me qendër qytetin e Krujës. Ai u vetë shpall ‘’panhypersebastos’’ dhe ‘’megas arhond’’. Por njëkohësisht nisi të lidhet edhe me Papatin, si një mundësi për tu njohur edhe nga Perëndimi por edhe për të qenë pjesë e aleancave anti Venedik. Në vitin 1208 Papa Inocenti III e shpalli princ dhe më pas Dhimitri dhe njerëzit e vetë u konvertuan nga ortodoks në katolik. Për të treguar rëndësinë që kishin bujarët(senjorët) arbëror për kohën ishin edhe lidhjet martesore që ata ndërtuan. Dhimitri u martua me Komnena Nemanjiç, e cila ishte mbesa e perandorit bizantin dhe bijë e mbretit të Serbisë, Stefan Nemanja. Pas vdekjes së Dhimitrit në vitin 1216 merr fund edhe dinastia e Progonit në krye të Principatës së Arbrit por Shteti i Arbërit vazhdoi të funksiononte. Dhimitri nuk la një pasardhës dhe gruaja e tij Komnena u martua me një fisnik grek Grigor Kamona, i cili mori drejtimin e shtetit dhe rimori Krujën. Nga kjo martesë ata patën një vajzë, e cila u martua me Golemin, i cili është udhëheqësi i fundit që përmendet nga kjo aleancë në vitin 1256 në një takim me Gjergj Akropolitin në Durrës.
- Principatat e shekullit të XIV
Pas çlirimit nga pushtimi serb, feudalët shqiptar u forcuan edhe më tepër, ku çdo feudal kishte:
Ushtrinë e tij:
Stemën dhe simbolet e veta:
Mënyrën dhe tokat e tij të qeverisura etj.
Në një periudhë kur nisi një zhvillim i ekonomisë, qyteteve, arsimit, kulturës etj. Tek arbrit nisi edhe krijimi i principatave të tyre, si ajo e: Balshajve, Topiajve, Muzakajve, Loshajve, Shpatajve etj. Ky proces vazhdoi edhe gjatë shekullit XV me krijimin e të tjerave familjeve dhe principatave feudale arbërore, si: Kastriotët, Zahariajt, Arianitët, Dukagjinët, Gropajt, Zenebishtët etj., deri në pushtimin e plotë të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane.
- Principata e Artës
Një principatë shqiptare e krijuara në Shqipërinë e Poshtme ku fuqia më e madhe ishte e tre familjeve feudale: Loshajt, Zenebishtët dhe Shpatajt dhe sidomos me udhëheqësin kryesor të këtyre të fundit, Gjin Bue Shpata. Këto principata u krijuan në territorin e dikurshëm të Despotatit të Epirit me udhëheqësit e tyre përkatës: Gjin Zenebishtit, Gjin Bue Shpata dhe Pjetër Losha me një shtrirje nga Gjirokastra në Veri dhe deri në gjirin e Artës në Jug. Përballja e tyre në këtë periudhë ishte kryesisht me sundimtarët serb të zonës. Pavarësisht rënies së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit, ky territor që përfshinte Arbërinë Jugore dhe Greqinë Veriore mbetej nën sundimin e Simeon Uroshit, vëllai i car Stefan Dushanit. Pas vdekjes së Uroshit sundimtari i ri u bë dhëndrri i tij, Thoma Prejluboviç, i cili u përball me aleancën e bujarëve shqiptar të drejtuar nga Gjn Bue Shpata dhe Pjetër Losha. Pas vdekjes së këtij të fundit Gjin Bue Shpata u forcua edhe më shumë duke u zgjeruar drejt Artës, të cilën e bëri qendër të principatës së tij. Po ashtu ai vendosi nën zotërimin e tij edhe Gjirokastrën e Gjin Zenebishtit. Drejt jugut Gjin Bue Shpata arriti të shtrihej deri në gjirin e Korintit. Kështu brenda këtij territori të drejtuar nga Gjin Bue Shpata kishte jo vetëm banorë arbërorë por edhe grek, arumunë, sllavë etj. Forcimi i Principatës së Artës i bëri bashkë feudalët serb dhe grek, të cilët sulmuan Artën në vitin 1379 por pa e marrë dot. Luftërat më të mëdha Gjin Bue Shpata i kreu ndaj sundimtarit serb të Janinës, Thoma Prejbuloviç, i njohur si Albanokton(vrasësi i arbëreshëve). Vdekja e Gjin Bue Shpatës më 29 tetor 1399, dobësoi këtë Principatë dhe rolin e familjes arbërore të Shpatajve. Përplasjeve të brendshme mes Muriqit dhe Sguro Shpatës, ju shtua edhe ardhja në këtë territor e mbretit të Napolit, Karl Tokoja, i cili mori njëra pas tjetrës kështjellat e Shpatajve dhe bujarëve të tjerë shqiptar. I fundit i Shpatajve që luftoi në mbrojtje të Artës ishte Jakup Shpata, i konvertuar në mysliman dhe pas vdekjes së tij në betejë, Karl Tokoja hyri në Artës më 4 tetor 1416 duke i dhënë fund ekzistencës së Principatës(Despotatit) të Artës.
- Principata e Muzakajve
Muzakajt, të njohur si zotërit e Beratit pretendohet se e kanë origjinën nga zona e Oparit në Korçë dhe zotërimet e tyre të para janë në fshatrat: Voskop, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerev etj., të përmendura nga pinjolli i kësaj familje dhe njëkohësisht kronikani, Gjon Muzaka. Ai në vitin 1510 ka shkruar veprën “Një kujtim i shkurtër mbi paraardhësit e familjes Muzakaj’’ nëpërmjet së cilës njohim jo vetëm historinë e kësaj familje fisnike arbërore por edhe zhvillimet në Arbërinë e shekullit XIV. Në këtë vepër ai tregon se varret e të parëve të familjes së tij gjenden pranë Kishës së Shën Triadhës në Tudas të Oparit. Fisnikun e parë nga familja e Muzakajve e përmend historiania bizantine Ana Komnena në vitin 1090, si një ndër komandantët e besuar të perandorit Aleks Komneni. Për shkak të marrëdhënieve të mira me pushtetin bizantin dera e Muzakajve u zgjerua drejt Perëndimit me toka në Tomorricë, Skrapar, Këlcyrë e Berat. Por në formën e një principate të vërtetë familja Muzakaj u kthye kur në krye të saj ishte Andrea II Muzaka(1335-1372). Me të në krye Muzakajt drejtuan lëvizjet anti bizantine të viteve 1335-1341 duke lidhur aleancë me anzhuinët e Napolit. Pas paktit të nënshkruar me Luigj Anzhunin, nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit. Ndërkohë ai i njihte gjithë titujt e fituara nga perandori bizantin përfshirë edhe atë të despotit, titulli më i lartë pas perandorit që jepej në Bizant. Pas vdekjes së Stefan Dushanit, Andrea II Muzaka dëboi nga tokat e Korçës dhe Devollit sundimtarët serb. Po ashtu u zgjeruan në Myzeqe, fusha që mban emrin prej kësaj familje, kështjellën e Bregut, mori tokat e Gosës dhe Garunjës, si edhe Vlorën e Kaninën. Në vitin 1370 në aleancë me Balshajt, me të cilët kishte lidhur krushqi mori edhe Kosturin duke mundur ushtrinë e Krajl Vukashit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori Johani V Paleologu duke i rinjohur edhe njëherë Andrea II Muzaka titullin e despotit. Kjo solli edhe një ndryshim të stemës së Muzakajve nga një burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më dysh në stemën e shqiponjës me dy krerë dhe yll në mes. Me vdekjen e tij zotërimet e Muzakajve u ndanë mes bijve: Gjon, Teodor dhe Stojë Muzaka. Nga këta Teodor Muzaka u bë i famshëm pasi humbi jetën në betejën e Fushë – Kosovës, e zhvilluar mes trupave të bashkuara ballkanase dhe atyre osmane. Në të njëjtën betejë ku humbën jetën edhe sulltan Murati I dhe car Llazari, në betejën e fituar nga osmanët. Në vitin 1417 Muzakajt humbën Beratin dhe në vazhdim pasardhës të kësaj familje u bënë pjesë e aleancës së Gjergj Kastriot, Skënderbeut. Madje ata lidhën edhe krushqi me Kastriotët pas martesës së Karl Muzak Topisë me Mamica Kastriotin, motrën e Gjergjit. Me vdekjen e Skënderbeut dhe rënien e Krujës e Shkodrës Muzakajt e mbetur u larguan drejt Italisë së Jugut. Por pati edhe ndër ata pinjoll të kësaj familjeje që zgjodhën të konvertoheshin në mysliman dhe të bashkoheshin me shtetin osman, si: Jakup dhe Kasem Muzaka.
- Principata e Topiajve
Për herë të parë familja e Topiajve përmendet në vitet ’70 të shekullit të XIII, ku një prej fisnikëve të kësaj familje mbante titullin kalorës(miles). Por në vazhdim Topiajt(Theopia) ditën të rrisnin fuqinë e tyre në territorin e Shqipërisë së Mesme duke zëvendësuar në këtë rajon, rolin e familjes së Skurrajve. Ata u lidhën me anzhuinët e Napolit dhe Papatin e Romës duke shkëputur kështu lidhjen me Bizantin edhe duke u konvertuar nga ortodoksë në katolikë. Ishte Tanush Topia, ai i cili themeloi principatën e Topiajve, mori titullin kont nga Papa i Romës, që i kishin njohur familjes së tij zotërimet nga rrjedha e lumit Mat në veri deri në atë të lumit Shkumbin në jug. Në vitin 1338 të drejtat mbi këto vise, Topiajve ju njohën edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten zot të Arbrit dhe të Durrësit dhe Topiajt, si vasalë të tyre. Por pavarësisht kësaj nuk munguan përplasjet mes Topiajve dhe anzhuinëve për Durrësin. Për të pasur një marrëdhënie të mirë me Topiajt, anzhuinët nuk ju kundërvunë atyre, si edhe i paguanin Tanush Topisë një tribut vjetor prej 1000 groshësh. Po ashtu mbreti i Napolit, Robert Anzhu kishte marrë në oborrin e tij Domenikun, një klerik i lartë i krishterë njëkohësisht edhe vëllai i Tanush Topisë. Marrëdhëniet mes Anzhuinëve dhe Topiajve ngrinë plotësisht në kohën e Andrea Topisë, i biri i Tanushit. Madje Andrea rrëmbeu dhe u martua me vajzën jashtë martese të mbretit Robert Anzhu, Helenën. Gjithmonë Andrea Topia mbeti i pabindur dhe mbreti i Napolit pagoi për ta vrarë atë. Por kulmin e fuqisë së saj kjo principatë e arriti në kohën e Karl Topisë, i biri i Andreas, i cili mori këtë emër për nder të gjyshit të tij Karl Anzhu. Ai e quante veten zot i gjithë vendit të Arbrit dhe trashëgimtar i ligjshëm i Regnum Albania(Mbretërisë Arbërore), si trashëgimtar anzhuin nga nëna. Në bazë të kësaj lidhjeje ai stemës së Topiajve që kishte një luan i shtoi edhe zambakun, një simbol anzhu. Ai vazhdoi ëndrrën e gjyshit të tij për të marrë Durrësin duke krijuar edhe një forcë ushtarake tokësore dhe detare duke e sulmuar në të dy format Durrësin. Pavarësisht marrëdhënieve jo shumë të mira Anzhuinët i caktuan një tribut vjetor, ai mori titullin kont nga Papa dhe u shpall qytetar nderi nga Venediku. Karl Topia arriti t’i merrte Balshajve, Ulqinin edhe më në fund, në muajt e parë të vitit 1368 qytetin e Durrësit. Pas kësaj ai i shtoi vetes jo vetëm titullin zot i Arbrit por edhe zot i Durrësit. Në vitin 1372 Anzhuinët e Napolit u rikthyen në Shqipëri me qëllim rikrijimin Mbretërisë së Arbrit, si në kohën e Karlit I Anzhu. Në planin e tyre ishte edhe kapja rob e Karl Topisë dhe Gjergj Balshës, për të cilët premtoheshin 1000 dukatë ari. Kjo nuk ndodhi ndërkohë që Karl Topia ishte vendosur në vështirësi pasi në njërën anë kishte prishur marrëdhëniet me disa aleatë të huaj. Po ashtu zotërimet e tij që kishin arritur kulmin e zgjerimit nga rrjedha e lumit Drin në Veri deri në rrjedhën e Semanit në Jug, ishin vendosur në darë mes Balshajve në Veri dhe Muzakajve në Jug. Në vitin 1382 Balshajt morën Durrësin, të cilin herën të dytë Karl Topia nuk e kishte marrë me armë por duke paguar për marrjen e qytetin. Në këtë situatë Karli thirri në ndihmë ushtritë osmane dhe me to në krahë mundi Balshën II në betejën e fushës së Savrës. Por pavarësisht kësaj sërish roli i Topiajve u dobësua dhe ky rol u bë më i dobët pas vdekjes së Karlit. Qyteti i Durrës kaloi në duart e Venedikut që krijoi marrëdhënie të mira me familjet e Topiaj, Skurraj, Muzakaj dhe Nesha duke u shpërndarë provizione vjetore. Pasardhësit e tij, si Gjergji dhe më vonë Niketa Topia nuk arritën ta ringrinin më këtë Principatë në fuqinë e dikurshme. Me vdekjen Gjergj Topisë me anë të një marrëveshje Durrësi i kaloi në mënyrë të plotë Venedikut ndërsa pas vdekjes së Niketa Topia ishin osmanët që pushtuan kryeqendrën e Topiajve, Krujën.
- Principata e Balshajve
Kjo u krijua në Veri dhe nisi nga një zotërim i vogël i drejtuar nga Balsha Plaku në zonën përreth liqenit të Shkodrës. Ata e kishin origjinën nga qyteti i Balëzës pranë Shkodrës por ende ka dyshime mbi origjinën e tyre. Edhe pse kryesisht ata njihen si fisnik shqiptar dhe gjithashtu në historiografinë tonë njihen, si të tillë. Por ndërkohë shumë historian e studiues pretendojnë një origjinë sllave ose rumune të kësaj familjeje. Nga Balëza nisi zgjerimi i tyre pas vdekjes së Stefan Dushanit duke marrë qytetet e Shkodrës, Ulqini dhe Tivarit për të krijuar një principatë të pavarur. Ata prenë çdo lidhje me mbretin serb Stefan Uroshin duke synuar zgjerimin e territorit të tyre në kufijtë e dikurshëm të Zetës(përfshinte territore mes Shqipërisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës Perëndimore të sotme). Interesante ishte edhe mënyra e funksionimit të kësaj principate, për ta pasi pas vdekjes së Balsha Plakut, Principata drejtohej njëkohësisht nga tre bijtë e tij, tre vëllezërit Balshaj: Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II. Për çdo vendim që merrej ata firmosnin të tre me të njëjtën vulë. Principata arriti të zgjerohej në një hapësirë nga gjiri i Kotorrit në Veri deri në lumin Mat në Jug. Pavarësisht se u desh të përballej me kurthet e carit serb Stefan Uroshi dhe Venedikut që ndiheshin të rrezikuar nga forcimi i tyre por edhe familjeve të tjera feudale arbërore që shpesh lidhnin aleanca mes tyre ose edhe me fuqi të huaja për tu përplasur me ushtrinë e Balshajve. Për tu bërë të pëlqyer nga Perëndimi në vitin 1369 u konvertuan në katolik por nuk e imponuan të njëjtin veprim për banorët e principatës së tyre. Po ashtu ata u shpallën qytetar nderi të Republikës së Raguzës dhe Venedikut që tregon për ndikimin e tyre në këtë periudhë. Madje ata kishin krijuar një zyrë kancelarie për të mbajtur këto marrëdhënie, si edhe në aparat të madh dhe efikas të administratës. Ndërsa përpjekja e tyre për tu zgjeruar në jug i përplaste me Topiajt. Tentativa e parë për të marrë Durrësin ishte në vitin 1364 po humbën përballë mbrojtësve të qytetit, të cilët burgosën dhe më pas liruan Gjergj Balshën. Ndërkohë zgjerimi në jug erdhi pas martesës së Balshës II me vajzën e Andrea II Muzaka, Komitën. Balsha II e mori Vlorën dhe Kaninën, si pajë nga Andrea II Muzaka dhe në aleancë me të mori edhe Kosturin dhe Devollin. Madje Balshajt arritën deri në Çamëri me shtrirjen e tyre dhe i vetmi rival që duhej mundur ishte Karl Topia për të realizuar ëndrrën e krijimit të një shteti të bashkuar shqiptar mesjetar. Në vitin 1382 ata i morën Durrësin, Karl Topisë, qytet të cilin e mbajtën për tre vite, si pjesë të principatës së tyre madje duke e shpallur edhe kryeqytet. Kështu Balshaj tani filluan ta njihnin veten edhe si zotërit e rinj të Durrësit. Pas vdekjes së vëllezërve të tij rolin drejtues të kësaj principate e kishte marrë Balsha II, i cili u desh të përballej sërish me Karl Topinë në jug të Lushnjes, në fushën e Savrës. Në këtë betejë Karl Topia kishte thirrur në krahë edhe trupat osmane, që kështu hynin për herë të parë në Arbëri dhe Balshajt dolën të humbur. Balsha II u angazhua edhe në një tjetër betejë ndaj osmanëve në betejën e Fushë Kosovës në qershor 1389 ku trupat ballkanase dolën të humbura. Pas tre viteve Balsha II pati një tjetër përballje të humbur me osmanët ku u zu rob dhe për lirimin e tij u detyrua të lëshonte Shkodrën, të cilën e rimori në vitin 1395. Ai këtu lidhi një aleancë me Venedikun për tu përballur me ish vasalët e tij shqiptar, që kishin lidhur tashmë aleancë me osmanët. Pas vdekjes së tij drejtimin e principatës e mori Balsha III. Historia e tij ishte e lidhur kryesisht në marrëveshjet dhe luftërat e zhvilluara me Republikën e Venedikut deri në vdekjen e tj më 1421, që solli edhe fundin e ekzistencës së kësaj principate.
Balshajt ishin principata më e fortë arbërore e krijuar gjatë shekullit të XIV në këto toka kryesisht pas vdekjes së carit Stefan Dushani dhe dobësimit të vazhdueshëm të mbretërisë Serbe dhe Perandorisë Bizantine. Por këto familje feudale shqiptare shumë shpesh u vunë në rivalitet dhe përballje me njëra-tjetrën duke lidhur edhe aleanca me fuqi të huaja. Pikërisht kjo nuk favorizoi mundësinë për krijimit e një shteti të përqendruar mesjetar shqiptar. Kështu pas hyrjes së osmanëve në Ballkan përfituan jo vetëm nga dobësia e Bizantit dhe serbëve por edhe nga kjo përçarje që kishin fisnikët shqiptar dhe ballkanas. Kjo bëri që në fillimin e shekullit të XV ekzistenca e këtyre principatave kishte marrë fund dhe tokat arbërore kishin rënë plotësisht në duart e Perandorisë Osmane dhe pjesa e bregdetit e pushtuar nga Republika e Venedikut. Rikthimi i Gjergj Kastriot Skënderbeu në Arbëri do të rikthente një periudhë tjetër lirie dhe vetë organizimi të arbërorëve gjatë shekullit të XV. Me në krye familjen e Kastriotëve dhe vetë Skënderbeun u bashkuan familje si: Arianitët, Dukagjinët, Muzakajt, Topiajt, Balshajt, Zahariajt etj. Por me vdekjen e Skënderbeut brenda shekullit të XV u përfundua pushtimi i plotë i Arbërisë nga Perandoria Osmane.